2019
Fondi i Misionit prej Kasatave me Fruta
Janar 2019


Fondi i Misionit prej Kasatave me Fruta

Autorja shërbeu si misionare në Filipine dhe tani jeton në Virxhinia, SHBA.

“Jezusi i tha: ‘Kulloti delet e mia’” (Gjoni 21:17).

The Ice-Candy Mission Fund

Jaredi u kthye në shtëpi nga kisha në diellin e nxehtë me mamin dhe babin. Ai mendoi për mësimin që pati në Fillore. Ngaqë nuk mund të dëgjonte shumë mirë, Jaredit i duhej t’u kushtonte shumë vëmendje figurave që tregonte mësuesja e tij, dhe fjalëve që ajo shkruante në tabelë.

Atë ditë ata kishin mësuar se Jezusi u kërkoi dishepujve të ishin misionarë. Jaredi pyeste veten se çfarë mund të bënte për ta përhapur ungjillin, siç kërkoi Jezusi. E dinte se nuk mund të shërbente ende në mision. Atëherë pati një ide të shkëlqyer. Ndoshta mund të fillonte të kursente para për të!

Kur arriti në shtëpi, Jaredi vrapoi pranë Umberit, dhisë së vet shtëpiake, dhe hyri në shtëpi. Mori një kavanoz të madh plastik dhe me kujdes preu një vrimë në kapak. Në anë shkroi “Fondi i Misionit”. Pastaj shkoi në dhomën e tij të gjumit dhe i nxori paratë e veta nga vendi nën krevat. Një nga një e hodhi çdo monedhë brenda. Por të gjitha monedhat e tij mezi e mbushën fundin e kavanozit. Si mund të fitonte më shumë para?

Jaredi mendoi e mendoi. Hodhi vështrimin nga dritarja tek dielli që shkëlqente. Sa nxehtë bënte në Filipine! Jaredi dhe shokët e vet hanin kasata frutash me arrë kokosi pothuajse çdo pasdite pas shkollës. “E gjeta!” mendoi ai. Ndoshta mund të bënte kasata frutash dhe t’ua shiste njerëzve të tjerë që donin të freskoheshin.

Jaredi vrapoi për të gjetur mamin. “A mund të më tregosh se si të bëj kasata frutash?” Jaredi bëri shenja. Ata përdornin gjuhën e shenjave, një gjuhë në të cilën dikush flet nëpërmjet duarve të veta. Mami buzëqeshi dhe pohoi me kokë.

Të nesërmen Jaredi dhe mami shkuan te tregu i madh, i pambuluar dhe blenë të gjitha gjërat që duheshin. Kur u kthyen në shtëpi, Jaredi mori një tas të madh dhe përzjeu qumështin e arrës së kokosit, qumështin e kondensuar, vaniljen dhe arrat e grira të kokosit. Mami dhe Jaredi përdorën një hinkë për ta derdhur përzierjen në qeska të vogla. I vendosën të gjitha qeskat në ngrirje. “Punë e shkëlqyer!” tha nëna me shenja.

U desh shumë kohë që të ngrinin kasatat e frutave. Por të nesërmen pas shkollës, ato ishin më së fundi gati! Jaredi u ngjit mbi një karrige dhe e nxori ftohësin e bardhë nga pjesa e sipërme e frigoriferit. Ai vendosi disa peshqirë në fund të ftohësit dhe i shtroi përsipër kasata frutash. Mezi priste t’i shiste.

Jaredi doli me vrap jashtë nëpër rrugën me pluhur. Shokët e tij po luanin me balona të bëra vetë dhe po gjuanin me sandalet e tyre te një kanoçe për ta rrëzuar përtokë.

Në anë të rrugës, ai vendosi një tavolinë me një tabelë të madhe që thoshte: “Kasata frutash, 5 peso”. Shoku i tij, Joneli, vrapoi drejt tij dhe tregoi me gisht nga ftohësi. Ai i dha Jaredit një monedhë prej pesë pesosh dhe Jaredi i dha atij disa kasata frutash. Bënë qepalla me njëri‑tjetrin.

Shpejt më shumë prej shokëve të Jaredit erdhën gjithashtu për të blerë kasata frutash. Pak orë më vonë, kur mami e thirri Jaredin për të ngrënë darkën, kishin ngelur vetëm disa kasata frutash.

Jaredi i mori ftohësin pothuajse bosh dhe monedhat. Në një prej xhepave të vet futi disa monedha për të dhjetën e tij. Pjesën tjetër të monedhave e futi në xhepin tjetër. Nuk i pritej derisa ta shihte të mbushur depozitën e fondit të misionit të tij.

Në shtëpi i hodhi monedhat e fondit të misionit të tij në grumbullin në fund të kavanozit. Kishte ende kaq shumë vend bosh! Por Jaredi u ndje ngrohtë brenda vetes kur mendoi rreth shërbimit një ditë në një mision. Vendosi se do të shiste kasata frutash çdo ditë derisa kavanozi i tij të mbushej plot. U ndje kaq mirë që fitoi para që të mund të ishte një misionar siç i kërkoi Jezusi të bënte.