“Kultivojeni Besimin Tuaj Vetjak”, Tema dhe Pyetje (2023)
Ndihma ndaj Njerëzve të Tjerë për Pyetjet e Tyre
Kultivojeni Besimin Tuaj Vetjak
Të ndihmuarit për ta ngritur barrën e dikujt tjetër kërkon përpjekje dhe mund të na tendosë në mënyra të papritura. Sigurohuni që të tregoni kujdes shpirtëror për veten tuaj dhe të qëndroni të ngulitur në ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Në një rast të ngutshëm, pasagjerët në një aeroplan udhëzohen që fillimisht të sigurojnë maskat e tyre vetjake të oksigjenit dhe më pas të ndihmojnë të tjerët. Në mënyrë të ngjashme, ne mund t’i lartësojmë të tjerët vetëm nëse priremi drejt punës së rëndësishme të kultivimit të besimit dhe dëshmisë sonë vetjake.
Parimet vijuese mund t’ju ndihmojnë ta forconi besimin tuaj ndërkohë që u jepni shërbesë të tjerëve:
-
Kujtojeni atë që besoni dhe keni përjetuar. Reflektoni për çaste kur e keni ndier ndikimin e Frymës së Shenjtë. Sillni ndërmend raste kur keni përjetuar paqe, gëzim, dashuri e qartësi. Mendoni për raste kur e keni ndier Perëndinë t’ju flasë në mënyra personale për ta pohuar besimin tuaj. Përvojat tuaja shpirtërore të së kaluarës mund të shërbejnë si burim force dhe mbrojtjeje nga dyshimi e frika.
-
Vazhdoni ta kultivoni dëshminë tuaj. Është e rëndësishme që të vazhdoni t’i bëni gjërat që ju ndihmuan ta ndërtoni dëshminë tuaj për ungjillin. Këto mund të përfshijnë leximin e shkrimeve të shenjta, lutjen, marrjen e sakramentit, adhurimin në tempull dhe shërbimin ndaj të tjerëve. Këto praktika të thjeshta mund t’ju ndihmojnë që të ndieni ndikimin e Shpirtit dhe të qëndroni besnikë.
-
Shtrijuani dorën e ndihmës të tjerëve. Nëse ndihet e rëndë barra e dhënies së shërbesës ndaj një miku ose një pjesëtari të familjes, mbani mend se nuk jeni të vetëm. Mund t’u drejtoheni për ndihmë pjesëtarëve të mirëbesuar të familjes, miqve, udhëheqësve të Kishës ose profesionistëve. Ndjeshmëria, lutjet dhe ekspertiza e tyre mund t’ju ndihmojnë të kujtoni se sa shumë ju do Perëndia. Ata gjithashtu mund t’ju përkrahin teksa kërkoni përgjigje për vetë pyetjet tuaja.
-
Vendosni kufij të shëndetshëm. Ndërkohë që duhet të përpiqemi fort për t’i dëgjuar dhe përkrahur të tjerët lidhur me pyetjet ose shqetësimet e tyre, ne gjithashtu duhet të dallojmë nevojat dhe kufizimet tona vetjake. Emocionet dhe ndjenjat tuaja kanë rëndësi gjithashtu. Ju mund të përjetoni frikë, mërzitje dhe hidhërim gjatë këtij procesi. Nëse ndieni se bashkëbisedimi është shumë i mbingarkuar, shprehini ndjenjat tuaja dhe caktoni një kohë tjetër për të folur. Njeriu juaj i dashur mund të dëshirojë që t’i bëjë pyetjet e veta temë të çdo bashkëbisedimi ose të flasë rreth një teme në një mënyrë që ju poshtëron ju apo besimin tuaj. Ashtu sikurse ju keni nevojë ta respektoni rrugëtimin e të tjerëve, atyre iu nevojitet që të respektojnë rrugëtimin tuaj. Nuk ka nevojë të ndiheni të parëndësishëm ose jointeligjent nëse arrini në një konkluzion të ndryshëm nga dikush tjetër.
-
Informohuni më mirë. Nuk ka nevojë të jeni ekspert për një çështje që të jeni një përkrahës i mirë. Por mund të jetë diçka shumë pozitive që të mësoni rreth një teme për të cilën nuk e keni kontekstin e saj. Ndiqni një studim plot mendim për doktrinën dhe historinë e Kishës. Njihuni me pyetjet e zakonshme. Mësoni se çfarë kanë thënë për këto tema udhëheqësit e Kishës dhe ekspertët besimtarë. Në këtë proces mund të mësoni, çmësoni dhe rimësoni shumë gjëra.
-
Njihuni me parimet për kërkimin e përgjigjeve. Studioni dhe veproni sipas parimeve të diskutuara në pjesën “Të Kërkuarit e Përgjigjeve për Pyetjet Tuaja” në këtë burim.
Shkrime të shenjta kyç: Lluka 22:31–32; 1 Nefi 15:8–11; Jakobi [LiM] 4:6; Alma 32:41–43; Doktrina e Besëlidhje 6:14