2011
Dëshirë
Maj 2011


Dëshirë

Për të arritur të ardhmen tonë të përjetshme ne do të dëshirojmë dhe punojmë për ato cilësi që kërkohen për t’u bërë një qenie e përjetshme.

Elder Dallin H. Oaks

Kam zgjedhur të flas rreth rëndësisë së dëshirës. Shpresoj që secili prej nesh do të hetojë zemrën e vet për të përcaktuar atë që dëshirojmë me të vërtetë dhe sesi i klasifikojmë dëshirat tona më të rëndësishme.

Dëshirat diktojnë përparësitë tona, përparësitë drejtojnë zgjedhjet tona dhe zgjedhjet përcaktojnë veprimet tona. Dëshirat sipas të cilave veprojmë, përcaktojnë se si po ndryshojmë, atë që po arrijmë dhe cilët po bëhemi.

Së pari, flas për disa dëshira të zakonshme. Si qenie të vdekshme, ne kemi disa nevoja fizike bazë. Dëshirat për të plotësuar këto nevoja na detyrojnë në zgjedhjet tona e përcaktojnë veprimet tona. Tre shembuj do na tregojnë sesi, ndonjëherë, këto dëshira i shtypim me dëshira të tjera që i konsiderojmë më të rëndësishme.

Së pari, ushqimi. Ne kemi një dëshirë bazë për ushqim, por për një farë kohe, kjo dëshirë mund të shtypet nga një dëshirë më e fortë për të agjëruar.

Së dyti, strehimi. Kur isha djalosh 12-vjeçar, i bëra ballë një dëshire për strehim për shkak të dëshirës sime më të madhe që të përmbushja një kërkesë të skautizmit, për ta kaluar natën në pyje. Unë isha një prej disa djemve që i lamë çadrat e rehatshme; dhe gjetëm një mënyrë për të ndërtuar një strehë e bërë një krevat primitiv prej materialeve që mundëm të gjenim në natyrë.

Së treti, gjumi. Edhe kjo dëshirë bazë mund të shtypet përkohësisht prej një dëshire edhe më të rëndësishme. Kur isha ushtar i ri në Rojet Kombëtare të Jutës, mësova një shembull të kësaj, prej një oficeri me përvojë lufte.

Në muajt e parë të Luftës së Koresë, një bateri artilerie fushe e Rojës Kombëtare të Jutës, Riçfilld, u thirr në shërbim aktiv. Kjo bateri, e komanduar nga Kapiteni Rei Koks, përbëhej prej rreth 40 ushtarësh mormon. Pas stërvitjes dhe përforcimit shtesë nga rezervistë prej gjetiu, ata u dërguan në Kore, ku përjetuan disa prej luftimeve më të egra të asaj lufte. Në një betejë, atyre iu desh të zmbrapsnin një sulm të drejtpërdrejtë nga qindra prej këmbësorisë armike, lloji i sulmit që vërshonte e shkatërronte bateri të tjera artilerie fushe.

Si ka të bëjë kjo me mposhtjen e dëshirës për gjumë? Gjatë një nate të rrezikshme, kur këmbësoria armike ishte derdhur përmes vijave të para e futur në zonat e prapavijës të zëna nga artileria, Kapiteni Koks bëri që linjat e telefonit fushor të lidheshin si rrjetë te tenda e tij dhe i urdhëroi rojet e tija të shumta rrethuese që t’i telefonin vetë, secili orë pas ore, gjatë gjithë natës. Kjo i mbajti rojat zgjuar, por gjithashtu donte të thoshte që Kapiteni Koks pati shkaqe për ndërprerje të gjumit të tij. “Si munde ta bësh atë?” E pyeta. Përgjigjja e tij tregon fuqinë e një dëshire shtypëse.

“E dija që nëse do të ktheheshim ndonjëherë në shtëpi, do t’i takoja prindërit e atyre djemve në rrugët e qytetit tonë të vogël; dhe nuk doja t’i dilja përpara ndonjërit prej tyre nëse i biri nuk ja kishte dalë që të kthehej në shtëpi për shkak të ndonjë gjëje që unë si komandant i tij nuk kisha arritur ta bëja”1.

Çfarë shembulli i fuqisë së një dëshire shtypëse mbi përparësitë dhe mbi veprimet! Çfarë shembulli i fuqishëm për të gjithë ne, që jemi përgjegjës për mirëqenien e të tjerëve – prindërit, udhëheqësit dhe mësuesit e Kishës!

Si përfundim ndaj këtij ilustrimi, herët në mëngjesin pas natës së tij pothuaj pagjumë, Kapiteni Koks i udhëhoqi burrat e tij në një kundërsulm ndaj këmbësorisë armike. Ata zunë mbi 800 robër dhe pësuan vetëm dy të plagosur. Koks u dekorua për trimëri; dhe bateria e tij mori një Vlerësim Presidencial si Njësi për heroizmin e saj të jashtëzakonshëm. Dhe, ashtu si luftëtarët e rinj të Helamanit (shih Alma 57:25–26), të gjithë ia dolën [të ktheheshin] në shtëpi.2

Libri i Mormonit përmban shumë mësime mbi rëndësinë e dëshirës.

Pas shumë orësh lutjeje me Zotin, Enosit iu tha se mëkatet e tij ishin falur. Atëherë ai “[filloi të ndiej] dëshirë për mirëqenien e vëllezërve të [tij]” (Enosi 1:9). Ai shkroi: “Dhe … pasi unë isha lutur dhe kisha punuar me gjithë zell, Zoti më tha: Unë do të të jap sipas dëshirave të tua për shkak të besimit tënd” (vargu 12). Vini re tre elementët thelbësor që i paraprinë bekimit të premtuar: dëshirë, punë dhe besim.

Në predikimin e tij mbi besimin, Alma na mëson se besimi mund të fillojë me jo “më shumë sesa të [dëshirojmë që] të [besojmë]” nëse ne do ta “[lëmë] këtë dëshirë të veprojë në [ne]” (Alma 32:27).

Një tjetër mësim i madh mbi dëshirën, veçanërisht mbi atë që duhet të jetë dëshira jonë themelore, ndodh në përvojën e mbretit lamanit që mësohet nga misionari Aaron. Kur mësimet e Aaronit tërhoqën vëmendjen e tij, mbreti pyeti: “Çfarë duhet të bëj që të mund të lind nga Perëndia” dhe “të kem këtë jetë të përjetshme?” (Alma 22:15). Aaroni u përgjigj: “Në qoftë se ti e dëshiron këtë gjë, … në qoftë se ti do të pendohesh për të gjitha mëkatet e tua dhe do të përulesh para Perëndisë dhe të thërrasësh emrin e tij me besim, duke besuar se do të marrësh, atëherë do të marrësh shpresën që dëshiron” (vargu 16).

Mbreti e bëri atë dhe në lutje të fuqishme shpalli: “Unë do t’i braktis të gjitha mëkatet e mia për të të njohur … dhe të shpëtohem në ditën e fundit” (vargu 18). Me atë zotim dhe atë përcaktim të dëshirës së tij themelore, lutja e tij mori përgjigje mrekullisht.

Profeti Alma pati një dëshirë të madhe për të thirrur në pendim të gjithë njerëzit, por ai arriti të kuptonte se ai nuk duhej të dëshironte fuqinë detyruese që do të kërkonte kjo sepse, ai nxori përfundimin se “një Perëndi [i] drejtë … u jep njerëzve sipas dëshirës së tyre, qoftë për vdekje ose për jetë” (Alma 29:4). Në mënyrë të ngjashme, në zbulesën e ditëve tona, Zoti shpall se Ai “do t’i gjykoj të gjithë njerëzit sipas punëve të tyre, sipas dëshirës së zemrave të tyre” (DeB 137:9).

A jemi me të vërtetë të përgatitur që ta lemë Gjykatësin tonë të Përjetshëm t’i vendosë këtë rëndësi të madhe asaj që me të vërtetë dëshirojmë?

Shumë shkrime të shenjta flasin rreth asaj që dëshirojmë në kuptimin e asaj që synojmë. “Ai që më kërkon me kujdes, do të më gjejë dhe nuk do të braktiset” (DeB 88:83). “Kërkoni me zell dhuratat më të mira” (DeB 46:8). “Ai që kërkon me zell do të gjejë” (1 Nefi 10:19). “M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush; kërkoni me zell dhe do të më gjeni; lypni dhe do të merrni; trokisni dhe do t’ju çelet” (DeB 88:63).

Nuk është i lehtë korrigjimi i dëshirave tona për t’i dhënë përparësinë më të lartë gjërave të përjetësisë. Të gjithë ne tundohemi që të dëshirojmë atë katërshen e gjërave të botës: pasuri, rëndësi, krenari dhe fuqi. Ne mund t’i dëshirojmë këto, por ne nuk duhet t’i vendosim ato si përparësitë tona më të larta.

Ata, dëshira më e lartë e të cilëve është që të fitojnë pasuri, bien në kurthin e materializimit. Ata nuk arrijnë t’ia vënë veshin paralajmërimit: “Mos kërko pasuritë, as gjërat e kota të kësaj bote” (Alma 39:14; shih edhe Jakobi 2:18).

Ata që dëshirojnë rëndësi apo fuqi duhet të ndjekin shembullin e Kapitenit trim Moroni, shërbimi i të cilit nuk ishte “për pushtet” apo për “nderimin e botës” (Alma 60:36).

Si i zhvillojmë ne dëshirat? Pak do të kenë tipin e krizës që motivoi Aron Ralstonin3, por përvoja e tij jep një mësim të vlefshëm rreth zhvillimit të dëshirave. Kur Ralston po ngjitej në një kanion të largët në Jutën Jugore, një shkëmb 800-paundsh (360 kg) u zhvendos papritmas dhe i zuri krahun e djathtë. Për pesë ditë të vetmuara, ai u përpoq të lironte veten. Kur ishte gati të hiqte dorë dhe të pranonte vdekjen, pati një vegim të një djali 3-vjeçar duke vrapuar drejt tij dhe ai [vetë] që e ngrinte me krahun e tij të majtë. Duke e kuptuar këtë si një vegim të birit të tij të ardhshëm dhe si siguri se ai mund të jetonte ende, Ralston mori kurajën që të ndërmerrte veprimin ekstrem, të nevojshëm për t’i shpëtuar jetën përpara se t’i shteronin fuqitë. Ai theu dy kockat e krahut të tij të djathtë, të ngecur dhe pastaj përdori thikën që kishte në dorë për ta prerë atë krah. Pastaj, ai mblodhi forcat për t’u ngjitur pesë milje (8 km) për ndihmë.4 Çfarë shembulli i fuqisë së një dëshire të jashtëzakonshme! Kur kemi një përfytyrim të asaj që mund të bëhemi, dëshira jonë dhe fuqia jonë për të vepruar rriten jashtëzakonisht.

Shumica prej nesh nuk do të hasin kurrë një krizë të këtillë të skajshme, por të gjithë ne hasim kurthe të mundshme që do të ndalojnë përparimin drejt të ardhmes sonë të përjetshme. Nëse dëshirat tona të drejta janë mjaftueshëm të fuqishme, ato do të na motivojnë që ta latojmë e gdhendim veten që të jemi të lirë nga varësi dhe trysni e përparësi të tjera mëkatare, që pengojnë përparimin tonë të përjetshëm.

Ne duhet të mbajmë mend që dëshirat e drejta nuk mund të jenë të sipërfaqshme, impulsive apo të përkohshme. Ato duhet të jenë të çiltra, të palëkundura dhe të vazhdueshme. Kështu që të motivuar, ne do të synojmë atë gjendje të përshkruar nga Profeti Jozef Smith, ku ne kemi “mposhtur të ligat e [jetës sonë] dhe humbur çdo dëshirë për mëkat”5. Ky është një vendim tepër personal. Siç tha Plaku Nil A. Maksuell:

“Kur njerëzit përshkruhen që ‘kanë humbur dëshirën e tyre për mëkat’, janë ata dhe vetëm ata, të cilët me qëllim vendosën të humbisnin ato dëshira të gabuara duke qenë të gatshëm që ‘të linin të gjitha mëkatet [e tyre]’ në mënyrë që të njihnin Perëndinë.

Prandaj, ajo që ne dëshirojmë me këmbëngulje, me kalimin e kohës, është ajo në të cilën do të shndërrohemi si përfundim, dhe ajo që do të marrim në përjetësi.”6

Aq e rëndësishme sa është që të humbasësh çdo dëshirë për mëkat, [prapë] jeta e përjetshme kërkon më tepër. Për të arritur të ardhmen tonë të përjetshme ne do të dëshirojmë dhe punojmë për ato cilësi që kërkohen për t’u bërë një qenie e përjetshme. Për shembull, qeniet e përjetshme i falin të gjithë që u kanë bërë padrejtësi. Ata vendosin mirëqenien e të tjerëve përpara vetes. Dhe ata i duan të gjithë fëmijët e Perëndisë. Nëse kjo duket tepër e vështirë – dhe sigurisht nuk është e lehtë për asnjërin prej nesh – atëherë ne duhet të fillojmë me një dëshirë për cilësi të këtilla dhe t’i kërkojmë ndihmë Atit tonë të dashur Qiellor në lidhje me ndjenjat tona. Libri i Mormonit na mëson që t’i “[lutemi] Atit me gjithë fuqinë e zemrës [tonë], që të [mbushemi] me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij, Jezu Krisht” (Moroni 7:48).

E mbyll me një shembull të fundit të një dëshire që duhet të jetë supreme për të gjithë burrat dhe gratë – ata që janë tani të martuar dhe ata që janë beqar. Të gjithë duhet të dëshirojnë dhe punojnë seriozisht për të siguruar një martesë në përjetësi. Ata që e kanë bërë tashmë martesën në tempull, duhet që të bëjnë gjithçka që munden për ta ruajtur atë. Ata që janë beqarë, duhet të dëshirojnë një martesë në tempull dhe t’i bëjnë prioritet përpjekjet për ta arritur atë. Rinia dhe të rinjtë beqarët duhet t’i bëjnë ballë konceptit politikisht të saktë por përjetësisht të rremë që zhvlerëson rëndësinë e martesës dhe pasjen e fëmijëve.7

Burra beqarë, ju lutem, merrni parasysh sfidën në këtë letër të shkruar nga një motër beqare. Ajo lutet për “bijat e drejta të Perëndisë që po kërkojnë me sinqeritet një shok të denjë, sidoqoftë burrat duket të jenë verbuar e turbulluar për sa i përket asaj se nëse është apo jo përgjegjësia e tyre që t’i kërkojnë këto bija të mrekullueshme e të përzgjedhura të Atit tonë Qiellor dhe t’i vërdallisen atyre dhe të jenë të gatshëm të bëjnë e të mbajnë besëlidhjet e shenjta në shtëpinë e Zotit.” Ajo e mbyll: “Ka shumë burra beqarë SHDM këtu që janë të kënaqur të dalin e argëtohen; dhe të kenë takim dashurie e të dalin vërdallë, por që nuk kanë fare asnjë dëshirë që të bëjnë ndonjëherë ndonjë lloj zotimi ndaj një gruaje”8.

Jam i sigurt që disa të rinj që po kërkojnë me shqetësim, do të donin që të shtoja se ka disa të reja, dëshira e të cilave për një martesë të denjë e fëmijë renditet shumë poshtë dëshirave të tyre për një karrierë apo dallimeve të tjera të vdekshme. Si burrat, edhe gratë kanë nevojë për dëshira të drejta që do t’i çojë ata te jeta e përjetshme.

Le të mbajmë mend se dëshirat diktojnë përparësitë tona, përparësitë drejtojnë zgjedhjet tona dhe zgjedhjet përcaktojnë veprimet tona. Veç kësaj, janë veprimet tona e dëshirat tona që na bëjnë të bëhemi diçka, qoftë një mik i vërtetë, një mësues i talentuar apo një [njeri] që është kualifikuar për jetën e përjetshme.

Unë dëshmoj për Jezu Krishtin, dashuria e të cilit, mësimet e të cilit dhe Shlyerja e të cilit e bëjnë çdo gjë të mundur. Lutem që mbi çdo gjë tjetër, ne do të dëshirojmë të bëhemi si Ai, kështu që një ditë të mund të kthehemi në praninë e Tij për të marrë plotësinë e gëzimit të Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rei Koks, intervistë me autorin, 1 gusht 1985, Mali Pleasant, Juta, që pohoi atë që më tha në Provo, Juta, rreth vitit 1953.

  2. Shih Richard C. Roberts, Legacy: The History of the Utah National Guard (2003), f. 307–314; “Self-Propelled Task Force”, National Guardsman, maj 1971, kapaku i pasmë; Miracle at Kapyong: The Story of the 213th (film i prodhuar nga Southern Utah University, 2002).

  3. Shih Aron Ralston, Between a Rock and a Hard Place (2004).

  4. Ralston, Between a Rock and a Hard Place, f. 248.

  5. Shih Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), f. 211.

  6. Nil A. Maksuell, “According to the Desire of Our Hearts”, Ensign, nëntor 1996, f. 21, 22.

  7. Shih Julie B. Beck, “Teaching the Doctrine of the Family,” Liahona, mars 2011, f. 32–37; Ensign, mars 2011, f. 12–17.

  8. Letër, 14 shtator 2006.