Rëndësia e Përjetshme e Familjes
Nga një fjalim i mbajtur më 27 tetor 2015.
Në fjalimin e tij të mbajtur gjatë Kongresit të nëntë Botëror për Familjet në Solt-Lejk-Siti në Jutë të SHBA-së, Plaku M. Rasëll Ballard tha se ata që besojnë në martesën tradicionale, duhet të tubojnë të gjithë mbështetjen që munden, për t’i forcuar e mbrojtur besimin, familjen dhe lirinë e tyre.
Tempujt janë shumë të rëndësishëm për shenjtorët e ditëve të mëvonshme pasi brenda tyre, çiftet martohen për kohën dhe përjetësinë, jo vetëm derisa vdekja t’i ndajë. Siç e shpalli Kisha në dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” 23 vjet më parë: “Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe … familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij”1.
Kjo doktrinë shpjegon qëndrimin tonë të fortë lidhur me familjen. Ne gjithashtu besojmë se duhet t’u drejtohemi të gjithë njerëzve me mirëkuptim, dashuri e dhembshuri. Fjalët e mia fillimisht do të përqendrohen tek arsyet doktrinore pse familjet tradicionale luajnë një rol kaq të rëndësishëm në Kishën tonë. Së dyti, do të shpjegoj marrëdhënien midis çështjeve të ndjeshme fetare që i rrethojnë familjen dhe lirinë fetare. Së fundi, do të sugjeroj disa parime udhërrëfyese për t’i ndihmuar njerëzit përreth nesh, pavarësisht nga ndonjë keqkuptim apo mosmarrëveshje.
Bindjet e Kishës Lidhur me Familjen
Për të dhënë kontekst mbi atë që beson Kisha lidhur me familjen, do të doja të citoj vargje nga një këngë e kënduar shpesh nga fëmijët tanë e quajtur “N’Qiell Jetova”. Kjo këngë përvijon se nga erdhëm, përse jemi këtu dhe ku po shkojmë. Është ajo që shenjtorët e ditëve të mëvonshme e quajnë plani i shpëtimit – një plan i përjetshëm i Atit tonë Qiellor.
N’qiell jetova shum’ koh’ më par’ ësht’ e vërtet’.
Jetova dhe desha njerëz atje. Si dhe ju.
Më pas Ati Qiellor një plan të bukur dha
Për tokën, shpëtimin e përjetshëm t’njeriut.
Ai tha se i duhej dikush me shum’ dashuri,
Jetën të jepte që t’gjith’ atje lart të kthehen.
Një tjetër ishte që nderin hyjnor kërkoi.
Jezusi tha: “At’ mua dërgom’, lavdia ty t’qoft’”.
Jezusi u zgjodh, si Mesia erdhi Ai,
Lig’sin’ dhe vdekjen mposhti me anë të emrit të Tij.
Duke m’dhën’ shpres’ për një jet’ të mrekullueshme,
Shtëpi në atë qiell ku Ati po më pret.2
Me këtë këngë në mendje, më lejoni të shpjegoj disa elemente të rëndësishme të planit të shpëtimit që do të theksojnë pavdekësinë dhe natyrën tonë të përjetshme, si edhe të familjeve tona.
Përpara kësaj jete, ne jetuam me Perëndinë, i cili është Ati ynë Qiellor. Ai është Ati i mirëfilltë i shpirtrave tanë dhe ne jemi fëmijët e Tij shpirtërorë. Si rrjedhojë, të gjithë ata që linden në këtë jetë, janë vëllezër e motra shpirtërore.
“I tërë qëllimi i Perëndisë – vepra e Tij dhe lavdia e Tij – është të bëjë të mundur që secili nga ne t’i gëzojë të gjitha bekimet e Tij.” Zgjedhja jonë për t’iu bindur ose jo urdhërimeve të Tij përcakton fatin tonë të përjetshëm. “Jezu [Krishti] është qendra e planit të Perëndisë. Me anë të Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti përmbushi qëllimin e Atit të Tij dhe bëri të mundur për secilin nga ne të gëzojë pavdekësinë dhe jetën e përjetshme.”3 Lidhjet e martesës dhe të familjes bashkohen nga autoriteti i priftërisë për të duruar përtej varrit, në qoftë se martohemi në tempull “për kohën … dhe për gjithë përjetësinë” (DeB 132:7).
Shpresoj që kjo përmbledhje e shkurtër do t’ju ndihmojë të kuptoni se si lidhet tërësisht teologjia jonë me familjen tradicionale. Shoqëria, ligji dhe opinioni publik mund të ndryshojnë, por varianti i shoqërisë për familjen nuk mund dhe nuk do ta zëvendësojë qëllimin dhe planin e Perëndisë për fëmijët e Tij.
Në botën e sotme, ku martesa dhe fëmijët po zhvlerësohen gjithnjë e më shumë, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk qëndron e vetme në përcaktimin e familjes tradicionale si njëri prej elementeve më të rëndësishme doktrinore.
Papa Françesku ka thënë: “Ai [Perëndia] i bëri burrat e gratë që të jenë të lumtur, që ta kalojnë udhëtimin e tyre së bashku me dikë që i plotëson ata, që të jetojnë përvoja të mrekullueshme të dashurisë: të japin e të marrin dashuri dhe ta shohin dashurinë e tyre të japë fryte te fëmijët”4.
Kisha Baptiste Jugore shpall: “Martesa është bashkimi i një burri me një grua në një zotim besëlidhës për tërë jetën. … Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë vlerë të barabartë përpara Perëndisë, përderisa që të dy janë krijuar simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë.”5
Bindjet tona doktrinore rreth familjes së përjetshme dhe thëniet nga udhëheqës të tjerë të njohur, të krishterë e bëjnë më të lehtë që të kuptohet përse jemi kaq të vendosur që t’i ushqejmë, mbrojmë e nxitim familjet tradicionale.
Mbështetja Laike për Pikëpamjet Fetare
Ka nga ata që mendojnë se një doktrinë e tillë dhe shpallje të tilla janë zëra fetarë të paarsyeshëm. Megjithëkëtë, Gjykata e Lartë e SHBA-së bëri përpjekje shumë të madhe në qershor të vitit 2015 për të bërë të njohur që njerëz të sinqertë e të arsyeshëm të mund të kenë një opinion të ndryshëm, edhe kur njihet ligjërisht martesa mes së njëjtës gjini:
“Martesa është e shenjtë për ata që jetojnë sipas feve të tyre. …
… Ka shembuj të patreguar të bukurisë së martesës në tekstet fetare dhe filozofike, të shtrira në kohë, kultura dhe besime fetare, si edhe në art e letërsi në të gjitha format e tyre. Është e drejtë dhe e nevojshme që të themi se këta shembuj u bazuan mbi mirëkuptimin që martesa është një bashkim midis dy njerëzve të gjinisë së kundërt. …
… Martesa, në pikëpamjen e tyre, nga natyra është një bashkim i gjinive të ndryshme të burrit e të gruas. Kjo pikëpamje është ruajtur prej kohësh – dhe vazhdon të ruhet – ndershmërisht nga njerëz të arsyeshëm e të sinqertë këtu dhe anembanë botës.”6
Gjykata e Lartë vuri në dukje me saktësi që shumë njerëz të sinqertë e të arsyeshëm në botë vazhdojnë ta pranojnë martesën tradicionale.
Besimi, Familja dhe Liria
Duke e kuptuar që njerëz të arsyeshëm e të sinqertë mund ta shohin martesën si vetëm midis njerëzve të gjinisë së kundërt, diskutimi publik duhet t’iu bëjë vend pikëpamjeve të tilla dhe liria fetare duhet t’i mbrojë ato. Në të vërtetë, ngaqë bindjet fetare mund ta ndikojnë mënyrën se si besimtarët e shohin pikërisht qëllimin e jetës, pikëpamje të tilla do të përcaktojnë se si ata ndërveprojnë me shoqërinë.
Më vjen ndërmend historia e lajmeve rreth fëmijëve të vegjël, mësuesja e të cilëve u lexoi një histori rreth dy princërve që ranë në dashuri. Mësuesja e paraqiti këtë material pa asnjë paralajmërim ose njoftim. Kur prindërit kërkuan që të lajmëroheshin nëse kjo histori do të lexohej sërish në të ardhmen, shkolla nuk pranoi.7
A do të ishin dëmtuar vërtet administratorët e shkollave po t’i lejonin prindërit që t’i largonin fëmijët e tyre kur materiali që po u jepej mësim, ishte në kundërshtim me bindjet e tyre? Vendimi i shkollës duket si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj rolit të prindërve në rritjen e fëmijëve të tyre.
Ne jetojmë në një kohë ekstremesh. Shpesh kompromisi duket i vështirë dhe i largët. Ne dëgjojmë histori të njerëzve që janë përpjekur të jenë të vërtetë ndaj standardeve të tyre, [me rezultatin e] vetëm që të akuzohen për fanatizëm ose mungesë tolerance apo të ndëshkohen në një shkallë të paarsyeshme në dukje.
Shumica e pothuaj 200 kombeve të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e pranuan të drejtën e prindërve për t’u dhënë mësim fëmijëve të tyre kur ata e nënshkruan Marrëveshjen Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike. Neni 18 i këtij traktati shpall: “Palët … marrin përsipër të kenë respekt për lirinë e prindërve … që të sigurojnë edukimin fetar dhe moral të fëmijëve të tyre në përputhje me vetë bindjet e tyre”8.
Kjo mbrojtje ndërkombëtare e të drejtave të njeriut është në përputhje me pozitën e Kishës, e cila shpall në proklamatën për familjen: “Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi … dhe për t’i mësuar ata ta duan e t’i shërbejnë njëri-tjetrit [dhe] të zbatojnë urdhërimet e Perëndisë. … Bashkëshortët dhe bashkëshortet, nënat dhe etërit, do të mbahen përgjegjës përpara Perëndisë për plotësimin e këtyre detyrimeve.”9
Mund të mendojmë se batica është kundër nesh, por ne kemi plot mbështetje që të vazhdojmë t’i ruajmë pikëpamjet tona për martesën tradicionale. Kam vënë në dukje vetëm disa burime. Ekzistojnë shumë më tepër.
Ne duhet të tubojmë të gjithë mbështetjen që mundemi për t’i forcuar e mbrojtur besimet tona fetare, familjet dhe liritë tona. Disa individë aktivisht po përpiqen të na i heqin këto të drejta. Një histori në lajme raportoi që miliona dollarë janë derdhur për t’i shkatërruar mbrojtjet e lirisë fetare në Shtetet e Bashkuara.10
Për këto lloje kërcënimesh, unë besoj se kolegu im, Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e ka shprehur në mënyrën më të mirë: “Edhe kur kërkojmë të jemi të butë dhe ta shmangim grindjen, ne duhet të mos e rrezikojmë apo ta dobësojmë zotimin tonë ndaj të vërtetave që kuptojmë. Ne nuk duhet t’i braktisim pikëpamjet tona ose vlerat tona.”11
Nëse ata që na kundërshtojnë, janë të sinqertë në zotimin e tyre ndaj vlerave të shumëllojshmërisë e të barazisë, ne duhet të jemi në gjendje të punojmë së bashku për të gjetur mirëkuptim e paqe. Detyrimi me forcë i bindjeve të dikujt mbi dikë tjetër, siç ndodhi me fëmijët që po u lexohej një material në kundërshtim me dëshirat e prindërve të tyre, ia ul vlerën shumëllojshmërisë dhe i shtrembëron peshoret e barazisë. Duke u përfshirë në kompromis dhe duke u dhënë dashuri të gjithë fëmijëve të Perëndisë, të cilët janë vëllezërit e motrat tona, ne mund të krijojmë një tapiceri paqësore, të larmishme të idealeve dhe bindjeve fetare.
Parimet Udhërrëfyese për ta Dashur Njëri-Tjetrin
Tani që e kam përshkruar rëndësinë e martesës tradicionale dhe që ne duhet t’i mbrojmë të drejtat tona, më lejoni të shpjegoj përse duhet të shtrijmë një dorë shoqërimi ndaj atyre me të cilët nuk jemi dakord. Jezu Krishti urdhëroi:
“Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin,
për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej” (Mateu 5:44–45).
Ashtu siç nuk i largojmë dhe nuk duhet t’i largojmë pjesëtarët e familjes me të cilët nuk biem dakord, ne nuk mund dhe nuk duhet t’i largojmë ata që duken ose mendojnë apo veprojnë ndryshe nga ne. Ne e shfaqim natyrën tonë njerëzore më të mirë kur tregojmë dashuri e mirësi ndaj të gjithë fëmijëve të Perëndisë. Ne e shfaqim dishepullimin tonë kur nuk pranojmë zëra të ashpër, kur nuk pranojmë etiketa tallëse dhe kur hyjmë në diskutimin publik duke kërkuar rezultate të drejta nëpërmjet mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjelltë.
Kohët e fundit, Kisha përkrahu legjislacionin që baraspeshoi shqetësimet e komunitetit LGBT me shqetësimet e atyre që kanë çështje të ndjeshme fetare tradicionale. Legjislacioni i mbron njerëzit LGBT prej pushimit nga puna ose mohimit të strehimit për shkak të orientimit ose identitetit të tyre seksual. Në të njëjtën kohë, ndërgjegjja fetare dhe e drejta për të ushtruar besime fetare që janë të ngulura thellësisht, mbrohen nga ky legjislacion i fuqishëm.12
Asnjë nga palët nuk fitoi gjithçka që dëshironte, por puna jonë me komunitetin LGBT dhe Legjislaturën e Jutës e pakësoi përçarjen në komunitetin tonë pa i vënë në rrezik parimet tona kyçe.13 Ne mund ta duam njëri-tjetrin pa i vënë në rrezik idealet hyjnore të vetes sonë. Dhe mund të flasim për ato ideale pa ua ulur vlerën të tjerëve.
Jezu Krishti ishte shembulli më i lartë i dashurisë për të tjerët. Vetëm pak orë përpara se të fillonte procesin e dhimbshëm të pagimit për mëkatet e secilit prej nesh, Ai u takua me Apostujt e Tij për të marrë pjesë në Festën e Pashkës – Darkën e Tij të Fundit – dhe për t’u dhënë atyre udhëzimet e fundit që do t’i jepte në vdekshmëri. Mes mësimeve të Tij është shpallja frymëzuese, jetëndryshuese: “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin” (Gjoni 13:34).
Ne mund të jemi të veçantë dhe plot pasion rreth përfitimeve nga martesa midis një burri e një gruaje, pa treguar mungesë respekti ose pa i lënduar ata që mendojnë ndryshe. Pavarësisht nga bindja apo ushtrimi fetar, si vëllezër e motra, ne duhet të përpiqemi fort që ta kuptojmë njëri--tjetrin. Mbani mend që më së fundi, të martuar apo beqarë, ne jemi secili një pjesë e pashoqe e planit të madhërishëm të Perëndisë.
Përfundimi
Profeti Jozef Smith dhe vëllai i tij, Hajrëmi, u vranë më 27 qershor 1844 nga një turmë teksa mbaheshin në burgun e shtetit. Pas vrasjes së tyre, përndjekja dhe turmat i kërcënuan se do t’i shkatërronin anëtarët e Kishës ndërkohë që po ngrinin Tempullin e Navusë. Por ata e vazhduan ndërtimin edhe kur e dinin se do t’u duhej ta braktisnin atë. Përpara se të dëboheshin nga turmat, ata e frekuentuan tempullin ditë e natë për të bërë premtime të shenjta që do t’i bashkonin përjetësisht si familje.14
Gjatë kryerjes së udhëtimit drejt Luginës së Solt-Lejkut, stërgjyshërit në të dyja familjet si të babait edhe të nënës sime paguan një çmim të pamasë në vuajtje dhe fatkeqësi. Familjet pioniere u ndanë nga vdekja dhe pavarësisht nga varrosja e fëmijëve, bashkëshortëve e bashkëshorteve, prindërve, gjyshërve e gjysheve dhe miqve përgjatë udhëtimit të tyre të shkretuar drejt perëndimit, ata vazhduan të ecnin përpara.
Besimi i tyre në një plan hyjnor, të hartuar nga Prindër Qiellorë që na duan, u dha atyre kurajë përballë sfidave të jashtëzakonshme. Kërkuan një vend ku, pa përndjekje, ata të mund t’i rritnin familjet e tyre që ta donin Perëndinë dhe t’i shërbenin Atij. I falënderoj që na e treguan udhën.
Doktrina dhe teologjia e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në mënyrë të mirëfilltë fillon dhe mbaron me familjen. E përsëris atë që e thashë më parë: ne besojmë se jetuam përpara kësaj jete tokësore si pjesëtarë të familjes shpirtërore, paratokësore të Perëndisë; dhe që, si fëmijë të Prindërve Qiellorë, ne duhet të përgatitemi ndërsa jemi në tokë që të kthehemi për të marrë bekimet të cilat u premtohen atyre që i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë.
Kjo njohuri do ta përgatitë secilin prej nesh për atë ditë kur të vdesim dhe atëherë sigurisht do ta dimë, me kthimin tonë në praninë e shenjtë të Perëndisë, qëllimin e vërtetë të planit të Tij për ne. Dhe kështu, sikurse vihet në dukje në proklamatën për familjen: “Ne u bëjmë thirrje qytetarëve dhe zyrtarëve të përgjegjshëm të qeverive kudo që janë të nxisin ato masa të krijuara për të ruajtur dhe forcuar familjen si njësia themelore e shoqërisë”15.