2010–2019
Punëtorët në Vresht
Prill 2012


Punëtorët në Vresht

Ju lutem, dëgjoni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë duke ju thënë pikërisht tani, në këtë çast, se ju duhet ta pranoni dhuratën shlyese të Zotit Jezu Krisht.

Duke marrë parasysh thirrjet dhe lirimet që Presidenca e Parë sapo njoftoi, më lejoni të flas për të gjithë ne, duke thënë se do t’i kujtojmë dhe duam gjithmonë ata që kanë shërbyer kaq besnikërisht, ashtu siç menjëherë i duam dhe i mirëpresim ata që tani janë thirrur për të shërbyer në pozicione të ndryshme. Falënderimet tona të përzemërta për të gjithë ju.

Dëshiroj të flas për shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit në të cilën zoti i shtëpisë “doli herët në mëngjes për të pajtuar me mëditje punëtorë”. Pasi punësoi grupin e parë në orën 06:00 të mëngjesit, ai u kthye në orën 09:00 të mëngjesit, në orën 12:00 të drekës dhe në 15:00 të pasdites duke punësuar më shumë punëtorë, ndërkohë që rritej urgjenca e korrjes. Shkrimi i shenjtë thotë se ai u kthye për herë të fundit “rreth orës së njëmbëdhjetë” (afërsisht në orën 17:00) dhe punësoi grupin e fundit të njerëzve. Më pas, vetëm një orë më vonë, të gjithë punëtorët u mblodhën për të marrë pagën e ditës. Çuditërisht, të gjithë punëtorët morën të njëjtën pagë, pavarësisht orëve të ndryshme të punës. Menjëherë, ata që u punësuan në fillim u zemëruan, duke thënë: “Këta të fundit punuan vetëm një orë, dhe ti i trajtove si ne që hoqëm barrën dhe vapën e ditës”1. Kur e keni lexuar këtë shëmbëlltyrë, ndoshta ju, si edhe ata punëtorë, keni menduar se këtu po bëhej një padrejtësi. Më lejoni të flas shkurtimisht rreth këtij shqetësimi.

Së pari, është e rëndësishme të përmend se askush nuk është trajtuar padrejtësisht këtu. Punëtorët e parë ranë dakord për pagën e plotë të ditës dhe e morën atë. Veç kësaj, ata ishin, thjesht mund ta imagjinoj, shumë mirënjohës që gjetën punë. Në kohën e Shpëtimtarit, një burrë në nivel mesatar dhe familja e tij nuk mund të bënin më shumë sesa të jetonin me ato që kishin fituar atë ditë. Nëse nuk do të punoje ose kultivoje, ose peshkoje apo shisje, ka gjasa të mos ushqeheshe. Me më shumë punëtorë të disponueshëm sesa punë, këta burra të parë të zgjedhur ishin më fatlumët në të gjithë grupin e punëtorëve të disponueshëm atë mëngjes.

Në të vërtetë, nëse do të ndiejmë ndonjë keqardhje, të paktën ajo duhet të jetë fillimisht për burrat e pazgjedhur të cilët gjithashtu kishin familje për të cilat duhej të kujdeseshin. Fati dukej sikur nuk ishte kurrë me disa prej tyre. Nga secila vizitë e kujdestarit gjatë gjithë ditës, ata gjithmonë panë dikë tjetër të zgjedhur.

Por pikërisht në fund të ditës, zoti i shtëpisë kthehet papritur të pestën herë me një ofertë të mrekullueshme të orës së njëmbëdhjetë! Këta punëtorë të fundit dhe më shumë të shkurajuarit, thjesht duke dëgjuar se do të trajtoheshin me drejtësi, e pranuan punën madje pa e ditur pagën, duke e ditur se diçka do të ishte më mirë se asgjë, që ishte ajo që ata kishin pasur deri tani. Më pas, ndërsa u mblodhën për pagesën e tyre, u habitën që morën të njëjtën shumë si gjithë të tjerët! Sa të befasur mund të kenë qenë dhe sa shumë, shumë mirënjohës! Me siguri kurrë nuk është parë një dhembshuri e tillë në të gjitha ditët e tyre të punës.

Mendoj se me këtë kuptueshmëri të historisë duhet shikuar mërmëritja e punëtorëve të parë. Ndërsa zoti i shtëpisë në shëmbëlltyrë u thotë atyre (dhe po parafrazoj vetëm pak): “Miqtë e mi, unë nuk jam i padrejtë me ju. Ju ratë dakord me pagën për një ditë, një pagë e mirë. Ju ishit shumë të lumtur që e gjetët punën dhe unë jam shumë i lumtur me mënyrën se si shërbyet. Jeni paguar plotësisht. Merreni pagën tuaj dhe shijojeni bekimin. Sa për të tjerët, sigurisht që jam i lirë të bëj atë që dua me paratë e mia.” Pastaj kjo pyetje e mprehtë për cilindo, atëherë dhe tani, që ka nevojë ta dëgjojë: “Përse duhetjeni xhelozë për shkak se unë zgjedh të jem i mirë?

Vëllezër dhe motra, do të ketë kohë në jetën tonë kur dikush tjetër merr një bekim të papritur ose merr ndonjë vlerësim të veçantë. A mund të lutem bashkë me ju që të mos pezmatohemi – dhe sigurisht të mos ndihemi ziliqarë – kur bekime të mira i vijnë një personi tjetër? Ne nuk do të na zvogëlohet kur dikujt tjetri i shtohet. Ne nuk jemi në një garë kundër njëri-tjetrit, që të shohim se cili është më i pasuri, ose më i talentuari, ose më i bukuri apo madje më i bekuari. Gara në të cilën jemi me të vërtetë është ajo kundër mëkatit dhe sigurisht zilia është një nga mëkatet më universale.

Veç kësaj, zilia është një gabim që thjesht vazhdon. Siç duket, ne vuajmë pak kur ndonjë fatkeqësi na ndodh ne, por zilia kërkon që të vuajmë për shkak të gjithë fatit të mirë që i bie kujtdo që njohim! Kjo nuk na jep shpresa të mira për të ardhmen – të mos lumturohesh çdo herë që dikush rreth teje është i lumtur! Do të jetë akoma dhe më e sikletshme, kur të zbulojmë se Perëndia vërtet është edhe i drejtë edhe i mëshirshëm, që u jep të gjithëve që qëndrojnë me Të “gjithë pasurinë e vet”2, siç thotë shkrimi i shenjtë. Kështu që, mësimi numër një nga vreshti i Zotit: lakmimi, varja e buzëve apo të kërkosh t’i bësh të tjerët më pak të lumtur nuk rrit pozitën tënde dhe as të poshtërosh dikë nuk e përmirëson imazhin tënd. Kështu që, jini të mirë dhe jini mirënjohës që Perëndia është i mirë. Është një mënyrë e gëzuar për të jetuar.

Një pikë tjetër që dua të marr nga kjo shëmbëlltyrë është gabimi i dhimbshëm që disa mund të bënin nëse hiqnin dorë nga paga e tyre në fund të ditës, sepse ishin të shqetësuar me gjëra që mendonin se ishin probleme më herët gjatë ditës. Në shkrimin e shenjtë nuk thuhet se ndonjëri ia hodhi monedhën në fytyrë të zotit të shtëpisë dhe u largua i zemëruar pa asnjë qindarkë, por supozoj se dikush mund ta ketë bërë.

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, ajo që ndodhi në këtë histori në orën 09:00 ose në mesditë, apo në orën 15:00 nuk ka rëndësi në krahasim me pagesën e mrekullueshme dhe bujare për të gjithë në fund të ditës. Formula e besimit është të vazhdojmë, të punojmë, ta bëjmë deri në fund dhe ta lëmë shqetësimin e orëve të para – të vërtetë ose të supozuar – që të largohet për begatinë e çmimit përfundimtar. Mos u ndalni në çështje ose fyerje të vjetra – as kundër vetes as kundër fqinjit, as kundër, mund të shtoj, kësaj Kishe të vërtetë dhe të gjallë. Madhështia e jetës suaj, e jetës së fqinjit tuaj dhe e ungjillit të Jezu Krishtit do t’u bëhet e ditur në ditën e fundit, edhe nëse kjo madhështi nuk njihet gjithmonë nga secili në fillim. Kështu që mos u shqetësoni për diçka që ndodhi në 09:00 të mëngjesit kur hiri i Perëndisë po përpiqet t’ju shpërblejë në orën 18:00 – çfarëdo qofshin oraret e punës gjatë ditës.

Ne konsumojmë energji të tilla të çmuara emocionale dhe shpirtërore, duke u kapur fort pas kujtimit të një note muzikore të stonuar që luajtëm në recitalin e pianos së fëmijërisë apo të diçkaje që bashkëshorti/ja tha ose bëri 20 vite më parë që jemi të vendosur t’ia kujtojmë edhe për 20 vite të tjera, ose të një incidenti në historinë e Kishës që provoi, as më shumë e as më pak, se të vdekshmit gjithmonë do të luftojnë për të qenë po aq të mirë sa pritshmëritë e Perëndisë për ta. Edhe nëse një nga ato ankesa nuk nisi me ju, mund të përfundojë me ju. Dhe çfarë shpërblimi do të kishte për atë kontribut kur Zoti i vreshtit të sheh në sy dhe llogaritë janë rregulluar në fund të ditës sonë tokësore.

Kjo më drejton në pikën time të tretë dhe të fundit. Kjo shëmbëlltyrë – si të gjitha shëmbëlltyrat e tjera – nuk ka të bëjë aq shumë me punëtorët ose pagën po aq sa ç’kanë të bëjnë shëmbëlltyrat e tjera me delet dhe dhitë. Kjo është një histori për mirësinë e Perëndisë, durimin dhe faljen e Tij dhe Shlyerjen e Zotit Jezu Krisht. Është një histori për bujarinë dhe dhembshurinë. Është një histori për hirin. Ajo nënvizon mendimin që dëgjova shumë vite më parë, se sigurisht gjëja që Perëndinë e gëzon më shumë rreth të qenit Perëndi, është emocioni i të qenit i mëshirshëm, veçanërisht për ata që nuk e presin ose shpesh ndihen sikur nuk e meritojnë.

Nuk e di se cili në këtë audiencë të gjerë sot mund të ketë nevojë të dëgjojë mesazhin për faljen që është pjesë e pandarë e kësaj shëmbëlltyre, por sado vonë që të mendoni se jeni, pavarësisht shumë shanseve që mendoni se keni humbur, pavarësisht gabimeve të shumta që ndieni se keni bërë apo talenteve që mendoni se nuk i keni, ose distancës nga shtëpia dhe familja, dhe Perëndia që mendoni se jeni larguar, ju dëshmoj se nuk keni shkuar përtej shtrirjes së dashurisë hyjnore. Nuk është e mundur që ju të zhyteni më poshtë se drita e pafundme e Shlyerjes së Krishtit që shkëlqen.

Nëse nuk jeni ende të besimit tonë ose ishit me ne një herë dhe nuk jeni më, nuk ka asgjë në asnjërin rast që keni bërë që nuk mund të korrigjohet. Nuk ka asnjë problem që nuk mund ta kapërceni. Nuk ka ëndërr që në shpalosjen e kohës dhe përjetësisë nuk mund të plotësohet ende. Edhe nëse ndiheni se jeni punëtori i humbur dhe i fundit i orës së njëmbëdhjetë, Zoti i vreshtit qëndron duke na e bërë me shenjë. “Le t’i afrohemi me guxim fronit të hirit”3 dhe të biem mbi gjunjët e të Shenjtit të Izraelit. Ejani dhe gostituni “pa para dhe pa paguar”4 në tavolinën e Zotit.

Unë veçanërisht bëj një apel për bashkëshortët dhe baballarët, mbajtësit e priftërisë ose mbajtësit e ardhshëm të priftërisë, siç tha Lehi: “Zgjohuni! Ngrihuni nga pluhuri … dhe bëhuni burra”5. Jo gjithmonë, por shpesh janë burrat që zgjedhin të mos i përgjigjen thirrjes për “t’iu bashkuar radhëve”6. Gratë dhe fëmijët shpesh duken më të gatshëm. Vëllezër është koha të veproni. Bëjeni për veten tuaj. Bëjeni për hir të atyre që ju duan dhe po luten që të përgjigjeni. Bëjeni për hir të Zotit Jezu Krisht, që pagoi një çmim të pamatshëm për të ardhmen që Ai dëshiron që të keni.

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, për ata prej jush që janë bekuar nga ungjilli për shumë vite sepse ju ishit me mjaft fat për ta gjetur atë qysh herët, për ata prej jush që i janë afruar ungjillit pak nga pak më vonë dhe atyre prej jush – anëtarë ose ende jo – që ende mund të ngurrojnë [të bashkohen], secilit prej jush, cilitdo dhe të gjithëve, unë dëshmoj për fuqinë përtëritëse të dashurisë së Perëndisë dhe mrekullisë së hirit të Tij. Shqetësimi i Tij është për besimin që ju do të arrini përfundimisht, jo për orën e ditës në të cilën ju do të shkoni atje.

Ndaj, nëse keni bërë besëlidhje, mbajini ato. Nëse nuk i keni bërë, bëjini ato. Nëse i keni bërë dhe i keni thyer ato, pendohuni dhe korrigjojini. Nuk është kurrë tepër vonë për aq kohë sa Pronari i vreshtit thotë se ka kohë. Ju lutem, dëgjoni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë duke ju thënë pikërisht tani, në këtë çast, se ju duhet ta pranoni dhuratën shlyese të Zotit Jezu Krisht dhe ta shijoni shoqërinë e punës së Tij. Mos u vononi. Po bëhet vonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.