“Përgjigjuni me Dashuri”, Tema dhe Pyetje (2023)
Ndihma ndaj Njerëzve të Tjerë për Pyetjet e Tyre
Përgjigjuni me Dashuri
Kur një njeri i afërt për ju flet për pyetjet ose shqetësimet e veta rreth Kishës, është normale që të ndiheni në ankth ose i shqetësuar. Mundohuni t’i lini mënjanë këto emocione dhe të përgjigjeni me mirësi e dhembshuri. Mund të mos e kuptoni tërësisht përvojën e personit tjetër, por mund të ndiqni shembullin e Jezu Krishtit dhe gjithmonë të tregoni dashuri.
Nganjëherë njerëzit ngurrojnë që t’i tregojnë vështirësitë e tyre ngaqë kanë frikë se mund t’i humbasin marrëdhëniet e tyre me ata që janë të afërt për ta. Nëse dikush ju shtrin dorën për ndihmë, ai ose ajo po kërkon përkrahje. Përgjigjuni me dashuri, edhe nëse nuk e dini se çfarë të bëni ose thoni. Kërkoni mënyra se si të tregoni dhembshuri e mirësi, edhe kur njerëzit bëjnë zgjedhje me të cilat nuk jeni dakord.
Ja disa parime që do t’ju ndihmojnë t’u tregoni dashuri njerëzve kur ata ju flasin për pyetjet e tyre:
-
Flisni me dashuri. Komunikoni me përulësi, mirësi e çiltërsi. Gojëtaria dhe idetë e shkëlqyera janë më pak të dobishme sesa shfaqja e dashurisë si e Krishtit. Shpreheni dashurinë tuaj thjesht, çiltërsisht dhe në mënyrë të përsëritur. Si t’ju drejtojë Shpirti, kërkoni kohën dhe mënyrën e duhur për të dhënë “shpjegime për shpresën që është në ju”1.
-
Shërbejuni atyre në mënyra domethënëse. Gjeni mënyra që të tregoni dashurinë dhe zotimin tuaj. Pyetini se çfarë i bën të ndihen të vlerësuar dhe se si mund t’i përkrahni. Më pas merrni parasysh se si mund të veproni sipas asaj që mësoni. Shërbimi juaj do t’i përforcojë fjalët tuaja të dashurisë dhe do ta sigurojë personin se ju interesoheni për të.
-
Ruajeni marrëdhënien tuaj. Është më e rëndësishme që të kultivoni një marrëdhënie dashurie dhe mirëbesimi sesa të jepni përgjigje të shpejta. Një synim i mirë mund të jetë thjesht që ta vazhdoni bashkëbisedimin. Ruajtja e marrëdhënies suaj ndërkohë që i mbani besëlidhjet tuaja, është mënyra më e mirë që të vazhdoni të keni një ndikim pozitiv.
-
Përpiquni ta shihni atë nëpërmjet syve të Zotit. Plaku Dejll G. Renland dha mësim: “Ne nuk mund ta përmbushim tërësisht detyrimin tonë besëlidhës që të vajtojmë me ata që vajtojnë dhe të ngushëllojmë ata që kanë nevojë për ngushëllim, në qoftë se nuk i shohim ata nëpërmjet syve të Perëndisë”2. Miku ose njeriu juaj i dashur është një fëmijë i Perëndisë me potencial hyjnor. Ai apo ajo po përjeton sprovat që Apostulli Pjetër tha që duhej t’i prisnim në jetë.3 Jezu Krishti u bën thirrje dishepujve të Tij që t’i duan të tjerët sikurse Ai i do ata.4 Lutuni për këndvështrim që ta shihni ashtu siç e sheh Ai.
-
Duajeni pa kompromis. Kur dikush që e duam, vendos të besojë ndryshe nga ajo që besojmë ne ose merr vendime që nuk i kuptojmë, ne duhet ta respektojmë lirinë e tij ose të saj të zgjedhjes dhe të vazhdojmë ta duam atë. Ne mund ta bëjmë këtë pa i braktisur bindjet tona fetare që janë thellësisht të rëndësishme për ne vetë. Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim: “Ne mund ta duam njëri‑tjetrin pa i vënë në rrezik idealet hyjnore të vetes sonë. Dhe mund të flasim për ato ideale pa ua ulur vlerën të tjerëve.”5
Shkrime të shenjta kyç: Fjalët e Urta 15:1; Gjoni 13:34–35; Doktrina e Besëlidhje 52:16; 121:41–42