I Ftuari i Rëndësishëm
Autorët jetojnë në Dar‑Es‑Salam, Tanzani dhe në Jutë, SHBA.
Si mund ta ndihmonte Amoni familjen e tij që të mirëprisnin të ftuarin e tyre të rëndësishëm?
“Ngrini një shtëpi … rregulli, një shtëpi të Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 88:119).
Ishte pasditja e së shtunës. Amoni donte të zbavitej disi.
“Mama”, tha ai, “a mund të shkoj jashtë dhe të luaj?”
“Fillimisht duhet të rregullosh dhomën tënde”, tha mamaja.
“Por, mama”, tha Amoni, “nuk mund të presë dhoma ime?”
“Ne duam të ftojmë dikë të rëndësishëm që të jetë i ftuari ynë. Prandaj e duam shtëpinë tonë që jetë e pastër dhe e rregullt.”
“Një të ftuar të rëndësishëm?” tha Amoni. “Në shtëpinë tonë?”
“Po dhe ti mund të ndihmosh për ta ftuar atë”, tha mamaja. “Prandaj shko dhe rregulloje dhomën tënde.”
Amoni u emocionua. Atij i pëlqente kur kishin të ftuar. Vrau mendjen se kush do të ishte i ftuari. Kryetari i bashkisë? Drejtori i shkollës? Ndoshta do të ishte peshkopi.
Ai shkoi në dhomën e tij. Fillimisht i gjeti çorapet e tij të pista në dysheme. I futi në koshin e rrobave për t’u larë. Pastaj Amoni i vuri librat e shkollës mbi tavolinë. Donte që i ftuari të dinte se atij i pëlqente të mësonte gjëra të reja.
Motra e madhe e Amonit, Ejnxhëlli, erdhi në dhomën e tij. “Çfarë po bën?” pyeti ajo.
“Mamaja tha që do të kemi një të ftuar të rëndësishëm”, tha Amoni. “Ajo më kërkoi të ndihmoj që të jemi gati për të.”
Ata që të dy ngritën sytë dhe panë mamanë tek dera.
“Çfarë tjetër mund të bëjmë që të jemi gati?” tha Amoni. “Ne dëshirojmë që i ftuari ynë i rëndësishëm të ndihet i mirëpritur.”
“Çfarë idesh keni?” pyeti mamaja.
“Mund të themi karibu”, tha Amoni. Në suahilisht ajo fjalë do të thotë: “Jeni i mirëpritur në shtëpinë tonë. Jeni i mirëpritur të flisni.”
“Mund të dëgjojmë”, tha Ejnxhëlli. “Është e rëndësishme të dëgjosh.”
“Këto janë ide të mira”, tha mamaja. “Le të shohim se çfarë do të thotë baba (babi) kur të vijë në shtëpi.”
Pas një ore, baba mbërriti.
Amoni po priste. “Mamaja thotë se po presim një të ftuar të veçantë në shtëpinë tonë. Jemi bërë gati.”
Baba buzëqeshi. “Jam i gëzuar. Eja. Ulu. Le të bisedojmë. Ejnxhëll, të lutem eja dhe ti.”
Kur ishin të gjithë së bashku, baba tha: “Mamaja dhe unë kemi folur rreth të ftuarit tonë të veçantë dhe asaj që mund të bëjmë për ta bërë të ndihet i mirëpritur. Së pari, do t’ju them se kush është i ftuari ynë. Është Fryma e Shenjtë. Ai është njëri nga të ftuarit më të rëndësishëm të të gjithëve.”
Amoni dhe Ejnxhëlli panë njëri‑tjetrin. Nuk ishte ai që priste Amoni!
“Dhe Ai është një i ftuar që ne mund ta ftojmë të jetë me ne gjatë gjithë kohës”, tha mamaja. “Ejnxhëll, pasi u pagëzove, ti u konfirmove. Dhe t’u dha një dhuratë. A e mban mend se çfarë tha baba në atë bekim?”
“Më tha të merrja Frymën e Shenjtë.”
“Saktë”, tha mamaja. “Ti u ftove të merrje Frymën e Shenjtë. Prandaj, Amon, kur thashë që mund të ndihmoje për ta ftuar Atë, çfarë doja të thosha?”
Amoni mendoi. Ai kishte planifikuar të bënte një kartolinë që ta ftonte të ftuarin e tyre. Por si mund ta ftonte Frymën e Shenjtë? “Besoj se duke bërë gjërat që e bëjnë Atë të ndihet i mirëpritur, unë po e ftoj Atë”, tha Amoni.
“Saktë!” tha baba. “Një mënyrë se si mund ta ftojmë Atë në shtëpinë tonë, është duke e bërë atë të rregullt dhe të pastër.”
“A është kjo përse mamaja donte që ne t’i rregullonim dhomat tona?” pyeti Amoni.
“Po!” tha mamaja. “Çfarë tjetër mund të bëjmë për ta ftuar Atë që të jetë me ne?”
“Mund të lutemi”, tha Amoni. “Dhe të lexojmë shkrimet e shenjta.”
“Mund të dëgjojmë muzikë të mirë”, tha Ejnxhëlli. “Mund të këndojmë himne së bashku.”
“Mund të jemi të mirë dhe të mos grindemi”, tha Amoni.
“Saktë”, tha baba. “Kur përpiqemi të bëjmë atë që na mësoi Jezu Krishti, ne e ftojmë Frymën e Shenjtë të jetë me ne. Dhe Ai do të ndihmojë që shtëpia jonë të jetë një vend ku ne mund të ndiejmë dashuri e paqe.”
Amoni u mendua për një minutë. “Ke të drejtë, baba. Fryma e Shenjtë është njëri nga të ftuarit më të rëndësishëm të të gjithëve!”