2019
Cila është pikëpamja e Kishës për mjedisin?
Tetor 2019


Cila është pikëpamja e Kishës për mjedisin?

Një fjalë kyç për ta kuptuar pikëpamjen tonë për mjedisin është fjala kujdestari. Ajo nuk do të thotë që njerëzit janë zotër të tokës dhe mund ta përdorin ata si të duan por përkundrazi që ne jemi përgjegjës për mënyrën se si i përdorim burimet e saj (shih Doktrina e Besëlidhje 104:13–15). Ndonëse “ka mjaft edhe për të kursyer” (Doktrina e Besëlidhje 104:17), Perëndia dëshiron që ne t’i përdorim burimet e tokës me urtësi (shih Doktrina e Besëlidhje 59:20).

Perëndia krijoi tokën dhe shpalli se krijimet e Tij janë “shumë [të] mir[a]” (shih Zanafilla 1:1, 31). Kjo tokë u krijua që të banojnë fëmijët e Perëndisë si pjesë e planit të Tij të shpëtimit. Vetë toka do të shenjtërohet dhe do të marrë një lavdi çelestiale (shih Doktrina e Besëlidhje 88:18–19).

Perëndia e bëri tokën jo vetëm të dobishme por edhe të bukur. Gjërat e tokës “bëhen për të mirën dhe për përdorimin e njeriut, si për të kënaqur syrin, edhe për të gëzuar zemrën” si dhe “për të gjallëruar shpirtin” (Doktrina e Besëlidhje 59:18–19).

Ne duhet ta nderojmë Perëndinë duke i vlerësuar krijimet e Tij, duke shprehur mirënjohje për to dhe duke u përpjekur fort që t’i mbajmë të bukura. Ne duhet t’i ruajmë burimet, ta mbrojmë natyrën dhe ta shmangim ndotjen dhe dëmtimin.