Portrete Besimi
Uilson Di Paula
San‑Hoze, Uruguai
Një aksident me motoçikletë e la Uilsonin të paralizuar. Një vit më vonë gruaja i ndërroi jetë. Si një i ve me dy vajza të vogla, Uilsoni nuk dinte se çfarë të bënte. Ai nuk e dinte nëse jeta kishte një qëllim. Uilsoni mund të ishte hidhëruar. Përkundrazi, ai filloi të kërkonte për të vërtetën.
Cody Bell, fotograf
Pas aksidentit me motoçikletë dhe humbjes së bashkëshortes sime, ngela me dy vajza të vogla për t’i rritur. Me të vërtetë nuk e dija se si do t’i rritja vajzat e mia në një karrige me rrota. Ky aksident ma ndryshoi jetën plotësisht.
Kisha shumë pyetje. Përse ndodhin gjërat e këqija? Po e jetoja jetën duke u përpjekur të bëja gjërat e drejta dhe gruaja u largua nga kjo jetë dhe përfundova në një karrige me rrota, pastaj mjekët duhej ta operonin vajzën time në kokë për t’i hequr një tumor. Fillova të mendoja se jeta nuk kishte asnjë qëllim.
E kuptova se kisha nevojë të gjeja të vërtetën. Bëra kërkime në fe të ndryshme dhe zbulova Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. E ndjeva se ajo ishte e vërteta.
Mësova se ka jetë pas kësaj jete dhe kur vdesim është e mundur të jemi me njerëzit që duam. Kjo më solli gëzim për shkak të 10 viteve të bukura që kisha pasur me bashkëshorten time.
Gjetja e ungjillit e ndryshoi jetën time nga çdo pikëpamje. Fillova të kisha paqe të mendjes dhe paqe të ndërgjegjes. Lumturia erdhi në familjen time ndërsa shkonim në kishë çdo të diel. Vinim në shtëpi të forcuar. U pagëzuam dhe përfundimisht u vulosëm për gjithë përjetësinë në tempullin në Argjentinë.
Tani vazhdoj të bëj përpara në Kishë. Kam shërbyer si këshilltar në peshkopatë dhe përpiqem të mësoj nga të gjitha përvojat e mia, nga të gjitha provat e jetës. Kjo më jep forcë. Ndërsa kam qenë i ulur në një karrige me rrota për më shumë se 20 vjet, kam mësuar se lumturia vjen nga brenda. Njeriu mëson më shumë çdo ditë. Për këtë ndihem mirënjohës.
Tani e di se ka një qëllim që jemi në tokë. Ne jemi këtu si pjesë e planit të përjetshëm të Atit Qiellor. Ne kemi një Shpëtimtar që e mposhti vdekjen dhe u ringjall. Njohuria për këtë më jep forcë. Tani përpiqem fort të ngulmoj dhe të vazhdoj përpara. Kam një qëllim dhe e di se, kur përpiqem të jetoj një jetë të denjë, mund të kem një familje të përjetshme.