2019
Pse Nuk Kam më Frikë nga Këshillimi për Shëndetin Mendor
Janar 2019


Vetëm në Format Elektronik

Pse Nuk Kam më Frikë nga Këshillimi për Shëndetin Mendor

Autori jeton në Virxhinia të SHBA‑së.

Marrja e ndihmës që më nevojitej nuk ishte një shenjë dobësie ose dështimi.

“Duhet të shkosh të bisedosh me një këshillues për shëndetin mendor.”

Kjo këshillë më erdhi si një befasi e madhe. Sapo i kisha treguar një miku të ngushtë se sa i stresuar isha për hyrjen në një program prestigjioz kontabiliteti, ruajtjen e marrëdhënieve dhe daljen në takim si një i sapokthyer nga misioni. Nuk e kisha marrë kurrë parasysh idenë e terapisë dhe mendoja se bisedimi me një këshillues profesionist qe vetëm për njerëz që kishin probleme të mëdha ose që ishin shumë të dobët për t’u bërë ballë vetë sfidave. Miku im kishte vetëm gjëra të mira për të thënë rreth përvojës së tij vetjake me bisedimin me një këshillues profesionist, ndaj fillova ta merrja parasysh.

Shpejt, ankthi im u përkeqësua. Pas netësh shqetësimi pa gjumë, vendosa të lija një takim. Isha në siklet rreth asaj që mund të thoshin ose mendonin njerëzit e tjerë po ta dinin se do të shkoja të takoja një këshillues profesionist, por në atë pikë, ankthi po cenonte aftësinë time për të funksionuar si njeri, ndaj shkova.

Mposhtja e Ankthit

Në takim, këshilluesi profesionist më bëri shumë pyetje që më ndihmuan të arrij vetë te përgjigjet. Këshilluesi profesionist nuk më dha një zgjidhje magjike për vështirësitë e mia. Ai gjithashtu nuk më trajtoi si të isha i marrë – ai kishte parë shumë njerëz me vështirësi të ngjashme me të miat. Në njëfarë mënyre, ngjante me vizitën te një mjek i shëndetit fizik. Ai qe një profesionist me përvojë në diagnostikimin e problemit dhe kishte ekspertizën për të më mësuar si ta parandaloj dhe trajtoj ankthin.

Së bashku me sugjerime të tjera, këshilluesi profesionist më sugjeroi që t’i shkruaja ndjenjat dhe mendimet e mia në ditarin tim. Kjo ishte një ndihmë e pamasë për mposhtjen e ankthit tim. Gjithashtu vazhdova të bëja ushtrime fizike, të shpenzoja kohë me miqtë dhe familjen, të haja shëndetshëm (ose aq shëndetshëm sa mund të hante një djalë në kolegj që gatuante vetë), të studioja shkrimet e shenjta, të shkoja në kishë dhe të lutesha.

Pas takimit me këshilluesin profesionist disa herë, për mua ndryshuan dy gjëra: E para, kisha këndvështrime të reja, më të shëndetshme për ankthin tim, vetveten dhe njerëzit e tjerë; dhe e dyta, ndieja sikur kisha mjete të dobishme që mund t’i përdorja në situata që do të më shkaktonin ankth në të ardhmen. Nuk isha shëruar plotësisht nga ankthi, por ndihesha sikur mund t’i bëja ballë më mirë kur të jepte përsëri shkëndija. Nga ajo kohë, nuk më është dashur të kthehesha te këshilluesi profesionist, por, nëse ndonjëherë do të më nevojitej, nuk do të shqetësohesha se po marr ndihmë – kam mësuar se nuk ka pse të vuash në heshtje ose të turpërohesh që po kërkon ndihmë profesionale për një problem të shëndetit mendor.

Ndalimi i Damkës

Për fat të keq, ekziston një damkë e madhe e lidhur me trajtimin për shëndetin mendor, por kjo mund të jetë sepse disa nuk e kuptojnë që ai takim me një profesionist të shëndetit mendor është në thelb njësoj si të trajtohesh për çfarëdo sëmundje tjetër fizike. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka thënë: “Nëse do të kishit apendicit, Perëndia do të priste që ju të kërkonit një bekim të priftërisë dhe të merrnit përkujdesin më të mirë mjekësor që gjendet. Po ashtu edhe me çrregullimet emocionale. Ati ynë në Qiell pret nga ne që t’i përdorim të gjitha dhuratat e mrekullueshme që Ai ka dhënë në këtë periudhë të lavdishme ungjillore.”1

Nevojat e shëndetit mendor janë gjithashtu çështje disi të fshehura. Nuk është dhe aq e thjeshtë të flasësh për to sikurse për marrjen e gripit apo thyerjen e një kocke. Por ato janë po aq të zakonshme. Organizata Botërore e Shëndetësisë përllogarit që shumë njerëz me probleme të rënda të shëndetit mendor nuk marrin asnjë trajtim: nga 35 dhe 50 përqind në vendet e zhvilluara dhe nga 76 deri në 85 përqind në vendet në zhvillim.2

Marrja e ndihmës që ju nevojitet, nuk është shenjë dobësie ose dështimi. Ati Qiellor dëshiron që të jemi të shëndetshëm mendërisht dhe fizikisht dhe na kanë dhënë shumë “dhurata të mrekullueshme”, për të na ndihmuar t’i përballojmë sfidat mendore dhe emocionale të vdekshmërisë, përfshirë:

Shëndeti Mendor

Ushtrimet fizike

Miqtë dhe familjen

Të jetuarit e ungjillit

Bërjen e gjumit të mjaftueshëm

Udhëheqësit e Kishës

Shërbimin ndaj të tjerëve

Një profesionist të shëndetit mendor

Të ngrënit shëndetshëm

Nuk do të jemi gjithnjë në gjendje t’i mposhtim plotësisht të gjitha sfidat e shëndetit mendor në këtë jetë dhe zakonisht nuk ka zgjidhje të lehta, të përshtatshme për të gjithë. Por ndërsa bëjmë më të mirën për ta ndihmuar veten duke i përdorur mjetet që na kanë dhënë Ati Qiellor, Shpëtimtari do të na ndihmojë t’i mbajmë barrët tona me lehtësi (shih te Mosia 24:15) dhe do të bekohemi me forcë dhe shpresë për përpjekjet tona.

Shënime

  1. Xhefri R. Holland, “Si një Vazo e Thyer”, Liahona, nëntor 2013, f. 41.

  2. K. Demyttenaere and others, “Prevalence, Severity, and Unmet Need for Treatment of Mental Disorders in the World Health Organization World Mental Health Surveys”, The Journal of the American Medical Association, vëll. 291, nr. 21 [qershor 2004], f. 2581–2590.