Dhurata Hyjnore e Mirënjohjes
Një zemër mirënjohëse … rezulton nga shprehja e mirënjohjes Atit tonë Qiellor për bekimet e Tij dhe atyre përreth nesh për gjithçka që ata sjellin në jetën tonë.
Ky ka qenë një sesion i mrekullueshëm. Kur u caktova President i Kishës, thashë: “Do marr një detyrë për vete. Do jem këshilluesi për Korin e Tabernakullit”. Jam shumë krenar për korin tim!
Një herë mamaja ime tha për mua: “Tomi, jam shumë krenare për gjithçka që ke bërë. Por kam një vërejtje për të të bërë. Ti duhet të kishe vazhduar me pianon.”
Kështu që shkova tek pianoja dhe luajta një numër muzikor për të: “Ja ku po shkojmë, [ja ku po shkojmë] në një festë ditëlindjeje”1. Pastaj i dhashë një puthje në ballë dhe ajo më përqafoi.
Mendoj për të. Mendoj për babain tim. Mendoj për të gjithë ata Autoritete të Përgjithshme që kanë ndikuar tek unë dhe për të tjerë, përfshirë të vejat që vizitoja – 85 prej tyre – me një pulë për furrën, ndonjëherë me pak para për xhepin e tyre.
Vizitova njërën vonë një natë. Ishte mesnatë dhe shkova tek shtëpia e pleqve dhe recepsionistja tha: “Jam e sigurt që është duke fjetur, por më tha që ta zgjoj me çdo kusht, sepse ajo tha: ‘E di se do të vijë’”.
I mbajta dorën; ajo më thirri në emër. Ishte plotësisht zgjuar. Ajo ma shtrëngoi dorën duke e puthur dhe tha: “E dija se do vije”. Si të mos vija?
Ashtu më prek mua muzika e bukur.
Vëllezër e motra të mia të dashura, ne kemi dëgjuar mesazhe të frymëzuara të së vërtetës, të shpresës dhe të dashurisë. Mendimet tona janë kthyer drejt Atij që shleu mëkatet tona, që na tregoi mënyrën si të jetojmë dhe si të lutemi; dhe që tregoi nëpërmjet vetë veprimeve të Tij bekimet e shërbimit – madje Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti.
Në librin e Llukës, kapitulli 17, ne lexojmë për Të:
“Dhe ndodhi që duke udhëtuar për në Jeruzalem, ai kaloi nëpër Samari dhe Galile.
Dhe, kur po hynte në një fshat, [takoi] para dhjetë lebrozë, të cilët ndaluan larg,
dhe duke ngritur zërin, thanë: “Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne.”
Dhe ai, si i pa, u tha atyre: “Shkoni e paraqituni te priftërinjtë”. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan.
Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë.
Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte Samaritan.
Jezusi atëherë filloi të thotë: “A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?
A nuk gjet asnjë që të kthehet për të dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?”
Dhe ai i tha atij: “Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi.”2
Përmes ndërhyrjes hyjnore, ata që ishin lebrozë u shpëtuan nga një vdekje mizore dhe e ngadaltë dhe iu dha një mundësi e re në jetë. Mirënjohja e shprehur prej njërit meritoi bekimin e Zotit, mosmirënjohja e treguar nga të nëntët meritoi zhgënjimin e Tij.
Vëllezër e motra të mia, a kujtohemi të japim falënderime për bekimet që marrim? Dhënia e sinqertë e falënderimeve jo vetëm na ndihmon të njohim bekimet tona, por gjithashtu hap dyert e qiellit dhe na ndihmon të ndiejmë dashurinë e Perëndisë.
Miku im i dashur Presidenti Gordon B. Hinkli tha: “Kur ecni në jetë me mirënjohje, ju nuk ecni me kryelartësi e krekosje dhe egoizëm; ju ecni me një shpirt falënderimi që ju ka hije dhe do të bekojë jetën tuaj”.3
Në librin e Mateut, në Bibël, ne kemi një tjetër rrëfim për mirënjohjen, këtë herë si një shprehje nga Shpëtimtari. Ndërsa udhëtoi në shkretëtirë për tre ditë, më shumë se 4000 njerëz e ndoqën dhe udhëtuan me Të. Ai pati mëshirë për ta, sepse nuk kishin ngrënë gjatë gjithë tre ditëve. Dishepujt e Tij, gjithsesi, pyetën: “Po ku mund të gjejmë në këtë vend të shkretë aq bukë sa të ngopim një turmë kaq të madhe?” Si shumëkush prej nesh, dishepujt panë vetëm atë që mungonte.
“Dhe Jezusi u tha atyre: ’Sa bukë keni?’ [Dishepujt] thanë: ’Shtatë dhe pak peshq të vegjël’.
Atëherë [Jezusi] u dha urdhër turmave që të uleshin përtokë.
Pastaj i mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të tij, dhe dishepujt turmës.”
Vini re se Shpëtimtari falënderoi për atë që kishin – dhe një mrekulli vijoi: “Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; dhe ngritën tepricën e copave, shtatë kosha plot.”4
Ne të gjithë kemi përjetuar periudha kur vëmendja jonë më tepër qëndron tek ajo që na mungon, sesa tek bekimet tona. Filozofi grek Epiktitus tha: “Është njeri i mençur ai që nuk vreroset për gjërat që nuk ka, por gëzohet për ato që ka”5.
Mirënjohja është një parim hyjnor. Zoti shpalli, nëpërmjet një zbulese dhënë Profetit Jozef Smith:
“Falënderoje Zotin, Perëndinë tënd, në gjithçka. …
Dhe në asgjë nuk e fyen njeriu Perëndinë apo kundër askujt nuk ndizet zemërimi i tij, përveç atyre që nuk e pohojnë dorën e tij në gjithçka.”6
Në Librin e Mormonit na thuhet që të “jetoni çdo ditë me falënderime për mëshirat dhe bekimet e shumta që [Perëndia] ju jep”7.
Pavarësisht rrethanave tona, secili prej nesh ka shumë për të qenë mirënjohës, sikur vetëm të ndaleshim e të mendonim bekimet tona.
Kjo është një periudhë e mrekullueshme për të qenë në tokë. Ndërkohë që sot ka shumë nga ajo që është e gabuar në botë, ka shumë gjëra që janë të drejta dhe të mira. Ka martesa që ia dalin, prindër që i duan fëmijët e tyre dhe sakrifikojnë për ta, miq që kujdesen për ne dhe na ndihmojnë, mësues që japin mësim. Jetët tona janë bekuar në mënyra të panumërta.
Ne mund të ngremë shpirtërisht veten dhe gjithashtu të tjerët, kur refuzojmë të mbetemi në arenën e mendimit negativ dhe kultivojmë brenda zemrës sonë zakonin e mirënjohjes. Nëse mosmirënjohja futet mes mëkateve serioze, atëherë mirënjohja zë vendin e saj mes virtyteve më fisnike. Dikush ka thënë se “mirënjohja nuk është vetëm më e madhërishmja e virtyteve, por prindi i të gjitha të tjerave”8.
Si mund të kultivojmë brenda zemrave tona zakonin e mirënjohjes? Presidenti Jozef F. Smith, i gjashti President i Kishës, ofroi një përgjigje. Ai tha: “Njeriu mirënjohës sheh kaq shumë gjëra në botë për të qenë falënderues, dhe për të e mira ia tejkalon të ligës. Dashuria e mposht zilinë dhe drita e largon errësirën nga jeta e tij.” Ai vijoi: “Krenaria shkatërron mirënjohjen tonë dhe ngre egoizmin në vend të saj. Sa më të lumtur jemi në prani të një shpirti mirënjohës e të dashur dhe sa të kujdesshëm duhet të jemi për të kultivuar, nëpërmjet një jete plot lutje, një zakon falënderimi kundrejt Perëndisë dhe njeriut!”9
Presidenti Smith po na shpjegon që një jetë plot lutje është çelësi për fitimin e mirënjohjes.
A na bëjnë pasuritë materiale të lumtur dhe mirënjohës? Ndoshta për çastin. Megjithatë, ato gjëra që sigurojnë lumturi dhe mirënjohje të thellë e që zgjat janë gjëra që paratë nuk mund t’i blejnë: familjet tona, ungjilli, miqtë e mirë, shëndeti ynë, aftësitë tona, dashuria që marrim prej atyre që kemi përreth. Fatkeqësisht, këto janë disa prej gjërave që ne ia lejojmë vetes t’i marrim pa i vlerësuar.
Autori anglez Aldous Haksli shkroi: “Shumica e qenieve njerëzore kanë pothuaj një aftësi të pafundme për t’i marrë gjërat si të mirëqena”.10
Ne shpesh marrim si gjëra të mirëqena pikërisht njerëzit që meritojnë më shumë mirënjohjen tonë. Le të mos presim derisa të jetë tepër vonë për ne për të shprehur atë mirënjohje. Duke folur për njerëzit e dashur që kishte humbur, një burrë e tregoi keqardhjen e tij kështu: “Më kujtohen ato ditë të lumtura dhe shpesh dëshiroj që të mund të shpreh në veshët e të vdekurit mirënjohjen që e merituan në jetë dhe që iu kthye aq keq”11.
Humbja e njerëzve të dashur sjell pothuaj në mënyrë të pashmangshme keqardhje në zemrën tonë. Le t’i zvogëlojmë ndjenja të tilla me sa më shumë njerëzi të jetë e mundur, duke ua shprehur shpesh dashurinë dhe mirënjohjen tonë. Ne kurrë nuk e dimë se sa shpejt do të jetë tepër vonë.
Një zemër mirënjohëse, pra, rezulton nga shprehja e mirënjohjes Atit tonë Qiellor për bekimet e Tij dhe atyre përreth nesh për gjithçka që ata sjellin në jetën tonë. Kjo kërkon përpjekje të ndërgjegjshme – të paktën, derisa vërtet të kemi mësuar dhe kultivuar një zakon mirënjohjeje. Shpesh ne ndihemi mirënjohës dhe kemi ndër mend t’i shprehim falënderimet tona, por harrojmë ta bëjmë ose thjesht nuk arrijmë ta bëjmë. Dikush ka thënë se “të ndiesh mirënjohje dhe të mos e shprehësh atë, është si të mbështjellësh një dhuratë dhe të mos e japësh”12.
Kur hasim sfida dhe probleme në jetën tonë, shpesh është e vështirë për ne të përqendrohemi tek bekimet tona. Megjithatë, nëse kërkojmë mjaftueshëm thellë dhe vështrojmë mjaftueshëm fort, ne do të jemi në gjendje të ndiejmë dhe të kuptojmë pikërisht se sa shumë na është dhënë.
Po ju tregoj një histori për një familje e cila qe në gjendje të gjente bekime në mes sfidash të rënda. Kjo është një histori që e lexova shumë vite më parë dhe e kam ruajtur për shkak të mesazhit që përcjell. U shkrua nga Gordon Grin dhe u shfaq në një revistë amerikane mbi 50 vjet më parë.
Gordoni tregon se si u rrit në një fermë në Kanada, ku atij dhe vëllezërve e motrave të tij u duhej të nxitonin për në shtëpi pas shkolle, ndërsa fëmijët e tjerë luanin me top dhe shkonin të notonin. Gjithsesi, babai i tyre pati aftësinë t’i ndihmonte të kuptonin që puna e tyre vlente diçka. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë pas kohës së korrjes, kur familja festonte Ditën e Falënderimit, sepse në atë ditë babai i tyre i jepte një dhuratë të mrekullueshme. Ai bënte një inventar të gjithçkaje që kishin.
Mëngjesin e Ditës së Falënderimit ai i çonte tek qilari me fuçi të mollëve, kova me panxhar, karota të paketuara në rërë dhe male thasësh me patate si edhe bizele, misër, bishtaja, pelte, luleshtrydhe dhe ushqime të tjera të konservuara që mbushnin raftet e tyre. Ai i vinte fëmijët të numëronin çdo gjë me kujdes. Pastaj ata dilnin jashtë në hangar dhe llogaritnin sa ton bar të thatë kishte aty dhe sa shinikë grurë në hambar. Ata numëronin lopët, derrat, zogjtë, gjelat e detit dhe patat. Babai u thoshte se donte të shihte si ishin sistemuar, por ata e dinin se, në të vërtetë, ai donte që ata të kuptonin në atë ditë feste se me sa bollëk Perëndia i kishte bekuar dhe i kishte shpërblyer për gjithë orët e tyre të punës. Së fundmi, kur uleshin në gostinë që nëna e tyre kishte përgatitur, bekimet ishin diçka që ata i ndienin.
Gordoni, megjithatë, vuri në dukje se Dita e Falënderimit që ai e kujtonte me më shumë falënderim, ishte viti në të cilin dukej se nuk kishin asgjë për të cilën të ishin mirënjohës.
Viti nisi mbarë: ata kishin tepricë bari të thatë, plot farëra, katër pjella derrash dhe babai i tyre kishte ca para mënjanë, në mënyrë që një ditë të mund të ishte në gjendje të blinte një ngarkues bari – një makinë e mrekullueshme që shumica e fermerëve thjesht ëndërronin ta kishin. Gjithashtu qe viti që energjia elektrike hyri në qytetin e tyre – megjithëse jo tek ata, sepse ata nuk ishin në gjendje.
Një natë, kur nëna e Gordonit po lante një pirg të madh rrobash, i ati hyri dhe mori radhën tek dërrasa e larjes së rrobave dhe i kërkoi së shoqes të çlodhej e të bënte punimin e saj me shtiza. Ai tha: “Ti harxhon më shumë kohë duke larë se duke fjetur. A mendon se duhet të dorëzohemi dhe të marrim energjinë elektrike?” Megjithëse e ngazëllyer nga e ardhmja, ajo derdhi një apo dy lot kur mendoi për ngarkuesin e barit që nuk do të blihej.
Kështu që linja elektrike u ngjit lart deri tek rrugica e tyre atë vit. Megjithëse nuk qe ndonjë gjë e jashtëzakonshme, ata morën një makinë larëse që punonte gjithë ditën vetë dhe llamba dritash të shkëlqyeshme që vareshin në çdo tavan. Nuk kishte më fenerë për t’u mbushur me vaj, jo më fitila për t’u prerë, jo më oxhak tërë blozë për t’u pastruar. Krejt fenerët u kaluan në papafingo.
Ardhja e energjisë elektrike në fermën e tyre, ishte pothuaj gjëja e fundit e mirë që u ndodhi atë vit. Sapo të mbjellat e tyre po fillonin të dilnin nga toka, filluan shirat. Kur më në fund uji u tërhoq, nuk kishte mbetur asnjë bimë gjëkundi. Ata i mbollën prapë, por më shumë shira i goditën të mbjellat në tokë. Patatet e tyre u kalbën në baltë. Ata shitën dy lopë dhe të gjithë derrat dhe gjënë e gjallë tjetër që kishin pasur ndërmend të mbanin, duke marrë çmime shumë të ulta për to, sepse gjithkujt tjetër i duhej të bënte po të njëjtën gjë. Gjithҫka që korrën atë vit, ishte një ngastër rrepash që njëfarësoj i kishte mbijetuar stuhive.
Atëherë erdhi përsëri Dita e Falënderimit. Mamaja e tyre tha: “Ndoshta më mirë ta harrojmë atë këtë vit. Nuk na ka mbetur madje as një patë.”
Gjithsesi, mëngjesin e Ditës së Falënderimit, babai i Gordonit erdhi me një lepur të madh dhe i kërkoi së shoqes ta gatuante. Qejfprishur, ajo filloi punën, duke nënkuptuar se do të kërkonte shumë kohë për t’u gatuar ajo gjëja e vjetër me mish të fortë. Kur, më në fund, ai u vendos në tryezë me disa prej rrepave që kishin mbijetuar, fëmijët refuzuan që të hanin. Nëna e Gordonit qau dhe atëherë babai i tij bëri diçka të çuditshme. Ai u ngjit në papafingo, mori një fener me vaj, e solli sërish në tryezë dhe e ndezi. U tha fëmijëve të shkëpusnin dritat elektrike. Kur ishte sërish vetëm feneri, ata mezi mund ta besonin që kishte qenë aq errët më përpara. Çuditeshin se si kishin parë ndonjëherë diçka pa dritat e shndritshme të mundësuara nga energjia elektrike.
Ushqimi u bekua dhe gjithkush hëngri. Kur darka mbaroi, ata të gjithë u ulën qetësisht. Gordoni shkroi:
“Në zbehtësinë e përulur të fenerit të vjetër ne po fillonim të shihnim qartë përsëri. …
[Qe] një vakt i këndshëm. Lepuri i vjetër shijoi si gjeldeti dhe rrepat ishin më të butat që mund të kujtoheshin. …
… Shtëpia [jonë] … , me gjithë mungesat e saj, ishte aq e pasur [për] ne.”13
Vëllezër e motra të mia, të shprehësh mirënjohje është e hirshme dhe e respektueshme; të vësh në veprim mirënjohjen është bujare dhe fisnike por, të jetosh përgjithmonë me mirënjohje në zemër, është si të prekësh qiellin.
Ndërsa e mbyll këtë paradite, lutja ime është që, përveç çdo gjëje tjetër për të cilën jemi mirënjohës, të mund të pasqyrojmë përherë mirënjohjen tonë për Zotin dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Ungjilli i tij i lavdishëm u jep përgjigje pyetjeve të mëdha të jetës: Nga kemi ardhur? Përse jemi këtu? Ku shkojnë shpirtrat tanë kur vdesim? Ai ungjill u sjell atyre që jetojnë në errësirë, dritën e së vërtetës hyjnore.
Ai na mësoi si të lutemi. Ai na mësoi si të jetojmë. Ai na mësoi si të vdesim. Jeta e Tij është një trashëgimi dashurie. Të sëmurët Ai i shëroi; të shtypurit Ai i ngriti; mëkatarin Ai e shpëtoi.
Së fundmi, Ai qëndroi i vetëm. Disa Apostuj dyshuan; njëri e tradhtoi Atë. Ushtarët romakë shpuan ijën e Tij. Turma e zemëruar i mori jetën Atij. Por ende ushtojnë, që nga kodra e Golgotës, fjalët e Tij të mëshirshme: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”14.
Kush ishte ky “Njeri dhembjesh, … i familjarizuar me vuajtjen”?15 “Kush është ky Mbret i lavdisë”16, ky Zot i zotërve? Ai është Zoti ynë. Ai është Shpëtimtari ynë. Ai është Biri i Perëndisë. Ai është Vepronjësi i Shpëtimit Tonë. Ai na bën shenjë: “Ndiqmëni!”17 Ai udhëzon: “Shko dhe bëj kështu edhe ti”18. Ai lutet: “Zbatoni urdhërimet e mia”19.
Le ta ndjekim Atë. Le të matemi me shembullin e Tij. Le t’u bindemi fjalëve të Tij. Duke bërë kështu, ne i japim Atij dhuratën hyjnore të mirënjohjes.
Lutja ime e sinqertë nga zemra është që ne të mund të pasqyrojmë në jetët tona individuale atë virtyt të mrekullueshëm të mirënjohjes. Depërtoftë ajo thellësisht shpirtrat tanë, tani dhe përherë. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë, amen.