2010
Të Qëndrueshme dhe të Patundura
Nëntor 2010


Të Qëndrueshme dhe të Patundura

Në qoftë se jemi besnike dhe durojmë deri në fund, do të marrim të gjitha bekimet e Atit Qiellor, madje jetë të përjetshme dhe ekzaltim.

Silvia H. Allred

Jam mirënjohëse që jam pjesë e këtij takimi të grave besnike anembanë botës. Kam takuar mijëra prej jush në vende të ndryshme. Besnikëria dhe devocioni juaj më kanë forcuar. Shembujt tuaj të mirësisë e të zotimit ndaj ungjillit, më kanë frymëzuar. Veprat tuaja të heshtura të shërbimit vetëmohues dhe fjalët tuaja të dëshmisë e të sigurisë, më kanë dhënë përulësi.

Sonte, secilës nga ju do t’i bëj të njëjtën pyetje që i kam bërë shumëkujt prej jush në bisedat tona.

  1. Çfarë ju ndihmon që të jeni të qëndrueshme dhe të patunduara, kur përballeni me sfida që ju provojnë në besim?

  2. Çfarë ju jep mbështetje mes provave dhe fatkeqësisë?

  3. Çfarë ju ndihmon të duroni e të bëheni njё dishepull i vërtetë i Krishtit?

Disa nga përgjigjet që më keni dhënë përfshijnë këto:

  1. Njohuria që ju keni se Ati Qiellor ju do dhe përkujdeset për ju.

  2. Shpresa që keni se, përmes sakrificës shlyese të Jezu Krishtit, të gjitha bekimet që u premtohen besnikëve, do të realizohen.

  3. Njohuria që keni për planin e shëlbimit.

Mesazhi im i sotëm do të zgjerohet mbi këto pohime që ju kanë ardhur nga zemra.

Romakëve 8:16 thotë: “Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë”. Hera e parë që më kujtohet të kem ndier me siguri të plotë se Ati Qiellor më njihte, më donte dhe përkujdesej për mua, qe atëherë kur hyra në ujin e pagëzimit, në moshën 15-vjeçare. Para asaj kohe, e dija që Perëndia ekzistonte dhe që Jezu Krishti ishte Shpëtimtari i botës. Besoja tek Ata dhe i doja Ata, por asnjëherë nuk e kisha ndier dashurinë dhe përkujdesjen e Tyre për mua, personalisht, deri atë ditë kur iu gëzova mundësisë për të bërë besëlidhjet e pagëzimit.

Kuptova se sa e madhe kishte qenë mrekullia që unë të gjendesha e të mësohesha nga misionarët, veçanërisht kur kishte vetëm një grusht misionarësh në mes të dy milion njerëzve! E dija atëherë që Ati Qiellor më njihte e më donte në mënyrë aq të veçantë, sa i udhëhoqi misionarët drejt shtëpisë sime.

E di që Perëndia është Perëndi i dashurisë. Kjo është e vërtetë, sepse ne jemi fëmijët e Tij dhe Ai dëshiron që ne të gjithë të kemi gëzim dhe lumturi të përjetshme. Puna dhe lavdia e Tij është që ne të kemi pavdekësi dhe jetë të përjetshme1. Ajo është arsyeja pse Ai dha për ne një plan të lumturisë. Qëllimi ynë i jetës është të fitojmë jetë të përjetshme dhe ekzaltim për veten dhe të ndihmojmë të tjerët të veprojnë po ashtu. Ai e krijoi këtë tokë që ne të fitonim një trup fizik dhe të provoheshim në besim. Ai na dha dhuratën e çmuar të lirisë së zgjedhjes, nëpërmjet së cilës mund të zgjedhim shtegun që të çon drejt lumturisë së përjetshme. Plani i lumturisë i Atit Qiellor është për ju dhe për mua. Është për të gjithë fëmijët e Tij.

“Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.

Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: ‘Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën’.”2

“Dhe ai u dha urdhërime, që ata duhej ta adhuronin Zotin, Perëndinë e tyre. … Dhe Adami iu bind urdhërimeve të Zotit”3.

Adami dhe Eva lindën fëmijë dhe plani vazhdoi të zbatohej.

E di që çdonjëra prej nesh ka një rol jetësor dhe thelbësor si bijë e Perëndisë. Ai u ka dhuruar bijave të Tij veçori hyjnore, për qëllimin e përparimit të punës së Tij. Perëndia u ka besuar grave punën e shenjtë të lindjes e të rritjes së fëmijëve. Asnjë punë tjetër nuk është më e rëndësishme. Ajo është thirrje e shenjtë. Detyra më fisnike e një gruaje është vepra e shenjtë e ngritjes së familjeve të përjetshme, në rastin ideal në ortakëri me bashkëshortin e saj.

Jam e vetëdijshme që disa nga motrat tona ende nuk i kanë marrë bekimet e martesës apo të pasjes së fëmijëve. Ju siguroj se, në kohën e duhur, ju do t’i merrni të gjitha bekimet që iu premtuan besnikeve. Ju duhet “të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës … dhe të duroni deri në fund” që të keni jetë të përjetshme4. Në pikëpamjen e të përjetshmes, bekimet e munguara “do të jenë veçse një çast i shkurtër”5.

Veç kësaj, nuk nevojitet të jeni të martuara për t’i zbatuar urdhërimet dhe për t’i edukuar familjet, miqtë dhe fqinjët. Dhuntitë, talentet, aftësitë dhe fuqitë tuaja shpirtërore nevojiten së tepërmi në ngritjen e mbretërisë. Zoti mbështetet në gatishmërinë tuaj për t’i kryer këto detyra thelbësore.

Zoti thotë:

“Unë nuk do të [të] harroj.

Ja, unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia; muret e tua më rrinë gjithnjë para syve”6.

Zoti ju do. Ai i di shpresat tuaja dhe zhgënjimet tuaja. Ai nuk do t’ju harrojë, sepse dhembjet dhe vuajtjet tuaja janë vazhdimisht para Tij.

Shprehja më e madhe e dashurisë që Perëndia ka për ne, ishte gatishmëria për të dërguar Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, që të shlyente mëkatet tona, të ishte Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë.

Tek Gjoni 3:16 lexojmë: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”.

Shpëtimtari thotë: “Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve”7.

Gatishmëria e Jezu Krishtit që të ishte qengji i sakrificës, qe shprehje e dashurisë së Tij për Atin dhe e dashurisë së tij të pafundme për secilën prej nesh.

Isaia e përshkruan vuajtjen e Shpëtimtarit:

“Ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona. …

… Ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; … dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar”8.

Zoti Vetë ka shpallur: “Unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen”9.

Ai këputi lidhjet e vdekjes dhe bëri të mundur që i gjithë njerëzimi të ringjallet. Ai na dha dhuratën e pavdekësisë.

Jezu Krishti mori mbi Vete mëkatet tona, vuajti dhe vdiq që të kënaqë kërkesat e drejtësisë, që ne të mos vuanim, nëse pendohemi.

Pranimin e Jezu Krishtit si Shpëtimtarin tonë ne e tregojmë kur vëmë besimin tonë tek Ai, pendohemi për mëkatet tona dhe marrim ordinancat shpëtuese të kërkuara për të hyrë në praninë e Perëndisë. Ordinancat shpëtuese janë simbole të besëlidhjeve që bëjmë. Besëlidhjet e bindjes ndaj ligjeve dhe urdhërimeve të Tij na zotojnë ndaj Perëndisë dhe na forcojnë besimin. Besimi dhe vendosmëria jonë në Krisht do të na japë guximin dhe bindjen e sigurt që na nevojitet për t’u bërë ballë sfidave të jetës, që janë pjesë e përvojës sonë në jetën e vdekshme.

Pak mbas thirrjes së bashkëshortit tim për të kryesuar mbi Misionin e Asunsionit në Paraguai më 1992, ne ishim të pranishëm në konferencën e një dege në një komunitet të veçuar të Çakos Paraguaiane10. Udhëtuam katër orë në rrugë të shtruar e, më pas, shtatë orë të tjera në një rrugë primitive. Rreziqet dhe parehatia e udhëtimit të gjatë shpejt u harruan kur u përshëndetëm me anëtarët e gëzuar e mikpritës të Mistolarit.

Hulio Jegros ishte presidenti në moshë të re i degës dhe ai e bashkëshortja e tij, Margarita, ishin një nga pak familjet që qenë vulosur në tempull. Unë u kërkova të tregonin përvojën e udhëtimit të tyre në tempull.

Për atë kohë, tempulli më i afërt ishte Tempulli i Buenos-Airesit në Argjentinë. Udhëtimi nga Mistolari kërkonte 27 orë në një drejtim, që të arrije në tempull dhe ata kishin shkuar bashkë me dy fëmijët e tyre të vegjël. Ishte mesi i një dimri shumë të ftohtë, por, me shumë sakrificë, ata mbërritën në tempull, ku u vulosën së bashku si familje e përjetshme. Në udhën e kthimit, dy të vegjlit u sëmurën shumë dhe vdiqën. Ata i varrosën gjatë udhës dhe u kthyen në shtëpi me krahët bosh. Ishin të trishtuar e të vetmuar, por çuditërisht ndien ngushëllim dhe paqe. Për atë që përjetuan ata thanë: “Fëmijët tanë qenë vulosur me ne në shtëpinë e Zotit. E dimë se do t’i kemi përsëri tek ne për gjithë përjetësinë. Kjo dije na ka dhënë paqe dhe ngushëllim. Duhet t’u mbetemi të denjë e besnikë besëlidhjeve që bëmë në tempull dhe më pas do të ribashkohemi me ta.”

Si e rrisim ne besimin dhe shpresën tonë, që të jenë si ato të këtyre anëtarëve besnikë nga Paraguai?

Si e forcojmë ne besimin tonë ndaj pohimeve, që unë i kam dëgjuar vazhdimisht nga kaq shumë prej jush, se ju besoni në dashurinë që Perëndia ka për ju, se besoni vërtet që do të merrni bekimet e Tij dhe se ju e kuptoni planin e shëlbimit përmes Shpëtimtarit Jezu Krishti dhe pjesën tuaj të rëndësishme në planin e Tij?

Do të këshilloj katër gjëra që mua më kanë ndihmuar: lutje, studim i shkrimit të shenjtë, bindje dhe shërbim.

Lutja

Lutja është veprimi i komunikimit me Atin Qiellor. Kur lutemi, ne pohojmë besimin tek Ai dhe fuqia e Tij për të na bekuar.

Tek Alma 37:37 lexojmë: “Këshillohu me Zotin për të gjitha veprimet e tua dhe ai do të të drejtojë për të mirë; po, kur të biesh në mbrëmje, bjer për Zotin, që ai të mund të të ruajë në gjumin tënd; dhe kur të ngrihesh në mëngjes, le të jetë zemra jote plot falenderime ndaj Perëndisë; dhe në qoftë se i bën këto gjëra, ti do të ngrihesh në ditën e fundit”.

Studimi i Shkrimit të Shenjtë

Një njohje dhe një kuptim i planit të Atit Qiellor ndihmon që të dimë se cilët jemi dhe çfarë duhet të bëhemi.

Zoti urdhëronte “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua”11.

Nevojitet shumë që çdo grua të studiojë shkrimet e shenjta. Kur ne i kemi më të njohura të vërtetat e shkrimeve të shenjta, do të jemi të aftë t’i zbatojmë në jetën tonë dhe do të kemi më shumë fuqi për të përmbushur qëllimet e Perëndisë. Lutja dhe studimi i shkrimit të shenjtë në mënyrë vetjake të përditshme gjithashtu ftojnë në jetën tonë ndikimin dhe fuqinë e Frymës së Shenjtë.

Bindja

Zoti thotë: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”12. Bindja jonë e vërtetë do të na ndihmojë që të zhvillojmë veçoritë e perëndishmërisë dhe të ndryshojmë në zemër.

Tek Doktrina e Besëlidhjet ne këshillohemi:

“Kapu pas besëlidhjeve që ke bërë. …

Zbato urdhërimet e mia vazhdimisht dhe një kurorë drejtësie do të marrësh”13.

Zotimi ynë për të jetuar ungjillin e ushqen besimin dhe shpresën tonë te Jezu Krishti.

Shërbimi

Ne kemi mundësi të shumta për t’i shërbyer Atij. Secilës motër i është kërkuar të kërkojë me zell e të ndihmojë të varfrin dhe nevojtarin që ndodhet mes nesh dhe përreth nesh. “I varfri dhe nevojtari” përfshin ata që kanë nevoja shpirtërore dhe emocionale. Secila ka gjithashtu përgjegjësi të shpëtojë të vdekurit tanë, që mund të kryhet duke punuar për historinë familjare ose me anë të punës në tempull. Jemi urdhëruar të ndajmë me të tjerët ungjillin dhe janë të shumta mënyrat për të marrë pjesë në punën misionare. Të gjitha këto janë mënyra me të cilat mund t’i shërbejmë Zotit. Ati ynë Qiellor pret nga të fuqishmit që të forcojnë të dobtit dhe besimi juaj vetjak do të forcohet ndërsa ju forconi e kujdeseni për fëmijët e Tij.

Unë e di që Ati Qiellor e do secilin fëmijë të Tij në mënyrë të përkryer, personale dhe të pandryshueshme. E di që ne, si gra, kemi një pjesë thelbësore në planin e lumturisë. Përpjekja më e mirë e jona është gjithçka që Ai na kërkon dhe çdonjëra prej nesh është e nevojshme në ngritjen e mbretërisë. Shlyerja është e vërtetë. Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Dëshmoj që, në qoftë se jemi besnike dhe durojmë deri në fund, do të marrim të gjitha bekimet e Atit Qiellor, madje jetë të përjetshme dhe ekzaltim. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.