Thjesht një Lutje Larg
Prodi kishte frikë të binte sërish në gjumë. Po sikur të kishte një makth tjetër?
“Pray, He is there” [“Lutu, Ai Është këtu”] (Children’s Songbook, f. 12).
Prodi u ngrit ndenjur në shtrat me shpejtësi. Zemra po i rrihte fort.
Shiu trokiste në çati ndërsa ai qëndronte në errësirë. Ai mund ta dëgjonte ujin të binte pikë–pikë nga pema afrikane e fikut jashtë dritares së vet dhe ajrin që ndihej i lagësht dhe i ngrohtë. Prodi mori frymë thellë dhe u përpoq të qetësohej. Ishte thjesht një ëndërr.
Doli ngadalë nga shtrati dhe pa vjedhurazi nga dhoma e prindërve. Mami dhe babi po flinin të qetë. Motra e tij e vogël, Selia, ishte rehatuar gjithashtu në shtratin e saj. Çdo gjë ishte në rregull. Familja e tij ishte e sigurt.
Prodi u ngjit përsëri në shtrat dhe u përpoq të binte në gjumë. Ai përpëlitej dhe ndërronte krahun, pastaj përpëlitej dhe ndërronte krahun përsëri. Ai e dinte se ëndrra e tij nuk ishte e vërtetë, por kishte qenë shumë e frikshme! Edhe pse ishte i lodhur, kishte frikë të binte sërish në gjumë. Po sikur të kishte një makth tjetër?
Prodi u shtri në shpinë dhe pa tavanin. U përpoq të kishte mendime të lumtura. “O Atë Qiellor, a je Ti atje? A i përgjigjesh lutjes së çdo fëmije?” Një valë ngrohtësie erdhi mbi Prodin ndërsa mendoi për fjalët e këngës së tij të parapëlqyer të Fillores. Motra Kioska u kishte mësuar atyre se Ati Qiellor përherë kujdesej për ta. Ata mund t’i luteshin Atij çdo herë, kudo.
Prodi e dinte se çfarë duhej të bënte. U ngrit nga shtrati dhe u gjunjëzua për t’u lutur.
“I dashur Atë Qiellor”, u lut ai, “jam vërtet i frikësuar. Të lutem, mbroje familjen time. Dhe, të lutem, më ndihmo të bie në gjumë dhe të mos shoh më ëndrra të këqija.”
Prodi e përfundoi lutjen dhe u ngjit sërish në shtrat. Trupi iu qetësua dhe mendja i ra në qetësi. Shpejt e zuri gjumi.
Kur erdhi mëngjesi, Prodi u zgjua nga dielli i ngrohtë që shkëlqente përmes dritares. Ai mund t’i dëgjonte enët që kërcisnin në kuzhinë, dhe u ngrit për të gjetur mamin. Selia ishte në tavolinë duke ngrënë cassava‑në e mbetur. Mamaja po ngrohte pak për të që edhe ai të hante.
“Bonzhur”, tha mami. “Si fjete?”
“Pata një makth vërtet të frikshëm”, tha Prodi. “Por pastaj bëra një lutje. Ati Qiellor më ndihmoi të ndihem i sigurt.”
“Më vjen keq që pe një ëndërr të keqe”, tha mami. Ajo e përqafoi Prodin fort dhe nuk e lëshoi për një kohë të gjatë. “Por jam shumë e lumtur që bëre një lutje. Duket sikur Ati Qiellor me të vërtetë të ndihmoi.”
“Po, më ndihmoi”, tha Prodi. “Munda të flija përsëri dhe nuk pata më ëndrra të këqija.” Prodi e përqafoi mamin fort. Ai ishte i lumtur që e dinte se pavarësisht se sa i frikësuar ndihej, Ati Qiellor ishte thjesht një lutje larg.