Dashuria për të Tjerët dhe të Jetuarit me Ndryshimet
Si pasues të Krishtit ne duhet të jetojmë në paqe me të tjerët që nuk kanë të njëjtat vlera me ne apo që nuk i pranojnë mësimet mbi të cilat ato bazohen.
I.
Në ditët përmbyllëse të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezusi u dha dishepujve të Tij atë që Ai e quajti “urdhërim të ri” (Gjoni 13:34). I përsëritur tri herë, ai urdhërim ishte i thjeshtë por i vështirë: “Ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve” (Gjoni 15:12; shih edhe vargun 17). Mësimi për ta dashur njëri-tjetrin kishte qenë mësimdhënia themelore e shërbesës së Shpëtimtarit. Urdhërimi i dytë i madh ishte “duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:39). Jezusi madje dha mësim: “Duani armiqtë tuaj” (Mateu 5:44). Por urdhërimi për t’i dashur të tjerët ashtu si Ai e kishte dashur tufën e Tij ishte për dishepujt e Tij – dhe është për ne – një sfidë që ishte e veçantë. “Në të vërtetë”, na mësoi Presidenti Tomas S. Monson prillin e shkuar, “dashuria është pikërisht thelbi i ungjillit dhe Jezu Krishti është Shembulli ynë. Jeta e Tij ishte një trashëgimi dashurie.”
Përse është kaq e vështirë që të kemi dashuri si të Krishtit për njëri-tjetrin? Është e vështirë sepse na duhet të jetojmë midis atyre që nuk kanë të njëjtat bindje e vlera dhe detyrime të besëlidhjes me ne. Në lutjen e Tij të mrekullueshme Ndërmjetësuese, të bërë pikërisht përpara Kryqëzimit të Tij, Jezusi u lut për pasuesit e Tij: “Unë u kam dhënë atyre fjalën tënde dhe bota i ka urryer, sepse nuk janë prej botës, ashtu si edhe unë nuk jam prej botës” (Gjoni 17:14). Pastaj, Ai iu përgjërua Atit: “Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i mbrosh nga i ligu” (vargu 15).
Ne duhet të jetojmë në botë por të mos jemi nga bota. Ne duhet të jetojmë në botë sepse, ashtu si dha mësim Jezusi në një shëmbëlltyrë, mbretëria e Tij “i ngjan majasë”, funksioni i të cilës është ta shtojë të gjithë masën me anë të ndikimit të saj (shih Lluka 13:21; Mateu 13:33; shih edhe 1 Korintasve 5:6–8). Pasuesit e Tij nuk mund ta bëjnë atë nëse shoqërohen vetëm me ata që kanë të njëjtat bindje e praktika me ta. Por Shpëtimtari dha gjithashtu mësim se, nëse e duam Atë, ne do t’i mbajmë urdhërimet e Tij (shih Gjoni 14:15).
II.
Ungjilli ka shumë mësime rreth mbajtjes së urdhërimeve ndërsa jetojmë midis njerëzve me bindje dhe praktika të ndryshme. Mësimet rreth grindjes janë thelbësore. Kur Krishti i ringjallur i gjeti nefitët duke u grindur mbi mënyrën e pagëzimit, Ai dha udhëzime të qarta mbi mënyrën se si duhet të kryhet kjo ordinancë. Pastaj Ai dha mësim këtë parim të madh:
“Nuk do të ketë grindje mes jush, sikurse ka pasur gjer tani, as nuk do të ketë grindje mes jush në lidhje me pikat e doktrinës sime, sikurse ka pasur gjer tani.
Pasi në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve se ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi, por është i djallit i cili është ati i grindjes dhe ai nxit zemrat e njerëzve, që të grinden me zemërim me njëri-tjetrin.
Vini re, kjo … është … doktrina ime …, që gjëra të tilla duhet të zhduken” (3 Nefi 11:28–30; theksimi i shtuar).
Shpëtimtari nuk e kufizoi paralajmërimin e Tij kundër grindjes ndaj atyre që nuk po e mbanin urdhërimin rreth pagëzimit. Ai e ndaloi grindjen nga çdokush. Edhe ata që i mbajnë urdhërimet, nuk duhet t’i nxitin zemrat e njerëzve që të grinden me zemërim. “Ati i grindjes” është djalli; Shpëtimtari është Princi i Paqes.
Në mënyrë të ngjashme, Bibla jep mësim se “njerëzit e urtë e qetësojnë zemërimin” (Fjalët e Urta 29:8). Apostujt e hershëm dhanë mësim se ne duhet “të ndjekim … ato [gjëra që] ndihmojnë për paqe” (Romakëve 14:19) dhe “[ta themi] të vërtetën me dashuri” (Efesianëve 4:15), “sepse zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë” (Jakobi [Bibël] 1:20). Në zbulesën e sotme Zoti urdhëroi se lajmet e mira të ungjillit të rivendosur duhet të shpallen “çdo njeri të afërmit të tij, me qetësi dhe butësi” (DeB 38:41), “gjithë përulësi, … duke mos sharë ata që shajnë” (DeB 19:30).
III.
Edhe kur kërkojmë të jemi të butë dhe ta shmangim grindjen, ne duhet të mos e rrezikojmë apo ta dobësojmë zotimin tonë ndaj të vërtetave që kuptojmë. Ne nuk duhet t’i braktisim pikëpamjet tona ose vlerat tona. Ungjilli i Jezu Krishtit dhe besëlidhjet që kemi bërë, në mënyrë të pashmangshme, na vendosin në rolin e luftëtarit në betejën e përjetshme midis së vërtetës dhe së gabuarës. Nuk ka tokë asnjanëse në atë betejë.
Shpëtimtari tregoi udhën kur kundërshtarët e Tij e ballafaquan Atë me gruan që ishte “kapur në flagrancë, duke shkelur kurorën” (Gjoni 8:4). Kur u turpëruan me vetë hipokrizinë e tyre, akuzuesit u tërhoqën dhe e lanë Jezusin vetëm me gruan. Ai e trajtoi atë me dashamirësi duke mos pranuar ta ndëshkonte në atë kohë. Por Ai gjithashtu e urdhëroi atë prerazi të “mos mëkato[nte] më” (Gjoni 8:11). Kërkohet dashuri e përzemërt, por një pasues i Krishtit – ashtu si Mësuesi – do të jetë i patundur tek e vërteta.
IV.
Ashtu si Shpëtimtari, pasuesit e Tij nganjëherë ndeshen me sjellje mëkatare dhe, sot, kur e mbrojnë të vërtetën dhe të gabuarën ashtu si e kuptojnë atë, ndonjëherë quhen “ekstremistë” ose “fanatikë”. Shumë vlera dhe praktika të botës ngrenë sfida të tilla për shenjtorët e ditëve të mëvonshme. E dukshme midis këtyre sot është rryma e fortë që po ligjëron martesën brenda të njëjtës gjini në shumë shtete e provinca në Shtetet e Bashkuara e në Kanada dhe në shumë vende të tjera të botës. Ne jetojmë gjithashtu midis disave që nuk besojnë aspak te martesa. Disa nuk besojnë tek të pasurit fëmijë. Disa kundërshtojnë çdo kufizim mbi pornografinë apo drogat e rrezikshme. Një shembull tjetër – i njohur për shumë besimtarë – është sfida e të jetuarit me një bashkëshort ose pjesëtar të familjes jobesimtar apo shoqërimi me kolegë jobesimtarë.
Në hapësirat e përkushtuara, si tempujt, shtëpitë e adhurimit dhe në vetë shtëpitë tona, ne duhet ta japim mësim të vërtetën dhe urdhërimet qartësisht dhe plotësisht, ashtu si i kuptojmë nga plani i shpëtimit të zbuluar në ungjillin e rivendosur. E drejta jonë për ta bërë këtë mbrohet nga garancitë kushtetuese të lirisë së fjalës dhe fesë, si edhe nga privatësia që respektohet madje edhe në shtete pa garanci formale kushtetuese.
Në publik, ajo që thonë dhe bëjnë individët fetarë, përfshin shqyrtime të tjera. Ushtrimi i lirë i fesë zbatohet për pjesën më të madhe të veprimeve publike, por u nënshtrohet kushteve të nevojshme për t’iu përshtatur bindjeve dhe praktikave të të tjerëve. Ligjet mund ta ndalojnë sjelljen që përgjithësisht pranohet si e gabuar apo e papranueshme, si shfrytëzimi seksual, dhuna ose sjellja terroriste, madje edhe kur bëhet nga ekstremistët në emër të fesë. Sjellje më pak të rënda, megjithëse të papranueshme për disa besimtarë, thjesht duhet të durohen nëse ligjërohen me anë të atij që një profet i Librit të Mormonit e quajti “zëri i popullit” (Mosia 29:26).
Për sa i takon temës së fjalimeve publike, të gjithë ne duhet t’i ndjekim mësimet e ungjillit që ta duam fqinjin tonë dhe ta shmangim grindjen. Pasuesit e Krishtit duhet të jenë shembuj të mirësjelljes. Ne duhet t’i duam të gjithë njerëzit, të jemi dëgjues të mirë dhe të tregojmë shqetësim për bindjet e tyre të sinqerta. Megjithëse mund të mos pajtohemi, ne nuk duhet të jemi fyes. Qëndrimet dhe komunikimi ynë mbi tema të diskutueshme nuk duhet të shkaktojnë grindje. Ne duhet të jemi të mençur në shpjegimin dhe ndjekjen e pikëpamjeve tona dhe në ushtrimin e ndikimit tonë. Duke e bërë këtë, ne kërkojmë që të tjerët të mos fyhen nga bindjet tona të sinqerta fetare dhe nga ushtrimi i lirë i fesë sonë. E nxitim çdonjërin prej nesh të ushtrojë Rregullin e Artë të Shpëtimtarit: “Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre” (Mateu 7:12).
Kur pikëpamjet tona nuk fitojnë, ne duhet t’i pranojmë me hir rezultatet e pafavorshme dhe të ushtrojmë mirësjellje me kundërshtarët tanë. Në çdo ngjarje, ne duhet të jemi individë me vullnet të mirë ndaj të gjithëve, duke hequr dorë nga përndjekja e çdo lloji, përfshirë përndjekjen e bazuar te raca, etnia, bindjet ose mosbindjet fetare dhe ndryshimet në orientimet seksuale.
V.
Kam folur për parime të përgjithshme. Tani do të flas për mënyrën se si ato parime duhet të vihen në zbatim në rrethana familjare të ndryshme në të cilat mësimet e Shpëtimtarit duhet të ndiqen më besnikërisht.
E filloj me atë që fëmijët tanë të vegjël mësojnë në lojërat e tyre. Shumë shpesh jomormonët këtu në Juta janë fyer dhe veçuar nga disa prej anëtarëve tanë, të cilët nuk i lejojnë fëmijët e tyre të jenë miq me fëmijë të besimeve të tjera. Me siguri, ne mund t’u mësojmë fëmijëve tanë vlera dhe standarde të sjelljes pa qenë nevoja ta largojnë veten apo të tregojnë mungesë respekti ndaj atyre që janë ndryshe.
Shumë mësues në kishë dhe shkolla dëshpërohen nga mënyra se si disa adoleshentë, përfshirë të rinj shdm e trajtojnë njëri-tjetrin. Urdhërimi për ta dashur njëri-tjetrin sigurisht përfshin dashuri e respekt midis besimeve të ndryshme dhe gjithashtu midis racave, kulturave e niveleve ekonomike të ndryshme. Ne i ftojmë të gjithë të rinjtë të shmangin nëpërkëmbjen, fyerjet apo të folurit dhe praktikat që në mënyrë të drejtpërdrejtë shkaktojnë dhembje tek të tjerët. Të gjitha këto cenojnë urdhërimin e Shpëtimtarit për ta dashur njëri-tjetrin.
Shpëtimtari dha mësim se grindja është një mjet i djallit. Kjo sigurisht na mëson kundër disa prej praktikave dhe gjuhës [së përdorur] të politikës së tanishme. Të jetuarit me ndryshime në rregullore është thelbësore për politikën, por ndryshimet në rregullore nuk duhet të përfshijnë sulme vetjake që helmojnë procesin e qeverisjes dhe ndëshkojnë pjesëmarrësit. Të gjithë ne duhet ta shmangim komunikimin plot urrejtje dhe të ushtrojmë mirësjellje për ndryshimet në opinione.
Mjedisi më i rëndësishëm për të hequr dorë nga grindja dhe për të ushtruar respekt ndaj ndryshimeve është në shtëpitë tona dhe marrëdhëniet familjare. Ndryshimet janë të pashmangshme – disa të vogla e disa të mëdha. Për sa u takon ndryshimeve të mëdha, hamendësoni sikur një pjesëtar i familjes është në një marrëdhënie bashkëjetese. Ajo sjell dy vlera të rëndësishme në konflikt – dashurinë tonë për pjesëtarin e familjes dhe zotimin tonë ndaj urdhërimeve. Duke ndjekur shembullin e Shpëtimtarit, ne mund të tregojmë dashamirësi të përzemërt dhe prapëseprapë të jemi të vendosur në të vërtetën, duke hequr dorë nga sjellje që e lehtësojnë ose duket se nuk e vënë re atë që ne e dimë se është e gabuar.
E mbyll me një shembull tjetër të një marrëdhënieje familjare. Në një konferencë kunji në Miduest, rreth 10 vjet më parë, takova një motër e cila më tha se bashkëshorti i saj joanëtar e kishte shoqëruar atë në kishë për 12 vjet, por kurrë nuk ishte bashkuar me Kishën. “Çfarë duhet të bënte?” më pyeti ajo. E këshillova të vazhdonte t’i bënte të gjitha gjërat e drejta dhe të ishte e duruar dhe dashamirëse me bashkëshortin e saj.
Rreth një muaj më vonë, ajo më shkroi sa vijon: “Epo, mendova se 12 vitet ishin një shfaqje e mirë e durimit, por nuk e dija nëse po tregohesha shumë dashamirëse për këtë. Kështu që e ushtrova shumë për më tepër se një muaj dhe ai u pagëzua.”
Dashamirësia është e fuqishme, veçanërisht në një mjedis familjar. Letra e saj vazhdonte: “Po përpiqem të jem më e dashur tani sepse po punojmë për një vulosje në tempull këtë vit!”
Gjashtë vite me vonë ajo më shkroi një letër tjetër: “Bashkëshorti im [sapo] u thirr dhe u veçua si peshkopi [i lagjes sonë]”.
VI.
Në kaq shumë marrëdhënie dhe rrethana në jetë, ne duhet të jetojmë me ndryshimet. Atje ku është jetike, ana jonë e këtyre ndryshimeve nuk duhet të mohohet apo braktiset por si pasues të Krishtit ne duhet të jetojmë në paqe me të tjerët që nuk kanë të njëjtat vlera me ne apo që nuk i pranojnë mësimet mbi të cilat ato bazohen. Plani i shpëtimit të Atit, të cilin ne e njohim me anë të zbulesës profetike, na vendos në një rrethanë në vdekshmëri ku ne duhet t’i mbajmë urdhërimet e Tij. Kjo përfshin t’i duam fqinjët tanë me kultura dhe bindje të ndryshme, ashtu si Ai na ka dashur neve. Ashtu si dha mësim profeti i Librit të Mormonit, ne duhet të shkojmë përpara, duke pasur “dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit” (2 Nefi 31:20).
Edhe pse është e vështirë të jetojmë në trazirën që na rrethon, urdhri i Shpëtimtarit tonë për ta dashur njëri-tjetrin ashtu si Ai na do ne, është ndoshta sfida jonë më e madhe. Lutem që ne të mund ta kuptojmë këtë dhe të kërkojmë ta jetojmë në të gjitha marrëdhëniet e veprimtaritë tona, në emrin e Jezu Krishtit, amen.