Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Të Udhërrëfyera për te Monika
Rozana Soares
Jutë, SHBA
Kur jetoja në San‑Paolo, Brazil, njoha një grua të veçantë që quhej Grasa. Ajo ishte një grua e dashur, e sjellshme dhe miqësore me të gjithë.
Grasa ishte shoqja ime e vizitave mësimore. Ajo ishte nënë e tre fëmijëve, punonte me kohë të pjesshme dhe nuk kishte makinë ose telefon, por asnjëra nga këto nuk e pengoi atë që të shërbente.
Nga ballkoni im, mund të shihja vetëm një dritare të shtëpisë së saj. Kur ishte në dispozicion, Grasa vendoste një pëlhurë të kuqe në atë dritare për të sinjalizuar se ishte gati për të shkuar për vizita. Ajo asnjëherë nuk gjeti një justifikim që të mos shërbente. Shpesh kam menduar për sinjalin e Grasas dhe shembullin e saj të mrekullueshëm të besimit dhe shërbimit të thjeshtë.
Një përvojë më ka ngelur në mendje. U përgatitëm dhe u lutëm përpara se të shkonim për të vizituar njërën nga motrat tona. Ndërsa iu afruam shtëpisë së saj, e kuptuam se në fakt ishim drejtuar në shtëpinë e një motre tjetër! Ne ishim caktuar ta vizitonim këtë motër, një nënë pak aktive me dy fëmijë të vegjël, por nuk kishim planifikuar ta vizitonim atë ditë. Për shkak se ishim atje, trokitëm, por askush nuk u përgjigj.
Ne vendosëm të ishim këmbëngulëse dhe pritëm. Motra, Monika, më në fund erdhi dhe na tha se ishte e zënë. E vumë re që ishte e lodhur dhe gati sa s’po qante. Kur i thamë se ishim atje për ta ndihmuar, ajo na lejoi të hynim. Foshnja e saj po qante, ndaj i thamë të kujdesej për foshnjën dhe do ta prisnim. Kur Monika u ngjit lart me foshnjën, ne filluam punën, duke pastruar disa dhoma dhe duke i palosur të gjitha rrobat që mund të shihnim.
Kur Monika pa se sa mirë dukej shtëpia, filloi të qante, na hapi zemrën dhe na tregoi disa nga sfidat e veta. Ne i premtuam se do ta ndihmonim dhe folëm me presidenten e Shoqatës së Ndihmës për sfidat e saj. Të dielën e ardhshme, Monika ishte në Kishë.
Monika u bë një motër aktive dhe e lumtur dhe ne vazhduam t’i japim asaj shërbesë me dashuri dhe me kujdes. Ajo i kishte ende po ato sfida, por ishte në gjendje t’u bënte ballë atyre me më shumë besim e guxim për shkak të aktivitetit të saj në Kishë.
Jam shumë mirënjohëse për shembullin e Grasas ndërsa shërbyem së bashku. Ishim lutur për udhërrëfim dhe Perëndia na kishte drejtuar te Monika.