2011
Unë Besoj në Qenien të Ndershme dhe të Vërteta
Maj 2011


Unë Besoj në Qenien të Ndershme dhe të Vërteta

Duke qenë të vërteta në ato që besojmë – edhe kur ky veprim nuk është i përhapur, i lehtë apo dëfryes – neve na mban në mënyrë të sigurt në shtegun që shpie tek jeta e përjetshme me Atin tonë Qiellor.

Ann M. Dibb

Të reja të mia të dashura, është privilegj dhe mundësi e mrekullueshme për mua të qëndroj para jush këtë mbrëmje. Jeni një pamje e mahnitshme dhe frymëzuese.

Neni i trembëdhjetë i besimit është tema e Aktiviteteve të Përbashkëta të 2011-ës. Ndërsa ndiqja mbledhjet e të rinjve dhe mbledhjet e sakramentit këtë vit, dëgjoja të rinj e të reja që tregonin se ç’do të thotë për ta neni i trembëdhjetë i besimit dhe se si gjen ai zbatim në jetën e tyre. Janë të shumta ato që dinë se ai është neni i fundit i besimit, më i gjati, më i vështiri për t’u mësuar përmendësh dhe neni i besimit që ata shpresojnë se peshkopi nuk do t’ua kërkojë ta recitojnë. Sidoqoftë, shumë nga ju kuptojnë gjithashtu se neni i trembëdhjetë i besimit është shumë më tepër.

Neni i trembëdhjetë i besimit është udhëheqje për një jetesë të drejtë e të krishterë. Përfytyroni për një çast se si do të ishte bota, po të zgjidhte çdokush të jetonte me mësimet që gjenden në nenin e trembëdhjetë të besimit: “Ne besojmë në qenien të ndershëm, të vërtetë, të dëlirë, mirëdashës, të virtytshëm dhe në bërjen mirë të gjithë njerëzve; në të vërtetë, ne mund të themi se ndjekim këshillën e Palit – Ne besojmë të gjitha gjërat, ne shpresojmë të gjitha gjërat, ne i kemi duruar të gjitha gjërat dhe shpresojmë të jemi në gjendje t’i durojmë të gjitha gjërat. Në qoftë se ka diçka të virtytshme, të dashur ose me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar, ne i kërkojmë këto gjëra.”

Në të parin fjalim konference të përgjithshme në një paradite të së dielës që Presidenti Tomas S. Monson dha si profet, ai citoi këshillën e Palit gjendur te Filipianët 4:8, e cila ka frymëzuar shumë nga parimet e nenit të trembëdhjetë të besimit. Presidenti Monson pohoi kohët e vështira në të cilat jetojmë dhe dha inkurajim. Ai tha: “Në këtë udhëtim, ndonjëherë të pasigurt, përgjatë vdekshmërisë, ndjekshim … gjithashtu atë këshillë nga Apostulli Pal, e cila do të na ndihmojë të qëndrojmë të sigurt dhe në shteg”1.

Sonte dëshiroj të përqendrohem në dy parime, të lidhura ngushtë, të nenit të trembëdhjetë të besimit, që padyshim ndihmojnë “të qëndrojmë të sigurt dhe në shteg”. Kam një dëshmi të fuqishme e një zotim ndaj parimeve të rëndësishme të të qenit të ndershëm e të qenit të vërtetë.

Së pari, “[Unë besoj] në qenien të ndershëm”. Çfarë do të thotë të jemi të ndershme? Broshura Të Vërtetë ndaj Besimit mëson: “Të jesh i ndershëm do të thotë të jesh kurdoherë i sinqertë, i çiltër dhe pa mashtrim”2. Është një urdhërim nga Perëndia të jesh e ndershme3, dhe “ndershmëria e plotë është e domosdoshme për shpëtimin tonë”4.

Presidenti Hauard W. Hanter na mësoi se ne duhet të kemi vullnetin të jemi rreptësisht të ndershme. Ai tha:

“Disa vite më parë, në hollet dhe hyrjet e ndërtesave tona kishtare kishte afishe që titulloheshin ‘Jini të Ndershëm me Veten’. Shumica e tyre lidhej me gjëra të vogla e të zakonshme të jetës. Pikërisht me këto gjëra kultivohet parimi i ndershmërisë.

Ka disa që do të pranojnë se është moralisht e gabuar të jesh i pandershëm në gjëra të mëdha, sidoqoftë, besojnë se kjo është e falshme nëse ato gjëra janë me rëndësi të pakët. A ka vërtet ndonjë ndryshim mes pandershmërisë që përfshin një mijë dollarë dhe asaj që përfshin vetëm dhjetë qindarka? … A ka vërtet shkallë të pandershmërisë që të varet nga madhësia apo vogëlsia e çështjes?”

Presidenti Hanter vazhdon: “Nëse ne do të kemi shoqërinë e Mjeshtrit dhe Shpirtin e Frymës së Shenjtë, duhet të jemi të ndershëm me veten, të ndershëm me Perëndinë dhe me njeriun. Kjo rezulton me gëzimin e vërtetë.”5

Kur jemi të ndershme në të gjitha gjërat, të mëdha e të vogla, ne përjetojmë paqe të mendjes dhe një ndërgjegje të kthjellët. Marrëdhëniet tona pasurohen, ngaqë ato bazohen në mirëbesim. Dhe bekimi më i madh që vjen nga ndershmëria, është të jemi në gjendje për të pasur shoqërinë e Frymës së Shenjtë.

Dëshiroj t’ju tregoj një histori të thjeshtë që e ka forcuar zotimin tim për ndershmëri në gjithçka:

“Një burrë … u nis një mbrëmje të vidhte misër nga fusha e një fqinji. Mori me vete djalin e tij të vogël për ta ulur mbi gardh e të bënte rojë, në mënyrë që të paralajmëronte në rast se kalonte ndokush. Burri kërceu mbi gardh me një thes të madh në krah dhe, para se të fillonte të merrte misrin, shikoi gjithkund përreth, në fillim në njërin drejtim e pastaj në tjetrin dhe, duke mos parë asnjë njeri, u bë gati të mbushte thesin. … [Djali atëherë thirri]:

‘Baba, ka një drejtim ku s’ke parë ende! … Harrove të shohësh lart.’”6

Kur tundohemi të jemi të pandershme, dhe ky tundim vjen tek të gjitha ne, mund të pandehim se asnjë nuk do ta dijë ndonjëherë. Kjo histori na kujton që Ati ynë Qiellor di përherë dhe, në fund të fundit, ne jemi përgjegjës tek Ai. Kjo dijeni më ndihmon që vazhdimisht të përpiqem të jetoj drejt këtij zotimi: “[Unë besoj] në qenien të ndershëm”.

Parimi i dytë që mësohet në nenin e trembëdhjetë të besimit, është: “[Unë besoj] në qenien të vërtetë”. Fjalori e përkufizon fjalën vërtetë (i,e) si “t’i përmbahesh fort fjalës”, “besnik gjer në fund”, “i saktë” ose “ashtu siç është”.7

Një nga librat e mi të parapëlqyer është klasikja britanike Xhejn Ejr, e shkruar nga Sharlotë Bronte dhe e botuar më 1847. Personazhi kryesor, Xhejn Ejri, është një jetime adoleshente, pa një lek, e cila ilustron se ç’do të thotë të jesh e vërtetë. Në këtë tregim imagjinar, një burrë, Z. Roçester, dashuron Znjsh. Ejr, por nuk është në gjendje të martohet me të. Në vend të kësaj, ai i lutet Znjsh. Ejr që të jetojë me të pa përfituar martesë. Znjsh. Ejr po ashtu dashuron Z. Roçester dhe, për një çast është e tunduar, duke thënë me vete: “Kë, vallë, e ha meraku per ty ose kush do të dëmtohet nga ajo që bën ti?”

Shpejt, ndërgjegjja e Xhejnit përgjigjet: “Merakosem unë vetë. Sa më vetmitare, më pa miq, më e pambështetur të jem, aq më shumë do ta respektoj veten. Do të zbatoj ligjin e dhënë nga Perëndia; … Ligjet dhe parimet nuk janë për kohët kur nuk ka tundim: janë për çaste të tilla si ky … Po t’i thyeja ato kurdoherë që më volit, cila do të ishte vlera e tyre? Ato kanë një vlerë – kështu kam besuar gjithnjë … Opinionet e paraformuara, vendimet e marra që më parë, janë gjithçka që kam unë për të qëndruar në këtë orë: në to do t’i ngulis këmbët.”8

Në një çast të dëshpëruar tundimi, Xhejn Ejr qe e vërtetë ndaj gjërave që besonte, e vuri besimin tek ligji i dhënë nga Perëndia dhe i nguliti këmbët në qëndresë ndaj tundimit.

Duke qenë të vërteta në ato që besojmë – edhe kur ky veprim nuk është i përhapur, i lehtë apo dëfryes – neve na mban në mënyrë të sigurt në shtegun që shpie tek jeta e përjetshme me Atin tonë Qiellor. Më pëlqen shumë kjo pikturë e vizatuar nga një e re për t’i kujtuar dëshirën e saj që të provojë gëzimin e të jetuarit përgjithnjë me Atin Qiellor.

smiley face

Duke qenë të vërteta, neve na lejon gjithashtu të kemi një ndikim pozitiv mbi jetën e të tjerëve. Para pak kohe dëgjova këtë histori frymëzuese për një të re e cila, nëpërmjet zotimit të saj për të qenë e vërtetë në ato që beson, pati një ndikim të madh mbi jetën e një të reje tjetër.

Disa vite më parë Kristi dhe Xheni ishin në të njëjtën klasë kori të shkollës së mesme, në Hurst të Teksasit. Megjithëse ato nuk e njihnin mirë njëra-tjetrën, Xhenit një ditë i zuri veshi se Kristi fliste me shoqërinë e saj rreth fesë, disa besimeve të tyre e historive Biblike që parapëlqenin. Kohët e fundit, mbasi kishte rivendosur lidhje me Kristin, Xheni tregoi këtë ndodhi:

“Unë ndieja trishtim që nuk dija asgjë për çfarë flisje ti dhe shoqëria jote dhe, prandaj, për Krishtlindje u kërkova prindërve një Bibël. E mora Biblën dhe fillova ta lexoja. Kjo nisi udhëtimin tim të besimit fetar dhe të kërkimit për Kishën e vërtetë. … Kaluan dymbëdhjetë vjet. Gjatë asaj kohe vizitoja disa kisha dhe merrja pjesë në kishë rregullisht, por ende e ndieja se kishte diçka më shumë. Një natë u ula në gjunjë dhe u luta që të dija se çfarë të bëja. Atë natë pashë një ëndërr lidhur me ty, Kristi. Nuk të kisha parë qëkurse përfunduam shkollën e mesme. Mendova se ëndrra ishte e çuditshme, por jo se kishte ndonjë domethënie. Të pashë përsëri në ëndërr për tre netët në vazhdim. Kalova kohë duke menduar për kuptimin e ëndrrave të mia. M’u kujtua që ti ishe mormone. Kontrollova këndin mormon në internet. Gjëja e parë që gjeta ishte Fjala e Urtësisë. Nëna ime kishte ndërruar jetë dy vite më parë nga kanceri i mushkërisë. Ajo kish qenë duhanpirëse dhe leximi lidhur me Fjalën e Urtësisë pati për mua një domethënie të jashtëzakonshme. Më vonë shkova nga shtëpia e tim eti. Isha ulur në dhomën e tij të ndenjjes dhe nisa të lutesha. Kërkova të dija se ku të shkoja e çfarë të bëja. Në atë çast në televizor doli një reklamë për Kishën. Mora shënim numrin dhe telefonova po atë natë. Tre ditë më pas misionarët më telefonuan, duke pyetur nëse mund të më dërgonin në shtëpi një kopje të Librit të Mormonit. Unë thashë: ‘Po’. U pagëzova tre muaj e gjysmë më vonë. Dy vite më pas u njoha në kishë me bashkëshortin tim. Ne u martuam në Tempullin e Dallasit. Tashmë jemi prindër të dy fëmijëve të vegjël të bukur.

Desha të të falenderoj ty, Kristi. Ti shfaqje një shembull aq të mahnitshëm gjatë gjithë shkollës së mesme. Ishe dashamirëse dhe e virtytshme. Misionarët më zhvilluan mësimet e më ftuan të pagëzohesha, por ti ishe për mua misionarja e tretë. Ti mbolle një farë nëpërmjet veprimeve të tua dhe vërtet e ke bërë më të mirë jetën time. Unë kam tani një familje të përjetshme. Fëmijët e mi do të rriten me dijen e plotësisë së ungjillit. Është bekimi më i madh që mund t’i jepet kujtdo prej nesh. Ti ndihmove për ta sjellë atë në jetën time.”

Kur mora kontakt me të, Kristi më tregoi: “Ndonjëherë mendoj se ne dëgjojmë listën e cilësive që ravijëzon neni i trembëdhjetë i besimit, dhe ndihemi si të mposhtur. Megjithatë, unë e di që, kur i jetojmë këto standarde dhe përpiqemi të ndjekim shembullin e Krishtit, ne mund të sjellim një ndryshim. … Ndihem thuajse si Amoni tek Alma 26:3, kur ai thotë: ‘Dhe ky është bekimi që na është dhënë: që ne u bëmë mjete në duart e Perëndisë për të plotësuar këtë punë të madhe’.”

Lutja ime është që secila prej jush jo vetëm që do të shprehë “Unë besoj në qenien të ndershëm dhe të vërtetë”, por gjithashtu të zotohet për ta jetuar atë premtim çdo ditë e në të gjitha ditët. Lutem që, kur bëni këtë gjë, fuqia, dashuria dhe bekimet e Atit Qiellor t’ju mbështesin teksa bëni punën për të cilën çdonjëra prej jush u dërgua këtu. I them këto gjëra në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Presidenti Tomas S. Monson, “Shohim pas dhe ecim përpara”, Liahona, maj 2008, f. 90.

  2. Të Vërtetë ndaj Besimit (2005), f. 104.

  3. Shih Eksodi 20:15–16.

  4. Parimet e Ungjillit, (2009), f. 187.

  5. Howard W. Hunter, “Basic Concepts of Honesty”, New Era, shkurt 1978, f. 4, 5.

  6. William J. Scott, “Forgot to Look Up”, Scott’s Monthly Magazine, dhjetor 1867, f. 953

  7. Shih Merriam-Webster’s Collegiate Dictionary, bot. 11-të (2003), fjala “true.”

  8. Charlotte Brontë, Jane Eyre (2003), f. 356.