Jezu Krishti Është Forca e Prindërve
Ndihmojini fëmijët tuaj të ndërtojnë besim te Jezu Krishti, ta duan ungjillin e Tij dhe Kishën e Tij, dhe të përgatiten për një jetë të tërë me zgjedhje të drejta.
Një herë e një kohë, një baba ishte gati për të shkuar në një mbledhje të peshkopatës në një mbrëmje. Bija e tij katërvjeçare i doli përpara, e veshur me pizhame dhe duke mbajtur në dorë një kopje të librit Tregime të Librit të Mormonit.
“Pse duhet që të shkosh në mbledhje?” – pyeti ajo.
“Sepse jam këshilltar në peshkopatë”, – u përgjigj ai.
“Por ti je babi im!” – protestoi e bija.
Ai u ul në gjunjë përpara saj. “Shpirt i vogël”, – tha ai, “e di që ti dëshiron të të lexoj dhe të të ndihmoj të biesh në gjumë, por sonte është nevoja të ndihmoj peshkopin.”
E bija iu përgjigj: “A nuk ka peshkopi një baba që ta ndihmojë të bjerë në gjumë?”
Jemi përjetësisht mirënjohës për anëtarët e panumërt që shërbejnë plot zell në Kishën e Jezu Krishtit çdo ditë. Sakrifica juaj është vërtet e shenjtë.
Por, siç duket se e kuptonte kjo vajzë, ka diçka po aq të shenjtë, diçka të pazëvendësueshme, rreth një prindi që edukon një fëmijë. Ajo gjë pasqyron modelin e qiellit.1 Ati ynë në Qiell, Prindi ynë Hyjnor, sigurisht gëzohet kur fëmijëve të Tij u jepet mësim dhe edukim nga prindërit e tyre në tokë.2
Prindër, faleminderit për gjithçka që po bëni për t’i rritur fëmijët tuaj. Fëmijë, faleminderit për gjithçka që po bëni për t’i rritur prindërit tuaj, sepse siç e di çdo prind, ne shpesh mësojmë po aq shumë nga fëmijët tanë rreth besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore sa mësojnë dhe ata nga ne.3
Prindërit Kanë një Detyrë të Shenjtë
A keni menduar ndonjëherë rreth rrezikut të jashtëzakonshëm që ndërmerr Ati ynë në Qiell çdo herë që Ai dërgon një fëmijë në tokë? Këta janë bijtë dhe bijat e Tija shpirtërore. Ata kanë potencial të pakufishëm. Kanë fatin të bëhen qenie të lavdishme të mirësisë, hirit dhe së vërtetës. Prapëseprapë ata vijnë në tokë tërësisht të pafuqishëm, pothuajse të paaftë për të bërë ndonjë gjë përveçse të qajnë për ndihmë. Kujtesa për kohën e tyre në praninë e Perëndisë mbulohet nga veli, së bashku me njohurinë se cilët janë në të vërtetë dhe cilët mund të bëhen. Ata e formojnë të kuptuarit e tyre për jetën, dashurinë, Perëndinë dhe planin e Tij nisur nga ajo që vëzhgojnë nga njerëzit përreth tyre, veçanërisht prindërit e tyre, të cilët, sinqerisht, ende po përpiqen vetë që t’u japin zgjidhje gjërave.
Perëndia u ka dhënë prindërve “detyrë[n e] shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi, për të plotësuar nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore dhe për t’i mësuar ata … [që] të zbatojnë urdhërimet e Perëndisë”4.
Kjo mjafton që t’i lërë pa gjumë natën edhe prindërit më të mirë.
Mesazhi im për të gjithë prindërit është ky:
Zoti ju do.
Ai është me ju.
Ai qëndron përkrah jush.
Ai është forca juaj për udhëzimin e fëmijëve tuaj për të bërë zgjedhje të drejta.
Pranojeni këtë privilegj dhe përgjegjësi me guxim e plot gëzim. Mos ia delegoni dikujt tjetër këtë burim të bekimeve qiellore. Brenda kuadrit të vlerave dhe parimeve të ungjillit, ju jeni ata për ta udhërrëfyer fëmijën tuaj në hollësitë e vendimeve të përditshme. Ndihmojini fëmijët tuaj të ndërtojnë besim te Jezu Krishti, ta duan ungjillin e Tij dhe Kishën e Tij, dhe të përgatiten për një jetë të tërë me zgjedhje të drejta. Në fakt, ai është plani i Perëndisë për prindërit.
Satani do t’ju kundërshtojë, do t’ju shpërqendrojë, do të përpiqet t’ju shkurajojë.
Por çdo fëmijë e ka marrë Dritën e Krishtit si një linjë të drejtpërdrejtë drejt qiellit. Shpëtimtari do t’ju ndihmojë, udhërrëfejë dhe nxitë. Kërkojeni ndihmën e Tij. Pyeteni Zotin!
Ashtu si Jezu Krishti është forca e rinisë, Jezu Krishti është edhe forca e prindërve.
Ai ia Shton Fuqinë Dashurisë
Nganjëherë mund të vrasim mendjen nëse dikush tjetër mund të jetë më i kualifikuar për t’i udhërrëfyer dhe mësuar fëmijët tanë. Por pavarësisht se sa të papërshtatshëm mund të ndiheni, ju keni diçka që ju kualifikon në mënyrë të pashoqe: dashurinë tuaj për fëmijën tuaj.
Dashuria e një prindi për një fëmijë është një nga forcat më të fuqishme në gjithësinë. Është një nga gjërat e pakta në këtë tokë që vërtet mund të jetë e përjetshme.
Tani, ndoshta ju ndieni se marrëdhënia juaj me fëmijën tuaj nuk është ideale. Këtu hyn në funksionim fuqia e Shpëtimtarit. Ai e shëron të sëmurin dhe Ai mund t’i shërojë marrëdhëniet. Ai i shumëfishon bukën dhe peshqit dhe Ai mund ta shumëfishojë dashurinë dhe gëzimin në shtëpinë tuaj.
Dashuria juaj për fëmijët tuaj krijon një mjedis të pasur për të dhënë mësim të vërtetën dhe për të ndërtuar besimin. Bëjeni shtëpinë tuaj një shtëpi lutjeje, mësimi dhe besimi; një shtëpi përvojash të gëzueshme; një vend përkatësie; një shtëpi të Perëndisë.5 Dhe “lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me … dashuri[në e Tij] që ai ua jep … pasues[ve] … të Birit të tij, Jezu Krisht[it]”6.
Ai ua Shton Fuqinë Përpjekjeve të Vogla dhe të Thjeshta
Një anë tjetër e fortë që ju e keni si prind, është mundësia për ndikim të përditshëm, të vazhdueshëm. Bashkëmoshatarët, mësuesit dhe personat me ndikim nga mediat vijnë e shkojnë. Por ju mund të jeni ndikimi më i vazhdueshëm, më i qëndrueshëm në jetën e fëmijës suaj.
Përpjekjet tuaja mund të duken të vogla në krahasim me zërat e lartë që i dëgjojnë fëmijët tuaj në botë. Me raste mund të ndieni se nuk keni ndonjë arritje të madhe. Por mbani mend se “nëpërmjet mjeteve të vogla, Zoti mund të shkaktojë gjëra të mëdha”7. Një mbrëmje e shtëpisë, një bashkëbisedim për ungjillin ose një shembull i mirë mund të mos ta ndryshojnë jetën e fëmijës suaj brenda një çasti, ashtu si as një pikë e vetme shiu nuk mund ta bëjë të rritet menjëherë një bimë. Por vazhdimësia e gjërave të vogla dhe të thjeshta, ditë pas dite, i ushqen fëmijët tuaj shumë më mirë sesa një përmbytje e rastësishme.8
Kjo është mënyra e Zotit. Ai ju flet juve dhe fëmijës suaj me një zë të qetë, të ulët dhe jo me një zë bubullime.9 Ai e shëroi Naamanin jo nëpërmjet “një gjë[je] të madhe”, por nëpërmjet një veprimi të thjeshtë, të përsëritur të larjes.10 Fëmijët e Izraelit e shijuan gostinë me shkurtat në shkretëtirë, por ajo që i mbajti gjallë, ishte mrekullia e vogël dhe e thjeshtë e manës, bukës së tyre të përditshme.11
Vëllezër e motra, buka e përditshme përgatitet dhe shërbehet në mënyrën më të mirë të mundshme në shtëpi. Besimi dhe dëshmia kultivohen më së miri në mënyra normale dhe të natyrshme, me pjesëza një e nga një, në çaste të vogla e të thjeshta, në rrjedhën e vazhdueshme të të jetuarit të përditshëm.12
Çdo çast është një çast mësimdhënieje. Çdo fjalë dhe veprim mund të jetë një udhëzues për bërjen e zgjedhjeve.13
Mund të mos i shihni ndikimet e menjëhershme të përpjekjeve tuaja. Por mos u dorëzoni. “Gjithë gjërat duhet të ndodhin në kohën e tyre”, – tha Zoti. “Prandaj, mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe.”14 Çfarë pune mund të jetë më e madhe sesa t’i ndihmojmë fëmijët e çmuar të Perëndisë që të mësojnë se cilët janë në të vërtetë dhe ta ndërtojnë besimin e tyre te Jezu Krishti, ungjilli i Tij dhe Kisha e Tij? Jezu Krishti do t’i bekojë dhe do t’ua shtojë fuqinë përpjekjeve tuaja të vazhdueshme.
Ai Jep Zbulesë
Një mënyrë tjetër e fuqishme se si Zoti i përkrah prindërit, është nëpërmjet dhuratës së zbulesës vetjake. Perëndia mezi pret ta derdhë Shpirtin e Tij për t’i udhërrëfyer prindërit.
Teksa jeni plot lutje dhe të ndjeshëm ndaj Shpirtit, Ai do t’ju paralajmërojë për rreziqet e fshehura.15 Ai do t’ju zbulojë dhuntitë e fëmijëve tuaj, pikat e tyre të forta dhe shqetësimet e tyre të pashprehura.16 Perëndia do t’ju ndihmojë t’i shihni fëmijët tuaj ashtu siç i sheh Ai, përtej paraqitjes së tyre të jashtme dhe brenda zemrave të tyre.17
Me ndihmën e Perëndisë ju mund të mësoni se si ta njihni fëmijën tuaj në një mënyrë të dëlirë e qiellore. Ju ftoj ta pranoni ofertën e Perëndisë për ta udhërrëfyer familjen tuaj me anë të zbulesës vetjake. Kërkoni udhërrëfimin e Tij në lutjet tuaja.18
Një Ndryshim i Madh
Ndoshta ndihma më e rëndësishme që Jezu Krishti u ofron prindërve, është “ndryshim[i] i madh” i zemrës19. Kjo është një mrekulli që i nevojitet secilit prej nesh.
Për një çast përfytyrojeni këtë situatë: Jeni në kishë duke dëgjuar një bisedë rreth familjeve. Folësi përshkruan një shtëpi të përsosur dhe një familje madje më të përsosur. Bashkëshorti e bashkëshortja nuk grinden kurrë. Fëmijët e ndalojnë leximin e shkrimeve të tyre të shenjta vetëm kur është koha për të bërë detyrat e shkollës. Dhe muzika e himnit “Doni Njëri‑Tjetrin”20 luhet në sfond. Përpara se folësi të arrijë te pjesa që flet se të gjithë mblidhen së bashku plot hare për të pastruar banjën, tashmë po mendoni: “Familja ime është e pashpresë”.
Të dashur vëllezër e motra, qetësohuni! Gjithkush në bashkësi po mendon të njëjtën gjë! Fakti është që të gjithë prindërit shqetësohen se nuk janë aq të mirë sa duhet.
Fatmirësisht, ka një burim hyjnor ndihme për prindërit: Është Jezu Krishti. Ai është burimi i ndryshimit tonë të madh të zemrës.
Teksa ia hapni zemrën Shpëtimtarit dhe mësimeve të Tij, Ai do t’ju tregojë dobësinë tuaj. Nëse i mirëbesoni Jezu Krishtit me një zemër të përulur, Ai do t’i bëjë gjërat e dobëta që të bëhen të forta.21 Ai është Perëndia i mrekullive.
A do të thotë kjo që ju dhe familja juaj do të jeni të përsosur si në një fotografi? Jo. Por do të bëheni më të mirë. Nëpërmjet hirit të Shpëtimtarit, pak nga pak, ju do të zhvilloni më shumë prej vetive që iu nevojiten prindërve: dashuria për Perëndinë dhe fëmijët e Tij, durimi, vetëmohimi, besimi te Krishti dhe guximi për të bërë zgjedhje të drejta.
Jezu Krishti Ofron Përkrahje nëpërmjet Kishës së Tij
Përpjekja jonë për të ndërtuar besim te Jezu Krishti është e përqendruar te shtëpia, me individin në fokus. Dhe është e përkrahur nga Kisha. Përveç sigurimit të shkrimeve të shenjta dhe fjalëve të profetëve, Kisha e Shpëtimtarit ofron shumë burime për t’i ndihmuar prindërit dhe fëmijët që të bëjnë zgjedhje të drejta:
-
Materiali Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve nuk të jep një listë me gjërat që duhen bërë dhe nuk duhen bërë. Ai na jep mësim për të vërteta të përjetshme që të ndihmojë të bëjmë zgjedhje të përqendruara në jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit. Lexojeni së bashku me fëmijët tuaj. Lërini ata të flasin për të. Ndihmojini ata që këto të vërteta të përjetshme dhe hyjnore t’i udhëzojnë zgjedhjet e tyre.22
-
Konferencat e FSY‑së janë një tjetër burim i mrekullueshëm. Shpresoj që çdo i ri dhe e re do të marrë pjesë. I ftoj të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqar/e që të marrin pjesë në këto konferenca si udhëheqës/e e këshillues/e. I ftoj prindërit që ta shtojnë hovin shpirtëror që të rinjtë dhe të rejat e tyre sjellin në shtëpi nga konferencat e FSY‑së.
-
Fëmijët dhe rinia në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kanë mësues, këshilltarë dhe këshillues. Shpesh ju hyni në jetën e një të riu ose të reje në një çast jetik për të ndërtuar e përkrahur besimin dhe dëshminë. Disa prej jush janë persona në moshë madhore beqarë. Disa nuk patën kurrë fëmijë vetë. Shërbimi juaj plot gëzim ndaj fëmijëve të Perëndisë është i shenjtë në sytë e Perëndisë.23
Mos Humbni Kurrë Shpresën për Mrekulli
Miqtë e mi të dashur, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ndërtimi i besimit te një fëmijë është disi i ngjashëm me ndihmën që i jepet një luleje për t’u rritur. Ju nuk mund ta tërhiqni kërcellin që ta bëni më të gjatë. Nuk mund ta hapni me forcë gonxhen që ta bëni atë të çelet më herët. Nuk mund ta lini pas dore lulen dhe të prisni që ajo të rritet e të lulëzojë vetvetiu.
Ajo që mund dhe duhet të bëni për brezin e ri është që të siguroni dheun e pasur, të ushqyeshëm, me qasje tek uji i rrjedhshëm qiellor. Hiqini barërat e këqija dhe çdo gjë që do ta bllokonte dritën qiellore të diellit. Krijoni kushtet më të mira të mundshme për rritjen. Me durim lejojeni brezin e ri që të bëjë zgjedhje të frymëzuara dhe lëreni Perëndinë të kryejë mrekullinë e Tij. Rezultati do të jetë më i bukur, më mahnitës dhe më i gëzueshëm se çfarëdo gjë tjetër që mund të arrini thjesht të vetëm.
Në planin e Atit Qiellor, marrëdhëniet familjare kanë për qëllim të jenë të përjetshme. Kjo është arsyeja përse, si prind, ju nuk hiqni dorë kurrë edhe nëse nuk jeni krenarë se si ndodhën gjërat në të shkuarën.
Me Jezu Krishtin, Shëruesin Mjeshtër dhe Shpëtimtarin, gjithmonë mund të ketë një fillim të ri; Ai gjithmonë jep shpresë.
Jezu Krishti është forca e familjeve.
Jezu Krishti është forca e rinisë.
Jezu Krishti është forca e prindërve.
Për këtë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.