2019
Ato Mbollën një Farë në Zemrën Time
Tetor 2019


Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Ato Mbollën një Farë në Zemrën Time

Marta Algarve

Santa‑Katarinë, Brazil

heart-shaped wreath of leaves with seed in middle

Ilustrimi nga Rafael López

Nga erdha unë? Çfarë po bëj këtu? Ku do të shkoj pas kësaj jete?

Kur isha 29 vjeçe, këto pyetje më vinin shpesh në mendje. Prindërit e mi kishin ndërruar jetë. Vajtova për humbjen e foshnjës sime të parë djalë. Kisha tre fëmijë të tjerë për të rritur dhe një jetë plot me sfida.

Zoti filloi t’u jepte përgjigje pyetjeve të mia kur udhërrëfeu dy misionare të reja për në shtëpinë time. Kur i mirëprita brenda, ato më pyetën a kishte diçka që ndieja se po më mungonte në jetë. U tregova atyre për prindërit e mi dhe birin tim. U thashë atyre se mendoja se nuk ishte e drejtë të kesh fëmijë dhe të krijosh familje nëse gjithçka përfundon thjesht me vdekjen. I pyeta nëse do t’i shihja edhe një herë prindërit dhe birin tim.

“Marta”, thanë ato, “ti mund ta kesh përgjithmonë familjen tënde.”

Zemra m’u mbush me gëzim. Doja të dija më shumë. Në vizitën e tyre të ardhshme, ato më mësuan më shumë për ungjillin e Jezu Krishtit. Më dhanë një Libër Mormoni dhe më sfiduan që ta lexoja dhe të pyesja Perëndinë nëse ai është fjala e Tij. E pranova sfidën e tyre. Kur u luta, përgjigjja e Perëndisë erdhi e qartë si drita e diellit. E dija në zemër se ishte i vërtetë.

Fatkeqësisht, kur fillova një punë të re, i humba lidhjet me misionaret. Në muajt që pasuan, martesa ime mori fund dhe u përpoqa të nisja një jetë të re me fëmijët e mi.

Përfundimisht, u martova sërish. Një ditë, bashkëshorti im tha se i mungonte Perëndia në jetën e tij. Vendosëm të merrnin pjesë në kishën ku ai kishte marrë pjesë dikur. Kur hymë në ndërtesë, pashë një Libër Mormoni mbi një tavolinë në sallon. Kjo ishte e njëjta kishë që ma kishin paraqitur më parë! Më pëlqeu shumë Shpirti që ndjeva atje. Kur u larguam, e pyeta bashkëshortin se si mund të pagëzohesha.

“Ke nevojë të marrësh mësimet nga misionaret”, tha ai.

“I kam marrë ato pesë vjet më parë!” iu përgjigja.

Unë dhe fëmijët e mi i kishim marrë mësimet. Dita e pagëzimit ishte dita më e lumtur e jetës sonë.

Disa vite më vonë, ndjeva se duhet t’u tregoja motrave që më kishin dhënë mësimet në fillim, se isha bashkuar me Kishën. Në Facebook, gjeta një grup misionarësh dhe misionaresh të kthyera nga Misioni i Brazilit, Santa‑Maria. Ai përfshinte njërën nga motrat që më kishte dhënë mësim. I dërgova kërkesë për t’u bërë shoqe dhe i thashë se kush isha, se si u bëra anëtare e Kishës, se familja jonë ishte vulosur në tempull dhe se djali im po shërbente një mision kohëplotë. I thashë asaj që e gjitha kjo u bë e mundur për shkak se ajo dhe shoqja e saj e misionit kishin mbjellë në zemrën time farën e ungjillit të rivendosur.