Kërkuesit Duke Rënë nga Pemët
Jamila Kaminos
Buones‑Ajres, Argjentinë
Misionarëve të rinj që trokitnin dyerve në rrugët e Buenos-Ajresit të Argjentinës, në 1995‑n, u dukej i çuditshëm premtimi që kishin marrë nga një anëtar i Presidencës së Zonës: “Nëse punoni shumë dhe jeni tërësisht të bindur, kërkuesit do t’ju bien nga pemët për t’u pagëzuar”. Ne e morëm vesh atë premtim pak kohë më vonë.
Babai im po krasiste një nga pemët përgjatë trotuarit përpara shtëpisë sonë. Ndërkohë që ishte në pemë duke e krasitur, ai vuri re dy të rinj duke ecur rrugës drejt tij. Ndërsa kaluan nën pemë, ai u thirri nga lart në anglisht.
Babai im në të vërtetë nuk fliste anglisht, por dinte pak fjalë dhe ishte kureshtar. Kush ishin këta të rinj dhe çfarë po bënin në lagjen tonë?
Misionarët ndaluan, duke pyetur veten se nga kishte ardhur zëri. Babai im më pas zbriti nga pema që t’u fliste. Meqë i bëri përshtypje mesazhi dhe sjellja e tyre, ai i ftoi brenda shtëpisë së tij.
Përvoja e mëparshme e babait tim me besimin fetar i kishte shkaktuar shqetësim, por mesazhi i ungjillit të rivendosur i foli drejt e në zemër. Ai kishte kaluar ca periudha të vështira dhe e dinte se i nevojitej të ndryshonte. Dëgjoi me vëmendje ndërsa misionarët i dhanë mësim atij, nënës sime, gjyshes sime dhe mua.
Unë isha vetëm 11 vjeçe, por të vërtetat që ata na mësuan, kumbuan edhe brenda meje – dhe nënës e gjyshes time. Si rrjedhojë, ne që të gjithë u pagëzuam pak muaj më pas, në shtator të 1995‑s.
Farat e besimit që misionarët mbollën në zemrën tonë, shpejt u ushqyen nga shoqërimi prej miqve në kishë, mësimdhënia ungjillore shtesë dhe përvojat e mira me udhëheqës të fuqishëm të Kishës. Për shkak të mikëpritjes së ngrohtë që morëm, farat e besimit tonë “ra[në] në tokë të mirë, mbi[në] dhe dha[në] fryt njëqindfish” (Lluka 8:8).
Frytet e besimit tonë që i gëzojmë sot – afro 25 vjet më vonë – përfshijnë një zotim të paepur ndaj ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, bekimet e tempullit dhe një jetë të plotë e të lumtur me një brez të ri pjesëtarësh të familjes të bashkuar për gjithë përjetësinë.
Ne do të jemi përherë mirënjohës për dy misionarët besnikë që e vunë në provë një premtim të frymëzuar.