Mirëbeso tek Perëndia, Pastaj Shko dhe Bëj
Ju e tregoni mirëbesimin tek Ai kur dëgjoni me qëllimin për të mësuar e për t’u penduar dhe, pastaj, shkoni e bëni çfarëdo që Ai kërkon.
Vëllezërit dhe Motrat e mia të dashura, është një nder t’ju drejtohem juve në këtë ditë Shabati. Ndihem i përulur nga detyra për t’u folur miliona shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe miqve tanë nëpër botë. Në përgatitje për këtë mundësi të shenjtë, unë u luta dhe meditova për të mësuar mbi nevojat tuaja personale dhe se çfarë mesazhi donte Zoti që të jepja.
Nevojat tuaja janë të mëdha e të larmishme. Secili prej jush është një fëmijë unik i Perëndisë. Perëndia ju njeh individualisht. Ai dërgon mesazhe nxitjeje, korrigjimi dhe drejtimi, të përshtatshme për ju dhe nevojat tuaja.
Për të zbuluar se çfarë dëshironte Perëndia që të shtoja në këtë konferencë, unë lexova mesazhet e shërbëtorëve të Tij në shkrimin e shenjtë dhe në konferencat e shkuara. Mora një përgjigje për lutjen time kur lexova fjalët e Almës, një shërbëtori të shkëlqyer të Zotit, në Librin e Mormonit:
“O sikur të isha një engjëll dhe të mund të plotësoja dëshirën e zemrës sime, që të mund të shkoja dhe të njoftoja me borinë e Perëndisë, me një zë që tund tokën dhe të thërrisja pendim në çdo popull!
Po, unë do t’i shpallja çdo shpirti si me zërin e rrufesë, pendimin dhe planin e shëlbimit, që ata duhet të pendohen dhe të vijnë te Perëndia ynë, kështu që të mos ketë më pikëllim mbi të gjithë faqen e dheut.
Por vini re, unë jam një njeri dhe mëkatoj në dëshirën time; pasi duhet të isha i kënaqur me gjërat që më ka dhënë Zoti.”1
Dhe pastaj unë gjeta në mendimet e Almës, drejtimin për të cilin isha lutur: “Pasi vini re, Zoti në urtësi u jep të gjitha kombeve, nga kombi dhe gjuha e tyre, për të mësuar fjalën e tij, po, në dituri gjithçka që ai e shikon të përshtatshme se ata duhet ta kenë, prandaj ne shohim se Zoti këshillon me urtësi, sipas asaj që është e drejtë dhe e vërtetë”2.
Kur lexova atë mesazh nga një shërbëtor i Perëndisë, detyra ime për sot u bë e qartë. Perëndia u dërgon mesazhe dhe lajmëtarë të autorizuar fëmijëve të Tij. Unë duhet të ndërtoj mirëbesim tek Perëndia dhe shërbëtorët e Tij, aq sa ne të shkojmë dhe t’i bindemi këshillës së Tij. Ai e dëshiron atë sepse Ai na do dhe dëshiron lumturinë tonë. Dhe Ai e di se si mungesa e mirëbesimit tek Ai sjell trishtim.
Mungesa e mirëbesimit u solli hidhërim fëmijëve të Atit Qiellor që përpara se bota të krijohej. Ne e dimë nëpërmjet zbulesave të Perëndisë drejtuar Profetit Jozef Smith, se shumë nga vëllezërit e motrat tona në botën shpirtërore e refuzuan planin për jetën tonë në vdekshmëri të paraqitur nga Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij më i madh, Jehovai.3
Ne nuk i dimë të gjitha arsyet e suksesit të tmerrshëm të Luciferit për ta ndërsyer atë rebelim. Megjithatë, një arsye është e qartë. Atyre, që e humbën bekimin e ardhjes në vdekshmëri, u mungonte mirëbesimi i mjaftueshëm tek Perëndia, sa të shmangnin mjerimin e përjetshëm.
Modeli i trishtuar i mungesës së mirëbesimit tek Perëndia ka vazhduar që nga krijimi. Do të jem i kujdesshëm në dhënien e shembujve nga jeta e fëmijëve të Perëndisë, meqë nuk i di të gjitha arsyet e mungesës së besimit të mjaftueshëm të tyre për t’i mirëbesuar Atij. Shumë prej jush i keni studiuar çastet e krizës në jetën e tyre.
Jona, për shembull, jo vetëm që nuk e pranoi mesazhin nga Zoti që të shkonte në Ninive, por shkoi në anën e kundërt. Naamani nuk mund t’i mirëbesonte udhëzimit të profetit të Zotit që të lahej në një lumë, për ta lejuar Zotin t’i shëronte lebrën, duke e ndier se detyra e thjeshtë nuk ishte dinjitoze për të.
Shpëtimtari e ftoi Pjetrin ta linte sigurinë e barkës që të ecte me Të mbi ujë. Ne ndiejmë dhembjen e tij dhe shohim vetë nevojën tonë për mirëbesim më të madh tek Perëndia, kur dëgjojmë rrëfimin:
“Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.
Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: ‘Është një fantazmë!’ Dhe filluan të bërtasin nga frika;
por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ‘Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!’
Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ‘Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra’.
Ai tha: ‘Eja!’ Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi.
Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: ‘O Zot, shpëtomë!’
Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: ‘O njeri besimpak, pse dyshove?’”4
Ne mund të marrim kurajë nga fakti se Pjetri arriti t’i mirëbesonte Zotit, aq sa të qëndronte besnik në shërbimin e Tij gjithë kohës, deri në martirizimin e vet.
Djaloshi Nefi në Librin e Mormonit frymëzon tek ne një dëshirë për të zhvilluar mirëbesim tek Zoti dhe për t’iu bindur urdhërimeve të Tij, pavarësisht se sa të vështira të na duken. Nefi u përball me rrezik dhe vdekje të mundshme kur tha këto fjalë mirëbesimi, që ne mund dhe duhet t’i ndiejmë vazhdueshëm në zemrën tonë: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar, pasi e di se Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron”5.
Ai mirëbesim vjen nga njohja e Perëndisë. Më shumë se çdo popull në botë ne, nëpërmjet ngjarjeve të lavdishme të rivendosjes së ungjillit, kemi ndier paqen që Zoti i ofroi popullit të Tij me fjalët: “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi”6. Zemra ime është e mbushur me mirënjohje për atë që Perëndia ka zbuluar për Veten, që ne të mund t’i mirëbesojmë Atij.
Për mua ajo filloi në 1820-ën, me një djalosh në një korije pemësh, në një fermë, në shtetin e Nju-Jorkut. Djaloshi, Jozef Smith i Riu, shkoi mes pemëve deri tek një vend i veçuar. Ai u gjunjëzua të lutej me mirëbesim të plotë se Perëndia do t’i përgjigjej përgjërimit të tij, që të dinte se çfarë duhej të bënte, që të pastrohej dhe të shpëtohej përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit.7
Çdo herë që e lexoj rrëfimin e tij, mirëbesimi im, tek Perëndia dhe shërbëtorët e Tij, rritet:
“Unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time, më e shkëlqyeshme se dielli, e cila zbriti gradualisht derisa ra mbi mua.
Sapo u shfaq ajo, unë e gjeta veten time të çliruar nga armiku që më mbante të mbërthyer. Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!”8
Ati na e zbuloi neve se Ai jeton, se Jezu Krishti është Biri i Tij i Dashur dhe se Ai na deshi aq shumë, sa ta dërgonte atë Bir për të na shpëtuar ne, që jemi fëmijët e Tij. Dhe sepse unë kam një dëshmi se Ai e thirri atë djalosh të paarsimuar si një Apostull dhe Profet, unë u mirëbesoj Apostujve dhe Profetëve të Tij sot dhe atyre që ata thërrasin për t’i shërbyer Perëndisë.
Ai mirëbesim e ka bekuar jetën time dhe jetën e familjes sime. Vite më parë, unë dëgjova Presidentin Ezra Taft Benson të fliste në një konferencë si kjo. Ai na këshilloi të bënim gjithçka mundeshim që të liroheshim nga borxhet dhe të qëndronim pa borxh. Ai përmendi hipotekimin e shtëpive. Ai tha se mbase nuk do të ishte e mundur, por më e mira do të ishte nëse do të mund ta shlyenim të gjithë borxhin e hipotekimit.9
Iu drejtova gruas sime pas mbledhjes dhe e pyeta: “A mendon se ka ndonjë mënyrë që të mund ta bëjmë këtë?” Në fillim nuk mundëm. Dhe pastaj, nga mbrëmja, mendova për një pronë që e kishim në një shtet tjetër. Për vite ishim përpjekur ta shitnim pa sukses.
Por, meqë ne e mirëbesonim Perëndinë dhe fjalët prej mesazhit të shërbëtorit të Tij, ne i bëmë një telefonatë të hënën në mëngjes njeriut në San-Francisko, që e kishte në listën për shitje pronën tonë. I kisha telefonuar disa javë më parë dhe atëherë ai kishte thënë: “Ka vite që s’kemi pasur ndonjë njeri që të shfaqë interes për pronën tuaj”.
Por të hënën pas konferencës, dëgjova një përgjigje që deri më sot e forcon mirëbesimin tim tek Perëndia dhe shërbëtorët e Tij.
Burri në telefon tha: “Po çuditem nga telefonata jote. Sot erdhi një burrë që pyeti nëse mund ta blinte pronën tuaj.” Me habi e pyeta: “Sa ka ofruar të paguajë?” Ishte pak dollarë më shumë sesa shuma e hipotekimit tonë.
Dikush mund të thotë se ishte vetëm një rastësi. Por hipotekimi ynë u shlye. Dhe familja jonë ende dëgjon për çfarëdo fjale në një mesazh profeti, e cila mund të dërgohet për të na treguar se çfarë duhet të bëjmë për të gjetur sigurinë dhe paqen, që Perëndia dëshiron për ne.
Një mirëbesim i tillë tek Perëndia mund të bekojë komunitetet si dhe familjet. Unë u rrita në një qytezë të vogël në Nju-Xhersi. Dega jonë e Kishës kishte më pak se 20 anëtarë që merrnin pjesë rregullisht.
Mes tyre qe një grua – një e kthyer në besim në Kishë, e moshuar dhe shumë e përulur. Ajo ishte emigrante, që fliste me një theks të rëndë norvegjez. Ajo ishte e vetmja anëtare e Kishës në familjen e saj dhe e vetmja anëtare e Kishës në qytetin ku jetonte.
Me anë të babait tim, që qe presidenti i degës, Zoti e thirri atë si presidente të Shoqatës së Ndihmës të degës. Ajo nuk kishte manual që t’i tregonte se çfarë të bënte. Asnjë anëtar tjetër i Kishës nuk jetonte pranë saj. Ajo dinte vetëm se Zoti kujdeset për ata në nevojë dhe të paktat fjalë në moton e Shoqatës së Ndihmës: “Dashuria hyjnore nuk ligështohet kurrë”.
Qe në mes të asaj që ne tani e quajmë Depresioni i Madh. Mijëra vetë qenë pa punë dhe pa shtëpi. Kështu, duke ndier se e kishte marrë këtë detyrë nga Zoti, ajo u kërkoi fqinjëve rroba të vjetra. Ajo i lau rrobat, i hekurosi dhe i vendosi në kuti kartoni në verandën pas shtëpisë. Kur njerëzit pa para kishin nevojë për veshje dhe u kërkonin ndihmë fqinjëve, ata do të thoshin: “Shko tek shtëpia poshtë në rrugë. Atje jeton një zonjë mormone që do t’ju japë atë që ju duhet.”
Zoti nuk e drejtoi qytetin, por Ai ndryshoi për më mirë një pjesë të tij. Ai thirri një grua të imët – të vetme – e cila i mirëbesoi aq shumë Atij sa të zbulonte se çfarë donte Ai që të bënte ajo dhe pastaj e bëri atë. Për shkak të mirëbesimit të saj tek Zoti, ajo qe në gjendje të ndihmonte në atë qytet, qindra nga fëmijët e Atit Qiellor në nevojë.
Po ai mirëbesim tek Perëndia mund të bekojë kombet. Kam arritur ta di se mund t’i mirëbesojmë Perëndisë që do të përmbushë premtimin e Almës: “Vini re, Zoti në urtësi u jep të gjitha kombeve, nga kombi dhe gjuha e tyre, për të mësuar fjalën e tij, po, në dituri gjithçka që ai e shikon të përshtatshme se ata duhet ta kenë”10.
Perëndia nuk sundon në kombe, por Ai kujtohet për ta. Ai mund dhe vendos njerëz në poste ndikuese, që dëshirojnë çfarë është më e mira për njerëzit dhe që i mirëbesojnë Zotit.11
E kam parë këtë në udhëtimet e mia nëpër botë. Në një qytet me më shumë se 10 milionë banorë, unë u fola shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, që ishin mbledhur me mijëra në konferencë. Ajo u zhvillua në një stadium të madh sportiv.
Përpara se të fillonte mbledhja, vura re një të ri të pashëm që ishte ulur në radhën e parë. Ai qe i rrethuar nga të tjerë të cilët, ashtu si ai, ishin të veshur më mirë se shumica e atyre që ishin rreth tyre. E pyeta Autoritetin e Përgjithshëm të Kishës pranë meje se cilët ishin ata burra. Ai pëshpëriti se qe kryetari i bashkisë së qytetit dhe punonjësit e tij.
Kur po shkoja tek makina ime pas mbledhjes, u çudita kur pashë kryetarin e bashkisë, që po priste të më përshëndeste, bashkë me punonjësit e tij. Ai eci përpara, më zgjati dorën dhe tha: “Ju falënderoj që erdhët në qytetin tonë dhe në vendin tonë. Ju jemi mirënjohës për atë që bëni për të lartësuar njerëzit tanë. Me njerëz të tillë dhe familje të tilla, ne mund të krijojmë harmoninë dhe begatinë që dëshirojmë për njerëzit tanë.”
E pashë në atë çast se ai qe një nga të ndershmit në zemër, që qe vendosur nga Perëndia në pushtet mes fëmijëve të Tij. Ne jemi një pakicë e vogël mes qytetarëve të atij qyteti dhe kombi të madh. Kryetari i bashkisë dinte pak mbi doktrinën tonë dhe njihte pak nga njerëzit tanë. Përsëri Perëndia i kishte dërguar atij mesazhin se shenjtorët e ditëve të mëvonshme, nën besëlidhjen për të mirëbesuar Perëndinë dhe shërbëtorët e autorizuar të Tij, do të ishin një dritë për njerëzit e tij.
I njoh shërbëtorët e Perëndisë, që do t’ju flasin gjatë kësaj konference. Ata janë thirrur nga Perëndia për t’u dhënë mesazhe fëmijëve të Tij. Zoti ka thënë për ta: “Atë që unë, Zoti, kam thënë, e kam thënë dhe nuk justifikohem, dhe ndonëse qiejt dhe toka do të kalojnë, fjala ime nuk do të kalojë, por do të përmbushet e gjitha, qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj”12.
Ju e tregoni mirëbesimin tuaj tek Ai kur dëgjoni me qëllimin për të mësuar e për t’u penduar dhe, pastaj, shkoni e bëni çfarëdo që Ai kërkon. Nëse i mirëbesoni Perëndisë sa të dëgjoni për mesazhin e Tij në çdo predikim, këngë dhe lutje në këtë konferencë, ju do ta gjeni atë. Dhe nëse shkoni e bëni atë çfarë Ai do që ju të bëni, fuqia juaj për t’i mirëbesuar Atij do të rritet dhe me kohë ju do të pushtoheni nga mirënjohja se e kuptoni që Ai ka arritur t’ju mirëbesojë juve.
Unë dëshmoj se Perëndia flet sot nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të zgjedhur në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Tomas S. Monsoni është profeti i Perëndisë. Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, jetojnë dhe na duan. Unë dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.