Qëndroni në Shteg
Kur kapemi me fëmijët tanë dhe ndjekim udhëheqjen e Shpëtimtarit, ne të gjithë do të kthehemi tek shtëpia jonë qiellore dhe do të jemi të sigurt në krahët e Atit tonë Qiellor.
Kohët e fundit vrojtova lindjen e Kejt Elizabetës së vogël. Pasi hyri në këtë botë dhe e vendosën në krahët e nënës së saj, Kejti u zgjat dhe kapi fort gishtin e nënës. Ishte sikur Kejti e vogël po thoshte: “Nëse do të kapem, a do të më ndihmoni të qëndroj në shteg për t’u kthyer tek Ati im Qiellor?”
Në moshën shtatëvjeçare, Jozef Smithi u sëmur me tifo dhe në këmbë iu bë një infeksion. Dr. Natan Smithi po studionte një mënyrë veprimi me anë të së cilës këmba e infektuar mund të shpëtohej. Pa anestezi, Dr. Smithit i duhej ta priste mishin e këmbës dhe faktikisht të hiqte pjesë të kockës së infektuar. Jozefi nuk e pranoi konjakun për të duruar dhembjen dhe refuzoi ta lidhnin, por tha: “Babai im do të ulet në shtrat dhe do të më mbajë në krahët e tij dhe pastaj, unë do të bëj gjithçka duhet”1.
Për fëmijët në mbarë botën, ne themi: “Merre dorën time. Mbahu fort. Do të qëndrojmë në shteg së bashku për t’u kthyer tek Ati ynë Qiellor.”
Prindërit, gjyshërit, fqinjët, miqtë, udhëheqëset e Fillores – secili prej nesh mund të zgjatet për t’u kapur me fëmijët. Ne mund të ndalemi, të gjunjëzohemi e të shohim në sytë e tyre dhe të ndiejmë dëshirën e tyre të lindur për të ndjekur Shpëtimtarin. Kapini duart e tyre. Ecni me ta. Është shansi ynë që t’i fiksojmë ata në shtegun e besimit.
Asnjë fëmije nuk i duhet të ecë i vetëm në shteg për aq kohë sa t’u flasim lirisht fëmijëve tanë për planin e shpëtimit. Kuptimi i planit do t’i ndihmojë ata të kapen tek të vërtetat se ata janë fëmijë të Perëndisë dhe se Ai ka një plan për ta, se ata jetuan me Të në ekzistencën paratokësore, se ata lëshuan britma gëzimi për të ardhur në këtë tokë dhe se, nëpërmjet ndihmës së Shpëtimtarit, ne të gjithë mund të kthehemi në prani të Atit tonë Qiellor. Nëse e kuptojnë planin dhe se cilët janë, ata nuk do të kenë frikë.
Tek Alma 24 lexojmë: “Ai i do shpirtrat tanë [dhe i] do dhe fëmijët tanë; prandaj, … plani i shpëtimit të bëhet i njohur prej nesh, si edhe prej brezave të ardhshëm”2.
Ne fillojmë t’ua bëjmë të njohur planin fëmijëve tanë kur ne vetë kapemi fort tek shufra e hekurt.
Kur kapemi fort tek shufra e hekurt, jemi në gjendje t’i vendosim duart tona mbi të tyret dhe të ecim së bashku në shtegun e ngushtë e të ngushtuar. Shembulli ynë lartësohet në sytë e tyre. Ata do ta ndjekin shembullin tonë kur të ndihen të sigurt në veprimet tona. Nuk nevojitet të jemi të përsosur – thjesht të ndershëm e të sinqertë. Fëmijët dëshirojnë të ndihen një me ne. Kur një prind thotë: “Ne mund ta bëjmë këtë! Ne mund t’i lexojmë çdo ditë si familje shkrimet e shenjta!” fëmijët do të pasojnë.
Një familje e tillë me katër fëmijë të vegjël shkruan: “Ne vendosëm ta nisnim me gjëra të vogla, për shkak të periudhës së shkurtër të vëmendjes së fëmijëve tanë. Fëmija jonë më e madhe ende nuk lexonte, por ajo mund të përsëriste fjalët tona, kështu që filluam ta lexojmë Librin e Mormonit, vetëm tre vargje çdo natë. Bashkëshorti im dhe unë do të lexonim nga një varg secili dhe pastaj Sidni do të përsëriste një varg. Ne përparuam në katër vargje dhe pastaj pesë vargje, kur djemtë filluan të përsërisin vargjet e tyre. Po, ishte e lodhshme, por ne vazhduam. U përpoqëm të përqendrohemi tek qëndrueshmëria në vend të shpejtësisë. Na u deshën tre vjet e gjysmë që ta mbaronim Librin e Mormonit. Qe një ndjesi e shkëlqyer arritjeje!”
Nëna vazhdon: “Leximi i përditshëm familjar i shkrimeve të shenjta është një zakon tani në familjen tonë. Fëmijët tanë ndihen rehat me gjuhën e shkrimeve të shenjta dhe bashkëshorti im dhe unë shfrytëzojmë mundësinë për të dhënë dëshmi për të vërtetat. Më e rëndësishmja, Shpirti është shtuar në shtëpinë tonë.”
A mësoni nga përvoja e kësaj familjeje çfarë mësoj unë? Kur qëllimi ynë është të kapemi fort tek fjala e Perëndisë, leximi ynë i shkrimeve të shenjta mund të jetë thjesht nga një varg çdo herë. Asnjëherë nuk është tepër vonë për të filluar. Ju mund ta filloni tani.
Bota do t’u japë mësim fëmijëve tanë, nëse nuk e bëjmë ne, dhe fëmijët janë të aftë të mësojnë gjithçka do t’u mësojë bota, që në moshë shumë të vogël. Ajo çka duam që të dinë ata pas pesë vitesh, duhet të jetë pjesë e bashkëbisedimit tonë me ta sot. Jepuni mësim atyre në çdo rrethanë; bëni që çdo dilemë, çdo pasojë, çdo sprovë që mund të hasin ata, të japë një mundësi për t’u mësuar si të kapen tek të vërtetat e ungjillit.
Shenon, një nënë e re, nuk priste t’u mësonte fëmijëve të saj forcën e lutjes kur ata u rrasën në furgonin e tyre për t’u kthyer në shtëpi, vetëm 40 minuta larg. Nuk kishte stuhi kur u larguan nga shtëpia e gjyshes, por kur filluan të udhëtojnë nëpër kanione, bora e lehtë u shndërrua në stuhi. Furgoni filloi të rrëshkiste në sipërfaqen e udhës. Shpejt largësia e shikimit u bë thuajse zero. Dy fëmijët më të vegjël mund ta ndienin tensionin e situatës dhe filluan të qajnë. Shenoni u tha fëmijëve më të mëdhenj, Haidit dhe Tomasit, në moshë 8 dhe 6 vjeç: “Juve duhet të luteni. Na duhet ndihma e Atit Qiellor për të shkuar të sigurt në shtëpi. Lutuni që të mos ngecim dhe që të mos shkasim jashtë udhës.” Duart i dridheshin ndërsa drejtonte makinën, por mund të dëgjonte pëshpëritjet e lutjeve të vogla, që vinin vazhdimisht nga ndenjëset e mbrapme. “Ati Qiellor, të lutem na ndihmo të kthehemi të sigurt në shtëpi; të lutem na ndihmo që të mos shkasim jashtë udhës.”
Me kohë lutjet i qetësuan dy të vegjlit dhe pushuan së qari sapo mësuan se një bllokim në rrugë i pengonte të udhëtonin më tej. Me kujdes, morën kthesë dhe gjetën një motel për atë natë. Kur shkuan në motel, u gjunjëzuan dhe e falënderuan Atin Qiellor për sigurimin e tyre. Atë natë, një nënë u mësoi fëmijëve të saj fuqinë e qëndrimit të vërtetë ndaj lutjes.
Çfarë sprovash do të hasin fëmijët tanë? Ashtu si Jozef Smithi, fëmijët tanë mund të gjejnë kurajën të “bëj[në] gjithçka duhet”. Kur ne jemi të qëllimshëm për t’i mbajtur ata dhe për t’u mësuar për planin e Atit Qiellor nëpërmjet lutjes dhe shkrimeve të shenjta, ata do ta dinë se nga kanë ardhur, përse janë këtu dhe ku po shkojnë.
Pranverën e kaluar, bashkëshorti im dhe unë morëm pjesë në një lojë futbolli të nipit tonë katërvjeçar. Mund të ndienit emocionet në fushë kur lojtarët vraponin në çdo drejtim duke ndjekur topin e futbollit. Kur fishkëlleu bilbili i fundit, lojtarët nuk e dinin se cili fitoi e cili humbi. Ata thjesht kishin lozur lojën. Trajnerët i drejtuan lojtarët që të toknin duart me pjesëtarët e skuadrës kundërshtare. Atëherë vërejta diçka shumë kuptimplote. Trajneri bëri thirrje për një tunel të fitores. Të gjithë prindërit, gjyshërit dhe spektatorët, që kishin ardhur për të parë ndeshjen, u ngritën në këmbë dhe formuan dy rreshta përballë njëri-tjetrit dhe, duke ngritur krahët, formuan një hark. Fëmijët thirrën ndërsa vrapuan mes të rriturve brohoritës dhe nëpër shtegun e formuar nga spektatorët. Shpejt fëmijët nga skuadra kundërshtare u bashkuan me zbavitjen ndërsa të gjithë lojtarët – fituesit dhe humbësit – morën brohoritje nga të rriturit, kur vrapuan në shtegun e tunelit të fitores.
Me sytë e mi të mendjes, pata një figurë tjetër. Pata ndjesinë se po i shihja fëmijët të jetonin planin, planin që Ati Qiellor ka krijuar për secilin fëmijë të veçantë. Ata po vraponin në shtegun e ngushtë e të ngushtuar mes krahëve të spektatorëve që i donin ata, duke ndier secili gëzimin e të qenit në shteg.
Jakobi tha: “O sa i madh plani i Perëndisë tonë!”3 Shpëtimtari “udhën neve na shënoi, andej përher’ na prin”4. Unë dëshmoj se kur kapemi me fëmijët tanë dhe ndjekim udhëheqjen e Shpëtimtarit, ne të gjithë do të kthehemi tek shtëpia jonë qiellore dhe do të jemi të sigurt në krahët e Atit tonë Qiellor. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.