Nga Cili Drejtim i Mbani Sytë?
Përpjekja për t’u pëlqyer të tjerëve përpara se t’i pëlqejmë Perëndisë është ndërrim i vendit të urdhërimit të parë me të dytin.
“Nga cili drejtim i mban sytë?” Presidenti Bojd K. Paker më habiti me këtë pyetje enigmatike kur po udhëtonim së bashku në udhëtimin tim të parë fare si një I Shtatëdhjetë i ri. Pa ndonjë shpjegim për ta vendosur pyetjen në një kontekst, unë u hutova. “Një I Shtatëdhjetë”, vijoi ai, “nuk përfaqëson popullin para profetit, por profetin para popullit. Kurrë mos e harro se nga cili drejtim i mban sytë!” Ai ishte një mësim i fuqishëm.
Përpjekja për t’u pëlqyer të tjerëve përpara se t’i pëlqejmë Perëndisë është ndërrim i vendit të urdhërimit të parë me të dytin (shih Mateu 22:37–39). Është të harrosh se nga cili drejtim i mbajmë sytë. Dhe prapëseprapë, ne të gjithë e kemi bërë atë gabim për shkak të frikës nga njerëzit. Tek Isaia, Zoti na paralajmëron: “Mos kini frikë turpërimin nga njerëzit” (Isaia 51:7; shih edhe 2 Nefi 8:7). Tek ëndrra e Lehit, kjo frikë u shkaktua nga gishti i talljes, i drejtuar prej ndërtesës së gjerë dhe të madhe, duke bërë që shumë veta të harronin se nga cili drejtim i mbanin sytë dhe të largoheshin nga pema “të turpëruar” (shih 1 Nefi 8:25–28).
Ky presion shoqëror përpiqet të ndryshojë qëndrimet e një personi, nëse jo sjelljen e tij, duke e bërë atë të ndihet fajtor për fyerje të të tjerëve. Ne kërkojmë bashkëjetesë të respektueshme me ata që tregojnë me gisht por, kur kjo frikë nga njerëzit na tundon që ta shpërfillim mëkatin, ajo, sipas librit të Fjalëve të Urta, bëhet një “lak” (shih Fjalët e Urta 29:25). Laku mund të maskohet mjeshtërisht për ta joshur anën tonë dashamirëse që ta tolerojë ose madje miratojë diçka që është dënuar nga Perëndia. Për njerëzit besimpakë, ai mund të jetë një pengesë madhore. Për shembull, disa misionarë të rinj e mbartin në terrenin e misionit këtë frikë nga njerëzit dhe nuk arrijnë t’ia raportojnë presidentit të tyre të misionit mosbindjen haptazi të një shoku për shkak se nuk duan ta fyejnë shokun e tyre të pabindur. Vendime karakteri merren duke kujtuar renditjen e duhur të urdhërimit të parë dhe të dytë të madh (shih Mateu 22:37–39). Kur këta misionarë të pështjelluar e kuptojnë se ata janë përgjegjës para Perëndisë dhe jo para shokut të tyre, kjo duhet t’iu japë guximin që ta ndërrojnë drejtimin nga i cili i mbajnë sytë.
Në moshën e re 22-vjeçare, edhe Jozef Smithi harroi se nga cili drejtim i mbante sytë kur në mënyrë të përsëritur i kërkoi Zotit që ta lejonte Martin Herrisin t’i merrte hua 116 faqet e dorëshkrimit. Ndoshta Jozefi dëshironte t’i tregonte mirënjohje Martinit për mbështetjen e tij. Ne e dimë se Jozefi ishte jashtëzakonisht në ankth që dëshmitarë të tjerë okularë të qëndronin përkrah tij kundër trillimeve dhe gënjeshtrave shqetësuese që po përhapeshin për të.
Cilatdo që ishin arsyet e Jozefit ose sado shfajësuese që mund të duken, Zoti nuk i justifikoi ato dhe e qortoi ashpër atë: “Sa shpesh ti [ke bërë] shkel[je] … dhe ke vazhduar sipas bindjeve të njerëzve. Pasi, vër re, nuk duhet të frikësohesh më shumë nga njeriu sesa nga Perëndia” (DeB 3:6–7; theksimi i shtuar). Kjo përvojë tronditëse e ndihmoi Jozefin ta mbante mend përgjithmonë më pas se nga cili drejtim i mbante sytë.
Kur njerëzit përpiqen t’i pëlqejnë syrit të njerëzve, ata pa dashur mund të mos kenë më sy e faqe të qëndrojnë para Perëndisë. Të menduarit që një person mund t’i pëlqejë Perëndisë dhe në të njëjtën kohë ta shpërfillë mosbindjen e njerëzve, nuk është asnjanësi, por hipokrizi apo dyfytyrësi ose të përpjekurit për t’u “shërb[yer] dy zotërinjve” (Mateu 6:24; 3 Nefi 13:24).
Ndërkohë që sigurisht kërkohet guxim për të mos na u trembur syri nga rreziqet, prova e vërtetë e guximit po e mposht frikën e njerëzve. Për shembull, lutjet e Danielit e ndihmuan që të mos i trembej syri nga luanët, por ajo që e bëri atë zemërluan, ishte mposhtja e mbretit Dar (shih Danieli 6). Ai lloj guximi është dhuratë e Shpirtit për ata që kanë frikë nga Perëndia, të cilët i kanë bërë lutjet. Lutjet e mbretëreshës Ester gjithashtu i dhanë asaj po të njëjtin guxim që të përballej me bashkëshortin e saj, mbretin Asueros, duke e ditur se rrezikonte jetën në bërjen e kësaj (shih Esteri 4:8–16).
Guximi nuk është vetëm një prej virtyteve thelbësore por, siç vërejti C. S. Ljuis: “Guximi është … gjendja e çdo virtyti në pikën e provës. … Pilati qe i mëshirshëm derisa ajo gjë u bë e rrezikshme.” Mbreti Herod ishte i pikëlluar nga kërkesa për t’ia prerë kokën Gjon Pagëzorit, por dëshiroi të kënaqte “të ftuar[it] që ishin me të në tryezë” (Mateu 14:9). Mbreti Noe ishte gati ta lironte Abinadin derisa presioni shoqëror nga priftërinjtë e tij të ligj e bëri që të lëkundej (shih Mosia 17:11–12). Mbreti Saul nuk iu bind fjalës së Zotit duke i mbajtur plaçkat e luftës, ngaqë “kish[te] frikë nga populli dhe dëgjo[i] zërin e tij” (1 Samuelit 15:24). Për të kënaqur Izraelin e pabindur në rrëzë të malit Sinai, Aaroni punoi një viç të artë, duke harruar se nga cili drejtim i mbante sytë (shih Eksodi 32). Shumë prej krerëve kryesorë të Dhiatës së Re “besuan [te Zoti]; por, për shkak të farisenjve, nuk e rrëfenin, për të mos qenë të përjashtuar nga sinagoga, sepse e donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë” (Gjoni 12:42–43). Shkrimet e shenjta janë plot me shembuj të tillë.
Tani dëgjoni disa shembuj frymëzues:
-
Së pari, Mormoni: “Vër re, unë flas me guxim, pasi kam autoritet nga Perëndia; dhe unë nuk kam frikë se ç’mund të bëjë njeriu; pasi dashuria e përkryer zhduk çdo frikë” (Moroni 8:16; theksimi i shtuar).
-
Nefi: “Prandaj, gjërat që i pëlqejnë botës unë nuk i shkruaj, por gjërat që i pëlqejnë Perëndisë dhe atyre që nuk janë të botës” (1 Nefi 6:5).
-
Kapiteni Moroni: “Vini re, unë jam Moroni, kryekapiteni juaj. Unë nuk kërkoj pushtet, por ta hedh poshtë atë. Unë nuk kërkoj për nderimin e botës, por madhështinë e Perëndisë tim dhe lirinë dhe mirëqenien e vendit tim” (Alma 60:36).
Moroni kishte guxim kaq të madh të kujtonte se nga cili drejtim i mbante sytë, saqë për të u tha: “Në qoftë se të gjithë njerëzit kishin qenë dhe ishin, ose do të jenë ndonjëherë, sikurse Moroni, vini re, fuqitë e vërteta të ferrit do të ishin tundur përgjithnjë; po, djalli nuk do të kishte kurrë më fuqi mbi zemrat e fëmijëve të njerëzve” (Alma 48:17).
Profetët, gjatë epokave, kanë qenë përherë nën sulm nga gishti i talljes. Përse? Sipas shkrimeve të shenjta, ndodh ngaqë “fajtorët e marrin të vërtetën të jetë e rëndë, pasi i godet ata drejt në qendër” (1 Nefi 16:2) ose siç vërejti Presidenti Harold B. Li: “Zogu i goditur rreh flatrat!” Reagimi i tyre tallës është, në të vërtetë, faji që përpiqet të qetësojë veten, ashtu si me Korihorin, i cili më së fundi pranoi: “Unë e dija gjithmonë se kishte një Perëndi” (Alma 30:52). Korihori u bë kaq bindës në mashtrimin e tij, saqë ai filloi ta besonte vetë gënjeshtrën e tij (shih Alma 30:53).
Njerëzit tallës shpesh i akuzojnë profetët se nuk jetojnë në shekullin e 21-të ose që janë fanatikë. Ata përpiqen ta nxitin Kishën ose madje t’i ushtrojnë presion asaj për uljen e standardeve të Perëndisë në nivelin e vetë sjelljes së tyre të papërshtatshme, gjë e cila në fjalët e Plakut Nil A. Maksuell, do të “zhvillojë vetëkënaqësinë në vend të përpjekjes për vetëpërmirësim” dhe pendim. Ulja e standardeve të Zotit në nivelin e sjelljes së papërshtatshme të shoqërisë është – braktisje. Shumë prej kishave mes nefitëve, dy shekuj pas vizitës së Shpëtimtarit tek ata, filluan që doktrinën ta “thjeshtëzonin”, duke e huazuar këtë frazë nga Plaku Holland.
Ndërsa dëgjoni këtë fragment nga 4 Nefi, shikoni për ngjashmëritë me kohën tonë: “Dhe ndodhi që kur kaluan dyqind e dhjetë vjet kishte në tokë shumë kisha; po, kishte shumë kisha që pretendonin se njihnin Krishtin, por nga ana tjetër mohonin pjesët më të mëdha të ungjillit të tij, aq sa pranonin çdo lloj ligësie dhe u shërbenin atë që ishte e shenjtë atyre që u ishte ndaluar, për shkak të padenjësisë” (4 Nefi 1:27).
Dézhà vu-ja në ditët e mëvonshme! Disa anëtarë nuk e kuptojnë se po bien në të njëjtin lak kur nxitin pranimin e “tradit[ave të] etërve të tyre” (DeB 93:39), qoftë vendore apo etnike, të cilat nuk janë në harmoni me kulturën e ungjillit. Ende të tjerë, të vetëmashtruar dhe në vetëmohim, përgjërohen ose kërkojnë që peshkopët t’i ulin standardet e rekomandimeve të tempullit, të vërtetimeve për shkolla ose aplikimeve për misione. Nuk është e lehtë të jesh peshkop nën atë lloj presioni. Megjithatë, ashtu si Shpëtimtari që e pastroi tempullin për të mbrojtur shenjtërinë e tij (shih Gjoni 2:15–16), peshkopëve sot u bëhet thirrje që të mbrojnë me guxim standardet e tempullit. Ishte Shpëtimtari Ai që tha: “Unë do t’i manifestohem popullit tim në mëshirë … në qoftë se populli im do t’i zbatojë urdhërimet e mia dhe nuk do ta ndotë këtë shtëpi të shenjtë” (DeB 110:7–8).
Shpëtimtari, Shembulli ynë i madh, përherë i mbante sytë të drejtuar tek Ati i Tij. Ai i donte dhe u shërbente bashkënjerëzve të Tij, por tha: “Unë nuk marr lavdi nga njerëzit” (Gjoni 5:41). Ai dëshironte që ata të cilët i mësonte, ta ndiqnin Atë, por Ai nuk e kërkoi pëlqimin e tyre. Kur bënte një vepër bamirësie, si shërimi i të sëmurit, dhurata shpesh erdhi me kërkesën për të “mos [ia] treg[uar] askujt” (Mateu 8:4; Marku 7:36; Lluka 5:14; 8:56). Pjesërisht, që të mënjanonte pikërisht famën që e ndiqte Atë, pavarësisht nga përpjekjet e Tij për t’iu shmangur asaj (shih Mateu 4:24). Ai i dënoi farisenjtë që bënin vepra të mira vetëm që të shiheshin nga njerëzit (shih Mateu 6:5).
Shpëtimtari, qenia e vetme e përsosur që jetoi ndonjëherë, ishte më sypatremburi. Në jetën e Tij, Ai u përball me një mori akuzuesish, por kurrë nuk u dorëzua para gishtit të tyre tallës. Ai është i vetmi njeri që as edhe një herë nuk e harroi se nga cili drejtim i mbante sytë: “Bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë [Atit]” (Gjoni 8:29; theksimi i shtuar) dhe “Nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar” (Gjoni 5:30).
Ndërmjet kapitullit 11 dhe kapitullit 28 të 3 Nefit, Shpëtimtari e përdori titullin Atë të paktën 150 herë, duke ua bërë shumë të qartë nefitëve se Ai ishte atje për të përfaqësuar Atin e Tij. Dhe te Gjoni kapitujt 14 deri 17, Shpëtimtari i referohet Atit të paktën 50 herë. Në çdo mënyrë të mundshme, Ai ishte dishepulli i përsosur i Atit të Tij. Ai ishte aq i përsosur në përfaqësimin e Atit të Tij, sa të njihje Shpëtimtarin ishte gjithashtu të njihje Atin. Të shihje Birin ishte të shihje Atin (shih Gjoni 14:9). Të dëgjoje Birin ishte të dëgjoje Atin (shih Gjoni 5:36). Ai, në thelb, ishte bërë i padallueshëm nga Ati i Tij. Ati i Tij dhe Ai ishin një (shih Gjoni 17:21–22). Ai e dinte në mënyrë të pagabueshme se nga cili drejtim i mbante sytë.
Na forcoftë shembulli i Tij frymëzues kundër kurtheve të lajkatimit nga të tjerët ose të mashtrimit brenda nesh. Na dhëntë ai shembull guxim që kurrë të mos strukemi ose servilosemi përpara kërcënimit. Na frymëzoftë që ta përshkojmë vendin duke bërë mirë në mënyrë sa më të fshehtë të mundshme dhe të mos “aspiroj[më] nderet e njerëzve” (DeB 121:35). Dhe na ndihmoftë shembulli i Tij i pakrahasueshëm që ta mbajmë mend gjithmonë se cili është “urdhërimi i parë dhe i madhi” (Mateu 22:38). Kur të tjerët kërkojnë miratim në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë, kujtofshim përherë se dishepujt e kujt jemi dhe nga cili drejtim i mbajmë sytë, është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.