2011
Duke Gjetur Gëzim përmes Shërbimit Të Përzemërt
Maj 2011


Duke Gjetur Gëzim përmes Shërbimit Të Përzemërt

E tregofshim ne dashurinë dhe mirënjohjen për sakrificën shlyese të Shpëtimtarit përmes veprave të thjeshta e të dhembshura të shërbimit.

Elder M. Russell Ballard

Vëllezër dhe motra, unë shpresoj që ata prej jush që po vizitojnë Solt Lejkun do të gjejnë mundësinë për të shijuar ngjyrat dhe aromat e luleve të bukura të pranverës në sheshin e Tempullit.

Pranvera sjell një përtëritje të dritës dhe jetës – duke na kujtuar edhe një herë, përmes ciklit të stinëve, për jetën, sakrificën dhe ringjalljen e Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit; pasi “të gjitha gjërat japin dëshmi për [Të]” (Moisiu 6:63).

Përballë kësaj tabloje të mrekullueshme të pranverës dhe simbolikës së saj të shpresës, është një botë pasigurie, ndërlikimesh dhe pështjellimi. Kërkesat e jetës së përditshme – arsimimi, puna, rritja e fëmijëve, drejtimi dhe thirrjet e kishës, aktivitetet tokësore e madje edhe dhembja e keqardhja e sëmundjes apo tragjedisë së papritur – mund të na e sosin durimin. Si mund ta çlirojmë veten nga kjo rrjetë e koklavitur e pasigurive dhe sfidave të jetës?

Shpesh herë ne jemi si tregtari i ri nga Bostoni, i cili në 1849-tën, siç tregohet, u përfshi nga entuziazmi i etheve të arit në Kaliforni. Ai shiti të gjitha pronat e tij që të kërkonte pasurinë në lumenjtë e Kalifornisë, të cilët, thuhej se ishin të mbushur me copa aq të mëdha ari saqë ishte e vështirë t’i mbartje.

Ditë pas dite pa pushim, djaloshi i ri zhyti pjatën e tij metalike në lumë dhe u kthye duarbosh. Shpërblimi i tij i vetëm ishte një pirg gurësh në rritje i dëshpëruar dhe trokë, ai qe gati të hiqte dorë gjersa një ditë, një arkërkues i moshuar e me përvojë i tha atij: “Ke një pirg goxha të madh gurësh atje, djaloshi im”.

Djali i ri iu përgjigj: “Nuk ka ar këtu”. Do të kthehem në shtëpi”.

Duke ecur mbi pirgun e gurëve, arkërkuesi i tha: “Oh, këtu ka ar që ç’ke me të. Ti thjesht duhet të dish se ku ta gjesh atë. Ai mori dy prej gurëve në duart e tij dhe i përplasi me njëri-tjetrin. Një prej gurëve u ça duke zbuluar disa grimca ari që shkëlqenin në dritën e diellit.

Pasi dalloi një qeskë të fryrë lëkure të lidhur në belin e arkërkuesit, djaloshi tha: “Unë po kërkoj copa të mëdha si ato në qeskën tënde, jo thjesht grimca të vogla”.

Arkërkuesi i vjetër e zgjati qesken e ti drejt djaloshit i cili hodhi një sy brenda duke pritur të shihte copa të mëdha ari. Ai u shtang kur pa se qeska ishte e mbushur me mijëra grimca të vogla ari.

Arkërkuesi i vjetër tha: “Bir, mua më duket se ti je kaq i zënë duke kërkuar për copa të mëdha, saqë po humbet së mbushuri qeskën tënde me këto grimca të çmuara ari. Grumbullimi i duruar i këtyre grimcave të vogla mua më ka sjellë pasuri të madhe”.

Kjo histori ilustron të vërtetën shpirtërore që Alma i mësoi birit të tij Helamanit:

“Nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen. …

… dhe me mjete fare të vogla Zoti … realizon shpëtimin e shumë shpirtrave” (Alma 37:6–7).

Vëllezër dhe motra, ungjilli i Jezu Krishtit është i thjeshtë, pavarësisht se sa përpiqemi ne ta bëjmë të ndërlikuar. Ne duhet të orvatemi t’i mbajmë jetët tona të thjeshta njëlloj, të parënduara nga ndikime të huaja, të bazuara në ato gjëra që kanë më shumë rëndësi.

Cilat janë gjërat e thjeshta e të çmuara të ungjillit që sjellin qartësi dhe qëllim në jetët tona? Cilat janë ato grimca të vogla të arit të ungjillit, grumbullimi i duruar i të cilave gjatë kursit të jetës sonë do të na shpërblejnë me thesarin final – dhuratën, jetën e përjetshme?

Unë besoj se është një parim i thjeshtë, por i thellë – madje madhështor – që rrethon tërësinë e ungjillit të Jezu Krishtit. Nëse ne e përqafojmë me gjithë zemër dhe e bëjmë këtë parim qëllimin dhe qendrën e jetëve tona, ai do të na pastrojë dhe do të na shenjtërojë, në mënyrë që të mund të jetojmë përsëri në prani të Perëndisë.

Shpëtimtari e shprehu parimin e tij kur Ai iu përgjigj një fariseu i cili e pyeti: “Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?”

Dhe Jezusi i tha: ‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.

Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.’” (Mateu 22:36–40).

Vetëm kur ne duam Perëndinë dhe Krishtin me gjithë zemrat, shpirtrat dhe mendjet tona, ne jemi të aftë ta ndajmë këtë dashuri me fqinjët tanë nëpërmjet veprave të mirësisë dhe shërbimit – në mënyrën si Shpëtimtari do të na deshte e do të na shërbente të gjithëve ne, nëse Ai do të ishte midis nesh sot.

Kur kjo dashuri e pastër e Krishtit – ose dashuri hyjnore – na mbështjell, ne mendojmë, ndiejmë dhe veprojmë më shumë siç do të mendonin, ndienin dhe vepronin Ati ynë Qiellor dhe Jezusi. Nxitja dhe dëshira e zemrave tona janë njësoj si të Shpëtimtarit. Ai e ndau këtë dëshirë me apostujt e Tij një ditë përpara kryqëzimit të Tij. Ai tha:

“Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur …

Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13:34–35).

Dashuria që përshkroi Shpëtimtari është një dashuri vepruese. Ajo nuk tregohet nëpërmjet akteve të mëdha dhe heroike, por nëpërmjet veprimeve të thjeshta të mirësisë dhe shërbimit.

Ka një shumëllojshmëri mënyrash dhe rrethanash në të cilat ne mund të shërbejmë dhe t’i duam të tjerët. Më lejoni t’ju sugjeroj disa.

Së pari, dashuria hyjnore fillon në shtëpi. Parimi i vetëm më i rëndësishëm që duhet të sundojë shtëpinë e çdo të Krishteri, është të zbatojë Rregullin e Artë – porosinë e Zotit që “Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre, sepse ky është ligji dhe profetët (Mateu 7:12). Merrni një moment dhe përfytyroni veten në vend të njeriut tuaj të dashur. Nëpërmjet shembullit tonë, le t’u mësojmë anëtarëve të familjes sonë që të kenë dashuri për njëri-tjetrin.

Një vend tjetër ku ne kemi mundësi të shërbejmë është në Kishë. Lagjet dhe degët tona duhet të jenë një vend ku Rregulli i Artë të drejtojë gjithmonë fjalët dhe veprimet tona karshi njëri-tjetrit. Duke e trajtuar njëri-tjetrin me mirësjellje, duke thënë fjalë mbështetëse dhe inkurajimi dhe duke qenë të ndjeshëm ndaj nevojave të njëri-tjetrit, ne mund të ndihmojmë për të krijuar unitet dashurie midis anëtarëve të lagjes. Aty ku ekziston dashuria hyjnore, nuk ka vend për thashetheme dhe fjalë të pasjellshme.

Anëtarët e lagjes, të rriturit dhe rinia njëkohësisht, mund të bashkohen në shërbim domethënës për të bekuar jetët e të tjerëve. Vetëm dy javë më parë, presidenti i zonës veriperëndimore të Amerikës së Jugut, Plaku Markus B. Nesh i Të Shtatëdhjetëve, raportoi se duke u caktuar “të fortin në shpirt atyre që janë të dobët”, ata po shpëtojnë qindra të rritur e të rinj më pak aktivë. Përmes dashurisë dhe shërbimit, “një nga një”, ata po kthehen sërish. Këto vepra mirësie, jo vetëm që ndihmojnë njerëzit në nevojë, por gjithashtu krijojnë një lidhje të fortë e të qëndrueshme mes secilit që është përfshirë – si ndihmuesit edhe të ndihmuarit. Kaq shumë kujtime të çmuara janë përqendruar rreth shërbimit.

Kur mendoj rreth viteve të shumta të shërbesës sime në Kishë, disa nga kujtimet e mia më të thella, janë kohët kur u bashkova me anëtarët e tjerë të lagjes për të ndihmuar dikë.

Për shembull, më kujtohet kur punoja si peshkop në krah të disa anëtarëve të lagjes sime, ndërsa ne pastronim gropën e silazhit në fermën e përkrahjes sociale të kunjit. Kjo nuk ishte një detyrë e këndshme! Një vëlla më pak aktiv në grupin tonë të punës, që nuk kishte qenë në kishë për shumë vite, u ftua të na bashkohej. Për shkak të dashurisë dhe vëllazërisë, ai u hodh me ne në gropën me erë të keqe të silazhit. Ai u kthye më pas në kishë dhe u vulos më vonë në tempull me gruan dhe fëmijët e tij. Miqësia jonë nëpërmjet shërbimit ka bekuar fëmijët, nipërit dhe tani edhe stërnipërit e tij. Shumë prej tyre kanë shërbyer në misione, janë martuar në tempull dhe po rrisin familje të përjetshme – një punë e shkëlqyer e shkaktuar nga një veprim i thjeshtë, një grimce të vogël ari.

Një vend i tretë ku ne mund të shërbejmë, është në komunitetet tona. Si një shprehje e pastër të dashurisë dhe merakut tonë, ne mund të zgjatemi drejt atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë. Shumë nga ju kanë veshur një bluzë “Duar Ndihmëtare” dhe kanë punuar pa u lodhur për të lehtësuar vuajtjen dhe për të përmirësuar. Të rinjtë e rritur në Kunjih Sendai të Japonisë kanë dhënë shërbim të paçmueshëm në kërkimet për anëtarët si pasojë e tërmetit dhe cunamit shkatërrues në atë pjesë të Japonisë. Ka mundësi të panumërta për të shërbyer.

Nëpërmjet mirësisë dhe shërbimit tonë të përzemërt, ne bëhemi miq të atyre që u shërbejmë. Nga këto miqësi vjen një kuptim më i mirë i devotshmërisë sonë ndaj ungjillit dhe një dëshirë për të mësuar më shumë rreth nesh.

Miku im i mirë, Plaku Jozef B. Uirthlin, foli rreth fuqisë së këtij parimi kur tha: “Mirësia është thelbi i madhështisë. … Është] një pasaportë që hap dyert dhe krijon miq. Ajo zbut zemrat dhe brumos marrëdhënie që mund të zgjasin gjithë jetën” (“Virtyti i Mirësisë,” Liahona, Maj 2005, 26).

Një mënyrë tjetër sesi mund t’u shërbejmë fëmijëve të Atit tonë Qiellor, është nëpërmjet shërbimit misionar – jo vetëm si misionarë kohëplotë, por edhe si miq dhe fqinj. Rritja e Kishës në të ardhmen nuk do të ndodhë thjesht duke trokitur mbi dyert e të panjohurve. Ajo do të ndodhë kur anëtarët, së bashku me misionarët, të mbushur me dashurinë e Perëndisë dhe Krishtit, të dallojnë nevojat dhe t’u përgjigjen këtyre nevojave në shpirtin e shërbimit bamirës.

Kur ne e bëjmë këtë, vëllezër dhe motra, të ndershmit në zemër do ta ndiejnë sinqeritetin dhe dashurinë tonë. Shumë njerëz do të dëshirojnë të dinë më shumë rreth nesh. Atëherë dhe vetëm atëherë, Kisha do të zgjerohet dukshëm dhe do të mbushë tokën. Kjo nuk mund të arrihet vetëm nga misionarët, por duhet edhe interesimi dhe shërbimi i çdo anëtari.

Në të gjithë shërbimin tonë ne duhet të jemi të ndjeshëm ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë. Zëri i qetë e i vogël do të na lejojë të dimë se kush ka nevojë për ndihmën tonë dhe mënyrën sesi mund t’i ndihmojmë ata.

Presidenti Spenser W. Kimbëll tha: “Është thelbësore që ne t’i shërbejmë njëri-tjetrit në mbretëri. Kaq shpesh veprat tona të shërbimit përbëhen nga inkurajimi i thjeshtë ose të dhënit … ndihmë me punë të zakonshme, por çfarë pasojash të lavdishme mund të vijnë … nga vepra të vogla, por të qëllimshme!” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Spencer W. Kimball [2006], 82).

Dhe Presidenti Tomas S. Monson ka këshilluar:

Nevojat e të tjerëve janë gjithmonë të pranishme dhe secili prej nesh mund të bëjë diçka për të ndihmuar dikë.

… Nëse nuk e humbasim veten tonë në shërbimin ndaj të tjerëve, jetët tona s’kanë kuptim” (“Çfarë Kam Bërë Për Dikë Sot?” Liahona, nëntor. 2009, 85).

Vëllezër dhe motra, më lejoni të ritheksoj që cilësia më e rëndësishme e Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij të Dashur që ne duhet të dëshirojmë e të kërkojmë ta kemi brenda vetes, është dhurata e dashurisë hyjnore, “dashurisë së pastër të Krishtit” (Moroni 7:47) Nga kjo dhuratë zhvillohet aftësia jonë për të dashur dhe për t’u shërbyer të tjerëve ashtu siç bëri Shpëtimtari.

Porfeti Mormon na mësoi neve rëndësinë e madhe të kësaj dhurate dhe na tregoi sesi mund ta marrim atë. “Prandaj, vëllezër të mi të dashur, lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht; që ju të mund të bëheni bijtë e Perëndisë; që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai, pasi ne do ta shohim atë ashtu sikurse është; që të mund të kemi këtë shpresë; që ne të mund të pastrohemi, madje ashtu si ai është i pastër” (Moroni 7:48).

Gjëra të mëdha bëhen përmes gjërave të vogla e të thjeshta. Njësoj si grimcat e vogla të arit që grumbullohen me kohën në një thesar të madh, veprat tona të vogla e të thjeshta të mirësisë dhe shërbimit do të mblidhen në një jetë mbushur me dashuri për Atin tonë Qiellor, përkushtim ndaj punës së Zotit Jezu Krisht dhe një ndjesi paqeje dhe gëzimi çdo herë që ne zgjasim duart për të dashur njëri-tjetrin.

Ndërsa i afrohemi stinës së Pashkës le të shfaqim dashurinë dhe vlerësimin tonë për sakrificën shlyese të Shpëtimtarit përmes veprimeve të vogla e të dhembshura ndaj vëllezërve dhe motrave në shtëpi, në kishë dhe në komunitetet tona, unë lutem në emër të Jezu Krishtit, amen. Për këtë unë dëshmoj përulësisht në emrin e Jezu Krishtit, amen.