2019
Nuk Dua të Jem Ndryshe!
Tetor 2019


Nuk Dua të Jem Ndryshe!

Autorja jeton në Jutë, SHBA.

“Vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 18:10).

I Dont Want to Be Different

Mika përherë mezi e priste kursin e kërcimit. Asaj i pëlqente shumë të dëgjonte muzikë. Asaj i pëlqente shumë të ushtrohej për kërcimin si flutur dhe ta bënte siç duhej. Dhe e pëlqente shumë atë sidomos kur e gjithë klasa e bënte së bashku. Kur e bënin atë, ishte sikur kërcimtaret ishin të gjitha njëlloj. Dukej sikur ajo nuk ishte e vetmja me sindromën Daun.

Sot po mësonin një hap të ri kërcimi. Mika e pa mësuesen e saj të hidhej në ajër. Ajo pa vajzat e tjera që e provonin. Disa e kapën menjëherë. Disa bënë disa përpjekje. Mika u përpoq vazhdimisht por nuk mundi ta bënte siç duhej.

“A do të më ndihmosh, mësuese?” pyeti Mika.

Vajza në krah të saj i hodhi sytë nga Mika. Pastaj u përkul nga shoqja e saj. “Përse flet ashtu ajo?” pëshpëriti ajo. Të dyja vajzat u kthyen dhe e vështruan Mikën.

Gjatë rrugës për në shtëpi, Mika ishte e heshtur gjatë gjithë rrugës.

Kur arritën në shtëpi, mamaja po zinte brumë në kuzhinë. Ajo kishte miell në faqe. Ndonjëherë kjo gjë e bënte Mikën të qeshte. Por sot ajo thjesht e lëshoi çantën në dysheme dhe u zhyt në një karrige te tavolina.

“Si shkoi kërcimi?” pyeti mami.

“Tmerr”, tha Mika. “Kërkova ndihmë dhe një vajzë tha se flas në mënyrë qesharake. Pastaj më nguli sytë.” Mika uli sytë. “Nuk dua të shkoj më në kërcim.”

“O, Mika!” tha mami. “Më vjen shumë keq. Mua dhe babit na pëlqen shumë të shohim kur kërcen. Jemi tepër krenarë që punon aq shumë!”

Mika ndjeu se po i fillonin lotët. “S’më pëlqen që kam sindromën Daun. Nuk më pëlqen që fytyra ime është ndryshe. Do të doja që të mos e kisha kaq të vështirë për të mësuar gjëra të reja. Madje më duhet të ushtrohem edhe me të folurit!”

Babi u ul pranë Mikës dhe i hodhi dorën në qafë. “Mika, ne të duam kaq shumë. Ne nuk do të ndryshonim asnjë gjë tek ty.”

Por Mika thjesht tundi kokën dhe e mbuloi fytyrën me duar. “Nuk dua të jem ndryshe. Dua që të mos e kem më sindromën Daun!”

Mami dhe babi nuk folën për pak çaste.

“Kam një ide”, tha mami. Mika pa vjedhurazi përmes gishtave. “Përse nuk lutesh dhe nuk e pyet Atin Qiellor se çfarë ndien Ai për ty?”

Mika u mendua për këtë. Asaj i pëlqente të bënte lutje. Ngadalë, tundi kokën. “A mund ta shkruash pyetjen në mënyrë që ta mbaj mend se çfarë të kërkoj?”

Mamaja e shkroi pyetjen. Pastaj Mika e mori letrën dhe shkoi në dhomën e saj për t’u lutur.

Kur erdhi në kuzhinë pak minuta më vonë, Mikës i ndriçonte fytyra si dritë. “Ati Qiellor u përgjigj!” tha ajo.

“Çfarë tha Ai?” pyeti mami.

“Ai tha: ‘Mika, të dua kështu siç je’”, tha ajo. “Dhe e tha me një zë të LARTË!”

Javën tjetër në kursin e kërcimit, Mika nuk u shqetësua për atë që vajzat e tjera mendonin për sindromën e saj Daun. Përkundrazi, ajo pa një vajzë tjetër, Sarën, që dukej e trishtuar. Sara gjithashtu e kishte të vështirë të mësonte disa nga lëvizjet e reja.

Kur Mika u kthye në shtëpi, ajo vendosi t’i shkruante një pusullë Sarës. Ajo vizatoi shumë zemra. Mamaja e ndihmoi atë për drejtshkrimin.

“E dashur Sara”, shkroi Mika. “Ti je një kërcimtare e shkëlqyer. Dua të jem shoqja jote. Jam e lumtur që je në kursin tim të kërcimit.”

Mika mezi priste t’ia jepte Sarës pusullën. Ajo donte që edhe Sara të ndihej e lumtur dhe ta ndiente që e donin.