Parime të Vizitës Mësimore
Mbajini Lidhjet me Të në Çdo Kohë, në Çdo Vend dhe në Çdo Mënyrë
Vizita mësimore është rreth shërbimit. Jezusi shërbeu në çdo kohë dhe në çdo vend. Ne mund të bëjmë të njëjtën gjë.
Të “shërbesh” do të thotë të japësh shërbim, të kujdesesh ose të ndihmosh, gjë që kontribuon në ngushëllimin apo lumturinë e dikujt tjetër. Vizita mësimore ka të bëjë me zbulimin e mënyrave për t’u shërbyer njerëzve që ne vizitojmë. Jezu Krishti u shërbeu të gjithëve – në çdo kohë dhe në çdo vend. Ai ushqeu të 5 000 vetët, ngushëlloi Marien dhe Martën në vdekjen e vëllait të tyre dhe i mësoi ungjillin e Tij gruas te pusi. Ai e bëri atë për shkak të dashurisë së Tij të sinqertë.
Duke e ndjekur shembullin e Tij, si mësuese vizitore ne mund të arrijmë ta njohim e ta duam çdo motër që vizitojmë, duke mbajtur mend se dashuria është themeli i gjithçkaje që bëjmë. Kur lutemi për frymëzim që të dimë se si t’i shërbejmë asaj dhe se si ta ndihmojmë që ta forcojë besimin e saj, “engjëjt nuk do të ngurrojnë të bëhen shoqëruesit [tanë]”1.
Që prej organizimit të Shoqatës së Ndihmës në vitin 1842 e deri më sot, shërbesa e grave i ka bekuar njerëzit. Për shembull, Xhoana Xhonson, një e ve 82-vjeçare dhe shoqja e saj e vizitave mësimore e vizitojnë fqinjën e tyre e cila është 89 vjeçe dhe ka pneumoni. Ato mund ta shihnin se fqinja e tyre nuk kishte nevojë për to vetëm një herë në muaj, kështu që filluan ta kontaktonin çdo javë duke shkuar vetë ose me anë të telefonit.
Për mësuese të tjera vizitore, dërgimi i një mesazhi me celular apo me postë elektronike që jep nxitje, mund të jetë gjëja më e mirë që bëjnë për një motër atë muaj. Krijimi i lidhjeve vetjake dhe dëgjimi me një qëndrim plot dashuri është thelbi i vizitës mësimore. Teknologjia bashkëkohore dhe vizitat ballë për ballë, një mënyrë e rrënjosur prej kohësh, na ndihmojnë që ta bëjmë atë në çdo kohë, në çdo vend dhe në shumë mënyra.2 Kjo do të thotë të shërbesh siç shërbeu Jezusi.