Udhëheqës të Kishës Festojnë Sistemin për Mirëqenie, Shpallin Tempuj
Më shumë se 100.000 njerëz morën pjesë në pesë sesione të Konferencës së Përgjithshme Vjetore të 181-të të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Qendrën e Konferencave në Solt-Lejk-Siti të Jutas në SHBA, ndërsa miliona të tjerë shihnin ose dëgjonin nëpërmjet TV, radios, satelitit dhe transmetimeve me internet.
Anëtarët përreth botës e ndoqën konferencën në 93 gjuhë. Audio, video dhe tekste të transmetimit janë tashmë online në shumë gjuhë në conference.lds.org dhe do të jenë të disponueshme në DVD dhe CD.
Presidenti Tomas S. Monson e hapi konferencën duke njoftuar vendndodhjet e tre tempujve të rinj – Fort-Kollins në Kolorado, SHBA; Meridian në Ajdaho, SHBA dhe Uinipeg në Manitoba, Kanada – që do ta çojnë numrin e tempujve të shpallur apo në ndërtim në 26. Aktualisht, 134 tempuj janë në funksionim.
Presidenti Monson gjithashtu, theksoi rëndësinë e punës misionare, duke thënë: “Puna misionare është lëngu jetësor i mbretërisë”. Rreth 52.000 misionarë aktualisht shërbejnë në 340 misione nëpër botë.
Të shtunën në mbrëmje, 10 Autoritete të Përgjithshme dhe 41 Të Shtatëdhjetë Zonalë u mbështetën, ndërsa 34 Të Shtatëdhjetë Zonalë u liruan. Përveç këtyre, Plaku Don R. Klark i Kuorumit të Dytë të Të Shtatëdhjetëve u thirr për të shërbyer në Kuorumin e Parë të Të Shtatëdhjetëve. Raporti Statistikor i vitit 2010 tregonte se anëtarësia e Kishës tani është mbi 14 milionë.
Një numër bisedash të dhëna gjatë konferencës dyditore u përqendruan në temën e sistemit të mirëqenies së Kishës dhe të programit të pashoq të Kishës për mirëqenien – duke festuar vitin e 75-të të tij në 2011-ën.
Të shtunën, Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, shpalli se për të përkujtuar përvjetorin e 75-të të programit për mirëqenie, anëtarët kudo në botë janë të ftuar të marrin pjesë në një ditë aktiviteti shërbimi. Dita e shërbimit duhet të kryhet në nivel lagjeje ose kunji dikur gjatë vitit. Udhëheqësit lokalë duhet të vendosin hollësitë për çdo projekt dhe anëtarët nxiten që të ftojnë të tjerë për të marrë pjesë kur është e përshtatshme.
Presidenti Monson i mbylli punimet e konferencës me dëshminë e Pashkëve për Krishtin: “Në çastin e fundit, [Jezu Krishti] mund të kthehej pas. Por nuk ktheu. Ai kaloi nën të gjitha gjërat, që të mund t’i shpëtonte të gjitha gjërat. Duke vepruar ashtu, Ai na dha jetë përtej kësaj ekzistence tokësore.”