Krenaria dhe Priftëria
Krenaria është një çelës që e largon fuqinë e priftërisë. Përulësia është një çelës që e sjell atë.
Të dashur vëllezër të mi, ju faleminderit që jeni mbledhur nga gjithë bota për këtë seancë të priftërisë në konferencën e përgjithshme. Prania juaj tregon angazhimin tuaj që të qëndroni, kudo që jeni, me vëllezërit tuaj që mbajnë priftërinë e shenjtë, dhe të shërbeni, dhe të nderoni Zotin e Shëlbuesin tuaj, Jezu Krishtin.
Shpesh ne e masim jetën tonë me ngjarje që lënë gjurmë në mendjen dhe në zemrën tonë. Ka shumë ngjarje të tilla në jetën time, një nga të cilat ndodhi në 1989 kur unë dëgjova një predikim të rëndësishëm për çdo kohë nga Presidenti Ezra Taft Benson: “Kujdes nga Krenaria”. Te hyrja shënohej se kjo çështje pati rënduar shumë në shpirtin e Presidentit Benson për një kohë të gjatë1.
Unë kam ndier një barrë të ngjashme gjatë muajve të fundit. Nxitjet e Shpirtit të Shenjtë më kanë nxitur të shtoj zërin tim si një dëshmitar tjetër i mesazhit të Presidentit Benson dhënë 21 vite më parë.
Çdo i vdekshëm ka njëfarë përvoje me mëkatin e krenarisë. Askush nuk e ka mënjanuar atë; pak njerëz e kanë mposhtur. Kur i tregova bashkëshortes time se kjo do të ishte tema e bisedës, ajo buzëqeshi dhe tha: “Është aq mirë që do të flasësh mbi gjëra për të cilat ti di aq shumë”.
Kuptime të Tjera të Krenarisë
Unë gjithashtu kujtoj një efekt anësor interesant të bisedës shumë ndikuese të Presidentit Benson. Për njëfarë kohe thuajse u bë tabu midis anëtarëve të Kishës të thoshin se ata ishin “krenarë” për fëmijët e tyre apo vendin e tyre apo se ndienin “krenari” nga puna e tyre. Vetë fjala krenari dukej të ish bërë përjashtim nga fjalori ynë.
Në shkrimet e shenjta ne gjejmë mjaft shembuj njerëzish të mirë dhe të drejtë që gëzohen në drejtësi dhe në të njëjtën kohë krenohen në mirësinë e Perëndisë. Ati ynë Qiellor Vetë e paraqiti Birin e Tij të Dashur me fjalët: “Në të cilin unë jam shumë i kënaqur”2.
Alma u krenua me mendimin se ai mund të “[jetë] një mjet në duart e Perëndisë”3. Apostulli Pal u krenua me besnikërinë e anëtarëve të Kishës.4 Misionari i madh Amoni u krenua me suksesin që ai dhe vëllezërit e tij përjetuan si misionarë.5
Unë besoj se ka një ndryshim midis të qenit krenar për disa gjëra dhe të qenit krenar. Unë jam krenar për shumë gjëra. Unë jam krenar për bashkëshorten time. Unë jam krenar për fëmijët dhe nipërit e mbesat tona.
Unë jam krenar për rininë e Kishës dhe unë kënaqem nga mirësia e tyre. Unë jam krenar për ju, vëllezërit e mi të dashur e besnikë. Unë jam krenar të qëndroj krah për krah me ju si mbajtës i priftërisë së shenjtë të Perëndisë.
Krenaria Është Mëkati i Vetëvlerësimit
Pra, cili është ndryshimi midis kësaj lloj krenarie dhe asaj që Presidenti Benson e quajti: “mëkati i përgjithshëm”?6 Krenaria është mëkat, siç Presidenti Benson na mësoi në mënyrë aq mbresëlënëse, sepse ajo krijon urrejtje apo armiqësi dhe na vendos në kundërshtim me Perëndinë dhe me njerëzit tanë. Në thelbin e vet, krenaria është një mëkat krahasimi, sepse edhe pse zakonisht fillon me: “Shih sa i mrekullueshëm jam dhe çfarë gjëra madhështore kam bërë”, ajo gjithnjë duket se mbaron me: “Prandaj, unë jam më i mirë se ty”.
Kur zemrat tona janë mbushur me krenari, ne bëjmë një mëkat të rëndë, sepse ne shkelim dy urdhërimet e mëdha.7 Në vend që të adhurojmë Perëndinë dhe të duam fqinjin tonë, ne zbulojmë objektin e vërtetë të adhurimit dhe të dashurisë sonë – shëmbëlltyrën që ne shohim te pasqyra.
Krenaria është mëkati i madh i vetëvlerësimit. Ajo është për aq shumë njerëz një Rameumpton, një podium i shenjtë që justifikon zilinë, lakminë dhe kotësinë.8 Në një kuptim, krenaria është mëkati fillestar, sepse përpara krijimit të kësaj toke, krenaria rrëzoi Luciferin, një bir i mëngjesit “që ishte në autoritet në praninë e Perëndisë”9. Nëse krenaria mund të korruptojë dikë aq të aftë dhe premtues sa ky, a nuk duhet t’i kontrollojmë ne shpirtrat tanë gjithashtu?
Krenaria Ka Shumë Pamje
Krenaria është një kancer vdekjeprurës. Ajo është një mëkat që të bën bartës dobësish të tjera njerëzore. Në fakt, mund të thuhet se çdo mëkat tjetër është, në thelb, një manifestim krenarie.
Ky mëkat ka shumë fytyra. Ai i bën disa njerëz që t’i gëzohen perceptimit vetjak të vlerës, arritjeve, talenteve, pasurisë apo pozitës së vetë. Ata i numërojnë këto bekime si fakte të të qenit “i zgjedhur”, “superior” apo “më i drejtë” se të tjerët. Ky është mëkati: “Falë Zotit unë jam më i veçantë se ju”. Si thelb i tij është dëshira për të qenë i admiruar apo i lakmueshëm. Ai është mëkati i vetëlavdërimit.
Për të tjerë, krenaria kthehet në zili: ata shohin hidhësisht ata që kanë pozita më të mira, më shumë talente apo kamje më të mëdha sesa ata. Ata kërkojnë të dëmtojnë, të zvogëlojnë dhe të shembin të tjerët në një përpjekje të gabuar dhe pa vlerë për ngritjen e vetes. Kur njerëzit që ata kanë zili pengohen apo vuajnë, ata fshehtazi ngazëllehen.
Laboratori i Sporteve
Ndoshta nuk ka laborator më të mirë për të vëzhguar mëkatin e krenarisë sesa bota e sporteve. Unë gjithnjë kam pëlqyer të marr pjesë në ngjarje sportive dhe t’i ndjek ato. Por unë pranoj ka raste kur mungesa e mirësjelljes në sporte është sikletosëse. Si ndodh që qenie njerëzore normalisht të sjellshme dhe të dhembshme mund të jenë kaq intolerante dhe të mbushura me urrejtje ndaj skuadrës kundërshtare dhe tifozëve të saj?
Unë kam vërejtur tifozë sporti të shpifin kundër rivalëve të tyre dhe t’i demonizojnë. Ata kërkojnë ndonjë cen dhe e zmadhojnë atë. Ata e justifikojnë urrejtjen e tyre me përgjithësime të gjera dhe ua veshin ato cilitdo që lidhet me njërën apo tjetrën skuadër. Kur fati i keq pikëllon rivalin e tyre, ata gëzohen.
Vëllezër, fatkeqësisht ne shohim sot tepër shpesh të njëjtin lloj qëndrimi dhe sjellje përhapur në fjalime publike të politikës, të etnicitetit dhe të fesë.
Vëllezër të mi të dashur të priftërisë, shokë të mi dishepuj të dashur të Krishtit të mirë, a nuk duhet ta mbajmë ne veten në një standard më të lartë? Si mbajtës të priftërisë, ne duhet të kuptojmë se të gjithë fëmijët e Perëndisë mbajnë ngjyrat e së njëjtës skuadër. Skuadra jonë është vëllazëria e njeriut. Kjo jetë e vdekshme është fusha jonë e lojës. Objektivi ynë është të mësojmë të duam Perëndinë dhe ta shtrijmë të njëjtën dashuri ndaj bashkënjerëzve tanë. Ne jemi këtu për të jetuar sipas ligjit të Tij dhe të krijojmë mbretërinë e Perëndisë. Ne jemi këtu të ndërtojmë, të ngremë, të trajtojmë drejtësisht dhe të nxisim të gjithë fëmijët e Atit Qiellor.
Ne Nuk Duhet të Gëlltisim
Kur u thirra si Autoritet i Përgjithshëm, unë u bekova të jem nën kujdestarinë e shumë prej Vëllezërve në Kishë. Një ditë unë pata rastin ta çoj Presidentin Xhejms E. Faust me makinë në një konferencë kunji. Gjatë orëve që kaluam në makinë, Presidenti Faust përfitoi nga koha të më mësonte disa parime të rëndësishme mbi emërimin tim. Ai shpjegoi gjithashtu sa bujarë janë anëtarët e Kishës, veçanërisht ndaj Autoriteteve të Përgjithshme. Ai tha: “Ata do të të trajtojnë ty shumë njerëzisht. Ata do të thonë gjëra të këndshme rreth jush”. Ai qeshi pak dhe pastaj tha: “Diter, ji mirënjohës për këtë. Por mos e gëlltit kurrë”.
Ai është një mësim i mirë për të gjithë ne, vëllezër, në çfarëdo thirrje apo situat\e në jetë. Ne mund të jemi mirënjohës për shëndetin, bollëkun, kamjen, apo pozitën tonë, por kur ne fillojmë ta gëlltisim atë – kur ne bëhemi të pushtuar nga gjendja jonë; kur ne përqendrohemi në rëndësinë, pushtetin apo famën tonë; kur ne rrojmë me atë që mendojnë të tjerët për ne, dhe besojmë në atë që thonë të tjerët për ne, – ky është çasti kur shqetësimi fillon; ky është çasti kur krenaria fillon të korruptojë.
Ka plot paralajmërime mbi krenarinë në shkrimet e shenjta: “Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave”10.
Apostulli Pjetër paralajmëroi që “Perëndia i kundërshton krenarët, por u jep hir të përulurve”11. Mormoni shpjegoi: “Askush nuk pranohet para Perëndisë, në qoftë se nuk është i bindur dhe i përulur në zemër”12. Me qëllim Zoti zgjedh “gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët”13. Zoti e bën këtë për të treguar se dora e Tij është në punën e Tij, që ne të mos “besojmë në krahun e mishit”14.
Ne jemi shërbëtorë të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Neve nuk na është dhënë priftëria për të marrë nderime dhe për t’u ngrohur nga lëvdatat. Ne jemi këtu që të përveshim mëngët dhe të shkojmë në punë. Ne jemi renditur në një detyrë aspak të rëndomtë. Ne jemi thirrur të përgatisim botën për ardhjen e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Ne nuk kërkojmë nderim vetjak por ia japim lavdërimin dhe lavdinë Perëndisë. Ne e dimë se kontributi që mund të japim nga vetja, është i vogël; gjithsesi, kur ushtrojmë fuqinë e priftërisë në drejtësi, Perëndia mund të bëjë që një punë e madhe dhe e mrekullueshme të vijë nga përpjekjet tona. Ne duhet të mësojmë, siç bëri Moisiu, që “njeriu është një hiç”15 nga vetja e tij por që “për Perëndinë çdo gjë është e mundur”16.
Jezu Krishti Është Shembulli i Përkryer i Shërbimit
Këtu, si në çdo gjë, Jezu Krishti është shembulli ynë i përsosur. Ndërsa Luciferi u përpoq të ndryshonte planin e Atit për shpëtimin dhe të fitonte nderim për veten, Shpëtimtari tha: “Atë, vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë”17. Megjithë aftësitë dhe arritjet e Tij të mrekullueshme, Shpëtimtari ishte gjithmonë i butë dhe i përulur.
Vëllezër, ne mbajmë “Priftëri[në] e Shenjtë, sipas Urdhërit të Birit të Perëndisë”18. Ajo është fuqia që Perëndia u ka dhënë burrave mbi tokë për të vepruar për Të. Me qëllim që të ushtrojmë fuqinë e Tij, ne duhet të përpiqemi të jemi si Shpëtimtari. Kjo do të thotë që në të gjitha gjërat ne përpiqemi të bëjmë vullnetin e Atit, pikërisht si Shpëtimtari.19 Kjo do të thotë se ne ia japim të gjithë lavdinë Atit, pikërisht si Shpëtimtari.20 Kjo do të thotë se ne e humbasim veten në shërbim të të tjerëve, pikërisht si Shpëtimtari.
Krenaria është një çelës që e largon fuqinë e priftërisë.21 Përulësia është një çelës që e sjell atë.
Ji i Përulur dhe Plot Dashuri
Pra, si e mposhtim ne këtë mëkat të krenarisë që është kaq mbizotërues dhe kaq i dëmshëm? Si bëhemi më të përulur?
Është thuajse e pamundur të ngrihemi në krenari kur zemrat tona janë të mbushura me dashuri. “Dhe askush s’mund të ndihmojë në këtë punë, nëse nuk do të jetë i përulur dhe plot dashuri.”22 Kur e shohim botën përreth nesh nën ndikimin e dashurisë së pastër të Krishtit, ne fillojmë të kuptojmë përulësinë.
Disa supozojnë se përulësia është të ndihemi fajtorë. Përulësia nuk do të thotë të bindim veten se jemi fajtorë, të pakuptimtë, apo me vlerë të paktë. As do të thotë që të mohojmë apo të fshehim talentet që Perëndia na ka dhënë neve. Ne nuk tregojmë përulësi duke menduar keqpër vetveten; ne tregojmë përulësi duke menduar pak për vetveten. Kjo ndodh kur ne e kryejmë punën tonë me një qëndrim shërbimi ndaj Perëndisë dhe bashkënjerëzve tanë.
Përulësia na e drejton vëmendjen dhe dashurinë te të tjerët dhe te qëllimet e Atit Qiellor. Krenaria bën të kundërtën. Krenaria e merr energjinë dhe forcën e saj nga burimet e thella të egoizmit. Në çastin kur ne pushojmë së marruri me vetveten dhe e humbasim atë në shërbim, krenaria jonë pakësohet dhe fillon të mbarojë.
Të dashur vëllezër të mi, ka aq shumë njerëz në nevojë për të cilët ne mund të mendojmë në vend të vetvetes. Dhe ju lutem mos harroni kurrë familjen tuaj, bashkëshorten tuaj. Ka aq shumë mënyra që ne mund të gjendemi në shërbim. Ne nuk kemi kohë të bëhemi të humbur në vetvete.
Unë pata dikur një penë që më pëlqente ta përdorja gjatë karrierës sime si një kapiten aeroplani pasagjerësh. Thjesht duke kthyer boshtin, unë mund të zgjidhja një nga katër ngjyrat. Pena nuk ankohej kur unë doja të përdorja bojën e kuqe në vend të blusë. Ajo nuk më tha asnjëherë: “Unë më mirë nuk do të shkruaj pas orës 10:00 pasdite, në mjegull të dendur apo në lartësi të mëdha”. Pena nuk tha: “Më përdor vetëm për dokumenta të rëndësishme, jo për detyra të përditshme të rëndomta”. Me besueshmërinë më të madhe ajo kreu çdo detyrë që pata nevojë, pavarësisht sa e rëndësishme apo e parëndësishme. Ajo ishte gjithnjë gati të shërbente.
Në një mënyrë të ngjashme ne jemi vegla në duart e Perëndisë. Kur zemra jonë është në vendin e duhur, ne nuk ankohemi se detyra që na është caktuar është e padenjë për aftësitë tona. Ne shërbejmë me gëzim kudo që na kërkohet. Kur e bëjmë këtë, Zoti mund të na përdorë neve në mënyra që e kapërcejnë kuptimin tonë për të përmbushur punën e Tij.
Më lejoni të përfundoj me fjalët e mesazhit të frymëzuar të Presidentit Ezra Taft Benson të 21 viteve përpara:
“Krenaria është blloku i madh pengues për në Sion.
Ne duhet ta fillojmë me veten duke mposhtur krenarinë.” …23
“Ne duhet të dëgjojmë ‘thirrjet e Frymës së Shenjtë’, të largojmë ‘njeriun e natyrshëm’, të bëhemi ‘një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot’, dhe të bëhemi ‘si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur’. …24
Perëndia dëshiron të ketë një popull të përulur … ‘Të bekuar janë ata që e përulin veten pa qenë të detyruar të përulen.’ …25
Le të zgjedhim të jemi të përulur. Ne mund ta bëjmë këtë. Unë e di që ne mundemi.”26
Të dashur vëllezër të mi, le të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit tonë dhe të shkojmë të shërbejmë më mirë se të kërkojmë lavdërim dhe nderim nga njerëzit. Kjo është lutja ime, që ne do të njohim dhe çrrënjosim krenarinë e padrejtë nga zemrat tona dhe që ne do ta zëvendësojmë atë me “drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë”27. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.