2010
‘Motra në Mbretërinë Time’: Historia dhe Puna e Shoqatës së Ndihmës
Nëntor 2010


“Motra në Mbretërinë Time”: Historia dhe Puna e Shoqatës së Ndihmës

Studimi i historisë së Shoqatës së Ndihmës jep një përkufizim dhe shprehje të asaj se cilat jemi ne si dishepuj dhe ndjekëse të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.

Julie B. Beck

Kjo mbledhje është një dhuratë për të gjitha bijat e Atit Qiellor që dëshirojnë të mësojnë mendimin dhe vullnetin e Tij dhe të kuptojnë përgjegjësitë e tyre në planin e Tij. Unë kam vizituar shumë nga ju këtë vit të fundit dhe zemra ime është prekur ndërsa kam vështruar në sytë tuaj, ju kam përqafuar, kam qeshur me ju, kam qarë me ju dhe kam ndjekur hidhërimin, gëzimin dhe triumfin tuaj. Secila prej jush çmohet tej çdo përshkrimi dhe njihet prej Atit tonë Qiellor. Si bija të Perëndisë, ju po përgatiteni për planet e përjetshme dhe secila prej jush ka një identitet, natyrë dhe përgjegjësi femërore. Suksesi i familjeve, komuniteteve, kjo Kishë dhe plani i çmuar i shpëtimit varen nga besnikëria juaj. Oh, motra të dashura, sa ju duam dhe lutemi për ju!

Të gjithë ne jemi në mes të një përvoje shumë vetjake tokësore. Dy motra që kam takuar kohët e fundit, përfaqësojnë atë se si duhet jetuar besnikërisht. Një motër jeton në një shtëpi të bukur në Brazilin qendror. Shtëpia e saj me tulla të kuqe të bukura, vendosur në një oborr me tokë të kuqe, rrethuar nga një mur me blloqe të kuqe është një qiell dhe strehë nga bota jashtë. Fëmijët e saj me sy të ndritur dinë t’i këndojnë këngët e Fillores dhe në muret e shtëpisë së saj varen piktura të Shpëtimtarit, tempujve dhe profetëve të Perëndisë, të prera nga revista Liahona. Ajo dhe bashkëshorti i saj bënë sakrifica vetjake për t’u vulosur në tempull në mënyrë që fëmijët e tyre të mund të lindin në besëlidhje. Ajo më tregoi se i lutet vazhdimisht Zotit që t’i japë forcë dhe frymëzim të mjaftueshëm për t’i sjellë fëmijët e saj në dritën, të vërtetën dhe forcën e ungjillit.

Një motër tjetër jeton vetëm në një apartament të vogël në katin e 80-të të një ndërtese në Hong-Kong. Ajo ka disa vështirësi fizike, por është gëzueshëm e pavarur. Ajo është anëtarja e vetme e Kishës në familjen e saj. Në një raft të vogël janë shkrimet e shenjta të saj, manualet e Shoqatës së Ndihmës dhe libra të tjerë të Kishës. Ajo ka krijuar një mjedis plot Shpirt në shtëpi dhe është dritë për këdo në degën e saj.

Paralajmërime

Ne e dimë se shumë motra jetojnë në kushte shtypëse apo të rrezikshme. Disa janë gjithnjë të uritura dhe disa duhet të mbledhin gjithë kurajën e tyre të ditës për të vazhduar në besim megjithë zhgënjimet dhe tradhëtitë nga të tjerët. Ngaqë ne jetojmë në ditët e fundit të kësaj toke, ka shenja të një lufte të madhe kudo. Mite dhe keqkuptime lidhur me forcën, qëllimin dhe pozitën e grave shenjtore të ditëve të mëvonshme, gëlojnë. Mite që dominojnë, lënë të kuptohet se ne jemi me rëndësi më të pakët se burrat, se ne jemi në përgjithësi të ëmbla por të painformuara dhe se pavarësisht se çfarë bëjmë, ne kurrë nuk do të arrijmë të jemi të pranueshme nga Ati ynë Qiellor. Ashtu siç tha Apostulli Pjetër, ka “midis jush mësues të rremë, të cilët do të fusin fshehurazi herezi shkatërruese dhe, duke mohuar Zotërinë që i bleu ata”1.

Libri i Mormonit përshkruan çfarë po ndodh:

“Pasi vini re, në atë ditë ai do të tërbohet në zemrat e fëmijëve të njerëzve dhe do t’i nxitë në zemërim kundër asaj që është e mirë.

Dhe të tjerë ai do tʼi paqësojë dhe do tʼi përkundë në siguri trupore, që ata do të thonë: Gjithçka është mirë në Sion; po, Sioni lulëzon, gjithçka është mirë – dhe kështu djalli gënjen shpirtrat e tyre dhe ai i çon me kujdes poshtë në ferr.

Dhe vini re, të tjerët ai i lajkaton dhe u thotë se nuk ka ferr; dhe ai u thotë atyre: Unë nuk jam djall, pasi nuk ka asnjë – dhe kështu ai pëshpërit në veshët e tyre, derisa i kap ata me zinxhirët e tij të tmerrshëm.”2

Në klimën në rritje për privilegje, justifkim, apati dhe joshje, bijat e Perëndisë që nuk janë syçelëta, plot lutje dhe të frymëzuara, janë me rrezik në rritje që të bëhen çka shkrimet e shenjta e përshkruajnë si “femrat e ngarkuara me mëkate”3, që adhurojnë “perënditë e huaja”4. Mjerisht, si rezultat i vështirësive të jetës dhe të herezive të përhapura të botës, shumë motra besojnë mitet më shumë sesa të vërtetën. Kjo vihet re në konstatimet se shumë nuk po bëjnë gjërat thelbësore si lutja dhe leximi i shkrimeve të shenjta. Zoti Vetë ka thënë se kjo është “një ditë paralajmërimi dhe jo një ditë fjalësh të shumta”5.

Shoqata e Ndihmës u Organizua që të Jetë Mbrojtje dhe Strehë

Me qëllim që të mbikëqyrë, mësojë dhe frymëzojë bijat e Tij në këto kohë të rrezikshme, Perëndia autorizoi Profetin Jozef Smith të organizonte gratë e Kishës. Kjo organizatë e caktuar hyjnisht dhe e drejtuar nga priftëria, quhet Shoqatë e Ndihmës.

Qëllimi i Shoqatës së Ndihmës është të përgatisë bijat e Perëndisë për bekimet e jetës së përjetshme ndërsa ato rriten në besim dhe në drejtësinë e tyre, forcojnë familjet e shtëpitë dhe kërkojnë e ndihmojnë ata që janë në nevojë.

Shoqata e Ndihmës sqaron punën tonë dhe na bashkon si bija të Perëndisë në mbrojtje të planit të Tij. Në këtë ditë të identiteteve të ngatërruara, rrëmujës dhe shushatjes, Shoqata e Ndihmës është një busull dhe udhëzues për t’u mësuar të vërtetën grave besnike. Gratë e drejta sot kërkojnë një vërshim të zbulesës që t’i rezistojnë çoroditjes, të luftojnë të keqen e shkatërrimin shpirtëror dhe të ngrihen mbi fatkeqësitë personale duke rritur besimin e tyre, duke forcuar familjet e tyre dhe duke u dhënë lehtësim të tjerëve.

Historia dhe Puna e Shoqatës së Ndihmës

Presidenca jonë është lutur, ka agjëruar, ka menduar thellë dhe është këshilluar me profetët, shikuesit dhe zbuluesit për të mësuar atë që Perëndia do të donte për të ndihmuar bijat e Tij që të jenë të forta përballë “fatkeqësisë që do të vinte mbi banorët e tokës”6. Një përgjigje ka ardhur që motrat e Kishës duhet të dinë dhe të mësojnë nga historia e Shoqatës së Ndihmës. Kuptimi i historisë së Shoqatës së Ndihmës forcon identitetin themelor dhe vetëdijen për vlerat e veta të grave besnike.

Prandaj, një histori e Shoqatës së Ndihmës për Kishën është duke u përfunduar dhe do të jetë në dispozicion për përdorim nga ne vitin tjetër. Duke i paraprirë kësaj, historisë së Shoqatës së Ndihmës po i kushtohet një vëmendje në rritje, e tillë si në faqen e vizitave mësimore të Liahonas. Përgatitja e historisë ka qenë një përvojë e frymëzuar dhe befasuese.

Ndërsa kemi studiuar historinë e Shoqatës së Ndihmës, ne kemi mësuar se vizioni i Zotit dhe qëllimi i Shoqatës së Ndihmës nuk ishte për një mbledhje të përgjumur të dielën. Ai kishte në mendje diçka shumë-shumë më të madhe sesa një klub gruaje apo grupi me interes të veçantë argëtimi.

Ai synonte që Shoqata e Ndihmës të ndihmojë të ngrejë popullin e Tij dhe ta përgatisë atë për bekimet e tempullit. Ai e krijoi këtë organizatë për të përfshirë bijat e Tij në punën e Tij dhe që të kërkojë ndihmën e tyre në ndërtimin e mbretërisë së Tij dhe forcimin e shtëpive të Sionit.

Historia Na Mëson se Cilat Jemi Ne

Ne e studiojmë historinë tonë që të mësojmë se cilat jemi. Ka një uri në mbarë botën midis grave të mira për të ditur identitetin, vlerën dhe rëndësinë e tyre. Studimi dhe zbatimi i historisë së Shoqatës së Ndihmës jep një përkufizim dhe shprehje të asaj se cilat jemi ne si dishepuj dhe ndjekëse të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Besnikëria dhe shërbimi ynë janë shenja të kthimit dhe zotimit tonë për ta kujtuar dhe ndjekur Atë. Në qershor të 1830-ës, në fillimin e Rivendosjes së Kishës së Tij, Zoti zgjodhi udhëheqësen e Tij të parë femër të kësaj periudhe ungjillore dhe në një zbulesë asaj, Ai tha: “Ndërsa unë të flas ty, Emma Smith, bija ime; pasi me të vërtetë të them, tërë ata që marrin ungjillin tim, janë bij dhe bija në mbretërinë time”7.

Historia e Shoqatës së Ndihmës na mëson se Ati ynë Qiellor i njeh bijat e Tij. Ai i do ato, Ai u ka dhënë atyre përgjegjësi të veçanta dhe Ai u ka folur dhe i ka drejtuar ato gjatë misionit të tyre në vdekshmëri. Përveç kësaj, historia e Shoqatës së Ndihmës lartëson dhe vërteton pozitën e grave dhe tregon se si ato punojnë në marrëdhënie me udhëheqësit besnikë të priftërisë.

Historia Na Mëson Çfarë Duhet të Bëjmë

Ne e studiojmë historinë tonë që të mësojmë se çfarë duhet të bëjmë. Nëpërmjet historisë sonë ne mësojmë për t’u përgatitur për bekimet e jetës së përjetshme. Shoqata e Ndihmës, si një organizatë, ka pasur gjithmonë përgjegjësinë për të organizuar energjitë e motrave në lagjet dhe degët e Sionit. Nëpërmjet mbledhjeve të Shoqatës së Ndihmës, shërbesës së mësueseve vizitore dhe shërbimeve të tyre të kombinuara, motrat e Perëndisë mësohen, mbrohen dhe frymëzohen në përgjegjësinë e tyre në punën dhe mbretërinë e Zotit. Presidentet e Shoqatës së Ndihmës të lagjeve dhe të degëve janë veçuar për ta drejtuar atë punë.

Një vit përpara në këtë mbledhje, u njoftuan politika lidhur me mbledhje të Shoqatës së Ndihmës. Ne jemi të lumtura të raportojmë se në shumicën e lagjeve dhe të degëve kudo në botë, presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe motrat kanë përqafuar ato politika dhe shpirtin e tyre. Ishte një gëzim të shihje një rigjallërim të qëllimit historik dhe të punës së Shoqatës së Ndihmës. Ne kemi parë gjithashtu një rritje në dinjitet, identitet dhe zbulesë të Shoqatës së Ndihmës ndërsa të gjitha mbledhjet e motrave tani emërtohen dhe njoftohen thjesht ashtu siç janë – mbledhje të Shoqatës së Ndihmës. Ne po shohim një rritje të besimit e të drejtësisë vetjake, një forcim të familjeve e të shtëpive dhe më shumë ndihmë që ofrohet nga motrat e Shoqatës së Ndihmës, nëpërmjet përdorimit të drejtë të mbledhjeve të Shoqatës së Ndihmës. Të gjitha politikat lidhur me mbledhjen e Shoqatës së Ndihmës, vizitat mësimore dhe punë të tjera të Shoqatës së Ndihmës kanë themelin e tyre në historinë e Shoqatës së Ndihmës dhe janë miratuar nga Presidenca e Parë.

Ka qenë gjithnjë përgjegjësi e Shoqatës së Ndihmës që të marrë pjesë në veprën e shpëtimit. Qysh nga fillimi i Kishës së rivendosur, motrat kanë qenë atje të parat, të fundit dhe gjithnjë në përgjigje të ndodhive të jetës së përditshme. Nga Shoqata e Ndihmës, motrat përparojnë për të shërbyer te Fillorja, Të Rejat, Shkolla e së Dielës e në përpjekje të tjera dhe ato janë fenerë drite e virtyti për brezin që rritet. Shërbimi personal ngre çdo motër të veçantë dhe shërbimi i bashkuar i miliona grave besnike krijon një forcë gjigande besimi në veprën e Zotit. Historia tregon se, qysh në fillimin e Rivendosjes, motrat kanë qenë në ballë për përhapjen e ungjillit dhe ato vazhdojnë në këtë përpjekje duke shërbyer në misione, duke përgatitur të rinjtë e të rejat për të shërbyer misione dhe duke ftuar miqtë, fqinjët e anëtarët e familjeve të tyre të marrin pjesë në bekimet e ungjillit. Ne gjithashtu mësojmë nga historia se Profeti Jozef Smith i përdori mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës për të udhëzuar motrat në përgjegjësitë dhe përgatitjen e tyre për në tempull. Sot, historia familjare dhe puna e tempullit vazhdojnë të jenë ndër detyrimet parësore të Shoqatës së Ndihmës.

Kuptimi ynë për qëllimin tonë historik i ndihmon gratë të mësojnë të vendosin përparësi siç duhet, që ato të “mos shpenzo[jnë] para për atë që nuk ka vlerë, as punën [e tyre] për atë që nuk mund të japë kënaqësi”8. Shoqata e Ndihmës gjithmonë ka pasur përgjegjësinë të bëjë siç mësoi Apostulli Pal: t’u mësojnë të rejave të jenë matura, të përmbajtura e të dëlira dhe t’u mësojnë atyre që janë të martuara, të duan bashkëshortët e tyre, të duan fëmijët e tyre dhe të forcojnë shtëpitë e tyre.9 Historia e Shoqatës së Ndihmës na mëson neve të kujdesemi për gjëra thelbësore që do të na shpëtojnë e shenjtërojnë, dhe gjëra që janë të nevojshme për t’u bërë personalisht të afta të mbështetemi tek vetja dhe të dobishme në mbretërinë e Zotit.

Një temë e përhershme në tërë historinë tonë është se motrat që përdorin fuqinë e Frymës së Shenjtë, veprojnë me frymëzimin e Zotit në jetën e tyre dhe marrin zbulesë për përgjegjësitë e tyre.

Historia Bashkon Gra Besnike

Ne e studiojmë historinë tonë sepse ajo i bashkon gratë besnike. Historia e Shoqatës së Ndihmës është një histori plot Shpirt e grave të forta, besnike, të vendosura. Si pjesë e Kishës së rivendosur të Zotit, Shoqata e Ndihmës tani mund të gjendet në afërsisht 170 kombe. Kudo në botë, çdo gruaje të rritur në Kishën e Zotit mund t’i jepen përgjegjësi serioze dhe të rëndësishme.

Vajzat dhe gratë e reja në Kishë mësojnë të vendosin qëllime nëpërmjet Besimit në Perëndi dhe programeve të Përparimit Personal, që i përqendrojnë ato drejt tempullit dhe përgjegjësive të tyre të ardhshme. Në Shoqatën e Ndihmës ato vazhdojnë të përparojnë drejt bekimeve të tempullit dhe jetës së përjetshme duke rritur besimin dhe drejtësinë e tyre personale, duke forcuar familjet e shtëpitë e tyre dhe duke kërkuar e ndihmuar ata që janë në nevojë. Motrat besnike mësojnë ta bëjnë këtë me shumë pak brohori apo njohje për punën që ato bëjnë. Kjo është sepse Shoqata e Ndihmës lulëzon duke dhënë mësimet e Zotit Jezu Krisht, që tha se kur ne japim ndihmat (apo ofertat) fshehtas, Ati ynë në Qiell, që sheh në fshehtësi, do të na shpërblejë neve haptazi10.

Gjatë historisë dhe veprës së Shoqatës së Ndihmës, ne jemi të lidhura në një motëri të madhe botërore me të reja dhe të moshuara, të pasura dhe të varfra, të arsimuara dhe analfabete, beqare dhe të martuara, bija të forta dhe të patundura të Perëndisë.

Njohja e Historisë Mund të na Ndihmojë Ne të Ndryshojmë

Ne e studiojmë historinë tonë sepse ajo na ndihmon neve që të ndryshojmë. Së fundi, vlera e historisë nuk është aq shumë te datat, kohët dhe vendet. Ajo është e vlefshme sepse na mëson neve parimet, qëllimet dhe modelet që ne duhet të ndjekim, ajo na ndihmon të dimë kush jemi e çfarë duhet të bëjmë dhe na bashkon në forcimin e shtëpive të Sionit e në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë në tokë. Shoqata e Ndihmës, kur vepron në mënyrë të frymëzuar, mund t’i zëvendësojë frikën, dyshimin dhe egoizmin me besim, shpresë dhe dashuri. Ndërsa ne çojmë veprën e Zotit përpara, historia e Shoqatës së Ndihmës do të vazhdojë të shkruhet nga motra besnike kudo në botë. Zoti po e forcon Shoqatën e Ndihmës në të tashmen që jetojmë dhe po përgatit një të ardhme të lavdishme për bijat e Tij.

Unë sjell dëshminë time për vërtetësinë e Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, ungjilli, lajmi i mirë për identitetin dhe qëllimin tonë, u rivendos në tokë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.