Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën
Bekimet tepër të rëndësishme dhe kurorëzuese të anëtarësisë në Kishë janë ato bekime që i marrim në tempujt e Perëndisë.
Vëllezërit e motrat e mia të dashura, ju dërgoj dashurinë dhe përshëndetjet e mia, secilit prej jush, dhe lutem që Ati ynë Qiellor të drejtojë mendimet e mia dhe të frymëzojë fjalët e mia, ndërsa ju flas sonte.
Më lejoni të filloj duke bërë një apo dy komente lidhur me mesazhet e shkëlqyera që dëgjuam këtë mëngjes nga Motra Ollred dhe Peshkopi Barton, në lidhje me programin e Kishës për mirëqenie. Siç u tregua, ky vit shënon 75-vjetorin e këtij programi të frymëzuar, që ka bekuar jetën e kaq shumë vetëve. Ka qenë privilegji im të njoh personalisht disa prej atyre që e themeluan këtë ndërmarrje të shkëlqyer – burra me dhembshuri dhe largpamësi.
Ashtu siç e përmenden që të dy, Peshkopi Barton dhe Motra Ollred, si edhe të tjerë, peshkopit të lagjes i jepet përgjegjësia që të kujdeset për ata në nevojë që banojnë brenda kufijve të lagjes së tij. I tillë ishte privilegji im kur kryesova, si peshkop i ri në moshë në Solt-Lejk-Siti, mbi një lagje prej 1.800 anëtarësh, përfshirë 84 të veja. Ishin shumë që kishin nevojë për ndihmë. Sa mirënjohës isha për programin e Kishës për mirëqenie dhe për ndihmën e Shoqatës së Ndihmës e të kuorumeve të priftërisë.
Unë deklaroj se programi për mirëqenie i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është i frymëzuar nga Perëndia i Plotfuqishëm.
Tani vëllezërit e motrat e mia, kjo konferencë shënon tre vjet që kur unë u mbështeta si President i Kishës. Sigurisht, ato kanë qenë vite angazhuese, të mbushura me shumë sfida, por gjithashtu me bekime të panumërta. Mundësia që kam pasur për të përkushtuar dhe ripërkushtuar tempuj, ka qenë mes më të gëzueshmëve dhe më të shenjtëve të këtyre bekimeve dhe është në lidhje me tempullin që unë dëshiroj t’ju flas juve sot.
Gjatë konferencës së përgjithshme të tetorit në 1902, Presidenti i Kishës, Jozef F. Smith shprehu, në fjalën e tij të hapjes, shpresën që një ditë ne do të “kemi tempuj të ndërtuar në pjesë të ndryshme të [botës] ku nevojiten për lehtësinë e njerëzve”1.
Gjatë 150 viteve të parë pas organizimit të Kishës, nga viti 1830 deri në 1980, u ndërtuan 21 tempuj, përfshirë tempujt në Kirtland të Ohajos dhe në Navu të Ilinoisit. Krahasojeni këtë me 30 vitet që nga 1980-a, gjatë të cilëve u ndërtuan dhe u përkushtuan 115 tempuj. Me njoftimin e djeshëm të 3 tempujve të rinj, ka edhe 26 tempuj të tjerë ose në ndërtim ose në fazat parandërtimore. Këto shifra do të vazhdojnë të rriten.
Synimi, për të cilin shpresoi Presidenti Jozef F. Smith në 1902, po bëhet realitet. Dëshira jonë është t’i bëjmë tempujt sa më të arritshëm që të jetë e mundur për anëtarët tanë.
Një nga tempujt, që është aktualisht në ndërtim, ndodhet në Manaus të Brazilit. Shumë vite më parë, lexova për një grup prej më shumë se njëqind anëtarësh që u nisën nga Manausi, i cili ndodhet në zemër të pyllit tropikal të Amazonës, për të udhëtuar për në atë që ishte atëherë tempulli më i afërt, i ndodhur në San-Paulo të Brazilit – afërsisht 4.000 kilometra larg Manausit. Ata shenjtorë besnikë udhëtuan me barkë për katër ditë në lumin Amazona dhe degët e tij. Pasi përfunduan udhëtimin e tyre nëpër ujë, ata hipën në autobusë për tre ditë të tjera udhëtimi – në rrugë me gunga, me shumë pak gjëra për të ngrënë dhe pa pasur ndonjë vend të rehatshëm për të fjetur. Pas shtatë ditësh e netësh, ata arritën në tempullin e San-Paulos, ku u kryen ordinanca me natyrë të përjetshme. Sigurisht, udhëtimi i tyre i kthimit qe po aq i vështirë. Megjithatë, ata kishin marrë ordinancat e bekimet e tempullit dhe, edhe pse kuletat i kishin bosh, ata vetë ishin mbushur me shpirtin e tempullit dhe me mirënjohje për bekimet që kishin marrë2. Tani, shumë vite më vonë, anëtarët tanë në Manaus po gëzojnë ndërsa vështrojnë vetë tempullin e tyre të marrë formë në brigjet e lumit Rio-Negro. Tempujt u sjellin gëzim anëtarëve tanë besnikë kudo që ndërtohen.
Historitë e sakrificave të bëra me qëllim për të marrë bekimet që gjenden vetëm në tempujt e Perëndisë, nuk mund të mos ma prekin gjithmonë zemrën dhe më sjellin një ndjesi të përtëritur mirënjohjeje për tempujt.
Më lejoni të ndaj me ju historinë e Tihi e Tararaina Mou Tam dhe dhjetë fëmijëve të tyre. E gjithë familja, përveç një bije, u bashkua me Kishën nga fillimi i viteve 1960 kur misionarët shkuan në ishullin e tyre, që ndodhet rreth 160 kilometra në jug të Tahitit. Shpejt ata filluan të dëshirojnë bekimet e një familjeje të përjetshme të vulosur në tempull.
Në atë kohë, tempulli më i afërt për familjen Mou Tam ishte Tempulli i Hamiltonit në Zelandën e Re, 4.000 kilometra në jugperëndim, i arritshëm vetëm nëpërmjet udhëtimit të shtrenjtë me aeroplan. Familja e madhe Mou Tam, që mezi siguronte një jetesë të varfër në një plantacion të vogël, nuk kishte pará për udhëtimin me aeroplan, as nuk kishte ndonjë mundësi për punësim në ishullin e tyre në Paqësor. Kështu, Vëllai Mou Tam dhe djali i tij Zherardi, morën vendimin e vështirë që të udhëtonin 4.800 kilometra për të punuar në Kaledoninë e Re, ku një tjetër bir qe punësuar tashmë. Punëdhënësi u siguronte të punësuarve të tij udhëtimin për të shkuar në miniera, por nuk u siguronte udhëtimin e kthimit në shtëpi.
Tre burrat e familjes Mou Tam punuan për katër vite. Vetëm vëllai Mou Tam u kthye në shtëpi veçse një herë gjatë asaj kohe për martesën e një bije.
Pas katër vitesh, Vëllai Mou Tam dhe bijtë e tij kishin kursyer mjaftueshëm pará sa ta çonin familjen në tempullin e Zelandës së Re. Të gjithë që qenë anëtarë shkuan, përveç një bije, që po priste një fëmijë. Ata u vulosën për kohën dhe përjetësinë, një përvojë e papërshkrueshme dhe e gëzueshme.
Vëllai Mou Tam u kthye nga tempulli drejtpërdrejt në Kaledoninë e Re, ku punoi edhe për dy vite të tjera që të paguante për udhëtimin e bijës së vetme që nuk kishte qenë në tempull me ata – një bijë e martuar dhe fëmija e bashkëshorti i saj.
Në vitet e tyre më tej, Vëllai dhe Motra Mou Tam dëshiruan të shërbenin në tempull. Gjatë asaj kohe, Tempulli i Papitit në Tahiti u ndërtua e u përkushtua dhe Vëllai e Motra Mou Tam shërbyen katër misione atje.3
Vëllezërit e motrat e mia, tempujt janë më shumë se gurë dhe llaç. Ata janë të mbushur me besim e agjërim. Ata janë ndërtuar nga sprovat e dëshmitë. Ata janë shenjtëruar nga sakrifica dhe shërbimi.
Tempulli i parë, që u ndërtua në këtë periudhë ungjillore, ishte tempulli në Kirtland të Ohajos. Shenjtorët në atë kohë ishin të varfëruar dhe përsëri, Zoti kishte urdhëruar që një tempull të ndërtohej, kështu që ata e ndërtuan atë. Shkroi Plaku Hiber C. Kimball për përvojën: “Vetëm Zoti i di skenat e varfërisë, vuajtjes dhe ankthit përmes të cilave kaluam për ta përmbushur atë”4. Dhe pastaj, pasi gjithë kjo ishte përmbushur me përpikëri, shenjtorët u detyruan të braktisnin Ohajon dhe tempullin e tyre të dashur. Ata përfundimisht gjetën strehim – ndonëse do të ishte i përkohshëm – në brigjet e lumit Misisipi në shtetin e Ilinoisit. Ata e quajtën ngulimin e tyre Navu dhe, të gatshëm të jepnin përsëri gjithçka e me besimin e tyre të pacënuar, ata i ngritën një tempull tjetër Perëndisë së tyre. Përndjekjet u tërbuan kundër tyre, megjithatë, dhe me Tempullin e Navusë që mezi kishin përfunduar, ata u përzunë sërish nga shtëpitë e tyre, duke kërkuar strehim në një vend të shkretë.
Beteja dhe sakrifica filluan sërish ndërsa ata punuan për 40 vite, që të ngrinin tempullin e Solt-Lejkut, i cili qëndron madhërishëm në bllokun tamam në jug të atyre prej nesh që janë këtu sot në Qendrën e Konferencave.
Një shkallë sakrifice është shoqëruar gjithmonë me ndërtimin e tempujve dhe me pjesëmarrjen në tempull. Janë të panumërt ata që kanë punuar dhe janë përpjekur për të siguruar, për vete dhe për familjet e tyre, bekimet që gjenden në tempujt e Perëndisë.
Përse kaq shumë njerëz janë të gatshëm të japin kaq shumë me qëllim që të marrin bekimet e tempullit? Ata që i kuptojnë bekimet e përjetshme, të cilat vijnë nga tempulli, e dinë se nuk ka sakrificë tepër të madhe, nuk ka çmim tepër të lartë, nuk ka betejë tepër të vështirë, me qëllim që të marrin ato bekime. Ata do të udhëtojnë në çfarëdo largësie, do të kapërcejnë çfarëdo pengese dhe do të durojnë çdo shqetësim. Ata e kuptojnë se ordinancat shpëtuese të marra në tempull, që na lejojnë të kthehemi një ditë tek Ati ynë Qiellor në një marrëdhënie familjare të përjetshme dhe të na jepen bekime dhe fuqi që nga lart, ia vlejnë çdo sakrificë dhe çdo përpjekje.
Sot, shumicës prej nesh nuk iu duhet të vuajnë mundime të mëdha që të marrin pjesë në tempull. Tetëdhjetë e pesë për qind e anëtarësisë së Kishës jetojnë tani më afër se 320 kilometra nga një tempull dhe për shumë prej nesh, largësia është shumë më e vogël.
Nëse keni qenë në tempull për vete dhe nëse jetoni relativisht afër një tempulli, sakrifica që mund t’ju duhet të bëni, është që të lini mënjanë kohë, në jetën tuaj të angazhuar, për ta vizituar tempullin rregullisht. Ka shumë për t’u bërë në tempujt tanë në emër të atyre që presin përtej velit. Ndërsa e bëjmë punën për ta, ne e dimë se kemi kryer atë që ata nuk mund ta bëjnë për vete. Presidenti Jozef F. Smith, në një deklarim të fuqishëm, tha: “Nëpërmjet përpjekjeve tona në emër të tyre, zinxhirët e robërimit do të bien nga ata dhe errësira që i rrethon do të hiqet, që drita të mund të ndriçojë mbi ta dhe ata të dëgjojnë në botën e shpirtrave për punën që është bërë për ta nga fëmijët e tyre këtu, dhe ata do të gëzohen bashkë me ju për kryerjen prej jush të këtyre detyrave”5. Vëllezërit e motrat e mia, puna është e jona që ta bëjmë.
Në vetë familjen time, disa nga përvojat tona më të shenjta e më të çmuara kanë ndodhur kur jemi mbledhur së bashku në tempull për të kryer ordinanca vulosëse për paraardhësit tanë të vdekur.
Nëse nuk keni qenë ende në tempull, ose nëse keni qenë por aktualisht nuk kualifikoheni për një rekomandim, nuk ka synim më të rëndësishëm për ju drejt të cilit të punoni, sesa të jeni të denjë për të shkuar në tempull. Sakrifica juaj mund të jetë që ta përshtasni jetën me atë çfarë kërkohet për të marrë një rekomandim tempulli, ndoshta duke braktisur zakone të pasura prej kohësh, të cilat ju shkualifikojnë. Mund të jetë pasja e besimit dhe e disiplinës së kërkuar për të paguar të dhjetën tuaj. Çfarëdo që të jetë, kualifikohuni për të hyrë në tempullin e Perëndisë. Siguroni një rekomandim tempulli dhe konsiderojeni atë si një zotërim të çmuar, sepse i tillë është.
Deri sa të keni hyrë në Shtëpinë e Zotit dhe të keni marrë të gjitha bekimet që ju presin juve atje, ju nuk keni marrë gjithçka që Kisha ka për të ofruar. Bekimet tepër të rëndësishme dhe kurorëzuese të anëtarësisë në Kishë janë ato bekime që i marrim në tempujt e Perëndisë.
Tani, miqtë e mi të rinj që jeni adoleshentë, gjithmonë mbajeni tempullin parasysh. Mos bëni asgjë që ju pengon të hyni në dyert e tij dhe të merrni bekimet e shenjta e të përjetshme që janë atje. Unë i lavdëroj ata prej jush që tashmë shkojnë në tempull rregullisht që të kryejnë pagëzime për të vdekurit, duke u ngritur në orët e para të mëngjesit që të mund të marrin pjesë në pagëzime të tilla përpara se të fillojë shkolla. Nuk mund të mendoj për mënyrë më të mirë për ta nisur një ditë.
Juve prindërve të fëmijëve të vegjël, më lejoni të ndaj me ju një këshillë të urtë nga Presidenti Spenser W. Kimball. Tha ai: “Do të ishte një gjë e shkëlqyer nëse … prindërit do të kishin në çdo dhomë gjumi në shtëpinë e tyre një figurë të tempullit, kështu që [fëmijët e tyre], që nga koha [që janë] të mitur, të mund ta shohin figurën çdo ditë [derisa] të bëhet pjesë e jetës [së tyre]. Kur [ata të arrijnë] moshën që [do t’u duhet] të marrin vendimin shumë të rëndësishëm [në lidhje me vajtjen në tempull], ky do të jetë marrë tashmë.”6
Fëmijët tanë këndojnë në Fillore:
Tempullin shumë dua ta shoh,
Një ditë atje do t’hyj.
Do t’besëlidh me Atin tim,
Do t’premtoj të bindem.7
Unë ju përgjërohem që t’u mësoni fëmijëve tuaj rëndësinë e tempullit.
Bota mund të jetë një vend sfidues dhe i vështirë ku të jetojmë. Shpesh jemi të rrethuar nga gjëra që na shkatërrojnë. Kur ju dhe unë shkojmë tek shtëpitë e shenjta të Perëndisë, kur kujtojmë besëlidhjet që bëjmë atje, ne do të jemi më shumë në gjendje të durojmë çdo sprovë dhe të kapërcejmë çdo tundim. Në këtë strehë të shenjtë ne do të gjejmë paqe; ne do të përtërihemi dhe forcohemi.
Tani, vëllezërit dhe motrat e mia, më lejoni të përmend edhe një tempull përpara se ta mbyll. Në një të ardhme jo shumë të largët, ndërsa tempuj të rinj marrin formë nëpër botë, njëri do të ngrihet në një qytet që erdhi në jetë mbi 2.500 vite më parë. Po flas për tempullin që po ndërtohet tani në Romë të Italisë.
Çdo tempull është një shtëpi e Perëndisë, që përmbush të njëjtat funksione dhe me të njëjtat bekime e ordinanca. Tempulli i Romës në Itali, si asnjë tjetër, po ndërtohet në një nga vendet më historike të botës, një qytet ku apostujt e lashtë Pjetri dhe Pali predikuan ungjillin e Krishtit dhe ku secili prej tyre u martirizua.
Tetorin e shkuar, kur u mblodhëm në një vend të këndshëm baritor në cepin verilindor të Romës, qe mundësia ime të ofroja lutjen e përkushtimit ndërsa u përgatitëm të gërmonim dheun. Ndjeva përshtypjen që të thërrisja senatorin italian Luçio Malan dhe zëvendëskryetarin e bashkisë së Romës, Xhuzepe Çardi, që të ishin mes të parëve që të merrnin lopatën. Secili ka qenë pjesë e vendimit për të na lejuar që të ndërtonim një tempull në qytetin e tyre.
Dita qe e vranët por e ngrohtë dhe, edhe pse shiu kërcënonte, nuk ranë më shumë se një apo dy pika. Ndërsa kori i mrekullueshëm këndoi, në italisht, akordet e mrekullueshme të himnit “Shpirti i Perëndisë”, gjithkush ndjeu sikur qielli dhe toka ishin bashkuar në një himn të lavdishëm përlavdimi dhe mirënjohjeje ndaj Perëndisë së Plotfuqishëm. Lotët nuk mund të përmbaheshin.
Në një ditë që do të vijë, besnikët në këtë qytet, Qytetin e Përjetshëm, do të marrin ordinanca me natyrë të përjetshme në një shtëpi të shenjtë të Perëndisë.
Unë i shpreh mirënjohjen time të përjetshme Atit tim Qiellor për tempullin që tani po ndërtohet në Romë, dhe për të gjithë tempujt tanë, kudo që janë. Secili qëndron si një fanar për botën, një shprehje e dëshmisë sonë se Perëndia, Ati ynë i Përjetshëm, jeton, se Ai dëshiron të na bekojë dhe, vërtet, të bekojë bijtë e bijat e Tij të të gjithë brezave. Secili prej tempujve tanë është një shprehje e dëshmisë sonë se jeta përtej varrit është po aq reale dhe e sigurt sa është jeta jonë këtu në tokë. Unë dëshmoj kështu.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, le të bëjmë çfarëdo sakrificash të nevojshme për të shkuar në tempull dhe për të pasur shpirtin e tempullit në zemrat dhe shtëpitë tona. Le të ndjekim gjurmët e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, që bëri sakrificën më të lartë për ne, që ne të mund të kemi jetën e përjetshme dhe ekzaltimin në mbretërinë e Atit tonë Qiellor. Kjo është lutja ime e sinqertë dhe unë e jap atë në emrin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, Zotit, amen.