2011
Thelbi i të Qenit Dishepull
Maj 2011


Thelbi i të Qenit Dishepull

Kur dashuria bëhet parimi udhëheqës në kujdesin tonë për të tjerët, shërbimi ynë për ta bëhet ungjilli në veprim.

Silvia H. Allred

Që nga fillimi i kohës, Zoti ka dhënë mësim se, që të bëhemi populli i Tij, ne duhet të jemi të një zemre dhe të një mendjeje1. Shpëtimtari shpjegoi gjithashtu se dy urdhërimet e mëdha në ligj janë: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe më gjithë mendjen tënde” dhe “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”2. Së fundi, shpejt pasi u organizua Kisha, Zoti i urdhëroi shenjtorët: “Të vizitoni të varfërit e nevojtarët dhe të administroni në ndihmë të tyre”3.

Cila është tema e përbashkët në të gjitha këto urdhërime? Ajo është që ne duhet ta duam njëri-tjetrin dhe t’i shërbejmë njëri-tjetrit. Ky është, në fakt, thelbi i të qenit dishepull në Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit.

Ndërsa festojmë 75-vjetorin e programit të Kishës për mirëqenie, ne sjellim ndër mend qëllimet e mirëqenies, që janë të ndihmohen anëtarët që të ndihmojnë veten, për t’u bërë të mbështetur tek vetja, të bëhet kujdes për të varfërit e nevojtarët dhe të jepet shërbim. Kisha i ka organizuar burimet e veta për të ndihmuar anëtarët që të sigurojnë për mirëqenien e tyre fizike, shpirtërore, shoqërore dhe emocionale, të familjeve të tyre dhe të të tjerëve. Posti i peshkopit mbart një detyrë të veçantë që të kujdeset për të varfërit e nevojtarët dhe të administrojë burime të tilla për anëtarët në lagjen e tij. Ai ndihmohet në përpjekjet e tij nga kuorumet e priftërisë, Shoqata e Ndihmës dhe, në veçanti, nga mësuesit e shtëpisë dhe mësueset vizitore.

Shoqata e Ndihmës ka qenë gjithmonë në zemër të [programit për] mirëqenie. Kur Profeti Jozef Smith organizoi Shoqatën e Ndihmës në vitin 1842, ai u tha grave: “Ky është fillimi i ditëve më të mira për të varfërit dhe nevojtarët”4. Ai u tha motrave se qëllimi i shoqatës ishte “ndihma për të varfërit, të mjerët, të vejat e jetimët dhe ushtrimi i të gjithë qëllimeve mirëdashëse. … Ato do t’u hidhnin vaj e verë zemrës së plagosur të të hidhëruarit, ato do të thanin lotët e jetimit dhe do ta bënin të gëzonte zemrën e së vesë.”5

Ai deklaroi gjithashtu se shoqata “mund t’i nxiste vëllezërit të bënin punë të mira duke u kujdesur për nevojat e të varfërve – duke kërkuar ata që kanë nevojë për dashuri hyjnore dhe duke siguruar për nevojat e tyre – për të ndihmuar duke korrigjuar moralin e duke forcuar virtytet e komunitetit”6.

Burrat dhe gratë e Kishës marrin pjesë së bashku sot për t’u sjellë ndihmë atyre në nevojë. Mbajtësit e priftërisë sigurojnë mbështetje thelbësore për ata që kanë nevojë për udhëheqje shpirtërore dhe ndihmë. Mësues shtëpie të frymëzuar bekojnë jetë dhe sigurojnë bekimet e ungjillit për çdo njësi familjare. Përveç kësaj, ata ndajnë me të tjerët forcën e talentet e tyre në mënyra të tjera të tilla si ndihma e një familjeje në nevojë për riparime shtëpie, ndihma për t’u mbartur një familje, ose ndihma për një vëlla që të gjejë punësimin e nevojshëm.

Presidentet e Shoqatës së Ndihmës vizitojnë shtëpi për të vlerësuar nevoja në emër të peshkopit. Mësuese vizitore të frymëzuara vëzhgojnë dhe kujdesen për motrat dhe familjet. Shpesh ato janë përgjigjja e parë në kohë nevoje të menjëhershme. Motrat e Shoqatës së Ndihmës sigurojnë vakte ushqimore, japin shërbim të dhembshur dhe mbështetje të vazhdueshme në kohë sprove.

Anëtarët e Kishës në mbarë botën kanë gëzuar në të kaluarën dhe duhet të gëzojnë tani për mundësitë që kemi që t’u shërbejmë të tjerëve. Përpjekjet tona të ndërthurura u sjellin ndihmë atyre që janë të varfër, të uritur, në vuajtje, ose të hidhëruar, duke shpëtuar kështu shpirtra.

Çdo peshkop ka të disponueshme për të shtëpinë e ruajtjes së Zotit, që krijohet ndërsa “anëtarë besnikë i japin peshkopit nga koha, talentet, aftësitë, dhembshuria, materialet dhe mjetet financiare të tyre, në kujdesjen për të varfërin dhe në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë në tokë”7. Ne të gjithë mund të kontribuojmë në shtëpinë e ruajtjes së Zotit kur paguajmë ofertat tona të agjërimit dhe ia vëmë në dispozicion peshkopit të gjitha burimet tona për të ndihmuar ata në nevojë.

Me gjithë botën në ndryshim të shpejtë, parimet e mirëqenies nuk kanë ndryshuar me kalimin e kohës, sepse ato janë e vërtetë e frymëzuar dhe e zbuluar hyjnisht. Kur anëtarët e Kishës dhe familjet e tyre bëjnë gjithçka që munden për të mbështetur veten dhe përsëri nuk munden të plotësojnë nevojat minimale, Kisha qëndron gati për ndihmë. Nevojat afatshkurtra plotësohen menjëherë dhe hartohet një plan për të ndihmuar nevojtarin të bëhet i mbështetur tek vetja. Mbështetja tek vetja është aftësia për të siguruar nevojat shpirtërore dhe materiale të jetës për vete dhe familjen.

Ndërsa rrisim nivelin tonë të mbështetjes tek vetja, ne rrisim aftësinë tonë për të ndihmuar e për t’u shërbyer të tjerëve në mënyrën si e bëri Shpëtimtari. Ne ndjekim shembullin e Shpëtimtarit kur u shërbejmë nevojtarit, të sëmurit dhe të vuajturit. Kur dashuria bëhet parimi udhëheqës në kujdesin tonë për të tjerët, shërbimi ynë për ta bëhet ungjilli në veprim. Është ungjilli në çastin më të përsosur. Është feja e pastër.

Në detyrat e mia të ndryshme në Kishë, jam ndier e përulur nga dashuria dhe interesimi që peshkopët dhe udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës shfaqin për grigjat e tyre. Ndërsa po shërbeja si presidente e Shoqatës së Ndihmës e kunjit në Kili, në fillim të viteve 1980, vendi po përjetonte një krizë të thellë dhe shkalla e papunësisë ishte 30 përqind. Unë dëshmova se si presidente heroike të Shoqatës së Ndihmës dhe mësuese vizitore besnike shkuan “duke bërë mirë”8 në rrethana kaq të zymta. Ato përfaqësonin shkrimin e shenjtë tek Fjalët e Urta 31:20: “I shtrin dorën të varfërit dhe i jep dorën nevojtarit”.

Motra, familjet e të cilave kishin vetë shumë pak, po ndihmonin vazhdimisht ata që mendonin se kishin më shumë nevojë. Atëherë kuptova më qartë atë që pa Shpëtimtari kur deklaroi tek Lluka 21:3–4:

“Në të vërtetë po ju them se kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët.

Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre për shtëpinë e Perëndisë, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar.”

Disa vite më vonë dëshmova të njëjtën gjë si presidente e Shoqatës së Ndihmës në kunj në Argjentinë, kur superinflacioni goditi vendin dhe rrënimi ekonomik që vijoi, preku shumë prej anëtarëve tanë besnikë. E dëshmova atë sërish gjatë vizitave të mia të fundit në Kinshasa në Republikën Demokratike të Kongos; në Antananarivo në Madagaskar dhe në Bulauajo në Zimbabve. Anëtarë të kunjeve kudo, dhe motrat e Shoqatës së Ndihmës në veçanti, vazhdojnë të ndërtojnë besim, të forcojnë individët e familjet dhe të ndihmojnë ata në nevojë.

Është mahnitëse të mendosh se një motër ose vëlla i përulur, me një thirrje në Kishë, mund të shkojë në një shtëpi ku ka varfëri, hidhërim, sëmundje, ose shqetësim dhe të sjellë paqe, ndihmë dhe lumturi. Pavarësisht se ku është lagjja ose dega, ose sa i madh ose i vogël është grupi, çdo anëtar në mbarë botën e ka atë mundësi. Kjo ndodh çdo ditë dhe po ndodh diku në vetë këtë çast.

Karla është një nënë e re me dy fëmijë. Bashkëshorti i saj, Brenti, punon me orë të zgjatura dhe shpenzon nga një orë në vajtje e në ardhje të rrugës së tij për në punë. Pak pas lindjes së bijës së tyre të dytë, ajo tregoi përvojën në vijim: “Ditën pasi mora thirrjen për të shërbyer si këshilltare në Shoqatën e Ndihmës në lagjen time, fillova të ndihem e hutuar. Si do të mund të merrja përgjegjësinë për të ndihmuar në përkujdesjen për gratë në lagjen time kur po luftoja që thjesht të përmbushja rolin tim si bashkëshorte dhe nënë e një dyvjeçareje shumë aktive dhe të një foshnjeje të porsalindur? Tamam kur po mendoja për këto ndjenja, dyvjeçarja u sëmur. Nuk isha e sigurt se çfarë të bëja për të dhe të kujdesesha për foshnjën në të njëjtën kohë. Pikërisht atëherë, Motra Uasden, që është një nga mësueset e mia vizitore, papritmas erdhi në derë. Si nënë me fëmijë të rritur, ajo e dinte saktë se çfarë të bënte që të ndihmonte. Ajo më tha se çfarë duhej të bëja, ndërsa shkoi tek barnatorja që të merrte disa gjëra. Më vonë, ajo e organizoi që dikush ta merrte bashkëshortin tim tek stacioni i trenit, që ai të mund të vinte shpejt në shtëpi e të më ndihmonte. Përgjigjja e saj ndaj asaj që unë besoj se qe një nxitje nga Fryma e Shenjtë, bashkë me gatishmërinë e saj për të më shërbyer, ishin tamam sigurimi që më duhej nga Zoti, se Ai do të më ndihmonte për të përmbushur thirrjen time të re.”

Ati Qiellor na do dhe i di rrethanat dhe aftësitë tona unike. Edhe pse ne kërkojmë ndihmën e Tij nëpërmjet lutjes së përditshme, zakonisht është nëpërmjet një personi tjetër që Ai i plotëson nevojat tona.9

Zoti tha: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin”10.

Dashuria e pastër e Krishtit shprehet kur japim shërbim vetëmohues. Ndihma për njëri-tjetrin është një përvojë shenjtëruese, që lartëson marrësin dhe përul dhënësin. Ajo na ndihmon të bëhemi dishepuj të vërtetë të Krishtit.

Plani për mirëqenie ka qenë gjithmonë zbatimi i parimeve të përjetshme të ungjillit. Ai është vërtet të sigurosh sipas mënyrës së Zotit. Secili prej nesh e përtëriftë dëshirën për të qenë pjesë e shtëpisë së ruajtjes së Zotit për bekimin e të tjerëve.

Unë lutem që Zoti ta bekojë secilin prej nesh me një ndjesi më të madhe mëshire, dashurie hyjnore dhe dhembshurie. Unë përgjërohem për një rritje të dëshirës dhe aftësisë sonë për t’u shtrirë e për të ndihmuar më pak fatlumët, të shqetësuarit dhe ata që vuajnë; që nevojat e tyre të mund të plotësohen, që besimi i tyre të mund të forcohet dhe që zemrat e tyre të mund të mbushen me mirënjohje dhe dashuri.

Zoti e bekoftë secilin prej nesh kur ecim me bindje ndaj urdhërimeve të Tij, ungjillit të Tij dhe dritës së Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.