2010
Ndërsa Prapë Takohemi së Bashku
Nëntor 2010


Ndërsa Prapë Takohemi së Bashku

Shërbimi misionar është një detyrë priftërie – një detyrim që Zoti e pret prej nesh, të cilëve na është dhënë kaq shumë.

President Thomas S. Monson

Të dashur Vëllezërit dhe Motrat e mia, ne ju urojmë mirëseadhjen në konferencën e përgjithshme, që po dëgjohet e po shihet me mjete të ndryshme në mbarë botën. U shprehim falënderime të gjithëve që janë përfshirë në organizimin e kësaj konference të shkëlqyer.

Që nga prilli kur u takuam herën e fundit, puna e Kishës ka shkuar përpara e papenguar. Ka qenë privilegji im të përkushtoj katër tempuj të rinj. I shoqëruar nga këshilltarët e mi dhe Autoritete të tjera të Përgjithshme, kam shkuar në Gila-Velli të Arizonës, në Vankuver të Kolumbias Britanike, në Sebu të Filipineve dhe në Kiev të Ukrainës. Tempujt, në secilin prej këtyre vendeve, janë madhërisht të bukur. Secili po bekon jetën e anëtarëve tanë dhe është një ndikim pozitiv për ata që nuk janë të fesë sonë.

Mbrëmjen përpara përkushtimit të çdo tempulli, patëm privilegjin të shihnim një festim kulturor, ku morën pjesë njerëzit tanë të rinj dhe disa nga njerëzit tanë jo aq të rinj. Këto aktivitete u zhvilluan në përgjithësi në stadiume të mëdhenj, ndonëse në Kiev u mblodhëm në një pallat të bukur. Vallëzimet, këngët, interpretimet muzikore dhe shfaqjet qenë të shkëlqyera. Unë u shpreh lavdërimin dhe dashurinë time të gjithëve që u përfshinë.

Secili përkushtim tempulli qe një festim shpirtëror. Ne ndiem Shpirtin e Zotit në secilin prej tyre.

Muajin e ardhshëm do të ripërkushtojmë Tempullin e Laies në Havai, një nga tempujt tanë më të vjetër, që i është nënshtruar riparimeve të gjera gjatë shumë muajve. E presim me padurim atë rast të shenjtë.

Ne vazhdojmë të ndërtojmë tempuj. Këtë mëngjes kam kënaqësinë të njoftoj pesë tempuj të tjerë, për të cilët janë siguruar vendet e ndërtimit dhe të cilët, në muajt dhe vitet e ardhshme do të ndërtohen në vendet e mëposhtme: Lisbonë në Portugali, Indianapolis në Indiana, Urdaneta në Filipine, Hartford në Konetikat dhe Tihuana në Meksikë.

Ordinancat e kryera në tempujt tanë janë jetike për shpëtimin tonë dhe për shpëtimin e njerëzve tanë të dashur që kanë vdekur. Vazhdofshim me besnikëri që të shkojmë në tempuj, që po ndërtohen gjithnjë e më afër anëtarëve tanë.

Tani, përpara se të dëgjojmë folësit tanë këtë mëngjes, më lejoni të përmend një çështje që e kam për zemër dhe që meriton vëmendjen tonë serioze. Po flas për punën misionare.

Së pari, të rinjve të Priftërisë Aarone dhe ju të rinjve që po kaloni në detyrën e plakut: unë ju përsëris atë që kanë dhënë mësim prej kohësh profetët – që çdo i ri i denjë dhe i aftë duhet të përgatitet që të shërbejë në mision. Shërbimi misionar është një detyrë priftërie – një detyrim që Zoti e pret prej nesh, të cilëve na është dhënë kaq shumë. Të rinj, ju këshilloj që të përgatiteni për shërbimin si misionar. Mbajeni veten të pastër, të dëlirë dhe të denjë për të përfaqësuar Zotin. Ruani shëndetin dhe forcën tuaj. Studioni shkrimet e shenjta. Atje ku mundësohen, merrni pjesë në seminar ose institut. Familjarizohuni me manualin misionar Predikoni Ungjillin Tim.

Një fjalë për ju motra të reja: ndonëse ju nuk keni të njëjtën përgjegjësi priftërore siç e kanë të rinjtë për të shërbyer misione kohëplota, ju gjithashtu jepni një kontribut të çmuar si misionare dhe ne e mirëpresim shërbimin tuaj.

Dhe tani për ju vëllezër e motra në moshë: ne kemi nevojë për shumë-shumë më tepër çifte në moshë. Për çiftet besnike që tani po shërbejnë ose që kanë shërbyer në të kaluarën, ne ju falënderojmë për besimin tuaj dhe përkushtimin ndaj ungjillit të Jezu Krishtit. Ju shërbeni me zell e mirë dhe përmbushni të mirë të madhe.

Për ata prej jush që nuk janë ende në atë stinë të jetës kur mund të shërbeni në një mision në çift, unë ju nxis të përgatiteni tani për ditën kur ju si bashkëshortë mund ta bëni këtë. Si ta lejojnë rrethanat tuaja, kur ju lind e drejta për të dalë në pension dhe si t’jua lejojë shëndeti, vihuni në dispozicion për të lënë shtëpinë e për të dhënë shërbim misionar kohëplotë. Janë pak ato kohë të jetës suaj kur do të shijoni shpirtin e ëmbël dhe kënaqësinë që vijnë nga dhënia e shërbimit kohëplotë së bashku në veprën e Mësuesit.

Tani, Vëllezërit dhe Motrat e mia, qofshi të harmonizuar me Shpirtin e Zotit ndërsa dëgjojmë shërbëtorët e Tij gjatë dy ditëve në vijim. Qoftë ky bekimi i secilit, lutem unë përulësisht në emrin e Jezu Krishtit, amen.