2019
T’i Shërbesh Zotit në Spanjisht
Tetor 2019


Shembuj të Guximshëm

T’i Shërbesh Zotit në Spanjisht

Autorja jeton në Jutë, SHBA.

Serving the Lord in Spanish

Përfytyro sikur një shok ose shoqe të jep librin më të mirë që ai ose ajo ka lexuar ndonjëherë. Ti e hap kapakun … dhe zbulon se nuk mund ta lexosh atë. Është në një gjuhë tjetër! Çfarë do të bëje?

Në vitet e hershme të Kishës, Libri i Mormonit u shtyp vetëm në anglisht. Presidenti Brigam Jang thirri dy misionarë për ta predikuar ungjillin në Meksikë dhe për ta përkthyer Librin e Mormonit në spanjisht. Por ata kishin nevojë për më tepër ndihmë për ta bërë atë. Por ata nuk e dinin se përtej oqeanit, Perëndia kishte përgatitur një burrë që mund t’u jepte atyre pikërisht ndihmën për të cilën kishin nevojë.

Meliton Gonzales Treho vinte nga një familje e pasur në Spanjë. Ai studioi shumë në shkollë dhe u bë oficer në ushtrinë spanjolle. Ai ishte përherë i interesuar për fenë por asnjë nga ato që gjeti nuk i dukej plotësisht e duhura. Një ditë, ai dëgjoi një oficer tjetër të fliste rreth një grupi njerëzish që e quanin veten “shenjtorë”. Ata i përkisnin Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe një profet i Perëndisë i kishte drejtuar ata për në Malet Shkëmbore në Shtetet e Bashkuara. Melitoni ndjeu një dëshirë të fortë për t’i takuar. Ai u bashkua me një ekspeditë ushtarake për në Filipine, duke shpresuar se kjo do ta ndihmonte që më vonë të shkonte në Shtetet e Bashkuara. Por Melitoni u ngarkua kaq shumë me punë saqë vizita te shenjtorët filloi t’i dukej më pak e rëndësishme.

Pastaj Melitoni u sëmur rëndë. Ai u kujtua se përse kishte ardhur në Filipine dhe iu lut Perëndisë rreth asaj që duhej të bënte. Ata natë, Melitoni pa një ëndërr të veçantë. Ai e dinte se do t’i duhej të largohej për në Malet Shkëmbore.

Sapo e mori veten nga sëmundja, Melitoni e vazhdoi udhëtimin e tij për në Shtetet e Bashkuara. Ai mbërriti në Kaliforni më 4 korrik 1874 dhe u drejtua për në Solt‑Lejk‑Siti.

Kur Melitoni mbërriti në Solt‑Lejk, atij i doli një problem: ai mund të lexonte anglisht por nuk e kishte folur asnjëherë. Ai nuk mund të komunikonte me asnjë! Por ai vendosi që, duke qenë se nuk mund të fliste me njerëzit, ai mund t’ua tërhiqte vëmendjen në një mënyrë tjetër. Melitoni veshi uniformën e ushtrisë spanjolle dhe marshoi lart e poshtë rrugëve të qytetit. Ashtu siç shpresoi, shumë njerëz e vunë re! Më në fund atë e dalloi një anëtar i Kishës i quajtur vëllai Blanshard, një profesor universiteti që fliste spanjisht. Vëllai Blanshard e ndihmoi Melitonin të stabilizohej në Solt‑Lejk dhe ia mësoi atij ungjillin. Shpejt Melitoni u pagëzua.

Vëllai Blanshard gjithashtu e njohu Melitonin me Presidentin Brigam Jang. Melitoni i tha Presidentit Jang se më shumë se çdo gjë tjetër ai donte që të përkthente Librin e Mormonit në spanjisht.

Presidenti Jang i kërkoi Melitonit t’i ndihmonte misionarët që po shkonin në Meksikë, për të përkthyer pjesë të Librit të Mormonit në spanjisht. Melitoni kaloi shumë javë duke i përkthyer fjalët anglisht në spanjisht. Çdo natë ai e rishikonte përkthimin e tij me misionarët. Ata flisnin pak spanjisht por ndien se për këtë përkthim të rëndësishëm duhej dikush që spanjishten e kishte gjuhë amtare. Ata e dinin se Melitoni ishte përgjigjja e lutjeve të tyre. Në vitin 1875, përkthimi u botua. Ai u quajt Trozos Selectos del Libro de Mormon (Fragmente të Përzgjedhura nga Libri i Mormonit).

Misionarët tani ishin gati për të shkuar në Meksikë. Ata ngarkuan 1 500 kopje të përkthyera të shkrimit të shenjtë mbi kalë dhe filluan udhëtimin e tyre. Për herë të parë, spanjishtfolësit ishin në gjendje ta lexonin Librin e Mormonit në vetë gjuhën e tyre. Edhe pse Melitoni kishte jetuar në Spanjë, mijëra kilometra larg, Ati Qiellor e drejtoi atë saktësisht atje ku ai duhej të ishte. Për shkak të guximit dhe besimit të Melitonit, ai ndihmoi për ta sjellë fjalën e Perëndisë te njerëz të panumërt.