2010–2019
Mirësevini në Konferencë
Prill 2013


Mirësevini në Konferencë

Ju nxis fort të jeni të vëmendshëm dhe rrokës të mesazheve që do të dëgjojmë. Është lutja ime që të mund ta bëjmë këtë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sa i kënaqur jam që t’ju uroj mirëseardhjen në Konferencën e Përgjithshme Vjetore të 183–të të Kishës.

Gjatë gjashtë muajve që kur u takuam për herë të fundit, kam pasur mundësi të udhëtoja paksa dhe të takohem me disa prej jush në vetë zonat tuaja. Pas konferencës së përgjithshme në tetor, udhëtova për në Gjermani, ku ishte privilegji im të takohesha me anëtarët tanë në vendndodhje të ndryshme në atë vend, si dhe në pjesë të Austrisë.

Në fund të tetorit, përkushtova Tempullin e Kalgarit në Alberta të Kanadasë, me ndihmën e Plakut dhe motrës M. Rasëll Ballard, Plakut e motrës Krejg C. Kristensen dhe Plakut e motrës Uilliam R. Uolker. Në nëntor, ripërkushtova Tempullin e Bojzit në Ajdaho. Gjithashtu, në udhëtim me mua dhe pjesëmarrës në përkushtim ishin Plaku dhe motra Dejvid A. Bednar, Plaku dhe motra Krejg C. Kristensen dhe Plaku e motra Uilliam R. Uolker.

Kremtimet kulturore të mbajtura së bashku me këto dy përkushtime, qenë të jashtëzakonshme. Nuk mora pjesë personalisht në kremtimin kulturor në Kalgari, duke qenë se ishte ditëlindja e 85–të e motrës Monson dhe ndjeva se duhet të isha me të. Sidoqoftë, ajo dhe unë u privilegjuam duke e parë kremtimin në dhomën tonë të ndjenjjes përmes televizorit me qark të mbyllur dhe më pas unë shkova me avion mëngjesin vijues për në Kalgari për përkushtimin. Në Bojzi, mbi 9.000 të rinj nga distrikti i tempullit morën pjesë në kremtimin kulturor. Kishte kaq shumë të rinj të përfshirë, saqë nuk kishte vend që anëtarët e familjes të merrnin pjesë tek arena në të cilën ata interpretuan.

Vetëm një muaj më parë, Presidenti Diter F. Uhtdorf, i shoqëruar nga motra Uhtdorf, Plaku e motra Xhefri R. Holland dhe Plaku e motra Gregori A. Shvicer, udhëtuan për në Tegusigalpa të Hondurasit, për të përkushtuar tempullin tonë të sapopërfunduar atje. Një kremtim mahnitës nga të rinjtë ndodhi mbrëmjen përpara përkushtimit.

Ka tempuj të tjerë që janë njoftuar dhe që janë në faza të ndryshme të procesit parapërgatitor ose që janë në ndërtim e sipër.

Është privilegji im këtë mëngjes të njoftoj dy tempuj të tjerë, të cilët në muajt dhe vitet e ardhshme do të ndërtohen në vendet në vijim: dhe. Sidër Siti në Juta dhe Rio de Zhaneiro në Brazil. Vëllezër e motra, ndërtimi i tempujve vazhdon pa u ngadalësuar.

Siç e dini, në konferencën e përgjithshme të tetorit, njoftova ndryshime për moshën në të cilën të rinjtë dhe të rejat mund të shërbejnë si misionarë kohëplotë, me të rinjtë që tani mund të shërbejnë në moshën 18–vjeçare dhe të rejat në moshën 19–vjeçare.

Reagimi i rinisë sonë ka qenë i mahnitshëm e frymëzues. Deri më 4 prill – dy ditë më parë – ne kemi 65.634 misionarë kohëplotë që po shërbejnë, me 20.000 të tjerë që i kanë marrë thirrjet e tyre, por që nuk kanë hyrë ende në një qendër trajnimi për misionarët dhe mbi 6.000 të tjerë në proces interviste me peshkopët dhe presidentët e kunjeve të tyre. Ka qenë e nevojshme që ne të krijonim 58 misione të reja për të mirëpritur numrin e rritur të misionarëve.

Për të ndihmuar në ruajtjen e kësaj force misionare dhe për shkak se shumë prej misionarëve tanë vijnë nga rrethana të përulura, ju ftoj ju, sipas mundësisë që keni, që të dhuroni bujarisht për Fondin e Përgjithshëm Misionar të Kishës.

Tani, vëllezër e motra, do të dëgjojmë mesazhe të frymëzuara sot dhe nesër. Ata që do të na drejtohen, kanë kërkuar të dinë me lutje atë që Zoti do të dëshironte që ne ta dëgjojmë në këtë kohë.

Ju nxis fort të jeni të vëmendshëm dhe rrokës të mesazheve që do të dëgjojmë. Është lutja ime që ne të mund ta bëjmë këtë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.