2010–2019
Të Mësojmë Fëmijët Tanë të Kuptojnë
Prill 2012


Të Mësojmë Fëmijët Tanë të Kuptojnë

Të mësojmë fëmijët tanë të kuptojnë është më shumë sesa thjesht të ndajmë informacion. Ka të bëjë me të ndihmuarin e fëmijëve që të fusin doktrinën në zemrat e tyre.

Ndërsa vitet kalojnë, shumë hollësira në jetën time po bëhen gjithnjë e më shumë të turbullta, por disa prej kujtimeve të mia që qëndrojnë më të kthjellta, janë lindjet e secilit prej fëmijëve tanë. Kujtimet dukeshin aq afër dhe, nëse përpiqem, unë mund të ndiej pothuaj po ato ndjenja të nderimit dhe mrekullisë që përjetova çdo herë që një nga ato foshnja të çmuara u vendos në krahët e mi.

“Bijtë [tanë] janë një trashëgimi që vjen nga Zoti” (Psalmeve 127:3). Ai e njeh dhe e do çdonjërin me dashuri të përkryer (shih Moroni 8:17). Çfarë përgjegjësie të shenjtë vendos mbi ne Ati Qiellor si prindër, që të bashkëpunojmë me Të për të ndihmuar shpirtrat e Tij të zgjedhur të bëhen ajo çka Ai e di se ata mund të bëhen.

Ky privilegj hyjnor i rritjes së fëmijëve tanë është një përgjegjësi tepër e madhe që të mund ta bëjmë të vetëm, pa ndihmën e Zotit. Ai e di me përpikëri se çfarë kanë nevojë të dinë fëmijët tanë, se çfarë kanë nevojë të bëjnë dhe se çfarë duhet të bëhen që të kthehen në praninë e Tij. Ai u jep nënave dhe baballarëve udhëzim dhe drejtim të veçantë përmes shkrimeve të shenjta, profetëve të Tij dhe Frymës së Shenjtë.

Në një zbulesë të ditëve të mëvonshme, përmes Profetit Jozef Smith, Zoti i udhëzon prindërit t’u mësojnë fëmijëve të tyre të kuptojnë doktrinën e pendimit, të besimit në Krisht, të pagëzimit dhe të dhuratës së Frymës së Shenjtë. Vini re se Zoti nuk thotë vetëm se ne duhet t’ua “mësojmë doktrinën”; udhëzimet e Tij janë për t’i mësuar fëmijët tanë të “kuptojnë doktrinën”. (Shih DeB 68:25, 28; theksimi i shtuar.)

Te Psalmet lexojmë: “Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër” (Psalmeve 119:34).

Të mësojmë fëmijët tanë të kuptojnë është më shumë sesa thjesht të ndajmë informacion. Ka të bëjë me të ndihmuarin e fëmijëve që të fusin doktrinën në zemrat e tyre në një mënyrë që bëhet pjesë e vetë qenies së tyre dhe kjo pasqyrohet në qëndrimet e sjelljen e tyre gjatë gjithë jetës.

Nefi dha mësim se roli i Frymës së Shenjtë është ta çojë të vërtetën “në zemrat e fëmijëve të njerëzve” (2 Nefi 33:1). Roli ynë si prindër është të bëjmë gjithçka mundemi për të krijuar një mjedis ku fëmijët tanë të mund të ndiejnë ndikimin e Shpirtit dhe më pas t’i ndihmojmë ata të dallojnë atë që po ndiejnë.

M’u kujtua një telefonatë që mora disa vite më parë nga vajza jonë Mishel. Me një ndjenjë të ëmbël ajo tha: “Mama, sapo pata përvojën më të habitshme me Eshlin”. Eshli është vajza e saj, e cila ishte pesë vjeçe në atë kohë. Mishela e përshkroi mëngjesin si një grindje të vazhdueshme midis Eshlit dhe Endrjus tre vjeçar – njëri nuk donte t’i ndante gjërat dhe tjetri do të qëllonte. Pasi i ndihmoi ata t’i zgjidhnin gjërat, Mishela shkoi për të parë të voglin.

Shpejt, Eshli hyri duke vrapuar, e inatosur që Endrju nuk po i ndante gjërat me të. Mishela e rikujtoi Eshlin për zotimin që kishin bërë në mbrëmjen familjare për të qenë më të sjellshëm me njëri-tjetrin.

Ajo e pyeti Eshlin nëse dëshironte të lutej dhe të kërkonte ndihmën e Atit Qiellor por Eshli, ende shumë e inatosur, iu përgjigj “Jo”. Kur e pyeti nëse ajo besonte se Ati Qiellor do t’i përgjigjej lutjes së saj, Eshli tha se nuk e dinte. E ëma i kërkoi asaj të përpiqej dhe me butësi e kapi nga duart dhe u gjunjëzua me të.

Mishela sugjeroi se Eshli mund t’i kërkonte Atit Qiellor ta ndihmonte Endrjun të ndante gjërat – dhe ta ndihmonte atë të ishte e sjellshme. Mendimi se Ati Qiellor do ta ndihmonte të vëllanë e saj të vogël që t’i ndante gjërat mund të ketë zgjuar interesin e Eshlit dhe ajo nisi të lutej, së pari duke i kërkuar Atit Qiellor ta ndihmonte Endrjun t’i ndante gjërat. Ndërsa i kërkoi Atij ta ndihmonte të ishte e sjellshme, ajo nisi të qajë. Eshli e mbylli lutjen e saj dhe e mbështeti kokën mbi supin e mamasë. Mishela e shtrëngoi atë dhe e pyeti se përse po qante. Eshli tha se nuk e dinte.

Mamaja i tha: “Mendoj se e di përse po qan. A ndihesh mirë brenda vetes?” Eshli tundi kokën dhe mamaja vazhdoi: “Ky është Shpirti që të ndihmon të ndihesh në këtë mënyrë. Është mënyra e Atit Qiellor për të të thënë se Ai të do dhe se do të të ndihmojë.”

Ajo e pyeti Eshlin nëse e besoi këtë, nëse ajo besoi se Ati Qiellor mund ta ndihmojë. Me sytë e saj të vegjël të përlotur, Eshli tha se ajo e besonte.

Ndonjëherë mënyra më e shkëlqyer për t’u mësuar fëmijëve tanë të kuptojnë një doktrinë është t’i mësojmë sipas rrethanës që po përjetojnë pikërisht në atë moment. Këto momente janë spontane e të paplanifikuara dhe ndodhin në aktivitetet e zakonshme të jetës familjare. Ato vijnë dhe shkojnë shpejt, kështu që ne duhet të jemi vigjilentë dhe ta dallojmë një çast mësimdhënieje kur fëmijët tanë vijnë te ne me një pyetje ose shqetësim, kur ata kanë probleme për t’u marrë vesh me vëllezërit e motrat apo miqtë, kur kanë nevojë të kontrollojnë zemërimin e tyre, kur bëjnë një gabim ose kur kanë nevojë të marrin një vendim. (Shih Teaching, No Greater Call: A Resource Guide for Gospel Teaching [1999], f. 140–141; Marriage and Family Relations Instructor’s Manual [2000], f. 61.)

Nëse jemi gati dhe do ta lejojmë Shpirtin të na drejtojë në këto situata, fëmijët tanë do të marrin mësim me efektshmëri dhe kuptueshmëri më të madhe.

Po aq të rëndësishme janë çastet e mësimdhënies që vijnë ndërsa planifikojmë me maturi aktivitete të rregullta si lutja familjare, studimi familjar i shkrimeve të shenjta, mbrëmja familjare në shtëpi dhe aktivitete të tjera familjare.

Në çdo situatë mësimdhënieje i gjithë mësimi dhe i gjithë kuptimi ushqehen më mirë në një atmosferë ngrohtësie dhe dashurie, ku Shpirti është i pranishëm.

Rreth dy muaj përpara se fëmijët e tij të mbushnin nga tetë vjeç, babai do të gjente kohë çdo javë për t’i përgatitur ata për pagëzimin. Vajza e tij tha se kur ishte radha e saj [për t’u pagëzuar], ai i dha asaj një ditar dhe u ulën së bashku, vetëm ata të dy, dhe folën e ndanë ndjenjat rreth parimeve të ungjillit. Ai i vizatoi asaj një skicë ndihmëse ndërsa bënë përpara. Ajo tregonte ekzistencën para lindjes, këtë jetë tokësore dhe secilin hap që ajo duhej të merrte që të kthehej për të jetuar me Atin Qiellor. Ndërsa ia dha atë mësim asaj, ai ndau dëshminë për secilin hap të planit të shpëtimit.

Kur bija e tij solli ndërmend këtë përvojë pasi ishte rritur, ajo tha: “Nuk do ta harroj kurrë dashurinë që ndieva nga babai im kur ai kaloi atë kohë me mua. … Unë besoj se kjo përvojë ishte një arsye kryesore që unë kisha një dëshmi për ungjillin kur u pagëzova.” (Shih Teaching, No Greater Call, f. 129.)

Dhënia mësim për të kuptuar kërkon përpjekje të vendosur e të qëndrueshme. Kërkohet mësimdhënie përmes porosisë morale e përmes shembullit dhe veçanërisht përmes të ndihmuarit të fëmijëve tanë që të jetojnë atë çka mësojnë.

Presidenti Harold B. Li dha mësim: “Pa përjetuar një parim të ungjillit në veprim, është … më e vështirë të besosh në atë parim” (Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee [2000], f. 121).

Unë fillimisht mësova të lutem duke u gjunjëzuar me familjen time në lutjen familjare. M’u dhanë mësim fjalët që përdoren kur lutesh, ndërsa dëgjova prindërit e mi të luten dhe ndërsa më ndihmuan të thoshja lutjet e mia të para. Mësova se unë mund të flisja me Atin Qiellor dhe të kërkoja drejtim.

Çdo mëngjes pa harruar, nëna dhe babai im mblidheshin së bashku rreth tavolinës së kuzhinës përpara mëngjesit dhe gjunjëzoheshin në lutjen familjare. Ne luteshim në çdo vakt. Në mbrëmje përpara se të shkonim në shtrat, gjunjëzoheshim në dhomën e ndjenjjes dhe e mbyllnim ditën me lutje familjare.

Edhe pse kishte shumë gjëra që nuk i kuptova rreth lutjes kur qeshë fëmijë, ajo u bë një pjesë e tillë e jetës sime, që qëndroi me mua. Unë akoma vazhdoj të mësoj dhe kuptimi im për fuqinë e lutjes ende vazhdon të rritet.

Plaku Xhefri R. Holland tha: “Ne të gjithë e kuptojmë se suksesi i mesazhit të ungjillit varet nga mësimdhënia e tij dhe më pas kuptimi, dhe më pas të jetuarit, në një mënyrë të tillë që premtimi i tij për lumturinë dhe shpëtimin të mund të përmbushet” (“Teaching and Learning in the Church” [worldwide leadership training meeting, 10 shkurt 2007], Liahona, qershor 2007, f. 57).

Të mësosh t’i kuptosh plotësisht doktrinat e ungjillit është një proces gjatë tërë jetës dhe vjen “rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje” (2 Nefi 28:30). Ndërsa fëmijët mësojnë dhe veprojnë sipas asaj që mësojnë, kuptimi i tyre zgjerohet, që çon në një nxënie më të madhe, në më shumë veprim dhe madje në një kuptim më të madh e më të qëndrueshëm.

Ne mund ta dimë se fëmijët tanë po fillojnë ta kuptojnë doktrinën kur e shohim atë të shfaqet në qëndrimet dhe veprimet e tyre pa kërcënime apo shpërblime të sipërfaqshme. Ndërsa fëmijët tanë mësojnë të kuptojnë doktrinën e ungjillit, ata bëhen më të mbështetur te vetja dhe më të përgjegjshëm. Ata bëhen pjesë e zgjidhjes së sfidave tona familjare dhe japin një kontribut pozitiv në mjedisin e shtëpisë sonë dhe në suksesin e familjes sonë.

Ne do t’i mësojmë fëmijët tanë të kuptojnë ndërsa shfrytëzojmë çdo situatë mësimdhënieje, ftojmë Shpirtin, japim shembullin dhe i ndihmojmë ata të jetojnë atë që mësojnë.

Kur shohim në sytë e një foshnjeje të vocërr, na kujtohet kënga:

Fëmi i Per’ndis’ jam,

nevoj’ kam un’ gjithmon’;

ndihmom’ që fjal’t e tij t’kuptoj

gjersa nuk është von’.

Tregom’, drejtom’, pran’ ti më rri,

rrugën që ta gjej.

Çfar’ të bëj ti më mëso

të rroj me të në qiej.

(“Fëmi i Per’ndis’ Jam”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 58; theksimi i shtuar)

Veprofshim kështu. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.