2019
Unë Kisha Luftuar për ta Kapërcyer Pornografinë. Përse Nuk do ta Bënte Ai?
Tetor 2019


Vetëm në Format Elektronik: Të Rinjtë në Moshë Madhore

Unë Kisha Luftuar për ta Kapërcyer Pornografinë. Përse Nuk do ta Bënte Ai?

Kur zbulova se i dashuri im kishte një problem me pornografinë, bëra më të mirën që mundesha për ta ndihmuar që t’i drejtohej Shpëtimtarit për ndihmë.

Autorja jeton në Guatemalë.

Po dilja në takime me një të ri me të cilin isha e dashuruar marrëzisht, për afro një vit. Mendova vërtet se do martohesha me të! Por nuk e kisha menduar kurrë se dalja në takime me të do të më sillte ballë për ballë me një problem për të cilin dikur kisha luftuar me gjithë forcën time që ta kapërceja.

Kur po përgatitesha të shkoja në mision, m’u desh të shkoja te peshkopi im dhe t’i rrëfeja se kisha luftuar me pornografinë në të shkuarën. Pasi isha penduar dhe e kisha hequr këtë barrë nga shpirti im, nuk e kisha menduar kurrë se pornografia do të ndikonte sërish në jetën time. Por e kisha gabim.

Kur zbulova se ky djalë me të cilin po planifikoja të martohesha, po përdorte materiale pornografike, isha e etur ta ndihmoja dhe ta përkrahja që ta kapërcente. Kisha kaluar përmes procesit të pendimit dhe përpjekjes për ta kapërcyer pornografinë më parë dhe e dija se çfarë mund të bënte Zoti për të. Por dukej sikur çdo herë që përpiqesha ta drejtoja te ndihma që i nevojitej për ta kapërcyer problemin e tij, gjërat gjithmonë shkonin keq. Dukej sikur ai nuk donte ndihmë. Pas pak kohe, e kuptova se ne nuk kishim të njëjtat mendime për pornografinë. Po, ne të dy ishim anëtarë të Kishës, por mësimet e ungjillit nuk dukej se nënkuptonin të njëjtën gjë për të dy ne.

Isha e shkurajuar. E doja atë dhe besoja se me ndihmë, ai mund ta mposhtte këtë problem. Edhe unë po ndihesha e cenueshme sepse po më duhej të përballesha me të njëjtin problem për të cilin kisha punuar kaq fort që ta kapërceja në të shkuarën. Vendosa që të lutesha një natë dhe të kërkoja dituri nga Ati im në Qiell mbi mënyrën se si të bëja përpara sepse më nevojitej fuqi për t’i bërë ballë tundimit dhe gjithashtu doja të dija se si ta përkrahja personin me të cilin po planifikoja të ndaja jetën.

Kur përgjigjja erdhi më në fund, ndjeva paqe dhe e dija se duhej t’i flisja djalit me të cilin po dilja në takime, me një qëllim në mendje. Dëshiroja ta vija në dijeni se çfarë prisja nga dalja në takime me dikë, që ishte të martohesha në tempull dhe të kisha fëmijë. Kisha nevojë ta dija nëse synimet tona për të ardhmen ishin të njëjta dhe nëse ai po ecte drejt Shpëtimtarit. Kisha nevojë ta dija a duhej ta vazhdonim marrëdhënien tonë. Kisha shumë shpresë për këtë dhe besoja se, pasi të kishim folur, çdo gjë do të zgjidhej.

Ishte një pasdite plot diell kur i tregova atij ëndrrat dhe synimet e mia për familjen time të ardhshme dhe rritjen e fëmijëve të mi në ungjill. Për habinë time, pasi më dëgjoi, ai u nxeh me mua. E kuptova se kishim ide shumë të ndryshme për të ardhmen. Isha e rrënuar, por çuditërisht ndihesha në paqe dhe e dija se përgjigjja ime ishte që t’i jepja fund marrëdhënies. Ai nuk ishte në pozicionin ku të ishte i gatshëm që të përpiqej t’i kapërcente problemet e tij me pornografinë apo t’i drejtohej Shpëtimtarit për ndihmë dhe unë nuk mund ta ndihmoja nëse ai nuk e donte ndihmën.

Për njëfarë kohe, vrisja mendjen se përse edhe pasi kisha bërë gjënë e duhur dhe kisha bërë gjithçka mundesha që ta ndihmoja atë, zemra ime sërish u bë copë e grimë. Por përfundimisht, derdha lotët e mi të fundit për të dhe u përqendrova tek ajo paqe që kisha ndier kur i dhashë fund marrëdhënies. E dija se përgjigjja kishte ardhur nga qielli.

Kanë kaluar disa vjet që kur mori fund marrëdhënia ime me atë djalë. Dhe ende e shoh atë si njeriun e mirë që ka qenë gjithmonë. Por e di se ka nevojë të jetë ai i cili shkon te Shpëtimtari për ndihmë – unë nuk mund ta detyroj që ta bëjë. Ai ka lirinë e tij të zgjedhjes dhe unë kam timen. Që nga ajo përvojë, jam përpjekur ta ndjek zërin e Shpirtit të Shenjtë pa ngurrim. Unë e di se Ati Qiellor ka një plan për të gjithë ne dhe që ne mund t’i mirëbesojmë se, teksa marrim vendime bazuar në nxitjet nga Shpirti, Ai nuk do të na lërë kurrë të udhëhiqemi në rrugë të gabuar. Ai gjithmonë po na përgatit për gjëra të mira që do të vijnë.