Të Rinjtë në Moshë Madhore
Më Mëso të Fluturoj: Arritja e Mbështetjes Emocionale te Vetja sipas Mënyrës së Zotit
Autorja jeton në Kaliforni, SHBA.
Valeri Durranti është nga Kalifornia në SHBA dhe ka katër vite që është e martuar me bashkëshortin e saj, Rajanin. Kohët e fundit ajo u bë nëna e një foshnjeje mashkull. Asaj i pëlqen shumë të ushtrojë jogën, të pikturojë, të lexojë dhe të ngjitet në male.
Kemi nevojë të mbështetemi tek Ati Qiellor e Jezu Krishti dhe të bëjmë vetë përpjekjen tonë teksa synojmë të bëhemi të mbështetur emocionalisht te vetja.
Kur mendojmë për një zog miturak që po mëson të fluturojë, shpesh përfytyrojmë përpjekjen e tij të fundit heroike: zogu currak lëshohet jashtë folesë, i shtrin krahët dhe ngrihet në fluturimin krahëhapur drejt qiellit. Megjithatë, përpara atij suksesi përfundimtar, me gjasë ka pasur shumë dështime kur zogu nuk ngrihej në qiell, por në vend të kësaj shembej në tokë.
Ashtu si një zog që po mëson të fluturojë, edhe ne mund të biem përtokë herë pas here teksa vendosim ta arrijmë vetë mbështetjen emocionale te vetja. Por nëse i drejtohemi Zotit për ndihmë dhe e bëjmë përpjekjen, mund të mësojmë se si ta marrim shpejt veten kur jeta nuk shkon tamam siç e planifikuam, dhe se si të mbështetemi tek Ai edhe kur sprovat bëhen tepër të mëdha për t’i përballuar vetë vetë.
Të Mësojmë të Fluturojmë
Nëse të mësuarit për të fluturuar është një proces i dhembshëm, në radhë të parë, përse një zog do të largohej ndonjëherë nga foleja? Për shkak të nënës së vet. Në pjesën e parë të jetës së foshnjave të saj, zogu nënë do t’ua sjellë ushqimin atyre drejtpërsëdrejti në fole. Por me kalimin e kohës, ajo fillon ta lërë ushqimin jashtë folesë, kështu që zogjtë currakë duhet të guxojnë jashtë zonës së tyre të rehatisë për ta siguruar ushqyerjen.
Është i njëjti proces që durojmë ne teksa mësojmë të bëhemi të mbështetur emocionalisht te vetja – por nuk pritet ende që të jemi në gjendje të fluturojmë plotësisht vetëm.
Sikurse një zog nënë i lë foshnjat e saj të bien nga foleja, Ati Qiellor na lejon të kalojmë përmes sprovave dhe përvojave që mund të jenë të dhembshme, dështuese dhe shkurajuese. Plani i Tij i shpëtimit është hartuar që të na ndihmojë të bëhemi si Ai, kështu që çdo sfidë që hasim, mund të jetë një mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur. Ashtu si zogu nënë, Ati Qiellor ende na siguron ngushëllim dhe drejtim sepse vetëm me ndihmën e Tij ne mundemi që ta arrijmë e ta ruajmë shëndetin tonë emocional dhe mendor.
Rrahja e Vetë Krahëve Tanë
Edhe pse Ati Qiellor është partneri ynë, ne nuk duhet të presim që Ai të bëjë gjithçka për ne. Ai dëshiron që ne ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes dhe burimet që Ai na i ka dhënë, në shtegun tonë drejt mbështetjes emocionale te vetja.
Për shembull, kur përjetojmë dëshpërim, zemërim ose humbje, Ai dëshiron që ne të këshillohemi me Të, por nuk duhet që thjesht të ndalemi atje – na nevojitet të bëjmë gjithçka mundemi që të veprojmë sipas nxitjeve që Ai na jep; të mbajmë urdhërimet; të frekuentojmë tempullin që të kërkojmë paqe, ngushëllim e përgjigje; të jemi të vetëdijshëm për këshillën profetike; si dhe t’i mirëbesojmë planit të Tij për ne.
Ati Qiellor na ka dhënë shumë mjete për ta arritur mbështetjen emocionale te vetja, por, nëse kemi bërë gjithçka mundemi dhe ende e gjejmë veten të ngecur në vend ose duke u ndeshur me shëndetin tonë mendor, mund të jenë të domosdoshme burime shtesë. Sigurisht që ka raste kur ju mund të keni nevojë t’i drejtoheni një profesionisti të shëndetit mendor ose të merrni këshillë nga peshkopi juaj për udhërrëfim të mëtejshëm me qëllim që të ecni përpara.
Gjithsesi, mbajeni parasysh që, nëse kërkojmë këshillë nga të tjerët çdo herë që hasim një pengesë në udhë, ne mund të humbasim mundësi të paçmueshme për të mësuar dhe për t’u rritur vetë. Sërish, kemi nevojë të bëjmë një numër të përshtatshëm të vetë përpjekjeve tona me qëllim që të ecim përpara.
Ndjekja e Modelit të Zotit
Te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 9, Oliver Kaudëri merr qortim të rëndë ngaqë u përpoq t’i përkthente fletët e Librit të Mormonit pa e marrë “mundimin as për t[a] pyetur [Perëndinë]” (vargu 7). Ai pastaj merr paralajmërimin ta “studio[jë] atë tërësisht në mendjen [e tij]”, të mbërrijë në përfundimin e vet dhe më pas “t[a] … pye[të Perëndinë] nëse është e drejtë” (vargu 8).
Kur e ndjekim këtë model, Ati Qiellor nuk po na braktis që të mbështetemi tërësisht në aftësitë dhe mendimet tona vetjake teksa kujdesemi për shëndetin tonë mendor. Ai po na lejon mundësinë që të mësojmë se si ta ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes. Kërkimi i përgjigjeve për pyetjet tona dhe gjetja e zgjidhjeve për problemet tona me ndihmën e Tij, është ajo çfarë do të na ndihmojë që përfundimisht të bëhemi si Ai. Me këtë në mendje, ne mund t’i kërkojmë Atij të na tregojë se si mund të bëhemi emocionalisht më të baraspeshuar në vend që thjesht t’i kërkojmë Atij që të na bëjë më mirë.
Kur e ushtrojmë vazhdimisht lirinë tonë të zgjedhjes në këtë mënyrë, kurdoherë që vihet në provë mirëqenia jonë emocionale, me ngadalë, ne bëhemi më mirë dhe më vetëbesues. Ndërkohë që nuk na duhet ende të bëhemi mjeshtër të fluturimit, mund të jemi të sigurt se Ai është me ne përgjatë udhës dhe gëzohet në faktin që Ai po na ndihmon të bëhemi më mirë pak nga pak. Secila ditë është një mundësi tjetër që të arrijmë lartësi të reja – duke na përgatitur për ditën kur do të jemi vërtet të aftë të fluturojmë vetë.