2010
Presidenti Monson Bën Thirrje për Misionarë dhe Njofton për Pesë Tempuj të Rinj
Nëntor 2010


Presidenti Monson Bën Thirrje për Misionarë dhe Njofton për Pesë Tempuj të Rinj

Presidenti Tomas S. Monson e hapi Konferencën e Përgjithshme Gjysmëvjetore të 180-të të Kishës, që u mbajt të shtunën dhe të dielën, më 2 dhe 3 tetor 2010, duke bërë thirrje që më shumë anëtarë të shërbejnë në misione dhe duke njoftuar për pesë tempuj të rinj.

Presidenti Monson përsëriti thirrjen që “çdo i ri i denjë dhe i aftë” të përgatitet për të shërbyer; ka mirëpritur të rejat që dëshirojnë të shërbejnë; dhe shprehu një nevojë të Kishës që të shërbejnë “shumë-shumë më tepër çifte në moshë”.

“Shërbimi misionar është një detyrë priftërie”, tha ai, “një detyrim që Zoti e pret prej nesh, të cilëve na është dhënë kaq shumë.”

Presidenti Monson njoftoi se pesë tempuj të rinj janë planifikuar për ndërtim në Hartford në Konetikat të SHBA-së, Indianapolis në Indiana të SHBA-së, Lisbonë në Portugali, Tihuana në Meksikë dhe Urdaneta në Filipine.

Tempujt e rinj e çojnë në 23 numrin e tempujve që janë njoftuar ose janë në ndërtim. Pasi të përfundohen, këta 23 tempuj do ta çojnë në 157 numrin e përgjithshëm të tempujve të Kishës në mbarë botën.

“Ne vazhdojmë të ndërtojmë tempuj”, tha Presidenti Monson. “… Vazhdofshim me besnikëri që të shkojmë në tempuj, që po ndërtohen gjithnjë e më afër anëtarëve tanë” (“Ndërsa Prapë Takohemi së Bashku”, Liahona dhe Ensign, nëntor 2010, f. 4).

Tempujt e rinj do të jenë të parët për Kishën në Portugali, Indiana dhe Konetikat. Tempulli i Urdanetës do të jetë tempulli i tretë i Kishës në Filipine dhe Tempulli i Tihuanas do të jetë tempulli i trembëdhjetë i Meksikës.

Gjatë gjashtë muajve ndërmjet konferencave të përgjithshme të prillit dhe të tetorit, Kisha përkushtoi katër tempuj të rinj: Tempullin e Gila-Vellit në Arizonë; e Vankuverit në Kolumbian Britanike, e Sebusë në Filipine dhe e Kievit në Ukrainë. Tempulli i Laies në Havai është programuar të ripërkushtohet më 21 nëntor 2010, pasi i është nënshtruar një restaurimi të gjerë.