2019
Ecja Përpara pasi Mësova se i Fejuari Im po Përdorte Materiale Pornografike
Tetor 2019


Vetëm në Format Elektronik: Të Rinjtë në Moshë Madhore

Ecja Përpara pasi Mësova se i Fejuari Im po Përdorte Materiale Pornografike

I fejuari im më në fund e pranoi se kishte një problem me pornografinë. A mundet që ende të martohesha me të?

Autorja jeton në Polinezinë Franceze.

E takova bashkëshortin tim kur ishim të dy këshilltarë në EFY. Më la mbresë dëshmia e tij e fortë dhe mënyra si jepte mësim dhe ndërvepronte me të rinjtë e të rejat.

Kur filluam të dilnim në takime, e ndiem sikur Zoti priste diçka nga marrëdhënia jonë. Megjithatë, teksa marrëdhënia jonë përparoi, ai u bë më këmbëngulës në mënyrën se si shfaqte afërsinë. Fillova të dyshoja se kishte vështirësi me pornografinë por, kur folëm për këtë, ai e mohoi që të kishte ndonjë problem me të.

Ne filluam të vendosnim rregulla më të rrepta për t’u mbrojtur. Kur më propozoi, unë pranova dhe gjërat u bënë më mirë – deri një ditë kur, sërish, ai filloi të këmbëngulte që të më tregonte se më donte me mënyra që më vunë në siklet.

Ende kisha dyshimet e mia mbi përdorimin e materialeve pornografike prej tij, kështu që një ditë i tregova për një nga shoqet e mia të misionit që kishte luftuar me pornografinë përpara misionit të saj. Bëra më të mirën që të dukesha mirëkuptuese, e dashur dhe jo gjykuese, sepse ajo është vërtet një njeri i mirë. Pastaj e pyeta sërish atë a kishte varësi nga pornografia dhe më në fund më tha se kishte.

Lëndim dhe Shërim

Në fillim, ishte e vështirë për mua që t’i flisja dhe ta shihja në sy. Ndjenjat e mia ishin pothuajse të padurueshme sepse e kisha ndier që Zoti më kishte thënë se ky djalë mund të ishte shoku im i përjetshëm. Por edhe pse isha lënduar, e dija se duhej të punoja që ta falja atë, dhe ndjeva nxitjen që të mos hiqja dorë nga marrëdhënia jonë.

U luta shumë dhe studiova biseda mbi faljen dhe përdorimin e materialeve pornografike. Lexova shumë artikuj dhe dëshmi të njerëzve të martuar bashkëshorti apo bashkëshortja e të cilëve kishte luftuar me këtë helm. Teksa lexova, e ndjeva dashurinë e Shpëtimtarit për mua dhe të fejuarin tim, si dhe mora një tjetër pohim se ky djalë ishte vërtet shoku im i përjetshëm. Gjithashtu mësova një aspekt tjetër të Shlyerjes së Shpëtimtarit – mënyrën se si Ai mund të shërojë një shpirt të penduar (të të fejuarit tim) dhe një zemër të lënduar (timen).

Një faktor i rëndësishëm në rrugëtimin tonë ishte biseda me peshkopin e të fejuarit tim. Udhërrëfimi i tij na ndihmoi të shëroheshim dhe të vinim më pranë si çift. Ai qe shumë i duruar kur bashkëshorti im bëri të njëjtën gjë përsëri dhe shembulli i tij i dashur si i Krishtit më frymëzoi dhe më ndihmoi ta fal dhe të punoj për zgjidhjen e këtij problemi me të fejuarin tim.

Për njëfarë kohe, ishte kaq e vështirë për të fejuarin tim që të më shihte të vuaja për shkak të zgjedhjeve të tij saqë ai thuajse nuk donte të martohej më me mua. Por pasi punuam së bashku për muaj me radhë që ai të bëhej i pastër, ai së fundi e ndjeu se që të dy, Zoti dhe unë, e kishim falur atë sinqerisht.

Përfundimisht, ne u martuam dhe marrëdhënia jonë tani është më e fortë se kurrë. Kjo përvojë na ka ndihmuar që të mos kemi turp të flasim me njëri‑tjetrin për problemet tona. Edhe pse ai nuk është përfshirë më me pornografinë, ne ende mbetemi shumë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm ndaj njëri‑tjetrit.

Marrëdhënia Juaj Mund të Funksionojë

Nëse marrëdhënia juaj po helmohet nga pasojat e pornografisë, dijeni se është e mundur të falësh. Është e mundur të vazhdoni ta doni njëri‑tjetrin dhe të punoni së bashku për të gjetur zgjidhje dhe për ta kapërcyer atë. Ne të gjithë kemi të drejtën për shërimin e Shlyerjes së Shpëtimtarit. Na duhet ta pranojmë se jemi lënduar dhe se vetëm me ndihmën e Shpëtimtarit mund të shërohemi plotësisht.

Historia e secilit person është e pashoqe dhe çdo marrëdhënie është e pashoqe. Për disa njerëz, t’i japin fund marrëdhënies mund të jetë gjëja e drejtë për t’u bërë. Por shpresoj se historia jonë mund të ndihmojë njerëz të tjerë në rrethana të ngjashme. Për shkak se unë mora atë pohim nga Fryma e Shenjtë dhe me ndihmën e Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij, unë qeshë në gjendje ta falja të fejuarin tim dhe ta vazhdoja marrëdhënien tonë. E di se ishte zgjedhja e drejtë për mua.

Nëse po përballeni me një situatë të ngjashme, merrini parasysh me lutje rrethanat tuaja të tanishme dhe atë që mund të sjellë e ardhmja. Nëse merrni pohim nga Shpirti se vazhdimi i marrëdhënies suaj është gjëja e duhur për t’u bërë dhe ndiheni vetëbesues, dijeni se me përpjekje nga që të dy ju dhe me mbështetjen tek Ati Qiellor, marrëdhënia juaj mund të funksionojë.

Bashkëshorti im është një burrë i mrekullueshëm dhe unë e dua më shumë se kurrë. Nuk arrij ta falënderoj Zotin mjaftueshëm që na ndihmoi të shërohemi dhe e bëri të mundur që të martohemi. Zoti na ka ndihmuar të rritemi së bashku si një çift që është gati ta përballojë çfarëdo gjëje që Ai ka planifikuar për jetën tonë së bashku.