Zgjidhni me Mençuri
“H[idhni] poshtë të keqen dhe … zgj[idhni] të mirën” (Isaia 7:15).
Vëllezërit e mi të dashur, dëshira ime këtë mbrëmje është që të jap disa këshilla rreth vendimeve dhe zgjedhjeve.
Kur isha avokat i ri në Zonën e Gjirit të San-Franciskos, firma jonë bëri disa punë ligjore për kompaninë që prodhonte programe të veçanta televizive për festa me Çarli Braunin. U bëra admirues i Çarli Shulcit dhe i krijimit të tij – Kikirikat, me Çarli Braunin, Lusin, Snupin dhe personazhe të tjera të mrekullueshme.
Një nga seritë e mia më të parapëlqyera humoristike përfshinte Lusin. Me aq sa kujtoj, ekipi i bejsbollit të Çarli Braunit ishte në një ndeshje të rëndësishme – Lusi po luante në krahun e djathtë dhe një top i lartë kaloi mbi të. Në çdo bazë kishte nga një lojtar të ekipit kundërshtar dhe ishte aksioni i fundit i lojës. Nëse Lusi e kapte topin, ekipi i saj do të fitonte. Nëse Lusi e lëshonte topin, ekipi tjetër do të fitonte.
Siç mund të ndodhë vetëm në një seri humoristike, i gjithë ekipi e rrethoi Lusin ndërsa topi po binte poshtë. Lusi po mendonte: “Nëse e kap topin, do të jem heroina; nëse nuk e kap, do të jem dhia”.
Topi ra poshtë dhe ndërsa shokët dhe shoqet e saj të grupit panë me padurim nga ajo, Lusi e lëshoi topin. Çarli Brauni e hodhi dorezën e tij në tokë me indinjatë. Atëherë Lusi pa nga shokët dhe shoqet e grupit të saj, i vendosi duart në ije dhe tha: “Si prisni që unë ta kap topin kur jam e shqetësuar për politikat e jashtme të vendit tonë?”
Ky ishte një nga topat e lartë të shumtë që Lusi kishte lëshuar përgjatë viteve dhe ajo kishte një justifikim të ri çdo herë. Ndonëse ishin gjithmonë me humor, shfajësimet e Lusit ishin justifikime; ato ishin arsye të pavërteta të dështimit të saj për të kapur topin.
Gjatë shërbesës së Presidentit Tomas S. Monson, ai shpesh ka dhënë mësim se vendimet përcaktojnë fatin. Në atë frymë, këshilla ime sonte është që të ngrihemi mbi çdo justifikim që na pengon nga marrja e vendimeve të drejta, veçanërisht për sa i takon shërbimit ndaj Jezu Krishtit. Tek Isaia na mësohet se ne duhet “t[a] hedh[im] poshtë të keqen dhe të zgjedh[im] të mirën”.
Unë besoj se është me rëndësi të veçantë në kohën tonë, kur Satani po tërbohet në zemrat e njerëzve në kaq shumë mënyra të reja dhe dinake, që zgjedhjet dhe vendimet tona të bëhen me kujdes, në përputhje me synimet dhe objektivat me anë të të cilave ne deklarojmë se jetojmë. Na duhet zotim i qartë ndaj urdhërimeve dhe bindje e rreptë ndaj besëlidhjeve të shenjta. Kur ne i lejojmë justifikimet që të na pengojnë nga indaumentet e tempullit, misionet e denja dhe martesa në tempull, ato janë veçanërisht të dëmshme. Të thyhet zemra kur ne deklarojmë besim në këto synime, por prapëseprapë e shpërfillim sjelljen e përditshme që kërkohet për t’i arritur ato.
Disa të rinj deklarojnë se synimi i tyre është të martohen në tempull por nuk dalin në takime me persona të denjë për në tempull. Për të qenë të ndershëm, disa as nuk dalin në takime, pikë! Ju burra beqarë, sa më gjatë të mbeteni beqarë, pas një moshe të duhur dhe të pjekur, aq më rehat do të ndiheni. Po aq më shumë jo rehat ju duhet të ndiheni! Ju lutem, “përfshihuni me zell” në veprimtari shoqërore e shpirtërore që pajtohen me synimin tuaj për një martesë tempulli.
Disa e shtyjnë martesën derisa të përfundohet arsimimi dhe të gjendet puna. Ndonëse pranohet gjerësisht në botë, ky arsyetim nuk tregon besim, nuk pajtohet me këshillën e profetëve të kohës dhe nuk përputhet me doktrinën e shëndoshë.
Kohët e fundit takova një të ri adoleshent të hijshëm. Synimet e tij ishin të shkonte në mision, të merrte arsimim, të martohej në tempull dhe të kishte një familje besnike e të lumtur. Isha shumë i kënaqur me synimet e tij. Por gjatë bisedës së mëtejshme, u bë e qartë se sjellja e tij dhe zgjedhjet që po bënte, nuk ishin në përputhje me synimet e tij. Ndjeva se ai sinqerisht donte të shkonte në mision dhe po shmangte shkelje të rënda që do ta ndalonin nga një mision, por sjellja e tij ditë pas dite nuk po e përgatiste për sfidat fizike, emocionale, shoqërore, intelektuale dhe shpirtërore që ai do të haste. Ai nuk kishte mësuar të punonte fort. Ai nuk ishte serioz me shkollën apo seminarin. Ai merrte pjesë në kishë, por nuk e kishte lexuar Librin e Mormonit. Ai po harxhonte një sasi të madhe kohe me videolojëra dhe mjete të komunikimit shoqëror. Dukej se mendonte që thjesht të shkuarit në mision do të mjaftonte. Të rinj, ju lutem zotohuni sërish për sjellje të denjë dhe përgatitje serioze për të qenë të dërguarit e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.
Shqetësimi im nuk është vetëm për vendimet e mëdha kulmore por edhe për vendimet në dukje jo domethënëse – botën e përditshme dhe vendimet në dukje të zakonshme ku ne harxhojmë pjesën më të madhe të kohës sonë. Në këto fusha, ne kemi nevojë të theksojmë maturi, drejtpeshim dhe veçanërisht urtësi. Është e rëndësishme që të ngrihemi mbi justifikimet dhe të bëjmë zgjedhjet më të mira.
Një shembull i mrekullueshëm i nevojës për maturi, drejtpeshim dhe urtësi është përdorimi i internetit. Mund të përdoret për të bërë punë misionare, për të ndihmuar për përgjegjësitë e priftërisë, për të gjetur paraardhës të çmuar për ordinancat e shenjta të tempullit dhe shumë më tepër. Potenciali për mirë është i pamasë. Ne gjithashtu e dimë se mund të përçojë shumë nga ajo që është e keqe, duke përfshirë pornografinë, mizorinë ndaj të tjerëve përmes mjeteve të komunikimit elektronik dhe thashethemet anonime. Ai gjithashtu mund të përjetësojë marrëzinë. Ashtu si na mësoi fuqishëm Vëllai Rendëll L. Rid në konferencën e fundit, duke folur mbi internetin: “Mund të gjendeni të zënë në pusitë e pafundme të kotësisë që jua çon kohën dëm dhe e pakësojnë potencialin tuaj”.
Shpërqendrimet dhe kundërshtimi ndaj drejtësisë nuk janë vetëm në internet; ato janë kudo. Ato nuk ndikojnë vetëm te rinia por tek të gjithë ne. Jetojmë në një botë që është vërtet në rrëmujë. Rrethohemi nga portretizime ngulitëse të “qejfit e lojërave” dhe të jetës së pamoralshme dhe jofunksionale. Këto paraqiten si sjellje normale në shumë prej mjeteve të komunikimit.
Plaku Dejvid A. Bednar kohët e fundit i këshilloi anëtarët të jenë të vërtetë në përdorimin e mjeteve të komunikimit shoqëror. Një udhëheqës i spikatur i mendimit, Artur C. Bruks, e ka theksuar këtë pikë. Ai vë re se, kur i përdorim mjetet e komunikimit shoqëror, ne kemi prirjen të shpërndajmë hollësitë e lumtura të jetës sonë, por jo kohët e vështira në shkollë ose punë. Ne portretizojmë një jetë jo të plotë – ndonjëherë në një mënyrë vetëzmadhuese ose të rreme. Ne e tregojmë këtë jetë dhe, më pas, konsumojmë “jetën pothuajse plotësisht të rreme të ‘miqve’ [tanë] të medias shoqërore”. Bruksi pohon: “Si mund të mos ju bëjë të ndiheni keq kur harxhoni një pjesë të kohës suaj duke pretenduar se jeni më të lumtur nga sa jeni dhe pjesën tjetër të kohës suaj duke parë se sa shumë më të lumtur se ju duket se janë të tjerët?”.
Nganjëherë, duket sikur po fundosemi në marrëzinë e pavlerë, zhurmën e pakuptimtë dhe grindjen e vazhdueshme. Kur e zvogëlojmë shpërqendrimin dhe hetojmë thelbin, ka shumë pak gjëra që do të na ndihmojnë në kërkimin tonë të përjetshëm drejt synimeve të drejta. Një baba u përgjigjet me mençuri fëmijëve të tij për kërkesat e tyre të shumta për të marrë pjesë në këto shpërqendrime. Ai thjesht i pyet ata: “A do të të bëjë kjo një njeri më të mirë?”
Kur ne i justifikojmë zgjedhjet e gabuara, të mëdha ose të vogla, të cilat janë në mospërputhje me ungjillin e rivendosur, ne i humbasim bekimet dhe mbrojtjen që na nevojitet, dhe shpesh zihemi në grackën e mëkatit ose thjesht e humbasim udhën tonë.
Jam veçanërisht i shqetësuar për marrëzinë dhe të qenit i fiksuar për “çdo gjë të re”. Në Kishë, ne e nxitim dhe e vlerësojmë të vërtetën dhe njohurinë e çdo lloji. Por kur kultura, njohuria dhe normat e rëndësishme shoqërore shkëputen nga plani i Perëndisë për lumturinë dhe roli thelbësor i Jezu Krishtit, ka një shpërbërje të pashmangshme të shoqërisë. Në kohën tonë, pavarësisht nga përparimet e pashembullta në shumë fusha, veçanërisht në shkencë dhe komunikim, vlerat thelbësore bazë janë dobësuar dhe lumturia e mirëqenia e përgjithshme janë zvogëluar.
Kur apostulli Pal u ftua për të folur në kodrën Mars në Athinë, ai gjeti disa nga të njëjtat pretendime intelektuale dhe mungesë të urtësisë së vërtetë që ekziston sot. Te Veprat e Apostujve ne lexojmë këtë rrëfim: “Atëherë gjithë Athinasit dhe të huajt që banonin atje nuk e kalonin kohën më mirë sesa duke folur ose duke dëgjuar ndonjë fjalë të re”. Theksi i Palit ishte Ringjallja e Jezu Krishtit. Kur turma e kuptoi natyrën fetare të mesazhit të tij, disa e përqeshën atë; të tjerë kryesisht e larguan duke thënë: “Do të të dëgjojmë përsëri për këtë gjë”. Pali u largua nga Athina pa asnjë sukses. Din Frederik Farrar shkroi për këtë vizitë: “Në Athinë ai nuk themeloi asnjë kishë, athinasve nuk u shkroi asnjë letër dhe në Athinë, megjithëse kalonte shpesh nga fqinja e saj, ai nuk shkeli më kurrë”.
Unë besoj se mesazhi i frymëzuar i Plakut Dallin H. Ouks, që dallon midis “e mirë, më mirë, më e mira”, siguron një mënyrë të efektshme për të vlerësuar zgjedhjet dhe përparësitë. Shumë zgjedhje nuk janë në thelb të këqija por, nëse na marrin gjithë kohën dhe na largojnë nga zgjedhjet më të mira, atëherë ato bëhen tinëzare.
Edhe veprimtaritë e dobishme kanë nevojë për vlerësim, me qëllim që të përcaktojmë nëse janë bërë shpërqendrime nga synimet më të mira. Unë pata një diskutim të paharrueshëm me babanë kur isha adoleshent. Ai nuk besonte se mjaft të rinj ishin të përqendruar ose po përgatiteshin për synime afatgjata të rëndësishme – si punësimi dhe kujdesja për familjet.
Studimi kuptimplotë dhe përvoja përgatitore e punës ishin gjithmonë në krye të përparësive të rekomanduara nga babai im. Ai çmonte se veprimtaritë jashtëshkollore, si klasa e debatit dhe qeveria e nxënësve mund të kishin një lidhje të drejtpërdrejtë me disa nga synimet e mia të rëndësishme. Ai ishte më pak i sigurt rreth kohës së madhe që harxhoja duke marrë pjesë në futboll, basketboll, bejsboll dhe duke vrapuar. Ai e pranonte se atletët mund të ndërtonin forcë, durim dhe punë në grup, por pohonte se ndoshta përqendrimi te një sport për një kohë më të shkurtër do të ishte më mirë. Në pikëpamjen e tij, sportet ishin të mira por jo më e mira për mua. Ai ishte i shqetësuar se disa sporte ishin për krijimin e popullaritetit vendor ose famës në kurriz të disa synimeve afatgjata më të rëndësishme.
Duke u nisur nga kjo histori, një prej arsyeve pse më pëlqen rrëfimi i Lusit duke luajtur bejsboll është se, në këndvështrimin e babait tim, unë duhet të kisha studiuar politikën e jashtme dhe të mos shqetësohesha nëse do të kapja ndonjë top. Duhet ta bëj të qartë se mamaja ime i donte sportet. Do t’i duhej të shtrohej në spital që ajo të mungonte në një nga ndeshjet e mia.
Kisha vendosur të ndiqja këshillën e babit dhe të mos luaja sporte ndëruniversitare në kolegj. Më pas, trajneri ynë i futbollit në shkollën e mesme më vuri në dijeni se trajneri i futbollit në Stenford dëshironte të hante drekë me Merlin Olsenin dhe mua. Ata prej jush që janë më të rinj, mund të mos e njohin Merlinin. Ai ishte një nga lojtarët më të mirë mbrojtës në ekipin e futbollit të shkollës së mesme “Logan”, ku unë luaja si mesfushor e mbrojtës, sulmues e pritës. Në shkollë të mesme Merlini u rekrutua nga ekipet më të mëdha të futbollit kudo në vend. Në kolegj ai fitoi Trofeun Autlend si futbollisti i parë më i mirë i vendit. Merlini ishte përfundimisht personi i tretë i përzgjedhur në Ligën Kombëtare të Futbollit dhe luajti në 14 lojëra të njëpasnjëshme me lojtarët më të mirë profesionistë. Ai u bë anëtar i Sallonit të Famës së futbollit profesionist në vitin 1982.
Dreka me trajnerin e Stenfordit ishte në restorantin Blubërd, në Logan të Jutas. Pasi shtrënguam duart, ai kurrë nuk më pa as edhe një herë të vetme, drejt në sy. Ai foli drejtpërdrejt me Merlinin, por më shpërfilli mua. Në fund të drekës, për herë të parë, ai u kthye drejt meje por nuk mund ta kujtonte emrin tim. Ai më pas e vuri në dijeni Merlinin: “Nëse zgjedh Stenfordin dhe dëshiron ta sjellësh me vete shokun tënd, ai ka nota mjaftueshëm të mira dhe ndoshta mund ta rregullojmë”. Kjo përvojë më vërtetoi se duhej të ndiqja këshillën e mençur të babait tim.
Qëllimi im nuk është të shkurajoj pjesëmarrjen në sporte ose përdorimin e internetit apo veprimtari të dobishme të cilave të rinjtë u gëzohen. Ato janë lloji i veprimtarive që kërkojnë maturi, drejtpeshim dhe urtësi. Kur përdoren me mençuri, ato e pasurojnë jetën tonë.
Megjithatë, unë e nxit çdokënd, të ri apo të moshuar, të rishikojë synimet e objektivat dhe të përpiqet të ushtrojë disiplinë më të madhe. Sjellja dhe zgjedhjet tona të përditshme duhet të jenë në përputhje me synimet tona. Ne kemi nevojë të ngrihemi mbi justifikimet dhe shpërqendrimet tona. Është veçanërisht e rëndësishme t’i bëjmë zgjedhjet në përputhje me besëlidhjet tona për t’i shërbyer Jezu Krishtit në drejtësi. Ne nuk duhet t’i heqim sytë tanë apo ta lëshojmë topin për asnjë arsye.
Kjo jetë është koha që të përgatitemi të takohemi me Perëndinë. Ne jemi një popull i lumtur e i hareshëm. Ne e vlerësojmë ndjenjën e mirë të humorit dhe e çmojmë kohën joformale me miqtë dhe familjen. Por ne kemi nevojë ta pranojmë se ka një seriozitet qëllimi që duhet ta forcojë mënyrën si i qasemi jetës e të gjitha zgjedhjeve tona. Shpërqendrimet dhe shfajësimet që kufizojnë përparimin, janë mjaft të dëmshme por, kur zvogëlojnë besimin te Jezu Krishti dhe Kisha e Tij, ato janë tragjike.
Lutja ime është që, si një trupë mbajtësish të priftërisë, ne do ta përputhim sjelljen tonë me qëllimet fisnike që kërkohen prej atyre që janë në shërbim të Mësuesit. Në të gjitha gjërat ne duhet të kujtojmë se të qenit “[i] guximshëm në dëshminë e Jezusit” është prova e madhe ndarëse midis mbretërive çelestiale dhe terrestiale. Ne duam të gjendemi në anën çelestiale të asaj ndarjeje. Si një nga Apostujt e Tij, unë dëshmoj me zjarr për realitetin e Shlyerjes dhe të hyjnisë së Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.