2010–2019
“Unë Po Ju Lë Paqen”
Prill 2017


14:36

“Unë Po Ju Lë Paqen”

Zoti u premtoi paqe dishepujve të Tij ndërsa ishte gati të largohej prej tyre. Ai na ka bërë neve të njëjtin premtim.

Motrat e mia të dashura, sonte jemi bekuar nga Shpirti i Perëndisë. Mesazhet frymëzuese nga udhëheqëset e fuqishme dhe muzika e kanë forcuar besimin tonë dhe e kanë rritur dëshirën tonë për t’i mbajtur besëlidhjet e shenjta që kemi bërë me Atin tonë të dashur Qiellor. Ne kemi ndier një rritje të dashurisë sonë për Zotin Jezu Krisht dhe një vlerësim për dhuratën e mahnitshme të sakrificës së Tij shlyese.

Mesazhi im sonte është një mesazh i thjeshtë. Sonte të gjithë kemi ndier paqe. Të gjithë ne do të donim ta ndienim këtë paqe shpesh brenda vetes, në familjet tona dhe me njerëzit përreth nesh. Zoti u premtoi paqe dishepujve të Tij ndërsa ishte gati të largohej prej tyre. Ai na ka bërë neve të njëjtin premtim. Por Ai tha se do ta jepte paqen sipas mënyrës së Tij, jo sipas mënyrës së botës. Ai përshkroi mënyrën e Tij të dërgimit të paqes:

“Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.

Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” (Gjoni 14:26–27).

Bijtë e Mosias kishin nevojë për atë dhuratë të paqes ndërsa u larguan për të nisur misionin e tyre te lamanitët. Me më shumë se pak ankth ndërsa e kuptuan madhështinë e detyrës së tyre, ata u lutën për siguri. Dhe “Zoti i vizitoi ata me Shpirtin e tij dhe u tha atyre: Ngushëllohuni. Dhe ata u ngushëlluan” (Alma 17:10; shih edhe Alma 26:27).

Me raste ju mund të digjeni për paqe ndërsa përballeni me pasiguri dhe me ato që ju duken si sfida kanosëse. Bijtë e Mosias e morën mësimin që Zoti i dha Moronit. Ai është një udhërrëfyes për të gjithë ne: “Në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre. Unë u jap njerëzve dobësi, që ata të jenë të përulur dhe hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë [ata] që përulen para meje; pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta” (Ethëri 12:27).

Moroni tha se kur “i dëgjo[i] këto fjalë”, “u ngushëll[ua]” (Ethëri 12:29). Ato mund të jenë një ngushëllim për të gjithë ne. Ata të cilët nuk i shohin dobësitë e tyre, nuk përparojnë. Dijenia juaj për dobësitë vetjake është një bekim pasi ju ndihmon të qëndroni të përulur dhe ju bën të ktheheni te Shpëtimtari. Shpirti jo vetëm që ju ngushëllon por Ai është gjithashtu mjeti nëpërmjet të cilit Shlyerja bën një ndryshim pikërisht në karakterin tuaj. Më pas gjërat e dobëta bëhen të forta.

Me raste besimi juaj do të sfidohet nga Satani; ajo u ndodh të gjithë dishepujve të Jezu Krishtit. Mbrojtja juaj kundër këtyre sulmeve, është ta mbani Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tuaj. Shpirti [i Zotit] do ta qetësojë shpirtin tuaj. Ai do t’ju nxitë përpara me besim. Dhe do t’ju kujtojë ato raste kur e ndiet dritën dhe dashurinë e Jezu Krishtit.

Të kujtuarit mund të jetë një nga dhuratat më të çmuara që mund t’ju japë Shpirti. Ai do “t’ju kujtojë të gjitha këto që [Zoti ju ka thënë]” (Gjoni 14:26). Kujtimi mund të jetë një lutje që ka marrë përgjigje, marrja e një ordinance priftërie, një pohim i dëshmisë suaj ose një çast kur e patë dorën udhërrëfyese të Perëndisë në jetën tuaj. Ndoshta një ditë në të ardhmen, kur t’ju nevojitet forcë, Shpirti mund të sjellë në kujtesën tuaj ndjenjat që jeni duke pasur gjatë kësaj mbledhjeje. Lutem që të mund të jetë kështu.

Një kujtim që Shpirti më sjell shpesh në mendje, është ai i një mbledhjeje sakramenti në mbrëmje që u zhvillua shumë vite më parë në një strehë prej metali në Insbruk të Austrisë. Streha ishte poshtë një hekurudhe. Ishin vetëm rreth një duzinë njerëz të pranishëm që ishin ulur në karrige druri. Pjesa më e madhe ishin gra, disa më të reja dhe disa më të moshuara. Pashë lot mirënjohje ndërsa u shpërnda sakramenti midis bashkësisë së vogël. E ndjeva dashurinë e Shpëtimtarit për ata shenjtorë, sikurse e ndien edhe ata. Por mrekullia që kujtoj më qartë, ishte drita që dukej se e mbushi atë strehë prej metali, duke sjellë me vete një ndjenjë paqeje. Ishte natë dhe nuk kishte dritare, dhe prapëseprapë dhoma ishte ndriçuar si prej shkëlqimit të diellit të mesditës.

Drita e Shpirtit të Shenjtë ishte e shndritshme dhe e bollshme atë mbrëmje. Dhe dritaret që e lanë dritën të hynte, ishin zemrat e përulura të atyre shenjtorëve, të cilët kishin ardhur përpara Zotit duke kërkuar falje për mëkatet e tyre dhe duke u zotuar që gjithmonë ta kujtonin Atë. Nuk ishte e vështirë ta kujtoje Atë asokohe, dhe kujtimi im i asaj përvoje të shenjtë e ka bërë më të lehtë për mua që ta kujtoj Atë dhe Shlyerjen e Tij në vitet që kanë pasuar. Atë ditë, premtimi në lutjen e sakramentit që Shpirti do të jetë me ne, ishte përmbushur dhe në këtë mënyrë solli ndjenja të dritës dhe paqes.

Sikurse ju, kam qenë mirënjohës për mënyrat e shumta që Zoti më ka vizituar me Ngushëlluesin kur kisha nevojë për paqe. Prapëseprapë Ati ynë në Qiell nuk është i shqetësuar vetëm për ngushëllimin tonë por akoma më shumë për përparimin tonë të madh. “Ngushëlluesi”, është vetëm një nga mënyrat se si Fryma e Shenjtë përshkruhet në shkrimet e shenjta. Ja tek është një tjetër: “Dhe tani, në të vërtetë, në të vërtetë, unë të them, vëre besimin tënd në atë Shpirt që drejton për të bërë mirë” (DeB 11:12). Më shpesh, e mira tek e cila Ai do t’ju drejtojë që të bëni, do të përfshijë ndihmën ndaj dikujt tjetër që të marrë ngushëllim nga Perëndia.

Me urtësinë e Tij, Zoti ju ka bashkuar në organizata dhe klasa në Kishën e Tij. Ai e ka bërë këtë për ta rritur fuqinë tuaj për të bërë mirë. Brenda këtyre organizatave, ju keni detyra të caktuara për t’u shërbyer të tjerëve për Të. Për shembull, nëse jeni një e re, mund t’ju kërkohet nga peshkopi juaj ose udhëheqësja juaj e Të Rejave për të ndihmuar një Dafinë e cila është bërë, siç ne e quajmë ndonjëherë, “pak aktive”. Ju mund ta njihni atë më mirë sesa e njeh peshkopi ose udhëheqësja e Të Rejave. Ju mund ta dini se ajo ndihet e shqetësuar në shtëpi apo në shkollë ose ndoshta tek të dyja. Udhëheqësit tuaj mund të mos e dinë se përse ata ndien përshtypjen që t’ju kërkojnë për ta ndihmuar atë, por Zoti e di, dhe Ai e drejton këtë punë nëpërmjet frymëzimit të Shpirtit të Tij.

Suksesi në përpjekjet tuaja do të kërkojë mrekulli në ndryshimin edhe të zemrës suaj edhe të zemrës së të resë që u dërguat ta shpëtonit – dhe kjo kërkon shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Shpirti mund t’ju lejojë që ta shihni Dafinën më pak aktive ashtu siç e sheh Zoti. Zoti i njeh zemrën e saj dhe zemrën tuaj dhe Ai i di mundësitë që zemrat të ndryshojnë. Ai mund t’ju vizitojë të dyjave me Shpirtin e Tij për të frymëzuar përulësi, falje dhe dashuri.

Ai Shpirt mund t’i frymëzojë fjalët, veprat dhe durimin e nevojshëm për ju që ta ftoni sërish në tufë një dele. Dhe Ai mund t’i prekë zemrat e një tufe në klasën e Dafinave që ta duan dhe ta mirëpresin delen e humbur, në mënyrë që kur ajo të kthehet, do ta ndiejë se është kthyer në shtëpi.

Fuqia juaj për të bërë mirë si një grup bijash të Perëndisë do të varet, në një shkallë të madhe, nga uniteti dhe dashuria që ekziston midis jush. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë vjen një tjetër dhuratë e paqes.

Alma e kuptoi këtë. Dhe kjo është arsyeja që ai iu përgjërua popullit të tij “që të mos kishin grindje me njëri-tjetrin, por që të shikonin përpara me një qëllim të vetëm, duke pasur një besim dhe një pagëzim, duke pasur zemrat e tyre të thurura në bashkim dhe në dashuri kundrejt njëri-tjetrit” (Mosia 18:21).

Uniteti është i nevojshëm për ne që ta kemi Shpirtin në klasën tonë dhe në familjen tonë. Por ju e dini nga përvoja, sikurse e di edhe unë, se një unitet i tillë i dashur është vështirë të ruhet. Ai kërkon që të kesh si shoqërues Frymën e Shenjtë për t’i hapur sytë tanë dhe për t’i kalitur ndjenjat tona.

Më kujtohet një herë që djali ynë shtatë ose tetëvjeçar po hidhej në shtratin e tij aq shumë sa mendova se mund të thyhej. Ndjeva që u ndeza nga zemërimi dhe lëviza shpejt për ta vënë në rregull shtëpinë. E kapa djalin nga shpatullat e tij të vogla dhe e ngrita derisa u ndeshëm sy më sy.

Shpirti më vuri fjalë në mendje. Dukej një zë i qetë por ma përshkoi zemrën: “Ke mbërthyer një njeri të mrekullueshëm”. Butësisht e ula përsëri në shtrat dhe i kërkova falje.

Tani ai është bërë njeriu i mrekullueshëm të cilin Fryma e Shenjtë më lejoi që ta shoh 40 vite më parë. Jam përjetësisht mirënjohës që Zoti më shpëtoi nga ndjenjat e mia të pakëndshme duke dërguar Frymën e Shenjtë që të më lejonte ta shihja një fëmijë të Perëndisë ashtu siç e pa Ai.

Uniteti që kërkojmë në familjet tona dhe në Kishë, do të vijë ndërsa ne e lejojmë Frymën e Shenjtë të ndikojë në atë që ne shohim kur vështrojmë njëri-tjetrin – dhe madje edhe kur mendojmë për njëri-tjetrin. Shpirti sheh me dashurinë e pastër të Krishtit. Dëgjojini fjalët që përdori Mormoni për ta përshkruar dashurinë hyjnore. Mendoni për rastet kur e keni ndier atë:

“Dashuria hyjnore është e duruar dhe është e mirë dhe nuk ka smirë, dhe nuk krekoset, nuk kërkon të mirën e vet, nuk nxitet lehtë në zemërim, nuk mendon keq dhe nuk gëzohet në paudhësi, por gëzohet në të vërtetën, mban të gjitha gjërat, beson të gjitha gjërat, shpreson të gjitha gjërat, duron të gjitha gjërat.

Prandaj, vëllezër të mi të dashur [dhe po shtoj motra], në qoftë se nuk keni dashuri hyjnore, ju s’jeni asgjë, pasi dashuria hyjnore nuk dështon kurrë. Prandaj, kapuni pas dashurisë hyjnore që është më e madhja e të gjithave, pasi të gjitha gjërat duhet të dështojnë---

Por, dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit dhe nuk ka mbarim; dhe kushdo që gjendet i zotëruar prej saj në ditën e fundit, do të jetë mirë me të.

Prandaj, vëllezër të mi të dashur [dhe motra], lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht; që ju të mund të bëheni bijtë [dhe bijat] e Perëndisë; që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai, pasi ne do ta shohim atë ashtu sikurse është; që të mund të kemi këtë shpresë; që ne të mund të pastrohemi, madje ashtu si ai është i pastër” (Moroni 7:45–48).

Ky është synimi që Ati juaj në Qiell ka për ju, bijat e Tij të çmuara. Mund t’ju duket si një synim i largët, por nga këndvështrimi i Tij, ju nuk jeni aq larg. Ndaj Ai ju viziton me Shpirtin e Tij për t’ju ngushëlluar, nxitur dhe frymëzuar që të vazhdoni përpara.

Ju lë dëshminë time të sigurt se Ati ju njeh – i di nevojat tuaja dhe emrin tuaj – ju do dhe i dëgjon lutjet tuaja. Biri i Tij i Dashur po ju fton të vini tek Ai. Dhe Ata dërguan Frymën e Shenjtë që të marrë pjesë bashkë me ju në përpjekjet tuaja për t’u shërbyer të tjerëve për Ta.

Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, shoqërimi i vazhdueshëm i Frymës së Shenjtë do të ketë një efekt shenjtërues dhe pastrues në shpirtin tuaj. Ju atëherë do ta ndieni paqen që Shpëtimtari premtoi t’ua linte dishepujve të Tij. Me atë paqe do të vijë një shpresë e ndritur dhe një ndjenjë e dritës dhe dashurisë nga Ati dhe Biri i Tij i Dashur, i cili e drejton mbretërinë e Tij në tokë nëpërmjet zbulesës drejtuar profetit të Tij të gjallë. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.