Pionierë në Çdo Vend
Ollga Shnederfler
Kryekujdestarja e Parë në Tempull nga Çekosllovakia
Ollga e dinte se do të shkonte në tempull një ditë.
Ollga ia nguli vështrimin figurës së tempullit që varej në murin e saj. Ajo psherëtiu. Ah, sikur familja e saj të mund të shkonte në tempull! Por nuk kishte tempuj aty pranë dhe ishte shumë e vështirë për t’u larguar nga atdheu i saj.
Ollga ishte pagëzuar vite më parë. Por më pas misionarët u detyruan që të largoheshin nga vendi. Anëtarët e Kishës nuk lejoheshin të shkonin më në kishë. Ata as nuk mund t’u flisnin të tjerëve rreth besimit të tyre.
Ollga ende vazhdoi ta jetonte ungjillin. Po ashtu edhe bashkëshorti i saj, Jiri. Ata luteshin dhe lexonin shkrimet e shenjta. Ata bënin mbrëmje të shtëpisë dhe i mësonin fëmijët e tyre. Të dielave bënin mbledhjen e sakramentit në apartamentin e tyre të vogël. Ata varën në mure shumë fotografi të tempujve.
Dhe kur Ollga dhe familja e saj ndiheshin të vetmuar, ata kujtonin se kishte mijëra anëtarë të Kishës anembanë botës.
Një ditë ndodhi diçka emocionuese. Presidenti Rasëll M. Nelson, Presidenti i Përgjithshëm i Shkollës të së Dielës, erdhi për të vizituar vendin e tyre. Ollga buzëqeshi teksa i dha dorën Presidentit Nelson. Më pas ai i bëri asaj një premtim të veçantë. “Motër, një ditë ti do të vish në tempull.”
Ollgës iu ngroh zemra. “Faleminderit”, pëshpëriti ajo.
Kaluan muaj. Pastaj vite. Ollga shihte plot mall fotografitë e tempujve të varura në mure. Vajtja në tempull dukej e pamundur!
Pas katër vjetësh, Ollga dhe Jiri u ftuan që të shkonin në konferencën e përgjithshme në Solt‑Lejk‑Siti të Jutës në SHBA. Ollga kishte merak se nuk do të ishin në gjendje të shkonin. Gjërat në atdheun e tyre ishin ende të vështira. Do të duheshin shumë dokumente për të udhëtuar. Por në njëfarë mënyre çdo gjë shkoi mirë. Ollga ndjeu një lëmsh në stomak kur aeroplani u ngrit për të shkuar në Shtetet e Bashkuara. Ishte një mrekulli!
Ollga dhe Jiri shkuan në konferencë dhe dëgjuan profetin. Ata panë Sheshin e Tempullit dhe shkuan te qendra e vizitorëve. Por pjesa më e mirë ishte kur u futën brenda në tempull.
E veshur në të bardha, Ollga u ndje sikur ishte në qiell teksa bëri premtime të veçanta me Perëndinë. Ajo madje u vulos me Jirin. Premtimi i Presidentit Nelson u bë realitet!
Ollga dhe Jiri u kthyen në shtëpi. Me kalimin e kohës, gjërat në atdheun e tyre u përmirësuan. Më së fundi ata ishin në gjendje të shkonin në kishë dhe misionarët mund të jepnin përsëri mësim.
Një ditë ra zilja e telefonit. Ishte Presidenti Tomas S. Monson. Ai e thirri Ollgën që të ishte kryekujdestarja e Tempullit të Frajbergut në Gjermani. Jiri do të ishte presidenti i tempullit.
Ollga buzëqeshi kur qëndroi e veshur me fustanin e bardhë, të gjatë, brenda Tempullit të Frajbergut. Tempulli dikur ishte dukur shumë larg. Por tani ajo mund ta çmonte atë çdo ditë! Ishte një ëndërr e mrekullueshme, e bërë realitet.