2010
Fryma e Shenjtë dhe Zbulesa
Nëntor 2010


Fryma e Shenjtë dhe Zbulesa

Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi dhe, me Atin dhe Birin, Ai i di të gjitha gjërat.

Elder Jay E. Jensen

Si plak i ri unë ndodhesha në terrenin e misionit për rreth një vit dhe ndërsa po lexoja shkrimet e shenjta dhe fjalët e apostujve të ditëve të mëvonshme mbi zbulesën dhe Frymën e Shenjtë, pata një zgjim shushatës. Unë nuk kisha dëshmi timen, posaçërisht për Atin dhe Birin. Shkova në mision duke jetuar në dritën e marrë hua nga prindërit e mi të mrekullueshëm. Duke mos dyshuar kurrë në fjalët e tyre, unë nuk kisha menduar të kërkoja dëshminë time shpirtërore. Në një natë shkurti në San Antonio, Teksas, në 1962, unë e dija se duhej ta dija nga vetja ime. Në apartamentin tonë të vogël unë gjeta një vend ku mund të lutesha qetësisht me zë, duke kërkuar: “Atë Qiellor, a je atje? Unë dua ta di vetë?”

Pak më vonë atë natë unë arrita ta di vetë për herë të parë në jetën time se Perëndia dhe Jezusi janë të vërtetë. Unë nuk dëgjova zë të dëgjueshëm as pashë qenie qiellore. Unë e dija në të njëjtën mënyrë si ju gjithashtu mund të keni arritur të dini – që është “me anë të dhuratës së papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë” (DeB 121:26) dhe shpirtit të zbulesës (shih DeB 8:1–3), që i fliste paqe mendjes sime (shih DeB 6:23) dhe sigurime zemrës sime (shih Alma 58:11).

Nga ajo përvojë, unë dëshmova këshillën e Almës që të “[zgjoj dhe të vë në veprim aftësitë e mia], madje deri në një provë mbi fjalët e [Tij]” (Alma 32:27). Kёto fjalё ose fara janё shndёrruar nё pemё, nё tё vёrtet pemё tё dёshmisë. Procesi vazhdon me më shumë prova mbi fjalët, duke rezultuar në pemë të tjera të dëshmisë, tani një pyll i vërtetë mbështetur në zbulesën nëpërmjet dhe nga Fryma e Shenjtë.

Fryma e Shenjtë është një Dhuratë e Dëshiruar.

Kur Shpëtimtari vizitoi Amerikën Ai thirri dymbëdhjetë dishepuj. Një nga mesazhet e Tij drejtuar atyre dhe popullit, ishte mbi Frymën e Shenjtë. Pasi u mësoi atyre, Shpëtimtari u largua dhe premtoi të kthehej ditën tjetër. Njerëzit punuan gjithë natën për të mbledhur sa më shumë njerëz që ishte e mundur që ta dëgjonin Atë.

Dishepujt mblodhën popullin në 12 grupe për t’i mësuar atë që Shpëtimtari u kishte mësuar atyre. Kryesorja ndër mësimet e tyre ishte rëndësia e Frymës së Shenjtë. (Shih 3 Nefi 11–18.) Pastaj njerëzit u gjunjëzuan dhe u lutën. Dëshira e tyre e zemrës ishte t’u jepej Fryma e Shenjtë. (shih 3 Nefi 19:8–9).

Shpëtimtari iu shfaq atyre dhe përforcoi rëndësinë e Frymës së Shenjtë ndërsa Ai iu lut Atit:

“Atë, të falënderoj që u dhe Frymën e Shenjtë këtyre që unë kam zgjedhur; …

Atë, të lutem që t’u japësh Frymën e Shenjtë të gjithë atyre që besojnë në fjalët e tyre.” (3 Nefi 19:20–21).

Nga kjo ngjarje e Librit të Mormonit, unë e kuptoj më mirë përse Presidenti Uilford Udraf tha: “që dhurata e Frymës së Shenjtë është dhurata më e madhe që mund t’i jepet një njeriu. …

[Ajo] nuk kufizohet te burrat, as tek apostujt apo profetët; ajo i përket çdo burri dhe gruaje besnike dhe çdo fëmije që është rritur aq sa të marrë ungjillin e Krishtit” (Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff (2004), f 49).

Zbulesa Jep Përgjigje në Kohë Nevoje

Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi dhe, me Atin dhe Birin, Ai i di të gjitha gjërat (shih DeB 35:19; 42:17). Ai ka disa role të rëndësishme, ndër to mbi të gjitha është të japë mësim dhe të dëshmojë për Atin dhe Birin (shih 3 Nefi 28:11). Role të tjerë janë që Ai zbulon të vërtetën e të gjitha gjërave (shih Moroni 10:5) dhe Ai udhëheq për të bërë mirë. (see DeB 11:12).

Presidenti Monson është shembull i këtij roli të rëndësishëm të njeriut që udhëhiqet për të bërë mirë. Ai ndjek shembullin e Shpëtimtarit “i cili e përshkoi vendin duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10:38). Ai u ka mësuar njerëzve rëndësinë e mos anashkalimit të nxitjes shpirtërore nga Fryma e Shenjtë për të vizituar dikë dhe për t’i shërbyer atij apo asaj dhe për ta shpëtuar atё.

Por ndonjëherë, nuk gjendet në kohë nevoje askush si Presidenti Monson, as mësues shtëpie, as motër që përkujdeset, në dispozicion për të shërbyer në kohë nevoje. Në ato situata unë kam arritur të gjej lehtësim dhe drejtim nga Ngushëlluesi, një rol tjetër i Frymës së Shenjtë (shih DeB 36:2).

Nipi ynë Kuinton lindi me defekte të shumëfishta dhe jetoi tri javë pa mbushur vitin, kohë në të cilën ai u shtrua dhe doli nga spitali. Motra Xhensen dhe unë jetonim në Argjentinë asaj kohe. Ne vërtet donim që të ishim atje me fëmijët tanë për t’i ngushëlluar dhe për t’u ngushëlluar prej tyre. Ky ishte nipi që ne e donim dhe dёshironim t’i ndodheshim pranë. Ne mundeshim vetëm të luteshim dhe ne e bëmë këtë me zjarr!

Motra Xhensen dhe unë ishim në një turne misioni kur morëm lajmin se Kuintoni kishte vdekur. Ne qëndruam në paradhomën e shtëpisë së mbledhjeve dhe përqafuam dhe ngushëlluam njëri-tjetrin. Unë ju dëshmoj se na erdhi nje siguri nga Fryma e Shenjtë, një paqe që tejkalon çdo zgjuarësi dhe vazhdon deri sot (shi Filipianëve 4:7). Ne gjithashtu u bëmë dëshmitarë të dhuratës së papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë në jetën e birit dhe të nuses sonë dhe të fëmijëve të tyre, që deri sot flasin për atë kohë me një besim, paqe dhe ngushëllim të tillë.

Zbulesa dhe Libri i Mormonit

E njëjta dhuratë e zbulesës ka ndikuar në dëshminë time për Librin e Mormonit. Unë e kam lexuar, studiuar, kërkuar dhe agjëruar për të përsëri dhe përsëri. Fryma e Shenjtë ka zbuluar për mua të vërtetën dhe shenjtërinë e tij.

Presidenti Gordon B. Hinkli e quajti Librin e Mormonit një nga katër gurët kryesorë të qoshes të Kishës, bashkë me Vegimin e Parë të Jozef Smithit, rivendosjen e priftërisë dhe sigurisht dëshminë tonë për Jezu Krishtin, guri kryesor i qoshes (shih Efesianëve 2:19–21). “Këto katër dhurata të mëdha të dhëna nga Perëndia”, shpjegoi ai, “janë gurët e patundur qoshes që mbajnë Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, si dhe dëshmitë dhe bindjet personale të anëtarëve të saj” (“Four Cornerstones of Faith,” Liahona, shkurt 2004, f. 7).

Këto katër dhurata të dhëna nga Perëndia janë bërë spirancat e besimit dhe të dëshmisë sime, secili i konfirmuar tek unë nga zbulesa nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Sidoqoftë, për disa minuta, unë do të doja të përqendrohem në dy nga këto dhurata gurë të qoshes – Vegimi i Parë dhe Libri i Mormonit. Është domethënëse që secili fillon në një mjedis familjar, ku fëmijët lindën nga prindër të perëndishëm dhe u mësuan mirë prej tyre (shih 1 Nefi 1:1). Ngjarjet në jetën e Lehit dhe të Jozef Smithit janë paralele të njëra-tjetrës (shih 1 Nefi 1 dhe Joseph Smith – Historia 1):

  • Secili ka një nevojë të veçantë. E Lehit është të shpëtojë veten dhe familjen e tij nga shkatërrimi i afërt i Jeruzalemit dhe e Jozef Smithit të dijë cila kishë është e vërtetë.

  • Secili lutet.

  • Secili ka një vegim të Atit dhe të Birit.

  • Secilit i është dhënë një libër.

  • Të dy luten.

  • Secili merr zbulesë nga Fryma e Shenjtë dhe nga vizionet dhe ëndrrat.

  • Së fundi, njerëz të ligj i kërcënojnë ata. Lehi dhe familja e tij shpëtojnë dhe mbijetojnë. Jozefi martirizohet.

A ka ndonjë çudi që misionarët i ftojnë kërkuesit e sinqertë të së vërtetës të fillojnë studimin e Librit të Mormonit te 1 Nefi? Ky libër është i ngjeshur me Shpirtin e Zotit. Në këto kapituj të parë ka një mesazh të qartë se zbulesa dhe Fryma e Shenjtë u jepen jo vetëm profetëve por gjithashtu etërve, nënave dhe fëmijëve.

Mesazhi mbi zbulesën dhe Frymën e Shenjtë vazhdon nëpër gjithë Librin e Mormonit. Këto të vërteta janë përmbledhur nga Profeti Jozef Smith: “Hiq Librin e Mormonit dhe zbulesat dhe ku mbetet feja jonë? Ne nuk kemi asgjë” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith [2007], f. 196).

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne kemi dëshmi për Librin e Mormonit që na janë dhënë nëpërmjet zbulesës, duke na siguruar se kjo fe dhe doktrinat e saj janë të vërteta (shih hyrje te Libri i Mormont).

Gjërat e Shpirtit janë të shenjta dhe të vështira për t’u shprehur. Ne, si Amoni, deklarojmë: “Vini re, unë ju them juve, unë nuk mund të tregoj as pjesën më të vogël të asaj që ndiej” (Alma 26:16).

Sidoqoftë, unë dëshmoj se Fryma e Shenjtë është i vërtetë dhe Ai është provuesi, zbuluesi, ngushëlluesi, udhëzuesi dhe mësuesi hyjnor.

Përulësisht unë sjell dëshmi se kjo Kishë e vërtetë dhe e gjallë, kjo fe, mbështetet mbi këto katër gurë qosheje. Unë dëshmoj se Jezu Krishti është në të vërtetë guri kryesor i qoshes (shih Efesianëve 2:19–21). Presidenti Tomas S. Monson është profet i Zotit dhe këta 15 burra ulur pas meje janë profetë, shikues, apostuj dhe zbulues. Ata mbajnë priftërinë e shenjtë dhe çelësat e mbretërisë. Unë i dua, i nderoj dhe i mbështes ata. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.