2018
Hapësira Jonë
Janar 2018


Hapësira Jonë

Unë e Vë në Punë Besimin Tim

young man kneeling with ping-pong paddle

Ilustrimi nga David Malan

Ndeshja e pingpongut me mikun tim Erfri u ndërpre nga tri trokitje në derën e tij të përparme. Unë dëgjova një zë të panjohur me një theks të huaj të Hiligajnonit, dialekti ynë vendas.

Erfri rendi drejt derës, me sa duket i priste. “Eja!” më tha. “Dua t’i takosh miqtë e mi!”

Ata kishin veshur këmisha të bardha e kravata dhe kishin ardhur t’i jepnin mësim vëllait më të vogël të Erfrit për ta përgatitur për pagëzim. U fola anglisht dhe atyre u bëri përshtypje aq sa më kërkuan nëse do të përktheja gjatë diskutimit të tyre me vëllanë e Erfrit.

Unë mendova se roli im do të ishte thjesht i një përkthyesi pasiv. Por u bëra pjesëmarrës aktiv teksa fjalët e tyre hodhën rrënjë në zemrën time. Pata një ndjenjë të pashpjegueshme, një ndjesi lumturie që zgjat, të cilën nuk e pata përjetuar kurrë më parë.

Pas asaj përvoje, u kërkova misionarëve që t’i jepnin mësim familjes sime. Por, kur ata erdhën, prindërit e mi vendosën pa lëkundje që mormonët të mos kishin kurrë vend në familjen tonë.

Unë doja të pagëzohesha, prandaj e vura në punë besimin tim. Agjëroja dhe lutesha. U përpoqa të jem shembull për ta.

Dy vite më pas, nëpërmjet vetëbesimit tim të thjeshtë dhe mbështetjes së dashur të Atit Qiellor, zemra e babait tim më në fund u zbut dhe ai e nënshkroi pëlqimin për pagëzimin tim. Unë jam i lumtur të them se dëshmia ime për ungjillin e rivendosur është zotërimi im më i çmuar.

Arnel M., Negros Oksidental, Filipine

Nga Fillorja tek Të Rejat

Unë e kam pasur gjithmonë të vështirë të përshtatem në situata të reja. Kjo është arsyeja pse isha e shqetësuar që të lija Filloren dhe të filloja tek Të Rejat. Në fillim programi ishte i çuditshëm për mua. Tek Të Rejat mjedisi ishte tërësisht i ndryshëm – pa kohë për këngë, pa kohë për ndarje mendimesh. Ne gjithashtu kishim Aktivitet të Përbashkët gjatë javës.

Unë thjesht doja të përshtatesha dhe të ndihesha rehat, ndaj provova me programin e ri. U luta shumë e fillova të përshtatem në rutinën e re dhe të lidhem me të rejat e tjera.

Ndërsa kalonin javët, fillova të kuptoj përse isha në programin e Të Rejave. Po mësoja më shumë rreth ungjillit, po i përdorja më shumë mundësitë që të bëja diçka të mirë çdo javë dhe mundesha të shkoja në tempull e të ndieja Shpirtin e Zotit në shtëpinë e Tij.

Tani jam shumë mirënjohëse për Të Rejat. Jam e lumtur që i dhashë një mundësi këtij ndryshimi dhe që Ati im Qiellor më ndihmoi për këtë.

Betani W., Florida, SHBA

Një Shpirt i Pastër: Më i Rëndësishëm sesa një Garë

good books

Në klasën e tetë unë isha në një klub leximi. Çdo muaj ne takoheshim për të diskutuar një libër dhe në fund të vitit kishim një garë për të parë se cila skuadër dinte më shumë rreth secilit libër. Një rregull që e respektonim gjithmonë, ishte të lexonim vetëm libra të pastër.

Një muaj, kur fillova të lexoja librin e radhës, ndjeva se nuk ishte i pastër. Por duhej ta lexoja nëse doja që skuadra ime ta fitonte garën. Unë nuk mund t’i zhgënjeja. Disa kapituj më tej, libri u bë edhe më i keq. Përfundimisht e lashë. E dija se nuk mund ta lexoja – pastërtia ime shpirtërore ishte më e vlefshme sesa fitimi i një gare.

Por isha shumë e shqetësuar që t’ia thosha skuadrës sime. Një natë përpara takimit të klubit tonë, iu luta me zjarr Atit Qiellor që të më ndihmonte të kisha kurajë të përballesha me ta.

Të nesërmen isha vërtet e shqetësuar. U ula me skuadrën time. Sapo filloi mbledhja, unë doja t’i shpjegoja secilit se nuk mund ta lexoja librin. Por përpara meje, udhëheqësja u ngrit dhe kërkoi falje. Ajo shpjegoi se nuk e pati lexuar librin përpara se ta fuste në listën tonë të librave dhe nuk e dinte ç’kishte brenda. Ajo tha se do ta hiqte nga lista. Kur arrita në shtëpi, unë falënderova Atin Qiellor.

Unë e di se, kur i mbajmë fort standardet, Zoti vëzhgon mbi ne. Ai nuk i zgjidh gjithmonë gjërat sikurse Ai bëri për mua, por Ai gjithmonë do të na japë kurajën të marrim vendime të mira.

Eshli A., Jutë, SHBA