“Mirëbesoni te Zoti”, Tema dhe Pyetje (2023)
Ndihma ndaj Njerëzve të Tjerë për Pyetjet e Tyre
Mirëbesoni te Zoti
Kur miqtë dhe njerëzit e dashur vijnë tek ne me shqetësimet rreth besimit të tyre, reagimi ynë i parë mund të jetë ankthi ose madje paniku. Shqetësimet e tyre mund t’ju çojnë që të bëni pyetje të vështira: “Çfarë do të thotë kjo për familjen time?” “A bëra diçka të gabuar?”
Kur një njeri i afërt për ju i vë në dyshim bindjet e veta fetare, kjo nuk do të thotë që ju keni dështuar. Arsyet për shqetësimet e tij ose të saj ndoshta janë të ndërlikuara. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar, por gjithashtu duhet të mirëbesojmë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Ata i duan njerëzit që kanë pyetje. Ja disa gjëra që mund të bëni për të ruajtur paqe në zemrën dhe mendjen tuaj teksa i përkrahni të tjerët:
-
Mirëbesoni se Perëndia është i vetëdijshëm. Zoti dëshiron rritje dhe lumturi për çdo qenie njerëzore. Ai i nxit pyetjet tona të sinqerta. Ai është i vetëdijshëm për vështirësitë tona dhe vajton për vuajtjen tonë. Ai do të vazhdojë t’u japë dashuri dhe ndihmë njerëzve që hasin vështirësi ose që largohen nga Kisha.
-
Ftojeni Zotin në proces. Edhe burimet më të mira dhe mesazhet e menduara në mënyrën më të kujdesshme mund të jenë të paefektshme nëse momenti ose toni është i gabuar. Lutuni që Zoti do t’ju ndihmojë të jepni shërbesë. Shpirti mund t’ju ndihmojë t’i kuptoni nevojat e veçanta të një personi dhe të dini se kur të uleni me të dhe të dëgjoni në vend që të flisni apo ta mësoni. Gjithashtu mund t’ju ndihmojë të dalloni se si dhe kur ta jepni dëshminë tuaj ose ta ftoni atë të ndërmarrë hapa që të afrohet më shumë te Perëndia.
-
Përvetësoni një pikëpamje më afatgjatë. Besimi dhe ndjenjat e një personi rreth Perëndisë shpesh ndryshojnë me kalimin e kohës. Të gjithëve ne, shumë kohë pasi të shkojmë në jetën tjetër, ende do të na nevojitet të mësojmë e të rritemi. Ju mund të gjeni shpresë kur e shihni njeriun tuaj të dashur që po has vështirësi lidhur me këtë këndvështrim më të gjerë. Vazhdoni me durim që të mbillni fara, duke e ditur se koha e të korrës është në duart e Perëndisë.
-
Gjeni shpresë në njohurinë tuaj për natyrën e Perëndisë. Këndvështrimi ynë në këtë jetë është i kufizuar. Ne vërtet e dimë se Perëndia është i urtë, i duruar dhe plot dashuri. Ai i dha secilit prej nesh lirinë tonë të zgjedhjes. Ai e dinte se ne të gjithë do të kishim sfida dhe sprova. Dhe Ai siguroi një Shpëtimtar i cili ka fuqinë për të na tërhequr përsëri tek Ai.
Shkrime të shenjta kyç: Fjalët e Urta 3:5–6; Isaia 55:8–9; 2 Timoteut 1:7–8; Alma 26:11–12