Katër Tituj
Do të doja të sugjeroja katër tituj … që mund të na ndihmojnë t’i njohim rolet tona vetjake në planin e përjetshëm të Perëndisë dhe potencialin tonë si mbajtës të prifërisë
Të dashur vëllezër dhe miq të mi të dashur, më mbushet zemra me mirënjohje dhe gëzim që jam me ju. Unë ju lavdëroj ju baballarë dhe gjyshër që keni sjellë bijtë dhe nipërit tuaj. Unë ju përgëzoj ju të rinj që keni zgjedhur të jeni këtu sot. Ky është vendi ku duhet të jini. Shpresoj se mund ta ndieni vëllazërinë që na bashkon, dhe lutem që këtu, midis vëllezërve tuaj, ju do të gjeni përkatësi, mbështetje dhe miqësi.
Ne burrat ndonjëherë e përcaktojmë veten nëpërmjet titujsh. Shumë prej nesh kanë tituj të shumëfishtë dhe secili thotë diçka të rëndësishme rreth identitetit tonë. Për shembull, disa tituj përshkruajnë rolet tona në familje, të tillë si bir, vëlla, bashkëshort dhe baba. Tituj të tjerë përshkruajnë punët që ne bëjmë në botë, të tilla si mjek, ushtar apo artizan. Dhe disa përshkruajnë thirrjet tona në Kishë.
Sot do të doja të sugjeroja katër tituj që unë besoj se u përshtaten të gjithë mbajtësve të pritërisë nëpër botë – tituj që mund të na ndihmojnë t’i njohim rolet tona vetjake në planin e përjetshëm të Perëndisë dhe potencialin tonë si mbajtës të prifërisë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Bir i Atit Qiellor
Një titull që na përcakton të gjithë ne, në mënyrën më themelore, është bir i Atit Qiellor. Pavarësisht nga çfarë tjetër jemi apo bëjmë në jetë, nuk duhet të harrojmë kurrë se ne jemi fëmijë shpirtërorë të mirëfilltë të Perëndisë. Ne ishim fëmijë të Tij para se të vinim në këtë botë dhe do të jemi fëmijët e Tij përgjithmonë. Kjo e vërtetë bazë ndryshon mënyrën se si e shohim veten, vëllezërit dhe motrat tona dhe vetë jetën.
Fatkeqësisht, asnjë prej nesh nuk jeton plotësisht sipas gjithçkaje që përfshin ky titull, “sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë”1.
Mund të jetë shkurajuese nganjëherë kur e di se çfarë do të thotë të jesh bir i Perëndisë dhe përsëri të dështosh në përmbushjen e potencialit tënd si i tillë. Kundërshtari dëshiron t’i shfrytëzojë këto ndjenja. Satani do të donte që ju ta përcaktonit veten sipas mëkateve tuaja dhe jo sipas potencialit tuaj hyjnor. Vëllezër, mos ia vini veshin atij.
Ne të gjithë e kemi parë një foshnjë që mëson të ecë. Ai bën një hap të vogël dhe lëkundet. Ai bie. A e qortojmë një përpjekje të tillë? Natyrisht që jo. Cili baba do ta ndëshkonte një foshnjë sepse pengohet? Ne nxisim, ne duartrokasim dhe ne lavdërojmë, sepse me çdo hap të vogël, fëmija po bëhet më shumë si prindërit e tij.
Tani, vëllezër, krahasuar me përsosmërinë e Perëndisë, ne të vdekshmit zor se jemi më shumë se foshnja të ngathëta, ngurruese. Por Ati ynë i dashur Qiellor na do të bëhemi më shumë si Ai dhe, vëllezër të dashur, ky duhet të jetë qëllimi ynë i përjetshëm gjithashtu. Perëndia e kupton se ne nuk arrijmë atje brenda një çasti, por duke i bërë hapat një e nga një.
Unë nuk besoj në një Perëndi i cili do të vendoste rregulla dhe urdhërime me qëllimin e vetëm për të na pritur të dështonim, që Ai të mund të na ndëshkonte. Unë besoj në një Atë Qiellor që është i dashur dhe i përkujdesur dhe që gëzohet për çdo përpjekje tonën për të qëndruar kryelartë dhe për të ecur drejt Tij. Dhe, edhe kur pengohemi, Ai na nxit të mos shkurajohemi – kurrë të mos dorëzohemi apo t’i shmangemi pjesës sonë të caktuar të shërbimit – por të marrim kurajë, ta gjejmë besimin tonë dhe të vazhdojmë të përpiqemi.
Ati ynë në Qiell i mëson fëmijët e Tij dhe shpesh u dërgon ndihmë qiellore të padukshme atyre që dëshirojnë ta ndjekin Shpëtimtarin.
Dishepull i Jezu Krishtit
Dhe kjo na çon te titulli tjetër që ne të gjithë e kemi të përbashkët: Të gjithë ata që përpiqen seriozisht të ndjekin Krishtin, quhen dishepuj të Tij. Edhe pse e dimë se askush prej nesh nuk është i përsosur, ne nuk e përdorim atë fakt si justifikim për t’i ulur pritshmëritë tona, për të jetuar nën nivelin e privilegjeve tona, për ta shtyrë ditën e pendimit tonë, apo për të mos pranuar të bëhemi pasues më të mirë, më të përsosur, më të përpunuar të Mësuesit dhe Mbretit tonë.
Kujtoni që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk është ngritur për burra dhe gra që janë të përsosur apo të paprekur nga tundimet e vdekshmërisë, por më tepër, ajo është ngritur për njerëz që janë saktësisht si ju dhe unë. Dhe ajo është ngritur mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë, Zotit Jezu Krisht2, nëpërmjet Shlyerjes së të Cilit ne mund të pastrohemi dhe të bëhemi “bashkëqytetarë … të familjes së Perëndisë”3.
Pa Shlyerjen e Jezu Krishtit, jeta do të ishte një udhë pa krye, pa shpresë apo të ardhme. Me Shlyerjen, jeta është një udhëtim fisnikërues e frymëzues, rritjeje e zhvillimi që çon në jetë të përjetshme në praninë e Atit tonë Qiellor.
Por edhe pse Shlyerja ka për qëllim të na ndihmojë ne të gjithë të bëhemi më shumë si Krishti, ajo nuk ka për qëllim të na bëjë të gjithë njësoj. Ndonjëherë ne i ngatërrojmë ndryshimet në personalitet me mëkatin. Ne madje mund të mendojmë gabimisht se, ngaqë dikush është i ndryshëm nga ne, kjo duhet të nënkuptojë që ai nuk e kënaq Perëndinë. Mendime si këto i bëjnë disa njerëz të besojnë se Kisha dëshiron ta krijojë çdo anëtar sipas një kallëpi të vetëm – që çdo anëtar duhet të duket, të ndiejë, të mendojë dhe të sillet si çdo anëtar tjetër. Kjo do të binte në kundërshtim me gjeninë e Perëndisë, i Cili e krijoi çdo njeri të ndryshëm nga vëllai i tij, çdo bir të ndryshëm nga babai i tij. Madje binjakët identikë nuk janë identikë në personalitetin dhe veçoritë shpirtërore të tyre.
Ajo gjithashtu bie në kundërshtim me synimin dhe qëllimin e Kishës së Jezu Krishtit, që njeh dhe mbron lirinë morale të zgjedhjes – me të gjitha pasojat e saj të rënda – për secilin dhe këdo nga fëmijët e Perëndisë. Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne bashkohemi në dëshminë tonë për ungjillin e rivendosur dhe në zotimin tonë për të mbajtur udhërimet e Perëndisë. Por ne jemi të ndryshëm në parapëlqimet tona kulturore, shoqërore dhe politike.
Kisha fuqizohet kur ne përfitojmë nga kjo shumëllojshmëri dhe e nxisim njëri–tjetrin t’i zhvillojmë dhe t’i përdorim talentet tona për të nxitur dhe forcuar bashkëdishepujt tanë.
Vëllezër, të qenit dishepull është një udhëtim i përjetshëm për ta ndjekur Shpëtimtarin tonë. Përgjatë udhëtimit tonë metaforik nga Bethlehemi për në Golgotë, ne vërtet do të kemi shumë mundësi për ta braktisur udhëtimin tonë. Ndonjëherë do të duket sikur udha kërkon më shumë se sa do të kishim dëshiruar. Por si burra të priftërisë, ne duhet të kemi kurajën ta ndjekim Shëlbuesin tonë, edhe kur kryqi ynë duket tepër i rëndë për ta mbajtur.
Me çdo hap që bëjmë duke ndjekur Birin e Perëndisë, ne mund të na kujtohet se ende nuk jemi të përsosur. Por ne duhet të jemi dishepuj të patundur dhe të qëndrueshëm. Ne nuk duhet të dorëzohemi. Ne duhet t’i mbajmë besnikërisht besëlidhjet tona. Ne duhet të shohim kurdoherë drejt Mbrojtësit dhe Shëlbuesit tonë, ndërsa ecim drejt Tij, me hapa të papërsosur njëri pas tjetrit.
Shërues i Shpirtrave
Vëllezër, nëse vërtet ndjekim Zotin Jezu Krisht, ne duhet të përvetësojmë një titull të tretë: shërues i shpirtrave. Ne që jemi shuguruar në priftërinë e Perëndisë, thirremi për të shëruar të tjerët4.
Është detyra jonë që të formojmë, ndreqim, forcojmë, ngremë moralisht dhe të shërojmë. Detyra jonë është të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit dhe të ndihmojmë ata që vuajnë. Ne “vajto[jmë] me ata që vajtojnë … dhe ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen”5. Ne u lidhim plagët të pikëlluarve. Ne “ndihmo[jmë] të dobëtit, ngr[emë] duart që varen poshtë dhe forco[jmë] gjunjët e këputur”6.
Si mësues të shtëpisë, ne jemi shërues. Si udhëheqës të priftërisë, ne jemi shërues. Si baballarë, bij, vëllezër dhe bashkëshortë, ne duhet të jemi shërues të zotuar dhe të përkushtuar. Ne mbajmë në një dorë një shishe të vogël me vaj të përkushtuar për bekimin e të sëmurëve; në tjetrën, ne mbajmë një bukë për të ushqyer të uriturit; dhe në zemrat tona, ne mbajmë fjalën e paqes së Perëndisë, “që shëron shpirtin e plagosur”7.
Kjo është përgjegjësia jonë e parë dhe kryesore si mbajtës të priftërisë – dhe kjo i përket si mbajtësve të Priftërisë Aarone, ashtu edhe të asaj Melkizedeke. Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit i bekon jetët, jo vetëm kur e besojmë atë – por edhe më shumë kur e jetojmë atë. Është në zbatimin e parimeve të ungjillit që individët ngrihen moralisht dhe familjet forcohen. Është privilegji dhe përgjegjësia jonë jo thjesht t’i themi gjërat e drejta, por gjithashtu t’i bëjmë gjërat e drejta.
Shpëtimtari është bërësi i mrekullive. Ai është Shëruesi i madh. Ai është shembulli ynë, drita jonë, madje në çastet më të errëta, dhe Ai na tregon udhën e drejtë.
Ne duhet ta ndjekim Atë. Ne duhet ta përmbushim rolin tonë dhe të bëhemi shërues duke i shërbyer Perëndisë dhe bashkënjerëzve tanë.
Trashëgimtar i Jetës së Përjetshme
Titulli i katërt që ndajmë ne të gjithë, na kthen te titulli i parë në listën tonë. Si bij të Atit tonë Qiellor, ne jemi trashëgimtarë të gjithçkaje që Ai ka.
“Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë.
Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë me të dhe lavdohemi me të.”8
Mendoni për këtë, vëllezërit e mi të dashur. Ne jemi bashkëtrashëgimtarë me Krishtin!
Pra, a ka ndonjë kuptim që shumë prej nesh shpenzojnë aq tepër nga koha, mendimet, financat dhe energjitë tona të çmuara duke u dhënë pas prestigjit apo pasurisë, apo për t’u argëtuar me pajisjet elektronike më të reja dhe më të shkëlqyera?
Zoti ka vendosur përpara nesh premtimin hyjnor se, “cilëtdo që janë besnikë në marrjen e këtyre dy priftërive, … [në] lartësimin e thirrjes së tyre, … [do të] më pranojnë mua, thotë Zoti; … Dhe ai që më pranon mua, pranon Atin tim; si rrjedhim, gjithçka që Ati im ka, do t’i jepet atij”9.
Është përtej fuqisë sime që të përfytyroj gjithçka që përcjell ky premtim. Por unë vërtet e di se ai është i mrekullueshëm, ai është hyjnor, ai është i përjetshëm dhe i meriton të gjitha përpjekjet tona në jetë.
Duke e ditur këtë, si është e mundur që të mos përfshihemi me vullnet dhe me gëzim në shërbim të Zotit e të bashkënjerëzve tanë dhe për të jetuar sipas përgjegjësive tona në priftërinë e Perëndisë?
Kjo është një punë shumë fisnike që do të na sfidojë me çdo mënyrë dhe do të na kërkojë t’i përdorim të gjitha aftësitë tona. A dëshirojmë t’i shohim qiejt të hapen dhe të dëshmojmë nxitjet e Frymës së Shenjtë që na tregon udhën? Atëherë le ta marrim draprin dhe të bëjmë përpjekjet tona në këtë vepër të madhe – një kauzë shumë më e madhe se vetja jonë!
Shërbimi ndaj Perëndisë dhe bashkënjerëzve tanë do të na krijojë sfida dhe do të na shndërrojë në diçka më të madhe nga sa mund ta kemi menduar ndonjëherë të mundshme.
Ndoshta ju mund të mendoni se nuk jeni të nevojshëm, që ju kanë anashkaluar apo nuk ju duan, që jeni i parëndësishëm.
Më vjen sinqerisht keq nëse ndonjë mbajtës priftërie ndihet kështu. Sigurisht ju nuk jeni të anashkaluar apo të padëshiruar nga Ati juaj Qiellor. Ai ju do. Dhe unë ju them me siguri se ju i nevojiteni Kishës suaj.
A nuk e dini se “Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët”10?
Ndoshta është e vërtetë që ne jemi të dobët. Ndoshta ne nuk jemi të urtë apo të fuqishëm. Por kur Perëndia punon nëpërmjet nesh, askush dhe asgjë nuk mund të na kundërshtojë.11
Kjo është arsyja përse jeni të nevojshëm. Ju keni për të dhënë ndihmesën tuaj të veçantë dhe Perëndia mund ta lartësojë në mënyrë të fuqishme atë ndihmesë. Aftësia juaj për të ndihmuar nuk varet nga thirrja juaj në Kishë. Ju keni mundësi të pafundme për të shërbyer. Në qoftë se jeni në pritje jashtë vijave të fushës, ju nxis që të hyjni në lojë.
Mos prisni për një thirrje të posaçme para se të angazhoheni plotësisht në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë. Si mbajtës i priftërisë, ju jeni thirrur tashmë në punë. Studiojeni fjalën e Perëndisë çdo ditë, lutiuni Atit Qiellor çdo ditë, bëjini parimet e ungjillit të rivendosur pjesë të qenies tuaj, jepini falënderime Perëndisë dhe kërkoni drejtimin e Tij. Pastaj jetojeni atë që mësoni, së pari në familjen tuaj, por edhe në çdo situatë të jetës suaj.
Në simfoninë e Kompozitorit të madh, ju keni pjesën tuaj të veçantë për të luajtur – notat tuaja për të kënduar. Edhe nëse dështoni t’i ekzekutoni ato, simfonia me siguri do të vazhdojë. Por nëse ngriheni dhe i bashkoheni korit, dhe e lejoni fuqinë e Perëndisë të veprojë nëpërmjet jush, ju do të shihni “pragjet e qiellit” të hapen, dhe Ai do të “derdhë mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini”12. Plotësoni potencialin tuaj të vërtetë si bir i Perëndisë dhe ju mund të jeni një forcë për të mirën në familjen tuaj, shtëpinë tuaj, komunitetin tuaj, kombin tuaj dhe vërtet në botë.
Dhe në këtë proces, ndërsa “humb[isni] jetën [tuaj]” në shërbim të të tjerëve13, ju do të rriteni dhe zhvilloheni gjersa të arrini “masën e shtatit të plotësisë së Krishtit”14. Atëherë ju do të përgatiteni për të trashëguar, me Krishtin, gjithçka që ka Ati juaj.
Ju Jeni të Rëndësishëm për Perëndinë
Vëllezërit e mi të dashur, ju jeni të rëndësishëm. Juve ju duan. Ju jeni të nevojshëm. Kjo punë është e vërtetë. Priftëria që keni privilegjin të mbani, është vërtet prej Perëndisë.
Unë lutem që, ndërsa meditoni mbi titujt e shumtë të një mbajtësi të denjë të priftërisë, ju do të zbuloni se keni një ndihmë hyjnore, që gjithmonë ju ndihmon të përparoni drejt trashëgimisë madhështore që Ati juaj Qiellor ka ruajtur për ju. Ju lë këtë bekim dhe dëshminë time në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.