Anëtarët e Mbajnë Gjallë Konferencën në Jetën e Përditshme
Ju i keni dëgjuar mesazhet, ju keni ndier Shpirtin, ju jeni angazhuar ta ndiqni këshillën. Por tani që konferenca e përgjithshme mbaroi, si do ta bëni pjesë të jetës suaj për gjashtë muajt e ardhshëm?
Anëtarë të Kishës në mbarë botën tregojnë se çfarë i ndihmon të kujtojnë e të zbatojnë mesazhet e konferencës së përgjithshme.
Përfshijeni Konferencën e Përgjithshme në Jetën Tuaj të Përditshme
Dëgjojini fjalimet ndërsa bëni gjimnastikë, drejtoni makinën, bëni punë shtëpie apo bëheni gati për ditën.
—Xhejms, Ontario, Kanada
Vërini pjesëtarët e familjes të zgjedhin me radhë biseda për t’i dëgjuar gjatë ngrënies së mëngjesit.
—Ashli, Uashington, SHBA
Shikoni familjarisht të dielave pjesë të konferencës së përgjithshme.
—Grent, Kaliforni, SHBA
Bëjini Fjalimet Pjesë të Mbrëmjes Familjare
Përzgjidhni mesazhet që dëshironi t’i shqyrtoni si familje dhe caktojuani pjesëtarëve të familjes që t’i japin mësim në mbrëmjet e ardhshme familjare.
—Vern dhe Xhenifer, Juta, SHBA
Lexoni ose shikoni një fjalim dhe kërkoni synime për të cilat mund të punoni familjarisht.
—Toni, Arizonë, SHBA
Përdorini Fjalimet për Studim të Shkrimit të Shenjtë
Shkëmbeni radhë mes leximit të shkrimeve të shenjta në mëngjes dhe leximit të një fjalimi të konferencës së përgjithshme në mbrëmje.
—Dajena, Uashington, SHBA
Lexojuni fëmijëve tuaj çdo natë një fjalim si histori para kohës së gjumit.
—Hedhër, Juta, SHBA
Shihni referimet e shkrimit të shenjtë të çdo fjalimi, pasi ta keni lexuar fjalimin.
—Beki, Juta, SHBA
Nënvizoni çdo gjë që folësit na kanë kërkuar posaçërisht që ta bëjmë dhe përqendrohuni në ndjekjen e këshillës së tyre.
—Helena, Australi
Studioni Sipas Temave
Bëni një listë që të përputhë temat e pasqyruara në konferencën e përgjithshme me gjërat që dëshironi të përmirësoni në jetën tuaj. Studiojini temat një e nga një ndërsa përpiqeni të përmirësoheni përpara konferencës tjetër të përgjithshme.
—Rebeka, Teksas, SHBA
Përqendrohuni në një temë të veçantë për disa ditë gjatë studimit tuaj të shkrimit të shenjtë ose për disa javë në mbrëmjen familjare.
—Frencis, Nigeri
Ndajini Mesazhet me të Tjerët
Përfshini në buletine e në fletushka të Kishës citime nga konferenca e përgjithshme.
—Tod, Virxhinia Perëndimore, SHBA
Organizoni ose bashkohuni me një klub leximi të librave të konferencës së përgjithshme, qoftë në internet ose personalisht. Çdo javë, studioni një fjalim dhe shkoni në klubin e leximit i përgatitur për të ndarë kuptime.
—Stefani, Juta, SHBA