2010–2019
[I] Di Këto Gjëra Vetë
tetor 2014


[I] Di Këto Gjëra Vetë

Të mësuarit vetë se ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit është i vërtetë mund të jetë një nga përvojat më të madhërishme e më të gëzueshme në jetë.

Vëllezërit e mi të dashur, ne frymëzohemi vazhdimisht nga shembulli vetjak dhe shërbimi priftëror i Presidentit Tomas S. Monson. Kohët e fundit, disa dhjakë u pyetën: “Çfarë admironi më shumë rreth Presidentit Monson?” Një dhjak kujtoi se si Presidenti Monson, kur ishte fëmijë, ua dha lodrat e tij shokëve nevojtarë. Një tjetër përmendi se si Presidenti Monson u kujdes për shumë të veja në lagjen e tij. Një i tretë vërejti se ai u thirr si Apostull në një moshë shumë të re dhe i ka bekuar njerëzit kudo nëpër botë. Më pas, një i ri tha: “Gjëja që admiroj më shumë rreth Presidentit Monson, është dëshmia e tij e fortë”.

Me të vërtetë, ne të gjithë e kemi ndier dëshminë e veçantë të profetit tonë për Shpëtimtarin, Jezu Krishtin, dhe zotimin e tij për t’i ndjekur gjithmonë nxitjet e Shpirtit. Me çdo përvojë që ai tregon, Presidenti Monson na fton ta jetojmë ungjillin më plotësisht dhe ta kërkojmë e forcojmë dëshminë tonë vetjake. Kujtoni atë që tha ai nga kjo foltore vetëm pak konferenca më parë: “Në mënyrë që të jemi të fortë dhe t’u bëjmë ballë të gjitha forcave që na shtyjnë në drejtimin e gabuar … , ne duhet të kemi dëshminë tonë vetjake. Qoftë nëse jeni 12 apo 112 vjeç – ose sado mes këtyre – ju mund ta dini për veten tuaj se ungjilli i Jezu Krishtit është i vërtetë.”

Megjithëse mesazhi im sonte u drejtohet atyre që janë më afër me 12 vjeç sesa me 112, parimet që tregoj, zbatohen për çdonjërin. Në përgjigje të thënies së Presidentit Monson, unë do të pyesja: A e di secili nga ne personalisht që ungjilli është i vërtetë? A mund të themi me vetëbesim se dëshmitë tona janë me të vërtetë tonat? Për ta cituar sërish Presidentin Monson: “Unë mendoj se një dëshmi e fortë për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij do t’ju … mbrojë nga mëkati dhe e keqja përreth jush. … Nëse ju nuk keni tashmë një dëshmi të këtyre gjërave, bëni atë që është e nevojshme për të marrë një [dëshmi]. Është thelbësore për ju që të keni dëshminë tuaj, sepse dëshmitë e të tjerëve do t’ju çojnë vetëm deri atje.”

I Di Këto Gjëra Vetë

Të mësuarit vetë se ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit është i vërtetë mund të jetë një nga përvojat më të madhërishme e më të gëzueshme në jetë. Mund të na duhet ta fillojmë duke u mbështetur në dëshmitë e të tjerëve – duke thënë, ashtu siç bënë luftëtarët e rinj: “Ne nuk dyshojmë që nënat tona e dinin atë”. Kjo është një mënyrë e mirë për të filluar, por duhet të ndërtojmë mbi të. Për të qenë të fortë në të jetuarin e ungjillit, nuk ka gjë më të rëndësishme sesa marrja dhe forcimi i vetë dëshmisë sonë. Ne duhet të jemi në gjendje të shpallim, ashtu siç bëri Alma: “[I] di këto gjëra vetë”.

“Dhe si mendoni që unë di për sigurinë e tyre?” vazhdoi Alma. “Vini re, unë po ju them se ato m’u bënë të njohura nga Shpirti i Shenjtë i Perëndisë. Vini re, unë kam agjëruar dhe jam lutur për shumë ditë, që t’i di këto gjëra vetë. Dhe tani, unë vetë e di se ato janë të vërteta.”

Dëshiroj të Shoh Gjërat që Ati Im Pa

Ashtu si Alma, edhe Nefi arriti ta dinte vetë të vërtetën. Pasi e dëgjoi atin e tij të fliste për përvojat e tij të shumta shpirtërore, Nefi donte të dinte atë që dinte i ati. Kjo ishte më shumë sesa thjesht kureshtje – ishte diçka për të cilën ai pati uri dhe etje. Edhe pse ishte “shumë i ri”, ai kishte “dëshir[ë të madhe] për të ditur misteret e Perëndisë”. Ai digjej nga dëshira që t’i “shih[te dhe dëgjonte], dhe të di[nte] për këto gjëra, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”.

Ndërsa Nefi “u ul duke menduar në zemrën e [tij]”, ai u “rrëmb[ye nga Shpirti] … në një mal jashtëzakonisht të lartë”, ku u pyet: “Çfarë dëshiron ti?” Përgjigjja e tij qe e thjeshtë: “Unë dëshiroj të shoh gjërat që ati im pa”. Për shkak të zemrës së tij besimtare dhe përpjekjeve të tij të zellshme, Nefi u bekua me një përvojë të mrekullueshme. Ai mori një dëshmi për lindjen, jetën dhe Kryqëzimin e ardhshëm të Shpëtimtarit, Jezu Krishtit; ai pa daljen në dritë të Librit të Mormonit dhe Rivendosjen e ungjillit në ditët e fundit – të gjitha si rrjedhojë e dëshirës së tij të sinqertë për ta ditur për veten e tij.

Këto përvoja vetjake me Zotin e përgatitën Nefin për fatkeqësitë dhe sfidat që ai do të haste së shpejti. Ato e aftësuan që të qëndronte i fortë edhe kur të tjerët në familjen e tij po hasnin vështirësi. Ai mund ta bënte këtë sepse e kishte mësuar vetë dhe e dinte vetë. Ai ishte bekuar me vetë dëshminë e tij.

Le të Kërkojë nga Perëndia

Në mënyrë të ngjashme me Nefin, Profeti Jozef Smith ishte gjithashtu “shumë i ri” kur “mendja [e tij] u nxit të mendonte seriozisht” rreth të vërtetave shpirtërore. Për Jozefin ishte një kohë kur “nuk gjente rehati”, duke qenë i rrethuar nga mesazhe kundërshtuese dhe pështjelluese rreth fesë. Ai donte të dinte se cila kishë ishte e vërtetë. I frymëzuar nga këto fjalë në Bibël: “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia”, ai veproi vetë për të gjetur një përgjigje. Në një mëngjes të bukur në pranverën e vitit 1820, ai hyri në një korije pemësh dhe u gjunjëzua në lutje. Për shkak të besimit të tij dhe për shkak se Perëndia kishte një punë të veçantë për t’u bërë prej tij, Jozefi mori një vegim të lavdishëm të Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe e mësoi vetë atë që duhej të bënte.

A shihni te përvoja e Jozefit një model që mund ta vini në zbatim për të fituar ose forcuar vetë dëshminë tuaj? Jozefi i lejoi shkrimet e shenjta ta përshkonin zemrën e tij. Ai i përsiati ato thellësisht dhe i vuri në zbatim në vetë situatën e tij. Ai më pas veproi sipas asaj që kishte mësuar. Përfundimi ishte Vegimi i Parë i lavdishëm – dhe çdo gjë që erdhi më pas. Kjo Kishë me të vërtetë u themelua mbi parimin se çdokush – përfshirë një djalë ferme 14-vjeçar – mund të “kërkojë nga Perëndia” dhe të marrë një përgjigje për lutjet e tij.

Pra, Çfarë Është një Dëshmi?

Ne shpesh i dëgjojmë anëtarët e Kishës të thonë se dëshmia e tyre e ungjillit është zotërimi i tyre më i çmuar. Ajo është një dhuratë e shenjtë nga Perëndia që na vjen nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Është siguria e qetë, e palëkundur që marrim ndërsa e studiojmë, lutemi dhe e jetojmë ungjillin. Është ndjenja e Frymës së Shenjtë që u dëshmon shpirtrave tanë se ajo që po mësojmë dhe bëjmë, është e drejtë.

Disa njerëz flasin për dëshminë sikur të ishte një çelës drite – është ose e ndezur ose e fikur; ju ose e keni një dëshmi ose nuk e keni. Në të vërtetë, një dëshmi është më shumë si një pemë që kalon përmes fazave të ndryshme të rritjes dhe zhvillimit. Disa nga pemët më të larta në tokë gjenden në Parkun Kombëtar të Sekuove në perëndim të Shteteve të Bashkuara. Kur qëndroni poshtë këtyre pemëve masive, është e mahnitshme të mendoni që secila prej tyre u rrit nga një farë e vockël. Kështu është edhe me dëshmitë tona. Megjithëse mund të fillojnë me një përvojë të vetme shpirtërore, ato rriten e zhvillohen me kalimin e kohës nëpërmjet ushqyerjes së vazhdueshme dhe përvojave të shpeshta shpirtërore.

Nuk është e habitshme, atëherë, që, kur profeti Alma shpjegoi se si mund të zhvillojmë një dëshmi, ai foli për një farë që bëhet një pemë. “Në qoftë se bëni vend” tha ai, “që një farë të mund të mbillet në zemrën tuaj, vini re, po të jetë një farë e vërtetë, ose një farë e mirë, në qoftë se ju nuk e hidhni tej me mosbesimin tuaj, … ajo do të fillojë të fryhet në kraharorin tuaj; dhe kur ju të ndieni këto lëvizje të fryrjes, ju do të filloni të thoni me veten tuaj – Kjo duhet të jetë një farë e mirë, ose që fjala është e mirë, pasi po fillon të zmadhojë shpirtin tim; po, po fillon të ndriçojë kuptimin tim, po, po fillon të jetë e këndshme për mua.”

Kjo është shpesh mënyra se si fillon një dëshmi: me ndjenja të shenjta, frymëzuese, bindëse që na tregojnë se fjala e Perëndisë është e vërtetë. Megjithatë, pavarësisht sa të mrekullueshme janë këto ndjenja, ato janë vetëm fillimi. Puna juaj për ta rritur dëshminë tuaj nuk ka mbaruar – po aq sa nuk ka mbaruar puna e rritjes së një peme sekuoje kur filizi i parë i vockël del nga toka. Nëse i shpërfillim ose i lëmë pas dore këto nxitje të hershme shpirtërore, nëse nuk i ushqejmë duke vazhduar t’i studiojmë shkrimet e shenjta e të lutemi dhe duke kërkuar më shumë përvoja me Shpirtin, ndjenjat tona do të zbehen dhe dëshmitë tona do të zvogëlohen.

Ashtu si Alma e tha: “Por, në qoftë se e lini pemën pas dore dhe nuk mendoni për ta ushqyer, vini re, ajo nuk do të lëshojë ndonjë rrënjë; dhe kur të vijë nxehtësia e diellit dhe ta përzhisë, pasi ajo nuk ka rrënjë, ajo fishket dhe thahet; dhe ju e shkulni dhe e flakni tej”.

Në pjesën më të madhe të rasteve, dëshmitë tona do të rriten në të njëjtën mënyrë si rritet një pemë: gradualisht, pothuajse në mënyrë të pakuptueshme, si rrjedhojë e kujdesit tonë të vazhdueshëm dhe përpjekjeve të zellshme. “Por, në qoftë se ju do ta ushqeni fjalën”, premtoi Alma, “po, do ta ushqeni pemën si të fillojë të rritet, me besimin tuaj, me zell të madh dhe me durim, duke pritur frutin e saj, do të lëshojë rrënjë; dhe vini re, do të jetë një pemë që do të rritet, deri në jetën e përjetshme.”

Tani Është Koha, Sot Është Dita

Vetë dëshmia ime filloi ndërsa i studioja dhe i përsiatja mësimet që gjenden në Librin e Mormonit. Kur u gjunjëzova për ta pyetur Perëndinë në lutje të përulur, Fryma e Shenjtë i dëshmoi shpirtit tim se ajo që po lexoja, ishte e vërtetë. Kjo dëshmi e hershme u bë katalizatori për dëshminë time të shumë të vërtetave të tjera të ungjillit, sepse, siç dha mësim Presidenti Monson: “Kur ne e dimë se Libri i Mormonit është i vërtetë, më pas ne e dimë se Jozef Smithi ishte me të vërtetë një profet dhe se ai pa Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Ne gjithashtu dimë se ungjilli u rivendos në këto ditë të mëvonshme nëpërmjet Jozef Smithit – duke përfshirë rivendosjen e të dyja Priftërive, Aarone dhe Melkizedeke.” Që nga ajo ditë, unë kam pasur shumë përvoja të shenjta me Frymën e Shenjtë që më kanë ripohuar se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës dhe se ungjilli i Tij është i vërtetë. Me Almën, unë mund të them me siguri se i di këto gjëra vetë.

Miqtë e mi të rinj, tani është koha dhe sot është dita që të mësojmë ose të ripohojmë për veten tonë se ungjilli është i vërtetë. Secili prej nesh ka një punë të rëndësishme për të bërë. Për ta përmbushur atë punë dhe për t’u mbrojtur nga ndikimet e botës që duket se janë vazhdimisht të paqarta, ne duhet të kemi besimin e Almës, Nefit dhe të riut Jozef Smith, që ta marrim dhe zhvillojmë dëshminë tonë vetjake.

Ashtu si dhjaku i ri për të cilin fola më përpara, unë e admiroj Presidentin Monson për dëshminë e tij. Ajo është si një pemë sekuoje shumë e lartë, por prapëseprapë dëshmia e Presidentit Monson duhej të rritej dhe zhvillohej me kalimin e kohës. Ne mund të arrijmë ta dimë vetë, ashtu si Presidenti Monson e di, se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë dhe Shëlbuesi i botës, se Jozef Smithi është profeti i Rivendosjes, duke përfshirë rivendosjen e priftërisë së Perëndisë. Ne e mbajmë atë priftëri të shenjtë. I mësofshim këto gjëra dhe i ditshim për veten tonë, është lutja ime e përulur në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.