Pastrimi i Brendësisë së Enës
Askund nuk shfaqen më shumë bujaria e mirësia dhe mëshira e Perëndisë, sesa në pendim.
Kjo konferencë e përgjithshme u mblodh në një kohë kur ka kaq shumë pështjellim e rrezik, saqë të rinjtë tanë vështirë se e dinë se çfarë rruge duhet të ndjekin. Duke qenë të paralajmëruar nga zbulesat që do të ishte kështu, profetëve dhe apostujve u është treguar gjithmonë se çfarë të bëjnë.
Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith “që çdo njeri të mund të flasë në emër të Perëndisë, Zotit, madje Shpëtimtarit të botës.”1 Kur u rivendosën çelësat, ata siguruan që autoriteti i priftërisë të ishte i pranishëm në çdo shtëpi, nga gjyshërit, etërit dhe bijtë.
Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve nxorën proklamatën “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, e pesta në historinë e Kishës. Është një udhëzues që anëtarët e Kishës do bënin mirë ta lexonin e ta zbatonin.
Pjesërisht ajo shpall: “Ne, Presidencia e Parë dhe Këshilli i të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, solemnisht shpallim se martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe se familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij”.2
“Perënditë zbritën për të organizuar njeriun sipas shëmbëlltyrës së tyre, në shëmbëlltyrën e Perëndive për ta formuar atë, mashkull dhe femër për t’i formuar ata.
Dhe Perënditë thanë: Ne do t’i bekojmë. Dhe … ne do t’i bëjmë të jenë të frytshëm dhe të shumëzohen e të mbushin tokën, dhe ta nënshtrojnë atë.”3
Ky urdhërim kurrë nuk është shfuqizuar.
“Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë.”4
Është paracaktuar që ne të jemi të lumtur, sepse “njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim.”5
Lehi la mësim që njerëzit janë të lirë dhe duhet të jenë “të lirë … të veprojnë për veten e tyre dhe të mos detyrohen të veprojnë me përjashtim të ndëshkimit nga ligji, në ditën e madhe dhe të fundit”.6
Thënia e lashtë: “Zoti voton pro meje dhe Luciferi voton kundër meje, por rëndësi ka vota ime”, përshkruan një siguri doktrinore që liria jonë e zgjedhjes është më e fuqishme se dëshira e kundërshtarit. Liria e zgjedhjes është e çmuar. Ne, pa mend e verbërisht, mund ta falim, por ajo nuk mund të na merret me forcë.
Gjithashtu ka një shfajësim të lashtë: “Djalli më detyroi ta bëja”. Nuk është ashtu! Ai mund t’ju mashtrojë dhe udhëheqë gabim, por ai nuk ka fuqi t’ju detyrojë juve apo këdo tjetër drejt shkeljes apo t’ju mbajë në shkelje.
Mirëbesimi me fuqinë për të krijuar jetë mbart me vete gëzimet më të mëdha dhe tundimet më të rrezikshme. Dhurata e jetës tokësore dhe aftësia për të krijuar jetë të tjera është një bekim hyjnor. Nëpërmjet ushtrimit të drejtë të kësaj fuqie, si në asgjë tjetër, ne mund t’i afrohemi Atit tonë në Qiell dhe të përjetojmë një plotësi të gëzimit. Kjo fuqi nuk është pjesë e rastësishme e planit të lumturisë. Ajo është çelësi – çelësi i vetëm.
Qoftë nëse e përdorim këtë fuqi siç urdhërojnë ligjet e përjetshme, qoftë nëse refuzojmë qëllimin e saj hyjnor; kjo do të ndikojë përgjithmonë se kush ne do të bëhemi. “A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?”7
Ka diçka tepër çliruese kur një individ vendos me vetë vullnetin e lirë të tij apo të saj që të jetë i bindur ndaj Atit tonë e Perëndisë tonë dhe ia shpreh atë gatishmëri Atij në lutje.
Kur bindemi, ne mund t’i gëzojmë këto fuqi në besëlidhjen e martesës. Prej burimeve tona të jetës do të vijnë fëmijët tanë, familja jonë. Dashuria midis bashkëshortit dhe bashkëshortes mund të jetë e vazhdueshme e të sjellë përmbushje dhe kënaqësi tërë ditët e jetës sonë.
Nëse dikujt i janë mohuar këto bekime në vdekshmëri, premtimi është se atyre do t’u jepet në botën që do të vijë.
Dashuria e pastër nënkupton që vetëm pas një zotimi për besnikëri të përjetshme, një ceremonie juridike dhe të ligjshme, dhe idealisht pas ordinancës së vulosjes në tempull, ato fuqi jetëkrijuese lihen për shprehjen e plotë të dashurisë. Duhet të ndahen veçanërisht dhe vetëm mes burrit dhe gruas, bashkëshortit dhe bashkëshortes, me atë që është shoku apo shoqja jonë e përjetshme. Ungjilli është shumë i qartë në këtë.
Ne jemi të lirë të mos i pranojmë urdhërimet, por, kur zbulesat flasin me terma kaq të qartë, si “nuk do të”, më mirë t’i kushtojmë vëmendje.
Kundërshtari është ziliqar ndaj gjithkujt që ka fuqi për të sjellë jetë. Satani nuk mund të sjellë jetë; ai është i pafuqishëm. “Ai kërkon që të gjithë njerëzit të jenë të mjeruar sikurse është ai vetë.”8 Ai kërkon të pakësojë përdorimin e drejtë të fuqive jetëkrijuese duke ju tunduar në marrëdhënie të pamoralshme.
Zoti përdori shprehjen “i ngjan”, për të krijuar një ngjashmëri që pasuesit e Tij të mund ta kuptonin, si:
“Mbretëria e qiejve i ngjan një tregtari.”9
“Mbretëria e qiejve i ngjan një thesari të fshehur në një arë.”10
Në ditët tona, ndikimi i tmerrshëm i pornografisë i ngjan një murtaje që përfshin tejpërtej botën, duke infektuar një këtu e një aty, duke u përpjekur në mënyrë të pamëshirshme të pushtojë çdo shtëpi, më shpesh nëpërmjet bashkëshortit e babait. Ndikimi i kësaj murtaje mund të jetë, fatkeqësisht, shpesh është, shpirtërisht shkatërrimtar. Luciferi kërkon të përçajë “planin e madh të shëlbimit”11,“planin e madh të lumturisë”.12
Pornografia gjithmonë do të zmbrapsë Shpirtin e Krishtit dhe do të ndërpresë komunikimet midis Atit tonë Qiellor e fëmijëve të Tij dhe do të përçajë marrëdhënien e butë midis bashkëshortit dhe bashkëshortes.
Priftëria mban fuqinë më të lartë. Ajo mund t’ju mbrojë nga murtaja e pornografisë – dhe ajo është murtajë – nëse po i jepeni ndikimit të saj. Nëse një njeri është i bindur, priftëria mund t’i tregojë sesi të ndërpresë një zakon dhe madje fshijë një varësi. Mbajtësit e priftërisë e kanë atë autoritet dhe duhet ta përdorin atë për të luftuar ndikimet e liga.
Ne ngremë një alarm dhe i paralajmërojmë anëtarët e Kishës që të zgjohen e të kuptojnë se çfarë po ndodh. Prindër jini vigjilentë, përherë syhapur se mos kjo ligësi kërcënon rrethin tuaj familjar.
Ne japim për mësim një standard të sjelljes morale që do të na mbrojë nga shumë prej zëvendësueseve apo sajesave të Satanit për martesën. Ne duhet të kuptojmë që, cilado përpjekje për t’ju bindur të hyni në ndonjë marrëdhënie që nuk është në harmoni me parimet e ungjillit, duhet të jetë e gabuar. Nga Libri i Mormonit mësojmë se “ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi”.13
Disa mendojnë që ata kanë qenë të paracaktuar dhe nuk mund t’i kapërcejnë ato që ata ndiejnë se janë tundime të lindura drejt shthurjes dhe kundër natyrës. Nuk është ashtu! Kujtoni, Perëndia është Ati ynë Qiellor.
Pali premtoi se: “Perëndia … nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni”.14 Ju mundeni, nëse dëshironi, të ndërprisni zakone e të mposhtni një varësi dhe të largoheni prej asaj që nuk është e denjë për asnjë anëtar të Kishës. Ashtu si porositi Alma, ne duhet “të [jemi] vigjilentë, dhe të [lutemi] vazhdimisht”15.
Isaia paralajmëroi: “Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr, që ndërrojnë hidhësirën në ëmbëlsi dhe ëmbëlsinë në hidhësi!”16
Vite më parë vizitova një shkollë në Albëkërki. Mësuesja më tregoi për një fëmijë që solli një kotele në klasë. Siç mund ta merrni me mend, kjo ndërpreu çdo gjë. Ajo i kërkoi ta ngrinte kotelen para fëmijëve.
Shkoi mirë derisa një prej fëmijëve pyeti: “A është kotele çun apo kotele gocë?”
Duke mos dashur t’i hynte atij mësimi, mësuesja tha: “Nuk ka rëndësi. Është thjesht një kotele.”
Por ata ngulën këmbë. Më në fund, një djalë ngriti dorën dhe tha: “Unë e di si mund ta dalloni”.
E detyruar të përballej me këtë, mësuesja tha: “Si mund ta dallosh?”
Dhe studenti u përgjigj: “Ju mund të votoni për këtë!”
Ju mund të qeshni me këtë histori, por, nëse nuk jemi vigjilentë, ka nga ata sot që, jo vetëm tolerojnë, por mbrojnë votimin për të ndryshuar ligje që do të ligjëronin imoralitetin, sikur një votë të ndryshonte në ndonjë mënyrë qëllimet e ligjeve dhe të natyrës së Perëndisë. Një ligj kundër natyrës do të ishte e pamundur të imponohej. Për shembull, çfarë dobie do të kishte një votë kundër ligjit të rëndesës?
Ka ligje edhe morale, edhe materiale “të [shpallura] në mënyrë të pakthyeshme në qiell, përpara krijimit të kësaj bote”, që nuk mund të ndryshohen.17 Historia vërteton papushim se standardet morale nuk mund të ndryshohen me betejë dhe nuk mund të ndryshohen me votim. Ligjërimi i asaj që është në parim e gabuar apo e ligë, nuk do të pengojë dhimbjen dhe ndëshkimet që do të pasojnë me aq siguri, sa nata pason ditën.
Pavarësisht kundërshtimit, ne jemi të vendosur të qëndrojmë në shteg. Ne do të mbahemi tek parimet e ligjet dhe ordinancat e ungjillit. Nëse ato keqkuptohen ose me patëkeq, ose qëllimisht, ashtu qoftë. Ne nuk mund të ndryshojmë, ne nuk do të ndryshojmë standardin moral. Ne menjëherë e humbasim drejtimin tonë kur nuk i bindemi ligjeve të Perëndisë. Nëse nuk mbrojmë dhe nuk kujdesemi për familjen, qytetërimi dhe liritë tona me siguri do të zhduken.
“Unë, Zoti, lidhem kur ju bëni çfarë ju them; por kur nuk e bëni çfarë ju them, ju nuk keni premtim.”18
Çdo shpirt i mbyllur në një burg mëkati, faji apo zvetënimi e ka një çelës për portën. Çelësi ka etiketën “pendim”. Nëse dini se si ta përdorni këtë çelës, kundërshtari nuk mund t’ju ndalё. Parimet binjake të pendimit dhe të faljes, për nga fuqia e tejkalojnë forcën e tmerrshme të tunduesit. Nëse jeni kufizuar nga një zakon apo varësi që është e padenjë, ju duhet të ndaloni sjelljen që është e dëmshme. Engjëj do t’ju mësojnë19 dhe udhëheqës të priftërisë do t’ju drejtojnë përmes atyre periudhave të vështira.
Askund nuk shfaqen më shume bujaria e mirësia dhe mëshira e Perëndisë, sesa në pendim. A e kuptoni fuqinë më të lartë pastruese të Shlyerjes së bërë nga Biri i Perëndisë, Shpëtimtari ynë, Shëlbuesi ynë? Ai tha: “Unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen”20. Në atë akt hyjnor të dashurisë Shpëtimtari pagoi ndëshkimet për mëkatet tona, që ne të mos na duhej të paguanim.
Për ata që e dëshirojnë me të vërtetë, ka një rrugë kthimi. Pendimi ngjan me një detergjent. Edhe njollat e rrënjosura të mëkatit do të pastrohen.
Mbajtësit e priftërisë mbajnë me vete kundërhelmin për të hequr imazhet e tmerrshme të pornografisë dhe për të larë fajin. Priftëria ka fuqinë për të ҫliruar nga ndikimi i zakoneve tona, madje për të liruar nga varësia, sado i fortë ndikimi sundues. Ajo mund të shërojё shenjat e mëkateve të kaluara.
Unë nuk di fjalë më të bukura e ngushëlluese në të gjithë zbulesën, sesa këto: “Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato”21.
Ndonjëherë, edhe pas rrëfimit dhe vuajtjes së ndëshkimit, pjesa më e vështirë e pendimit është të falësh vetveten. Ju duhet të arrini të shquani që falja do të thotë falje.
“Kurdo që njerëzit e mi pendohen, unë do t’ua fal shkeljet që kanë bërë kundër meje.”22
Presidenti Jozef Filding Smith tregoi për një grua të penduar që po përpiqej të gjente rrugëdaljen e saj nga një jetë tepër e pamoralshme. Ajo e pyeti se çfarë duhej të bënte tani.
Si përgjigje, ai i kërkoi t’i lexonte nga Dhjata e Vjetër historinë e gruas së Lotit që u shndërrua në një statujë prej kripe.23 Pastaj e pyeti: “Çfarë mësimi merr nga këto vargje?”
Ajo u përgjigj: “Zoti do të shkatërrojë të ligjtë”.
“Nuk është ashtu!” Presidenti Smith tha se mësimi për këtë grua të penduar dhe për ju është: “Mos shih prapa!”24
Mjaft çuditërisht, parandalimi më i thjeshtë e i fuqishëm dhe kura për pornografinë, apo ndonjë vepër të papastër, mund të jetë ta shpërfillësh e ta shmangësh atë. Fshini nga mendja ndonjë mendim të padenjë që përpiqet të zërë rrënjë. Kur të keni vendosur të qëndroni të pastër, ju po mbroni lirinë tuaj të zgjedhjes, të dhënë nga Perëndia. Dhe atëherë, siç këshilloi Presidenti Smith: “Mos shihni prapa”.
Unë premtoj se përpara jush ka paqe e lumturi për ju dhe familjen tuaj. Qëllimi përfundimtar i të gjithë veprimtarisë në Kishë është që një burrë dhe gruaja e tij dhe fëmijët e tyre të mund të jenë të lumtur në shtëpi. Dhe unë lutem për bekimet e Zotit mbi ju që po luftoni kundër kësaj murtaje të tmerrshme, për të gjetur shërimin që është i disponueshëm për ne në priftërinë e Zotit. Unë jap dëshmi për atë fuqi në emrin e Jezu Krishtit, amen.