2010–2019
Si të Merrni Zbulesë dhe Frymëzim për Jetën Tuaj Personale
Prill 2012


Si të Merrni Zbulesë dhe Frymëzim për Jetën Tuaj Personale

Përse Zoti dëshiron që ne t’i lutemi Atij dhe të pyesim? Sepse kjo është mënyra se si merret zbulesë.

Gjithësecili që qëndron në këtë foltore për të dhënë një mesazh, ndien forcën dhe mbështetjen e anëtarëve në mbarë botën. Jam mirënjohës që po kjo mbështetje mund të vijë prej një shoqeje të dashur në anën tjetër të velit. Faleminderit, Zhaninë.

Fryma e Shenjtë komunikon informacion të rëndësishëm që na nevojitet për të na udhëhequr në udhëtimin tonë në vdekshmëri. Kur është i prerë, i qartë dhe thelbësor, ai meriton titullin e zbulesës. Kur është një seri nxitjesh që kemi shpesh për të na udhëhequr hap pas hapi drejt një synimi të denjë, në kontekstin e kësaj bisede, është frymëzim.

Një shembull i zbulesës do të ishte drejtimi që mori Presidenti Spenser W. Kimball, pas përgjërimit të tij të gjatë e të vazhdueshëm ndaj Zotit, në lidhje me dhënien e priftërisë të gjithë burrave të denjë në Kishë, kur në atë kohë ishte e disponueshme vetëm për disa prej tyre.

Një tjetër shembull zbulese është ky orientim që iu dha Presidentit Jozef F. Smith: “Unë besoj se ne lëvizim dhe e kemi qenien tonë në prani të lajmëtarëve qiellorë dhe të qenieve qiellore. Nuk jemi të ndarë prej tyre. … Ne jemi të lidhur ngushtë me farefisin tonë, me paraardhësit tanë … të cilët na kanë paraprirë në botën e shpirtrave. Ne nuk mund t’i harrojmë; ne nuk reshtim së dashuri ata; ne gjithmonë i mbajmë ata në zemrat e kujtimet tona dhe kështu, jemi të shoqëruar e të lidhur me ta me anë të fijeve që nuk mund t’i këpusim. … Nëse është kështu për ne në situatën tonë të kufizuar, rrethuar nga dobësitë tona të vdekshmërisë, … sa më e sigurt është … të besosh se ata që kanë qenë besnikë, që kanë shkuar përtej … mund të na shohin më mirë sesa i shohim ne; se ata na njohin më mirë nga sa i njohim ne. … Ne jetojmë në prani të tyre, ata na shohin, shqetësohen për mirëqenien tonë, na duan tani më shumë se kurrë. Sepse tani ata shohin rreziqet që na sfidojnë; … dashuria e tyre për ne e dëshira e tyre për mirëqenien tonë duhet të jenë më të mëdha se ato që ndiejmë për veten tonë.”1

Marrëdhëniet mund të forcohen përmes velit, me njerëz që i njohim dhe i duam. Kjo bëhet me anë të përpjekjes sonë të vendosur që të bëjmë vazhdimisht atë që është e drejtë. Ne mund ta forcojmë marrëdhënien tonë me njeriun e vdekur që e duam, duke pranuar se ndarja është e përkohshme dhe besëlidhjet e bëra në tempull janë të përjetshme. Kur u bindemi vazhdimisht, besëlidhje të tilla sigurojnë realizimin e përjetshëm të premtimeve të pandara në to.

Një rast shumë i qartë zbulese në jetën time ndodhi kur unë u nxita fuqishëm nga Shpirti që t’i kërkoja Zhaninë Uotkinsit që të vulosej me mua në tempull.

Një nga mësimet e mëdha që secilit prej nesh i duhet të mësojë, është të pyesë. Përse Zoti dëshiron që ne t’i lutemi Atij dhe të pyesim? Sepse kjo është mënyra se si merret zbulesë.

Kur përballem me një çështje shumë të vështirë, kjo është mënyra se si përpiqem ta kuptoj se çfarë të bëj. Unë agjëroj. Unë lutem që t’i gjej dhe t’i kuptoj shkrimet e shenjta që do të jenë të dobishme. Ai proces është ciklik. Unë filloj të lexoj një fragment shkrimi të shenjtë; meditoj se çfarë do të thotë vargu dhe lutem për frymëzim. Pastaj unë meditoj dhe lutem që të di nëse e kam kapur gjithçka që Zoti dëshiron që të bëj. Shpesh, më shumë mbresa vijnë me rritjen e kuptueshmërisë së doktrinës. Unë kam zbuluar se ky model është një mënyrë e mirë për të mësuar nga shkrimet e shenjta.

Ka disa parime praktike që e shtojnë zbulesën. Së pari, dorëzimi ndaj emocioneve të tilla si inati, ose lëndimi, ose justifikimi, do ta largojë Frymën e Shenjtë. Këto emocione duhet të largohen, ose shansi për të marrë zbulesë është i ulët.

Një tjetër parim është të jesh i kujdesshëm me humorin. E qeshura me zë të lartë dhe pavend do ta fyejë Shpirtin. Një sens i mirë humori e ndihmon zbulesën; e qeshura me zë të lartë jo. Një sens humori është një valvul shkarkimi për trysnitë e jetës.

Një tjetër armik për zbulesën vjen nga zmadhimi ose i foluri me zë të lartë për atë që po thuhet. E folura e qetë dhe e kujdesshme do ta favorizojë marrjen e zbulesës.

Nga ana tjetër, komunikimi shpirtëror, mund të shtohet nga praktika të mira shëndetësore. Ushtrimi fizik, sasi të arsyeshme gjumi dhe zakone të mira të të ushqyerit, e rrisin zotësinë tonë për të marrë dhe kuptuar zbulesë. Ne do të jetojmë për hapësirën tonë të caktuar të jetës. Megjithatë, mund ta rrisim edhe cilësinë e shërbimit edhe vetë mirëqenien tonë duke bërë zgjedhje të kujdesshme dhe me vend.

Është e rëndësishme që aktivitetet tona të përditshme të mos na e tërheqin vëmendjen prej dëgjimit të Shpirtit.

Zbulesa mund të jepet edhe në ëndërr, kur ka një kalim thuajse të pandjeshëm nga gjumi në zgjim. Nëse do të përpiqeni fort ta regjistroni menjëherë përmbajtjen, ju mund të shënoni shumë hollësi, por përndryshe, ajo shuhet shpejt. Komunikimi i frymëzuar natën përgjithësisht shoqërohet nga një ndjenjë e shenjtë gjatë gjithë përvojës. Zoti përdor individë për të cilët ne kemi shumë respekt, që të na mësojnë të vërteta në ëndërr, sepse u mirëbesojmë atyre dhe do ta dëgjojmë këshillën e tyre. Është Zoti që po jep mësim nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Megjithatë, në një ëndërr, Ai mund ta bëjë atë edhe më të lehtë për ta kuptuar edhe me më shumë gjasa që të na prekë zemrën, duke na dhënë mësim nëpërmjet dikujt që e duam dhe e respektojmë.

Kur është për qëllimet e Zotit, Ai mund të na sjellë në kujtesë çfarëdolloj gjëje. Kjo nuk duhet ta dobësojë vendosmërinë tonë për të regjistruar mbresa të Shpirtit. Frymëzimi i shënuar me kujdes i tregon Perëndisë se komunikimet e Tij janë të shenjta për ne. Shënimi do ta rrisë gjithashtu aftësinë tonë për ta rikujtuar zbulesën. Shënimi i tillë i udhëzimit prej Shpirtit duhet të mbrohet nga humbja ose ndërhyrja e të tjerëve.

Shkrimet e shenjta japin vërtetim shprehës të mënyrës se si e vërteta, kur jetohet vazhdimisht, hap derën për frymëzim për të ditur se çfarë të bësh dhe, ku nevojitet, të të shtohen zotësitë personale me anë të fuqisë hyjnore. Shkrimet e shenjta përshkruajnë se si zotësia e një njeriu për të mposhtur vështirësinë, dyshimin dhe sfida në dukje të pakapërcyeshme, forcohet nga Zoti në kohë nevoje. Ndërsa meditoni për shembuj të tillë, do të vijë një vërtetim i qetë nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë se përvojat e tyre janë të vërteta. Ju do të arrini të dini se ndihmë e ngjashme është e disponueshme për ju.

Kam parë njerëz të hasnin sfida, të cilët e dinin se çfarë të bënin kur kjo ishte përtej përvojës së tyre, sepse i mirëbesuan Zotit dhe e dinin se Ai do t’i drejtonte për te zgjidhjet që kërkoheshin urgjentisht.

Zoti ka shpallur: “Dhe ju duhet të mësoheni nga lart. Shenjtëroni vetveten dhe do t’ju dhurohet fuqi, që të mund të jepni madje siç kam thënë unë.”2 Fjalët shenjtëroni vetveten mund të duken të çuditshme. Presidenti Harold B. Li shpjegoi dikur: “Ju mund t’i zëvendësoni ato fjalë me frazën: ‘Mbani urdhërimet e mia’.” E lexuar në atë mënyrë, këshilla mund të duket më e qartë.3

Njeriu duhet të jetë gjithmonë mendërisht dhe fizikisht i pastër dhe të ketë çiltërsi të qëllimit, që Zoti të mund ta frymëzojë. Njeriu, që është i bindur ndaj urdhërimeve të Tij, ka mirëbesimin e Zotit. Ai individ ka të drejtë për frymëzimin e Tij që të dijë se çfarë të bëjë dhe, si të nevojitet, fuqinë hyjnore për ta bërë atë.

Që shpirtshmëria të bëhet më e fortë dhe më e disponueshme, duhet të mbillet në një mjedis të drejtë. Mendjemadhësia, krenaria dhe arroganca janë si një gurishte që nuk do të prodhojë kurrë frut shpirtëror.

Përulësia është një truall pjellor ku shpirtshmëria rritet dhe prodhon frutin e frymëzimit për të ditur se çfarë të bësh. Ajo të jep të drejtën për fuqi hyjnore që të përmbushësh atë që duhet bërë. Një njeri që nxitet nga një dëshirë për lavdërim ose famë, nuk do të kualifikohet për të marrë mësim prej Shpirtit. Një njeri i cili është arrogant ose që i lejon emocionet që t’i ndikojnë vendimet, nuk do të udhëhiqet fuqishëm nga Shpirti.

Kur veprojmë si mjete në emër të të tjerëve, frymëzohemi më lehtë sesa kur mendojmë vetëm për vete. Në procesin e dhënies së ndihmës për të tjerët, Zoti mund të bashkëngjisë udhëzime që ne të përfitojmë.

Ati ynë Qiellor nuk na vuri në tokë që të dështojmë, por që të kemi sukses në mënyrë të lavdishme. Mund të duket paradoksale, por kjo është arsyeja pse dallimi i përgjigjeve për lutjen nganjëherë mund të jetë shumë i vështirë. Nganjëherë, ne përpiqemi në mënyrë të pamatur, që ta përballim jetën duke u mbështetur te përvoja dhe zotësia jonë vetjake. Është shumë më e mençur që të kërkojmë nëpërmjet lutjes dhe frymëzimit hyjnor të dimë se çfarë të bëjmë. Bindja jonë siguron që, kur të kërkohet, mund të kualifikohemi për fuqi hyjnore që ta përmbushim një synim të frymëzuar.

Si shumë prej nesh, Oliver Kaudri nuk e njohu provën e përgjigjeve ndaj lutjeve që ishin dhënë tashmë nga Zoti. Për të hapur sytë e tij dhe tanët, iu dha kjo zbulesë nëpërmjet Jozef Smithit:

“Bekuar qofsh për atë që ti ke bërë; sepse ke kërkuar prej meje dhe vër re, sa shpesh që ti ke kërkuar, ke marrë udhëzim nga Shpirti im. Po të mos ishte kështu, ti nuk do të kishe ardhur në vendin ku je në këtë kohë.

Vër re, ti e di se ke kërkuar prej meje dhe unë vërtet e ndriçova mendjen tënde; dhe tani unë t’i them këto gjëra që ti të mund të dish se ke qenë ndriçuar nga Shpirti i së vërtetës.”4

Nëse e ndieni se Perëndia nuk u është përgjigjur lutjeve tuaja, meditoni për këto shkrime të shenjta – pastaj kërkoni me kujdes prova në vetë jetën tuaj që Ai tashmë mund t’ju jetë përgjigjur.

Dy tregues se një ndjenjë ose nxitje vjen nga Perëndia, janë se ajo ju jep paqe në zemër dhe një ndjenjë të qetë e të ngrohtë. Ndërsa ndiqni parimet që diskutova, do të jeni të përgatitur për ta dalluar zbulesën në kohë vendimtare në jetën tuaj.

Sa më nga afër ta ndiqni udhëheqjen hyjnore, aq më e madhe do të jetë lumturia juaj këtu dhe për përjetësinë – për më tepër, aq më i bollshëm do të jetë përparimi juaj dhe zotësia për të shërbyer. Unë nuk e kuptoj plotësisht se si bëhet kjo, por ajo udhëheqje në jetën tuaj nuk ua heq lirinë e zgjedhjes. Ju mund të merrni vendimet që zgjidhni të merrni. Por kujtoni, gatishmëria për të bërë mirë sjell paqe të zemrës dhe lumturi.

Nëse zgjedhjet janë të gabuara, ato mund të ndreqen nëpërmjet pendimit. Kur kushtet e saj plotësohen tërësisht, Shlyerja e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë, siguron një lirim nga kërkesat e drejtësisë për gabimet e bëra. Ajo është mrekullisht e thjeshtë dhe me kaq bukuri të pashoqe. Ndërsa vazhdoni të jetoni drejtësisht, ju gjithmonë do të nxiteni që të dini se çfarë të bëni. Nganjëherë, zbulimi i atij veprimi që duhet të ndërmerret, kërkon përpjekje dhe mirëbesim domethënës nga ana juaj. Akoma, ju do të nxiteni që të dini se çfarë të bëni, kur plotësoni kushtet për një udhëheqje të tillë hyjnore në jetën tuaj, domethënë, bindje ndaj urdhërimeve të Zotit, mirëbesim në planin e Tij hyjnor të lumturisë dhe shmangie të çfarëdo gjëje që është në kundërshtim me të.

Komunikimi me Atin tonë në Qiell nuk është një çështje e vogël. Ai është një privilegj i shenjtë. Ai bazohet mbi parime të përjetshme e të pandryshuara. Ne marrim ndihmë nga Ati ynë në Qiell në përgjigje të besimit tonë, bindjes dhe përdorimit të duhur të lirisë së zgjedhjes.

Zoti ju frymëzoftë që t’i kuptoni dhe t’i përdorni parimet që çojnë në zbulesë dhe frymëzim personal, në emrin e Jezu Krishtit, amen.