2011
Plaku Leri Y. Uillson
Maj 2011


Plaku Leri Y. Uillson

i Të Shtatëdhjetëve

Pamja
Elder Larry Y. Wilson

Drejtpeshimi i kërkesave të punës, Kishës dhe përgjegjësive familjare ka qenë një sfidë për Plakun Leri Jang Uillson, por ai ka siguruar që anëtarët e familjes të dinë se sa të rëndësishëm janë ata për të.

“Përvoja më formuese që kam pasur është të qenit bashkëshort dhe baba”, thotë Plaku Uillson. “Unë rrallë kam munguar në një pjesëmarrje të një fëmije në atletikë, muzikë apo ngjarje tjetër. Unë u lexoj atyre histori para fjetjes dhe bëjmë lutje me ta përpara se t’i fus në shtrat natën. Është aq e rëndësishme të jesh atje.”

Plaku Uillson i di mirë kërkesat që shtrohen para një personi që ka role udhëheqëse në të gjitha aspektet e jetës. Ai lindi në dhjetor 1949 në Solt-Lejk-Siti të Jutas në SHBA, nga prindërit Xhorxh dhe Ida Uillson dhe u rrit në Pokatelo të Ajdahos në SHBA. Ai mori një diplomë për letërsi angleze dhe amerikane nga Universiteti i Harvardit dhe më vonë gradën e masterit në administrim biznesi në Shkollën e të Diplomuarve të Stanfordit për Biznes (Stanford Graduate School of Business).

Plaku Uillson e ka kaluar karrierën e tij si konsulent dhe ekzekutiv në fushën e kujdesit shëndetësor. Megjithëse karriera e tij ishte kërkuese, Plaku Uillson u sigurua që ajo kurrë të mos vihej para jetës së tij.

“Ju duhet të vendosni kufij rreth jetës suaj në punë”, thotë ai. “Ndryshe, ajo do të gllabërojë gjithçka tjetër. Duke folur në terma praktike, fusha e kohës së punës, kishës dhe familjes duhet të kenë radhë që të respektohen. Lutuni që të drejtoheni dhe ju do të dini cila merr përparësi në një ditë të veçantë.”

Plaku Uillson shërbeu me zell si misionar në Misionin e Brazilit Qendror dhe si peshkop, president kunji dhe I Shtatëdhjetë Zone përpara se të thirrej në Kuorumin e Dytë të Të Shtatëdhjetëve.

Në ndihmë të Plakut Uillson për të gjetur atë drejtpeshim të rëndësishëm në të gjithë shërbimin e tij është bashkëshortja e tij, Linda Mek-Kei Uillson, me të cilën ai u martua më 10 korrik 1974, në Tempullin e Loganit në Juta. Uillsonët rritën katër fëmijë.

“Kurdo që largohesha për mbledhje të Kishës, ajo do të thoshte: ‘Mirupafshim, zemër. Shko t’i shërbesh Zotit’”, thotë Plaku Uillson. “Ajo u mësonte fëmijëve tanë kuptimin më të thellë të shërbimit tim. Shumë shpejt ata do të thoshin: ‘Mirupafshim, babi. Shko t’i shërbesh Zotit!’”